ATV

Author: G.O.

  • “Kriza humanitare në Gaza e tmerrshme”, BBC: Civilë dhe gazetarë rrezikojnë të vdesin urie

    “Kriza humanitare në Gaza e tmerrshme”, BBC: Civilë dhe gazetarë rrezikojnë të vdesin urie

    Situata në Gaza është shumë problematike. Mediat ndërkombëtare raportojnë se 2.3 milionë njerëz në Gaza nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar.

    Ndonëse ka shumë organizata që po përpiqen të sigurojnë ushqime, por gjendja ka kaluar kufijtë e normale. Imazhet të publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë për fëmijë, të rritur, të moshuar në radhë për të marrë ushqim. Alarmi është ngritur edhe nga mjekët atje që përveçse përballen me sulmet për shkak të luftës së nisur prej vitesh, tashmë lufta me urinë është kthyer në një “betejë” të përditshme.

    “Gaza po ndodh uri masive, nivelet e kequshqyerjes kanë kaluar çdo limit. Më shumë se 100 organizata ndihme në një deklaratë të përbashkët ngritën alarmin dhe bënë thirrje për ndërhyrje”.

    Ndërkohë Izraeli një ditë më parë tha se 150 kamionë me ndihma u mblodhën nga OKB dhe nga agjenci të tjera brenda Gazës dhe se 800 kamionë të tjerë po presin të shpërndahen.

    Por sipas BBC edhe gazetarët e ndodhur atje dhe pasqyrojnë zhvillimet po rrezikojnë të vdesin nga uria.

    “Jemi të shqetësuar jashtëzakonisht për gazetarët tanë në Gaza, të cilët janë gjithnjë e më të paaftë të ushqejnë veten dhe familjet e tyre. Për shumë muaj, këta gazetarë të pavarur kanë qenë sytë dhe veshët e botës në terren në Gaza. Ata tani po përballen me të njëjtat rrethana të tmerrshme si ato për të cilat po raportojnë për civilët”, thuhet në deklaratën e BBC.

  • Greqia mund t’ia bllokojë Turqisë qasjen në skemën e BE-së për mbrojtje

    Greqia mund t’ia bllokojë Turqisë qasjen në skemën e BE-së për mbrojtje

    Greqia e ka paralajmëruar Turqinë se mund t’ia bllokojë qasjen në një fond të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes, nëse Ankaraja nuk ofron garanci se armët nuk do të përdoren për ta shënjestruar Athinën.

    Greqia, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe Turqia fqinje kanë marrëdhënie të tensionuara me dekada lidhur me të drejtat e sovranitetit në Detin Egje, dhe së fundmi edhe për shkak të çështjeve të energjisë dhe migrimit.

    Turqia, vend anëtar i NATO-s, por jo edhe i bllokut evropian, e gëzon mundësinë që të ketë qasje në programet e BE-së për industrinë e mbrojtjes dhe në programet e përbashkëta për prokurim, në kuadër të Iniciativës së BE-së për Veprim në Siguri, në vlerë të 150 miliardë eurove, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Mirëpo, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se shteti i tij nuk do ta lejojë Turqinë të marrë pjesë në skemën e mbrojtjes, nëse vazhdon të kërcënojë me luftë kundër Greqisë dhe ia vë në pikëpyetje sovranitetin në Detin Egje.

    “Greqia nuk do ta lejojë këtë”, ka thënë lideri konservator për televizionin Skai.

    Turqia kërcënon shpesh me luftë, në rast se Greqia i zgjeron njëanshëm veprimet në ujërat e Egjeut.

    Mitsotakis e ka përmendur se do të duhet pajtueshmëria e 27 vendeve anëtare të BE-së, para se Turqia të ketë qasje në fondet e bllokut.

    “Kërkohet unanimitet”, ka deklaruar ai.

    Komentet e tij kanë ardhur disa orë pasi Gjermania ka thënë se e ka miratuar dërgimin e aeroplanëve Eurofighter në Turqi.

    Turqia është në bisedime me vite për blerjen e 40 aeroplanëve të tillë, të cilët prodhohen përmes një bashkëpunimi mes Gjermanisë, Britanisë, Italisë dhe Spanjës.

