ATV

Author: G.O.

  • Punëtorët e “Infrakos” paralajmërojnë grevë për shkak të pagave

    Punëtorët e “Infrakos” paralajmërojnë grevë për shkak të pagave

    Ka më shumë se një muaj që punëtorët e “INFRAKOS” në shenjë proteste ndalën trenat për të kërkuar atë që nuk e kanë marrë tash e 15 vjet, rritjen e pagave.

    Veprimet sindikale i patën lënë në gjysmë në shpresë të negociatave për kërkesat e tyre.

    E pavarësisht kësaj, nuk u arrit asnjë rezultat.

    “Të gjitha bordet pa përjashtim, nuk kanë dashur të dëgjojnë kërkesat tona…Kërkesa jonë mbetet indeksimi i pagave në raport me ngritjen e inflacionit. Bordi dhe menaxhmenti nuk kanë arritur ta bindin qeverinë për realizimin e obligimeve të tyre”, ka thënë Hysen Nikçi, Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”.

    Rroga më e ulët në Infrakos është 320 euro e sipas Nikçit, asnjëherë në 15 vitet e fundit s’është rritur.

    Për rrjedhojë, ata kanë paralajmëruar veprime sindikale.

    “Kjo ndikon keq se secili punëtorë i Infrakos ndihet i anashkaluar, paga skandaloze…kemi probleme edhe me konkurse, kërkojmë inxhinier për larmi të ndryshme dhe nuk plotësohen vendet e punës sepse rroga është 480 euro”, ka thënë Hysen Nikçi, Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”.

    Në qershor të këtij viti, grevës së “Infrakos”-it iu kishin bashkangjitur edhe ata të “Trainkos”-it.

    Por për këta të fundit, greva asokohe solli rezultate.

    “Kemi arrit një marrëveshje të lehtë, rritja mesatare 100 euro. Është degradu paga, është koha e fundit të reflektojnë të gjitha strukturat që punëtorët e hekurudhave t’i trajtojë dinjitetshëm”, ka thënë Florim Gjyrefci, Kryetari i Sindikatës në “Trainkos”.

    Ditëve të ardhshme, ata pritet të bëjnë të ditur veprimet sindikale të tyre në rast të ndonjë mosreflektimi nga menaxhmenti.

  • Pejë: Nëna lind rrugës për në spital, foshnja dërgohet pa shenja jete

    Pejë: Nëna lind rrugës për në spital, foshnja dërgohet pa shenja jete

    Një ngjarje e rëndë është raportuar në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, në Spitalin e Pejës, ku një foshnje e porsalindur është sjellë pa shenja jete.

    Sipas Policisë së Kosovës, nëna e foshnjës, shtetase kosovare, është dërguar në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, pasi dyshohet se i është përkeqësuar gjendja gjatë rrugës dhe ka lindur në automjet, para se të mbërrinte në institucionin shëndetësor.

    Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spital, ndërsa trupi i pajetë i foshnjës, me urdhër të prokurorit të rastit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    HETIM I VDEKJES

    Pejë / 28.07.2025 – 04:35.  Në spitalin rajonal në Pejë një foshnje e porsalindur është sjellë pa shenja jete, si dhe viktima femër kosovare është sjelle me gjendje të rënduar shëndetësore pasi dyshohet se i është keqësuar gjendja dhe ka lindur në një automjet përgjatë rrugës për në spital. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa trupi i pajetë i foshnjës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

  • Kamberi dorëzon rezolutë në Kuvendin e Serbisë për pozitën e shqiptarëve në Luginë

    Kamberi dorëzon rezolutë në Kuvendin e Serbisë për pozitën e shqiptarëve në Luginë

    Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar rezolutë për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

    Kamberi në një postim në Facebook ka thënë se rezoluta ka për qëllim që Kuvendi i Serbisë ta njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese të shqiptarëve në Luginë, me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medegjës.

    “Në procedurë parlamentare, sot, dorëzova REZOLUTËN PËR POZITËN E SHQIPTARËVE NË LUGINË TË PRESHEVËS. Rezoluta ka për qëllim që Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm. Nevoja për këtë Rezolutë lind nga një gjendje e gjatë e mospërfilljes së kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon, gjë që ka sjellë pasoja të rënda në jetën shoqërore dhe politike të komunitetit”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

    Ai ka thënë se ndër problemet më të theksuara janë praktika e pasivizimit arbitrar të adresave, mosnjohja e diplomave të lëshuara nga Republika e Kosovës, mungesa e përfaqësimit të drejtë e proporcional në institucionet shtetërore, pengesat në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare dhe moszhvillimi ekonomik i rajonit.

    Me rezolutën e propozuar bëhet thirrje për ndërprerjen e praktikave të pasivizimit të adresave, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, po ashtu zbatimin e dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore.

