ATV

Author: G.O.

  • Elshani: Policia kërkoi asistencë për zhytësit e FSK-së, nënkuptohet që kanë ardhur me leje të KFOR-it

    Elshani: Policia kërkoi asistencë për zhytësit e FSK-së, nënkuptohet që kanë ardhur me leje të KFOR-it

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se ka qenë kërkesë e tyre që FSK-ja të shkojë në Ujman me misionin për të asistuar përmes zhytësve të saj për gjetjen e trupit.

    “Procedura është e tillë që ne fillimisht vijmë në vend të ngjarjes, zakonisht ne qëllojmë të parët këtu pas qytetarëve dhe policët kanë qenë këtu në këtë parking kur ka ndodhë rasti. Ne i kemi kërkuar zhytësit që të vijnë, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, mandej nëpërmjet hierarkisë sonë komanduese, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ne kërkojmë asistencë për zhytës”.

    “Pastaj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kërkon nga FSK-ja asistencën për zhytës. Kështu që ka qenë kërkesë e PK-së që me ardhë këta njerëz këtu. Këta siç po i shihni tash janë këtu”, tha Elshani.

    Elshani tha se derisa FSK shkoi në veri bashkë me KFOR-in – ku për qëllime ushtarake nuk i lejohet sipas një marrëveshje me NATO’n që e ka Kosova – “nënkuptohet vetvetiu që kanë ardhur me lejen e tyre”.

    Elshani konfirmoi që Policia ka barkat e tyre që ndodhen aty me pajisjet adekuate dhe ndodhen bashkë me zhytësit dhe tash edhe me FSK-në.

    “Ne kemi kërkuar gjatë gjithë kohës, por s’ishim të suksesshëm për gjetjen e tij. Shpresojmë që të paktën tash bashkë me FSK-në të gjejmë trupin në mënyrë që familjarëve t’iu largohet të paktën gjysma e dhimbjes”, u shpreh Elshani në prononcimin e tij.

  • Jennifer Lopezit i ndodh e papritura në skenë, i zbërthehet fundi gjatë performancës

    Jennifer Lopezit i ndodh e papritura në skenë, i zbërthehet fundi gjatë performancës

    Jennifer Lopez tregoi edhe një herë pse është një yll i vërtetë, edhe kur gjithçka nuk shkon sipas planit. Gjatë koncertit të saj në Varshavë, si pjesë e turneut “Up All Night: Live in 2025”, këngëtarja 56-vjeçare përjetoi një incident të papritur me veshjen, por reagimi i saj plot humor e ktheu momentin në një nga kulminantët e natës.

    Ndërsa performonte përballë mijëra fansave, fundi me thekë që mbante mbi reçipetat dhe getat transparente i rrëshqiti nga ijet, duke e lënë në skenë vetëm me të brendshme. Në vend që të ndalonte apo të shqetësohej, Lopez vazhdoi performancën me buzëqeshje dhe vetëbesim, duke bërë një rrotullim dhe duke ngritur duart lart, si për të thënë: “Asgjë nuk më ndal!”

    “Jam këtu me të brendshme!” u shpreh ajo teksa një nga balerinat nxitoi t’i kthente fundin në vend.

    “Kjo do të bëhet virale kudo!”, shtoi ajo mes të qeshurave.

    “Për fat të mirë e përforcuan atë veshje. Dhe për fat të mirë, unë kisha veshur të brendshme, sepse zakonisht nuk i vesh!” ttha Jennifer, një deklaratë që shkaktoi brohoritje dhe të qeshura nga audienca.

    Momenti është kapur në video nga kanali zyrtar i Lopez në YouTube, si dhe nga shumë fansa që e ndanë në Instagram, ku videoja po bëhet virale në të gjithë botën.

     

  • Dëmtuan për mbi 13 mijë euro buxhetin e komunës së Suharekës, aktakuzë ndaj tre personave

    Dëmtuan për mbi 13 mijë euro buxhetin e komunës së Suharekës, aktakuzë ndaj tre personave

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj B.K. dhe E.Sh. nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj D.S. dhe personit juridik “S.C.O” Sh.P.K. për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

    “Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe kundër D.S., dhe personit juridik “S.C.O” Sh.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 par.3 lidhur me par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