  • Mbyllet përkohësisht pishina e Gërmisë, pasi u vërtetua se uji nuk i plotëson standardet

    Mbyllet përkohësisht pishina e Gërmisë, pasi u vërtetua se uji nuk i plotëson standardet

    Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë e ka mbyllur përkohësisht pishinën publike të Gërmisë në Prishtinë, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur të enjten se rezultatet e mostrave laboratorike që janë marrë prej aty, kanë treguar se nuk janë plotësuar standardet për ujin.

    Menaxhimin e kësaj pishine e ka ndërmarrja publike “Sport Marketing”, ndërsa IKSHPK-ja kryen kontrolle të cilësisë së ujit, në kuadër të mandatit që ka për mbrojtjen e shëndetit publik.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë për mediat lokale në Kosovë se është në kontakt me kompaninë për menaxhimin e pishinës.

    “E di që po merren me këtë çështje dhe më kanë lajmëruar që brenda këtyre ditëve edhe kjo çështje do të zgjidhet”.

    I pyetur nëse do të merren masa ndaj kompanisë menaxhuese, Rama ka thënë se do të analizohet se “çfarë vendime janë marrë, dhe ku janë marrë”.

    “Do të ketë masa pas këtyre informatave që do t’i kemi”.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekzistojnë një mori sëmundjesh që mund të shpërthejnë si pasojë e mosplotësimit të standardeve nëpër pishina, përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes dhe ato gastrointestinale, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Në mesin e shqetësimeve tjera përfshihen irritimi i syve dhe lëkurës, dhe infeksione të ndryshme që manifestohen me diarre.

    Ky lajm vjen teksa qytetarët e Prishtinës janë në kërkim të hapësirave për freskim, teksa temperaturat arrijnë deri në 38 gradë Celsius.

    IKSHPK-ja ka thënë se ka marrë mostra të reja më 23 korrik dhe se rezultatet e tyre do të dalin të premten.

    Pishina e Gërmisë është hapur këtë vit më 8 korrik.

    Uji i pishinës së Gërmisë nuk plotëson standardet – IKShPK konstaton devijime mikrobiologjike, të premten dalin rezultatet tjera

  • MD-ja tregon shumën e shpenzimeve financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    MD-ja tregon shumën e shpenzimeve financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se nga fillimi i procesit gjyqësor në Hagë e deri më sot, janë realizuar pagesa të rregullta për mbrojtjen juridike të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.

    Sipas njoftimit, deri më tani janë paguar gjithsej 32.9 milionë euro, ndërsa mbi 5.3 milionë prej tyre janë shpenzuar për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Këto pagesa janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi dhe marrëveshjet e miratuara paraprakisht nga institucionet përkatëse.

    Ministria thekson se përkrahja financiare do të vazhdojë në mënyrë transparente dhe të rregullt, sipas udhëzimeve ligjore.

    Mbështetja përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me punën e ekipeve mbrojtëse, bazuar në tarifat e përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës, si dhe në praktikat e aplikueshme në vendet të tjera të përfshira në këtë proces.

  • Përplasje të armatosura në kufirin Tajlandë–Kamboxhia, të dy vendet sulmojnë njëra-tjetrën, disa të vdekur në të dy anët

    Përplasje të armatosura në kufirin Tajlandë–Kamboxhia, të dy vendet sulmojnë njëra-tjetrën, disa të vdekur në të dy anët

    Një konflikt i armatosur ka shpërthyer në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias, pasi të dyja vendet kanë ndërmarrë sulme ushtarake ndaj njëra-tjetrës.

    Si pasojë, janë raportuar viktima dhe plagosje në të dy anët, ndërsa civilët janë larguar nga zonat kufitare.

    Ushtria tajlandeze ka konfirmuar përdorimin e avionëve F-16 për të sulmuar një cak ushtarak kamboxhian, pasi më herët dy civilë tajlandezë u vranë nga një bombardim nga pala tjetër.

    Pas këtij sulmi, Tajlanda ka mbyllur të gjitha kalimet kufitare me Kamboxhian.

    Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias e ka cilësuar këtë sulm si shkelje të marrëveshjes dypalëshe, ndërsa thotë se veprimet e saj ishin në vetëmbrojtje.

    Përplasjet mes dy vendeve vijnë pas disa javësh me tensione për mosmarrëveshje të vjetra kufitare.
    .

