ATV

Author: G.O.

  • Tre civilë të vrarë në sulmet ruse në Ukrainë

    Tre civilë të vrarë në sulmet ruse në Ukrainë

    Të paktën tre civilë u vranë në sulmet ruse të premten në rajonet ukrainase të Donetskut dhe Zaporizhias, sipas autoriteteve ukrainase. Presidenti Volodymyr Zelensky theksoi se Ukraina ka nevojë për fonde të mëdha për të ndaluar ofensivën ruse dhe për të mbajtur qëndrueshmërinë e luftës.

    Guvernatori i Donetskut, Vadym Fylashkin, raportoi se dy burra u vranë nga sulmet me dronë ruse në qytetet Pokrovsk dhe Mirnohrad. Ai gjithashtu tha se një tjetër person u plagos në Pokrovsk, ndërsa pesë të tjerë u lënduan në qytetet Kostadinivka dhe Druskivka. Fylashkin përsëriti thirrjen për largimin e civilëve nga zonat afër vijave të frontit.

    Në rajonin e Zaporizhias, guvernatori Ivan Fedorov njoftoi se një burrë u vra në një sulm me dron në fshatin Poltavka, ndërsa dy të tjerë u plagosën nga zjarri i artilerisë ruse në një fshat më në jug.

    Përveç këtyre sulmeve, bombardimet ruse goditën një strukturë mjekësore në Kharkiv, duke lënë 14 të plagosur. Kjo sulm erdhi pas një vale tjetër të sulmeve ajrore që i morën jetën më shumë se 40 personave në Kharkiv të enjten. Ky qytet ndodhet rreth 25 kilometra nga kufiri me Rusinë.

    Në fjalimin e tij të mbrëmjes të premten, Zelensky theksoi se Ukraina është duke planifikuar të rrisë prodhimin e dronëve interceptues për të përballuar inkursioneve të mëtejshme ruse. Ai pranoi se kjo përpjekje do të jetë e vështirë, por nënvizoi se prodhimi i dronëve kërkon një investim të madh financiar, duke shprehur se Ukraina ka nevojë për më shumë se 65 miliardë dollarë çdo vit për të mbajtur luftën aktive.

    “Deficiti i buxhetit është 40 miliardë dollarë, dhe vetëm prodhimi i dronëve kërkon 25 miliardë dollarë,” shtoi Zelensky, duke kërkuar mbështetje të mëtejshme nga aleatët perëndimorë për të siguruar përparimin e ushtrisë dhe të prodhimit të armëve.

    Zelensky gjithashtu tha se po punonte për të siguruar që pagat e ushtarëve të Ukrainës të mbuloheshin nga aleatët ndërkombëtarë, duke theksuar se këta ushtarë garantuan sigurinë e gjithë Evropës. Paga e një ushtari në vijat e frontit është rreth 2,400 euro bruto.

    Për momentin, më shumë se gjysma e buxhetit të Ukrainës financohet nga donatorët ndërkombëtarë, dhe deri më tani, vendi ka marrë rreth 30 milionë euro këtë vit.

  • Dështimi i 53-të, seanca konstituive vazhdon sot në orën 22:00

    Dështimi i 53-të, seanca konstituive vazhdon sot në orën 22:00

    As në përpjekjen e 53-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputeit të PDK-së, Abelard Tahirit, deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu dhe deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se seanca do të mbahet sonte në orën 22:00.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, që do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, periudhë në të cilën deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

    Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis.

  • Shoqëria civile me thirrje të fundit: Të zhbllokohet Kuvendi sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues

    Shoqëria civile me thirrje të fundit: Të zhbllokohet Kuvendi sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues

    Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke u bërë thirrje deputetëve që ta përdorin me përgjegjësi këtë mundësi të fundit për të zhbllokuar procesin dhe për të hapur rrugën e formimit të institucioneve të reja.

    Sipas reagimit, dalja nga kriza politike është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership nga subjektet politike. Organizatat kërkojnë që partitë të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit.

    Shoqëria civile thekson se kthimi në praktikën e votimit të hapur për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit është një hap kyç dhe i domosdoshëm për të kapërcyer bllokadën institucionale.

    “Nëse dështon edhe kjo përpjekje, kriza aktuale vetëm sa do të thellohet, me pasoja të rënda politike, shoqërore dhe ekonomike për vendin”, thuhet në reagim, ku u bëhet thirrje liderëve politikë dhe çdo deputeti që të veprojnë me maturi dhe përgjegjësi në frymën e interesit publik.