    “Përmes kësaj Rezolute, bëhet thirrje për: Zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më 2001, 2009 dhe 2013; Ndërprerja e praktikave administrative të pasivizimit arbitrar që çojnë në humbjen e të drejtave qytetare; Zbatimi i plotë i dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore; Përfaqësimi institucional e proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike; Që organet shtetërore të nisin procedura të dënimit të të gjithë atyre që ndaj shqiptarëve përdorin gjuhën e urrejtjes; Krijimi i fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Kamberi.

    Po ashtu ai ka shtuar se me rezolutë kërkohet krijimi i një trupe parlamentare, me pjesëmarrjen e OSBE-së, sektorit civil dhe përfaqësuesve shqiptarë, që do të ketë detyrë t’i hulumtojë të gjitha rastet e pasivizimeve. Po ashtu është propozuar që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës të përfshihet në dialogun Kosovë – Serbi.

    “Meqë përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara, propozohet që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës të përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, si pjesë e përpjekjeve për paqe të qëndrueshme. Miratimi i kësaj Rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat e kahershme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike – që është parakusht për zhvillim demokratik dhe përparim drejt integrimit evropian”, tha Kamberi.

    Ai ka falënderuar deputetët e SDA-Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, për mbështetjen dhënë rezolutës për t’u procesuar në procedurë parlamentare.

  • Sulm me armë në New York, katër të vdekur – mes viktimave një polic

    Sulm me armë në New York, katër të vdekur – mes viktimave një polic

    Një oficer policie i qytetit të Nju Jorkut është midis katër personave të vrarë në të shtëna me armë që ndodhën dje pasdite në një rrokaqiell në qendër të Manhattanit.

    Sipas policisë, sulmuesi Shane Devon Tamura (27) udhëtoi nga Las Vegasi në New York dhe motivi i tij për sulmin është ende i panjohur. Pas të shtënave, ai u gjet i vdekur me atë që autoritetet e quajnë “plagët e vetëshkaktuara me armë zjarri”. Një sasi shtesë municioni u gjet në makinën e tij.

    Tamura parkoi BMW-në e tij përpara ndërtesës dhe hyri në ndërtesën e zyrave me një pushkë M4 në dorë. Sapo hyri në holl, ai hapi zjarr ndaj një oficeri të sigurisë në ndërtesë. Ai qëlloi gjithashtu një grua që u përpoq të fshihej pas një shtylle”, tha Komisionerja e Policisë, Jessica Tisch.

    Pastaj ai hyri në ashensor, u ngjit në katin ku ndodheshin zyrat e administratës së ndërtesës dhe vazhdoi të qëllonte në korridor përpara se t’i jepte fund jetës.

  • Vazhdon kërkimi i mërgimtarit në thellësi të Ujmanit

    Vazhdon kërkimi i mërgimtarit në thellësi të Ujmanit

    Operacioni i kërkimit për mërgimtarin që ra të dielën në Liqenin e Ujmanit po vazhdon ende. Ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij. Të dielën pasdite, ai u hodh në liqenin e Ujmanit, dhe nuk u pa më në sipërfaqe.

    Policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar për ta gjetur 33 vjeçarin, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë.

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka thënë mbrëmë se operacioni i kërkimit duke vazhduar dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik vetëm nga institucionet kompetente dhe ekipet e përfshira në terren.

    “Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte.

    Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.

    Policia ka njoftuar për rastin edhe në raportin 24 orësh.

  • Zjarri shkatërron stallën e një fermeri në Viti, digjen mbi 40 dele

    Zjarri shkatërron stallën e një fermeri në Viti, digjen mbi 40 dele

    Një fermer është dëmtuar rëndë nga zjarret e sotme në Stubëll të Vitisë. Atij i është djegur stalla me 42 dele brenda. Tek i dëmtuari shkoi për vizitë kryetari i komunës, Sokol Haliti.

    “Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vizitoi nga afër fermerin nga Stublla e Poshtme, të cilit iu dogj shtalla së bashku me 42 dele, në një ngjarje tragjike që ka shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe emocionale për familjen.

    Gjatë kësaj vizite, Kryetari Haliti ishte i shoqëruar nga Komandanti i Policisë, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Bujqësisë, të cilët reaguan menjëherë për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar ndihmën e parë në terren.

    Kryetari Haliti shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për fermerin dhe familjen e tij, duke theksuar se Komuna e Vitisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të ndihmuar në rikuperimin e dëmeve dhe për të siguruar që familja të mos mbetet vetëm në këtë situatë të rëndë.

    Kryetari gjithashtu falënderoi njësinë e zjarrfikësve për reagimin e shpejtë, që bëri të mundur shpëtimin e jetës së një gruaje të familjes, duke parandaluar një tragjedi edhe më të madhe” thuhet në njoftimin e komunës.

  • Pas dështimit të 53-të, Bajrami: Hipokrizi të ftohemi sërish në ora 22:00 kur dihet rezultati

    Pas dështimit të 53-të, Bajrami: Hipokrizi të ftohemi sërish në ora 22:00 kur dihet rezultati

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dështimit të seancës së 53-të për konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur hipokrizi mbajtjen e një seance tjetër sonte në orën 22:00.