    Sipas aktakuzës “prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, i pandehuri B.K., – Zyrtar i lartë për Menaxhimin e Projekteve në Komunën e Suharekës, i caktuar si Menaxher i Projektit të prokurimit me titullin e kontratës ‘’ Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8-lot5 Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment në Reshtan’’ si dhe i pandehuri E.Sh., i caktuar si Mbikëqyrës i Drejtpërdrejtë i Menaxherit të kontratës në projektin e njëjtë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, me dashje i tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj dhe veprojnë në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik dhe Rregulloren për prokurimin publik, ku nga provat e siguruara rezulton se të hollat në vlerë prej 24.945.32 euro janë paguar për operatorin ekonomik, e që në realitet rrugët nuk janë shtruar ashtu siç ishte paraparë në kontratë. Të pandehurit, përpilojnë raporte fiktive dhe të rrejshme, dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse punimet janë realizuar sipas kontratës, edhe pse ka pasur ndryshime në mes të sasisë së kontraktuar dhe asaj të realizuar duke përfshirë materialin e planifikuar, gjatësinë dhe gjerësinë e rrugëve e pikërisht gjendja reale e vlerës së punimeve të kryera është më e vogël se vlera e punimeve të parapara në këtë kontratë edhe atë në punët paraprake, ku në përgjithësi vlera e punimeve të realizuara është 13,272.66 euro më pak se vlera e paraparë në kontratë, e që në realitet këto punime më vonë realizohen me kontratën e datës 22.11.2022 me titull “Ndërtimi i rrugëve lokale Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment, etj në Reshtan – faza e dytë’’, e si pasojë Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 13,272.66 €uro”.
    “Me këto veprime në cilësi të bashkëkryerësve të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të KPRK-së.”

    Ndërsa, i pandehuri D.S., si person përgjegjës në personin juridik prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, dhe në fshatin Reshtan, duke vepruar në cilësi të bashkëpronarit dhe si përfaqësues i autorizuar –Drejtor i kompanisë “S.C.O.” Sh.P.K, dhe i pandehuri personi juridik “S.C.O” Sh.P.K., me dashje shkelin procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbatojnë detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete, duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.

    “I pandehuri D.S., në bashkëveprim me personat zyrtar të Komunës së Suharekës e pikërisht me menaxherin e kontratës B.K., përpilojnë procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve përmes kompanisë së tij, kështu që i pandehuri D.S., me datë 15.08.2022 lëshon faturën me numër 16 e cila është dorëzuar në Komunën e Suharekës me datën 13.09.2022 në vlerë prej 15,000.00 euro dhe faturën me numër 35 të datës 06.12.2022 të pranuar në Komunën e Suharekës me datën 20.12.2022 në vlerë prej 9,945.32 euro për realizim të punëve, duke vazhduar bashkëpunimin me zyrtarët komunal të lartëcekur përpilojnë raportin e pranimit teknik kinse janë realizuar punimet sipas kontratës, përderisa gjendja në teren ka qenë e parealizuar, e cila vërtetohet nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë. Me këto veprime i pandehuri ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 13,272.66 euro.”

    “Me këto veprime të njëjtit, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” të KPRK-së.”

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • FSK-ja në veri, KFOR-i del me një sqarim publik

    FSK-ja në veri, KFOR-i del me një sqarim publik

    KFOR-i ka njoftuar se autorizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të marrë pjesë në operacionin për kërimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se u hodh të dielën në Ujman është bërë nën kërkesa specifike. 

    Sipas njoftimit të misionit të NATO-s, operacioni do të sigurohet nga ushtarët e KFOR-it.

    “Të martën, më 29 korrik, komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneral-major Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës të vendoste ekipe kërkim-shpëtimi në zonën e Liqenit të Ujmanit. Autorizimi u dha në përputhje të plotë me autoritetin e komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një burrë 33-vjeçar që raportohet se ka hyrë në liqen disa ditë më parë. Autorizimi është i kushtëzuar nga kërkesat specifike dhe i vendosur nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    Tutje thuhet se përdorimi i ekipeve SAR të FSK-së “bie nën mandatin fillestar të FSK-së, i cili përfshin mbështetje për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”.

    Në njoftim thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, siç thuhet për të kontribuar në një mjedis të sigurt.

    Dërgim i FSK-së në veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

  • Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohen për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025

    Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohen për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025

    Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, u është adresuar me një videomesazh të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’i informuar për të drejtën dhe mundësinë e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për Zgjedhjet Lokale 2025.