  • Përleshje fizike mes një kosovari dhe dy shtetasve maqedonas, njëri dërgohet për trajtim në QKUK

    Përleshje fizike mes një kosovari dhe dy shtetasve maqedonas, njëri dërgohet për trajtim në QKUK

    Një përleshje fizike mes tre personave ka ndodhur të mërkurën pasdite në afërsi te Rrethi i Flamurit në Prishtinë.

    Në incident janë përfshirë një shtetas kosovar dhe dy shtetas të Maqedonisë së Veriut.

    Si pasojë e përleshjes, njëri nga të përfshirët ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari kosovar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Ekstradohet i riu nga Gjermania në Kosovë, ishte i dënuar me 18 muaj burg për vjedhje të rëndë

    Ekstradohet i riu nga Gjermania në Kosovë, ishte i dënuar me 18 muaj burg për vjedhje të rëndë

    Policia e Kosovës ka realizuar me sukses ekstradimin e një të riu 27-vjeçar nga Gjermania në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhëresë të gjykatës për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

    I kërkuari me inicialet L.M., është arrestuar në Gjermani dhe është dorëzuar mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga autoritetet gjermane, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e urdhër-arresteve.

    Pas përfundimit të procedurave ligjore, ai është shoqëruar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali për të vuajtur dënimin prej 1 viti e 6 muajsh.

    Policia ka njoftuar se operacioni është përmbyllur pa incidente dhe sipas standardeve profesionale.

  • Uji i pishinës së Gërmisë nuk plotëson standardet – IKShPK konstaton devijime mikrobiologjike, të premten dalin rezultatet tjera

    Uji i pishinës së Gërmisë nuk plotëson standardet – IKShPK konstaton devijime mikrobiologjike, të premten dalin rezultatet tjera

    Mostrat e marra nga uji i pishinës publike të Gërmisë në Prishtinë kanë treguar se ky ujë nuk i plotëson standardet e kërkuara për siguri shëndetësore.

    Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, analizat laboratorike të datës 19 korrik kanë konstatuar devijime në parametrat mikrobiologjikë.

    Të njëjtën ditë, pishina është inspektuar nga Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë.

    Mostrat janë përsëritur edhe më datën 23 korrik, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të dalin nesër.

    Deri atëherë, autoritetet shëndetësore po vazhdojnë monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit në këtë pishinë.

  • Vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”, tre të akuzuarit kryesor sillen në gjykatë

    Vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”, tre të akuzuarit kryesor sillen në gjykatë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”, në të cilin po gjykohen tre të akuzuarit kryesorë: Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq, të cilët ndodhen në paraburgim.

    Një ditë më parë, seanca është mbajtur e mbyllur për publikun, për shkak të dëshmisë së një dëshmitari të mbrojtur me kodin “F1”. Prokurori i çështjes, Naim Abazi, kërkoi përjashtimin e publikut dhe mediave, duke theksuar se identifikimi i dëshmitarit do të rrezikonte sigurinë e tij.

    Kjo kërkesë u miratua nga trupi gjykues, pavarësisht kundërshtimeve nga mbrojtja e të akuzuarve.

    Sipas Prokurorisë Speciale, grupi i armatosur që kreu sulmin më 24 shtator 2023 ka vepruar nën udhëheqjen e Millan Radojiçiqit, me qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës. Aktakuza përfshin gjithsej 45 të dyshuar, prej të cilëve 42 janë në arrati.

  • 849 armë të konfiskuara për gjashtë muaj, Policia: Rritje e numrit të rasteve të përdorimit të armëve

    849 armë të konfiskuara për gjashtë muaj, Policia: Rritje e numrit të rasteve të përdorimit të armëve

    Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, policia ka konfiskuar 849 armë zjarri dhe 16 mijë e 198 sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm.

    Këto shifra janë më të larta se periudha e njëjtë e vitit të shkuar, prandaj policia sot bëri thirrje për shmangie të përdorimit të armëve në përgjithësi, e në veçanti gjatë ahengjeve familjare.

    Vetëm në 24 orët e fundit, tetë raste të ndara janë evidentuar në Kosovë, në komuna të ndryshme.

    ATV-ja dje raportoi për mbi dhjetë të arrestuar vetëm këtë muaj, për shkak të shkrepjeve nëpër ceremoni festive.