  • Kurti: Policia e Kosovës është një forcë multietnike, e cila u sulmua shpesh – gjithnjë doli fitimtare

    Kurti: Policia e Kosovës është një forcë multietnike, e cila u sulmua shpesh – gjithnjë doli fitimtare

    Në nderim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te Lapidari i Policëve të Rënë në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në këtë ditë përkujtimore tha se Kosova ka dhimbje, pikëllim dhe mall për policët e rënë, duke shtuar se Policia e Kosovës është një forcë e fuqishme prej rreth 10 mijë pjesëtarësh që i shërbejnë ligjit dhe sigurisë së qytetarëve pa dallim.

    “Jemi këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë, 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës. Dua të theksoj heroin Enver Zymerin dhe Afrim Bunjakun që ranë në detyrë. Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë Enver Zymerin, dhe po ashtu Afrim Bunjakun të cilët ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës. Dita Memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymerit më 26 korrik të vitit 2011. Sot kemi dhimbje e pikëllim, kemi shumë mall, por kemi edhe krenari, sepse Policia e Kosovës është një forcë prej 10 mijë pjesëtarëve që i dalin zot Republikës sonë dhe mirëmbajnë rendin, ligjin, paqen, sigurinë për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha Kurti, raporton Gazeta Sinjali.

    Ai shtoi se Policia e Kosovës është një forcë multietnike që ka përballuar shumë sfida.

    “Policia e Kosovës është një forcë multietnike, e cila u sulmua shpesh, mirëpo gjithnjë doli fitimtare. Një nga sulmet strukturore që ka përjetuar ka qenë në nëntor të vitit 2022, kur kishim 541 policë të uniformuar nga komuniteti serb që dhanë dorëheqje kolektivisht. Mirëpo kjo nuk arriti ta dëmtojë Policinë e Kosovës, meqenëse në vazhdimësi kemi kadetë të rinj nga gjenerata në gjeneratë. Lavdi Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të Kosovës të rënë në krye të detyrës”, tha Kurti.

  • Kurti bën homazhe në 7-vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit: Ishte personalitet unik

    Kurti bën homazhe në 7-vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit: Ishte personalitet unik

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar në detyrë sot në mëngjes bënë homazhe dhe vendosen lule pranë varrit të veprimtarit të shquar, Adem Demaçit, në 7-vjetorin e vdekjes së tij.

    “Gazetar e shkrimtar, veprimtar e intelektual, i përndjekur dhe i burgosur politik, i lauruar për paqe, përfaqësues politik i luftëtarëve të lirisë, mendimtar dhe kritik, Adem Demaçi ishte mishëruar me çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët.Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!”, tha Kurti.

  • “Ah, biri im…”, Parashqevi Simaku ndan foton e rrallë me djalin e saj

    “Ah, biri im…”, Parashqevi Simaku ndan foton e rrallë me djalin e saj

    Parashqevi Simaku ka ndarë një kujtim të rrallë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.

    Ajo ka postuar një foto të sajën me djalin e saj menjëherë pasi erdhi në jetë. Foton, Simaku e ka shoqëruar me një dedikim prekës.

    “Ah, biri im… kur të mbajta për herë të parë, bota u bë e imja. Me ty në duar, edhe sikur bota të shembej, s’mund të më rrëzonte. Por tani… disi, jemi larg. Dhe kjo më thyen më shumë se çdo fund. Luke, zemra ime, të dua sa botën”, ka shkruar ajo.

     

  • IKD: Kosova pa Kuvend dhe pa Qeveri legjitime po rrezikon miliarda ndihma ndërkombëtare

    IKD: Kosova pa Kuvend dhe pa Qeveri legjitime po rrezikon miliarda ndihma ndërkombëtare

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësoi se situata në vend ka tejkaluar krizën politike dhe është kthyer në një kaos institucional, për shkak të mungesës së Kuvendit të konstituar dhe pamundësisë për të pasur një qeveri me kompetenca të plota.

    Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, vuri në dukje se pasojat e kësaj bllokade tashmë janë duke cenuar rëndë interesat strategjike të Kosovës.

    “Mund të themi që më Kosova nuk është vetëm në një krizë politike, po Kosova është duke kaluar përmes një kaosi, i cili do të thotë ka qenë i paparë deri më tani. Nuk kemi Kuvend të konstituar, nuk kemi një Kuvend, i cili mund t’i ushtrojë kompetencat, përgjegjësitë që ia ofron Kushtetuta dhe ligji. Po ashtu pasojat janë që ky Kuvend nuk është në gjendje të ushtrojë kontrollin parlamentar ndaj qeverisë në detyrë”, tha Miftaraj.