    Ajo theksoi se edhe për seancën e 54-të rezultati është i ditur që tani.

    “Shpreh keqardhje, ka 102 ditë që takohemi, herë çdo 48 orë, herë çdo 24 orë, dhe pa as përpjekjet minimale të partisë së parë për të bërë zgjidhje dhe për të bërë konstituimin e institucioneve. Nga dje e kemi ditur që do të takohemi sot, dhe është raportuar se nuk ka asnjë lloj përpjekje, as sot nuk ka. Është hipokrizi të ftohemi prapë në ora 22:00 duke e ditur paraprakisht rezultatin”, ka deklaruar Bajrami.

    Dështimi i 53-të, seanca konstituive vazhdon sot në orën 22:00

     

  • 29 vatra zjarri në 8 orët e fundit, 12 ende aktive: AME apelon për kujdes të shtuar

    29 vatra zjarri në 8 orët e fundit, 12 ende aktive: AME apelon për kujdes të shtuar

    Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë përkeqësuar situatën me zjarre në vend, ka njoftuar Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME).

    Siç njofton AME, vetëm në 8 orët e fundit janë regjistruar 29 vatra zjarri në gjithë territorin e Kosovës. Deri tani, 17 prej tyre janë lokalizuar, ndërsa 12 vatra vazhdojnë të jenë aktive.

    “Apelojmë te qytetarët të mbajnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë menjëherë zjarrëvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192!”, thuhet në njoftim.

    Agjencia ka bërë të ditur se është në gatishmëri të plotë 24/7, së bashku me Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit dhe Policinë e Kosovës

  • Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias vazhdojnë për ditën e tretë

    Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias vazhdojnë për ditën e tretë

    Konflikti mes Tajlandës dhe Kamboxhias ka hyrë në ditën e tretë radhazi, me përplasje të ashpra që po shtrihen në zona të reja të kufirit. Të shtunën në mëngjes, shpërthyen luftime të tjera në provincën bregdetare të Tratit në Tajlandë dhe në Pursat të Kamboxhias – më shumë se 100 kilometra larg vijës së parë të përplasjeve.

    Që nga nisja e tensioneve, janë raportuar mbi 30 të vrarë dhe rreth 130.000 persona të zhvendosur nga të dy anët. Kjo konsiderohet përplasja më e madhe ndërmjet dy vendeve në 13 vitet e fundit, sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.

    Tajlanda pretendon se është sulmuar e para dhe ka vepruar në vetëmbrojtje. Edhe Kamboxhia mban të njëjtin qëndrim. Të dyja palët kërkojnë që pala tjetër të ndalojë sulmet dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

    Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes së Tajlandës raportojnë se janë vrarë 7 ushtarë dhe 13 civilë tajlandezë. Ndërkohë, Kamboxhia ka konfirmuar 5 ushtarë dhe 8 civilë të vrarë, sipas zëdhënëses Maly Socheata.

    Përplasjet u nxitën pas vrasjes së një ushtari kamboxhian në fund të muajit maj. Si pasojë, forcat ushtarake të të dy vendeve u përforcuan ndjeshëm në kufi. Situata ka shkaktuar edhe krizë politike brenda Tajlandës.

    Në provincën kufitare të Sisaketit, një universitet lokal është kthyer në strehë të përkohshme për të zhvendosurit. Aty aktualisht po strehohen më shumë se 5.000 qytetarë.

  • Dita Memoriale e policëve të rënë në detyrë, Osmani: Në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është fortifikata e sigurisë

    Dita Memoriale e policëve të rënë në detyrë, Osmani: Në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është fortifikata e sigurisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 24 policët që kanë rënë në krye të detyrës, në Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë. Ajo ka shprehur mirënjohje për sakrificën e tyre dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për mbrojtjen e vendit.

    “Në këtë ditë përkulemi me respektin më të thellë para 24 policëve që ranë në krye të detyrës në mbrojtje të jetës sonë, lirisë, integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë! Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri janë heronj të ditëve të sotme, që me guximin e tyre i treguan botës se Kosova nuk përkulet përballë askujt. Bashkë me ta kujtojmë edhe 22 policë të tjerë, emrat e të cilëve nuk do t’i mbulojë kurrë pluhuri i harresës”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka theksuar se këta policë “nuk zgjodhën rrugën më të lehtë, por rrugën e nderit, betimit dhe zotimit për atdhe”, duke shtuar se “jetojnë në çdo uniformë që vishet sot me krenari, në çdo hap të Policisë sonë”.

    “Sot nderojmë jo vetëm rënien e policëve në detyrë, por edhe vazhdimin e përkushtimit të mijëra grave e burrave që çdo ditë i dalin zot këtij vendi, me kurajë, përgjegjësi dhe dashuri për Republikën e Kosovës. Në kohë paqeje apo tensioni, në veri apo në jug, në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është fortifikata e sigurisë. Lavdi përjetë të rënëve në krye të detyrës! Faleminderit Policisë sonë, e cila vazhdon ta mbrojë atdheun me besnikëri!”, ka përfunduar Osmani.