    “Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale, e cila do të zgjasë deri më 29 gusht. Për të votuar nga jashtë Kosovës është e domosdoshme të regjistroheni brenda këtij afati përmes platformës së KQZ-së”, thuhet në mesazhin informues të kryesuesit të KQZ-së.

    Në emër të KQZ-së, Radoniqi ka ftuar të gjithë shtetasit e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor duke thënë:

    “Pjesëmarrja e juaj në zgjedhje është e rëndësishme dhe vota juaj ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e komunës tuaj”.

    Afati për regjistrimin e votuesve jashë Kosovës ka filluar më 23 korrik dhe do të pëfundojë më 29 gusht 2025. Vetëm shtetasite Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.

    Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.

    Video e plotë: https://www.facebook.com/share/v/1B17uCWLG3/

  • FSK-ja mbërrin në Ujman, i bashkohet operacionit për kërkim-shpëtimin e mërgimtarit që u hodh nga ura

    FSK-ja mbërrin në Ujman, i bashkohet operacionit për kërkim-shpëtimin e mërgimtarit që u hodh nga ura

    Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë zbarkuar te Liqeni i Ujmanit në veri të vendit, ndërsa ka hyrë dita e tretë që po vazhdojnë kërkimet për një person i cili dyshohet se është mbytur.

    Kjo ka ardhur pas koordinimit në mes të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantit të KFOR-it, Enrico Barduani.

    Që nga e diela, personi i cili është raportuar se është hedhur nga ura, po kërkohet nga ekipet e Policisë së Kosovës, ato të kërkim-shpëtimit si dhe njësitet zhytëse. Deri më tani nuk ka rezultuar në gjetje.

  • Trump: Gaza po përjeton uri të vërtetë

    Trump: Gaza po përjeton uri të vërtetë

    Donald Trump tha se në Gaza ka “uri të vërtetë”, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli se nuk kishte diçka të tillë.

    I pyetur nëse pajtohej me Netanyahun se ishte një “gënjeshtër e guximshme” të thuash se Izraeli po nxiste urinë në Gaza, presidenti amerikan u përgjigj: “Nuk e di… ata fëmijë duken shumë të uritur… kjo është një gjë e vërtetë urie”.

    Komentet e tij erdhën pasi shefi humanitar i OKB-së tha se nevojiteshin “sasi të mëdha” ushqimi për të shmangur urinë

    Të dielën, ushtria izraelite filloi veprime që, sipas saj, do të përmirësonin “përgjigjen humanitare” në Gaza dhe do të hidhnin poshtë “pretendimin e rremë për uri të qëllimshme”.

    Izraeli njoftoi se do të kishte një “pauzë taktike lokale” në tre zona të Gazës për 10 orë në ditë, si dhe krijimin e “rrugëve të sigurta të caktuara” për konvojet e ndihmave.

    Ushtria gjithashtu lejoi që të rifillonin dërgesat e ndihmave të kryera nga vendet e huaja, pavarësisht paralajmërimeve të agjencive humanitare se metoda ishte joefektive dhe e rrezikshme.

    Organizata ushtarake izraelite Cogat, e cila koordinon hyrjen e ndihmës në Gaza, tha se më shumë se 120 ngarkesa kamionësh me ndihma u mblodhën nga pikat e kalimit nga OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare të dielën, dhe se qindra ngarkesa të tjera kamionësh prisnin të mblidheshin.

  • Vdes vajza e akademikut Rexhep Qosja

    Vdes vajza e akademikut Rexhep Qosja

    Sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë Edita Qosja-Rexhepi, vajza e akademikut Rexhep Qosja. Lajmin e ka bërë të ditur djali i së ndjerës, Valjet Rexhepi.

    Varrimi do të bëhet sot, më 29 korrik 2025, në varrezat e qytetit të Prishtinës, në orën 13:00.

    Njoftim mortor:

    Me pikëllim ju njoftojmë se sot, më 29 korrik 2025, ka ndërruar jetë Edita Qosja-Rexhepi.

    Varrimi i saj do të bëhet po sot, në orën 13:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.

    E pamja do të mbahet në hotelin “Grand” në Prishtinë për dy ditë: të mërkurën dhe të enjten, nga ora 10:00 deri në 18:00, duke filluar nga dita e nesërme, e mërkurë.

  • Përmbytje masive në Pekin, 30 të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Përmbytje masive në Pekin, 30 të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Më shumë se 30 persona kanë humbur jetën për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në Pekin dhe rajonet përreth, njoftojnë mediat shtetërore kineze. Ndërkohë, dhjetëra mijëra banorë janë evakuuar nga kryeqyteti.

    Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, deri në mesnatën e së hënës, 28 persona kanë ndërruar jetë në distriktin Miyun një zonë periferike e Pekinit dhe dy të tjerë në distriktin Yanqing.

    Në provincën fqinje Hebei, një rrëshqitje toke e ndodhur të hënën ka shkaktuar vdekjen e katër personave, ndërsa tetë të tjerë rezultojnë të zhdukur.

    Reshjet e shiut filluan gjatë fundjavës dhe u intensifikuan të hënën, duke përfshirë Pekinin dhe provincat përreth. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, në disa zona në veri të kryeqytetit janë regjistruar deri në 543.4 mm reshje. Për pasojë, autoritetet evakuuan 80 mijë e 322 banorë, ndërsa infrastruktura rrugore dhe e komunikimit ka pësuar dëme të konsiderueshme. Deri të hënën në mesnatë, 136 fshatra kishin mbetur pa energji elektrike.

    Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka urdhëruar një operacion të gjithanshëm kërkim-shpëtimi për të minimizuar humbjet në njerëz. Kryeministri Li Qiang e cilësoi situatën në Miyun si me “pasoja të rënda”, sipas raportimeve të mediave shtetërore.

    Pekini shpalli alarmin maksimal për reshje dhe përmbytje të hënën, duke këshilluar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Shkollat u mbyllën, ndërtimet u pezulluan dhe aktivitetet turistike në ambiente të hapura u ndaluan.

    Autoritetet nisën shkarkimin e ujit nga rezervuari i distriktit Miyun, i cili kishte arritur nivelin më të lartë që nga ndërtimi i tij në vitin 1959. Më shumë se 730 milionë metra kub ujë janë derdhur në këtë rezervuar më i madhi në veri të Kinës, deri të martën në mëngjes.

    Përmbytjet e fuqishme kanë përfshirë distriktin Miyun dhe zonat kufitare me provincën Hebei, duke rrëmbyer automjete dhe duke rrëzuar shtylla elektrike. Në qytetin Taishitun, rreth 100 kilometra në verilindje të Pekinit, rrugët u mbuluan nga uji dhe balta.

    “Uji erdhi me shpejtësi të frikshme. Brenda pak minutash gjithçka u përmbyt,” tha Zhuang Zhelin, një banor lokal që po pastronte baltën nga dyqani i tij.

    Sipas parashikimeve, reshjet më të dendura pritet të bien gjatë së martës në mëngjes, me deri në 30 cm shi në disa zona.

    Një vit më parë, në verën e vitit 2023, përmbytje ekstreme goditën Pekinin dhe Hebein, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe zhvendosjen e rreth 1 milion personave. Autoritetet u kritikuan për krijimin e një “moati mbrojtës” rreth kryeqytetit, që përkeqësoi situatën në provincën fqinje.

    Qeveria qendrore njoftoi se ka ndarë 50 milionë juanë (rreth 7 milionë dollarë) për Hebein dhe ka dërguar një ekip të nivelit të lartë për menaxhimin e emergjencës në zonat e prekura.

    Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po intensifikojnë dukuritë ekstreme të motit në mbarë botën nga përmbytjet te zjarret dhe valët e të nxehtit duke i bërë më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse. Analizat tregojnë se të paktën një duzinë ngjarjesh ekstreme në dekadën e fundit nuk do të kishin ndodhur pa ndikimin e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.

  • Për një javë në Pejë sekuestrohen gjashtë armë, katër nga to në ahengje

    Për një javë në Pejë sekuestrohen gjashtë armë, katër nga to në ahengje

    Policia Rajonale e Pejës, gjatë javës që lamë pas ka sekuestruar gjashtë armë.

    Në një njoftim për media, policia atje njofton se armët janë kapur nga data 21 deri më 28 korrik.

    Poashtu bëhet e ditur se përgjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 87 fishekë të kalibrave tё ndryshёm, shtatё karikator tё armёve pёrkatёse dhe 6 gёzhoja

    “Katёr (4) nga kёto armё janё gjetur dhe sekuestruar nё ahengje. Janё arrestuar nga zyrtarёt Policor gjashtё (6) persona tё dyshuar, tё cilёt pas intervistimit nga hetuesit, me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit janё liruar nё procedurё tё rregullt”, thuhet në njoftim.