    Ai tha se edhe përbërja aktuale e qeverisë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme, pasi një pjesë e ministrave janë njëkohësisht edhe deputetë, çka bie ndesh me Kushtetutën.

    “Mos të harrojmë që kemi një vendim të Gjykatës Supreme, i cili ka përcaktuar se secili ministër që është edhe deputet nuk mund të njëjtën kohë t’i ushtrojë këto dy funksione, sepse është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligj. Sot qeveria e Kosovës, edhe pse në detyrë, nuk ka as kuorum për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime. Tetë ministra, të cilët janë edhe deputetë, ose të njëjtit marrin vendime të reja në sferën penale dhe në njëfarë mënyre e shkelin jo vetëm ligjin, por e shkelin edhe vetë Kushtetutën e vendit”, tha ai.

    Sipas Miftarajt, mungesa e funksionimit të Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt edhe në punën e institucioneve të pavarura dhe bordeve publike.

    “IKD ka publikuar një raport përmes së cilit konfirmoi që kemi një numër të madh të institucioneve të pavarura që tani më nuk kanë kuorum e nuk mund të ushtrojnë funksionin dhe përgjegjësitë e tyre dhe jemi në pritje të një numri të madh të institucioneve të tjera të pavarura, të cilave do t’u skadojë mandati bordeve të ndërmarrjeve dhe nuk do të jenë në gjendje t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, tha ai.

    Miftaraj përmendi edhe dëmet konkrete financiare që po i shkaktohen vendit për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

    “Kërkesa e presidentes e ka sqaruar këtë jashtëzakonisht mirë. Kërkesa e presidentes ka sqaruar edhe pasojat që do të ndodhin nëse nuk kemi një Kuvend të konstituar së shpejti, pa harruar faktin pastaj që Kosova po humbet qindra miliona euro apo edhe miliarda euro, për shkak se nuk po mund ta ratifikojmë marrëveshjen që ka të bëjë me Planin e Rritjes, ku janë 886 milionë euro, por janë edhe në pritje numër i madh i marrëveshjeve bilaterale me Francën, Gjermaninë, me shtete të tjera, të cilat kanë ofruar asistencë, ndihmë financiare Kosovës në fusha të ndryshme. Mund të themi që kemi arritur në një situatë ku çdo ditë e moskonstituimit të Kuvendit tanimë, jo vetëm që prek interesin, e prek mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, por i cenon interesat strategjike të vetë Kosovës”, tha për EO, Miftaraj.

  • Mbahen homazhe shtetërore në nderim të Heroit Enver Zymeri dhe zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës

    Mbahen homazhe shtetërore në nderim të Heroit Enver Zymeri dhe zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës

    Në nderim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë organizuar sot homazhe shtetërore te Lapidari i Policëve të rënë.

    Në orët e para të mëngjesit, përfaqësues të institucioneve shtetërore zhvilluan vizitë te familja e zyrtarit policor Muhamed Lika, i cili ra në kryerje të detyrës.

    Gjatë ditës, do të mbahen homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë në familjen e tij.

    Po ashtu, janë paraparë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij.

    Ceremonitë përkujtimore përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.

  • Dyshohet se ushtronte dhunë psikike ndaj nënës, arrestohet i dyshuari në Gjilan

    Dyshohet se ushtronte dhunë psikike ndaj nënës, arrestohet i dyshuari në Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në Gjilan, i dyshuar për ushtrim dhune psikike ndaj viktimës – nënës së tij.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme hetimore.

    “Gjilan 25.07.2025 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës-nënës së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

    Policia po vazhdon hetimet lidhur me rastin.

  • Burri nga Shtimja thotë u sulmua fizikisht nga dy vëllezërit e tij, shkak një mosmarrëveshje

    Burri nga Shtimja thotë u sulmua fizikisht nga dy vëllezërit e tij, shkak një mosmarrëveshje

    Policia ka njoftuar se dy persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë sulmuar vëllain e tyre në Shtime.

    Sipas policisë, deri te sulmi erdhi për shkak të një mosmarrëveshje.

    Viktima thuhet se ka pranuar tretman mjekësor, derisa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Shtime 25.07.2025 – 16:10. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, nën dyshimin se të njëjtit për shkak të një mosmarrëveshje, kanë sulmuar viktimën mashkull kosovar-vëllain e tyre. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor në QKMF-Shtime, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.