ATV

Author: G.O.

  • Ferizaj: Katër veta e sulmuan me thikë, punëtori i sigurimit përfundon në QKUK

    Ferizaj: Katër veta e sulmuan me thikë, punëtori i sigurimit përfundon në QKUK

    Policia ka njoftuar se një punëtor sigurimi i një lokali në Ferizaj ishte cak i një sulmi me thikë nga katër persona mbrëmjen e djeshme.

    Nga plagët e rënda ai u dërgua në QKUK.

    Dy nga të dyshuarit u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë.

    “Rr. Dëshmorët e Kombit, Ferizaj 25.07.2025 – 20:55. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, për shkak se së bashku me dy të dyshuar tjerë që gjenden në arrati e kanë sulmuar fizikisht me mjete të forta dhe mjet të mprehtë – thikë viktimën mashkull kosovar, i cili ka qenë duke punuar në një kafiteri si sigurim fizik. Si pasojë e sulmit viktima fillimisht ka marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente Ferizaj, pastaj për shkak të lëndimeve të rënda është dërguar në QKUK. Dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet”, tha policia në raportin 24-orësh.

  • Sot përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit

    Sot përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit

    Sot është dita e fundit kur deputetët e Kosovës mund të përmbushin obligimin e tyre kushtetues për të konstituuar Kuvendin. Nëse s’ndodh kjo në përpjekjen e 53-të të tyre, “Kosova po hyn në territor të panjohur”.
    Deputetët sot do të mblidhen në më pak se 48 orë në herën e fundit brenda afatit 30-ditor që Gjykata Kushtetuese iu dha atyre për të konstituuar Kuvendin me një aktgjykim që e nxori në qërshor. Për 29 ditë deputetët s’e përmbushën këtë obligim, ndërsa edhe për sot s’ka fort sinjale se seanca do të mund të prodhojë diçka. Nëse edhe sot s’bëhet konstituimi i Kuvendit, deputetët s’kanë të drejtë të mblidhen për dy javë, sipas një mase të përkohshme që nxori Kushtetuesja para se të nxjerrë një aktgjykim final për t’i dhënë qartësi një situate të paprecedentë që është krijuar në Kuvendin e Kosovës.

    Në sallën e Kuvendit dje shkuan edhe ambasadorë të vendeve perëndimore me një optimizëm se deputetët kosovarë do të reflektonin në seancën e djeshme, e cila u mendua të jetë edhe e fundit.

    Por, skenari i njëjtë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndodhi edhe dje me nxjerrjen në votim të Komisionit për votim të fshehtë, i cili s’gjeti mbështetje në dhjetëra seanca. I vetmi dallim ishte caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për sot në më pak se 48 orë për të provuar për herë të fundit konstituimin e legjislaturës së nëntë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Diplomatët perëndimorë dolën të zhgënjyer nga seanca dhe paralajmëruan politikanët kosovarë se po hyhet në një territor të panjohur.
    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës të premten se Kosova ka nevojë për një qeveri të re që e përshpejton rrugën e saj drejt BE-së.

    “Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re e të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, ka deklaruar Orav pas seancës.
    Më i ashpër e i dëshpëruar për dështimin e seancës së djeshme ishte ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

    Ai ka thënë se kjo klasë politike po zhgënjen popullin e Kosovës dhe se masa e përkohshme e caktuar nga Gjykata Kushtetuese ishte një karton i kuq për të.
    “Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit, mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, tha ai para gazetarëve në Kuvend.

    Në sallë me kolegët e tij ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili më vonë në Facebook iu ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
    “Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”.

    Që të shfrytëzohen orët e pakta të mbetura bëri thirrje edhe ambasadori francez, Olivier Guerot.
    “Së bashku me ambasadorë të tjerë, mora pjesë në seancën e sotme të Parlamentit. Bllokimi aktual po dëmton Kosovën. I inkurajoj të gjithë politikanët që t’i shfrytëzojnë plotësisht orët e pakta të mbetura para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese nesër”.
    Prezentë në sallën e Kuvendit dje ishte edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, por ajo s’dha deklarim për media.
    Shpresat për të ndodhur një zhbllokim i mundshëm në Kuvend janë të varura vetëm te një marrëveshje potenciale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës. Megjithëse, pozicionet e këtyre dy partive janë shumë të kundërta.
    Nisma, e përfaqësuar me tre deputetë në Kuvend, ka kërkuar postin e kryeparlamentarit për kreun e kësaj partie, Fatmir Limaj, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje thotë se një post kaq i lartë s’mund t’i takojë një partie me kaq pak deputetë.
    Vetëvendosje po insiston që Nismën ta bëjë partnere në koalicionin qeveritar, por kjo ofertë s’po gjen mbështetje te Nisma.
    Limaj, në deklarimet e tij të djeshme për media, s’dha fort optimizëm se seanca e sotme do të sjellë ndonjë zhvillim pozitiv.
    Ai tha se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.
    “Kur Nisma të jetë e sigurt se po formohet një shumicë qeveritare, do ta japë kontributin e vet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”.
    “Shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Është bërë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për mua s’ka qenë asnjëherë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj krize është mospasja e numrave të nevojshëm për Qeveri, dhe derisa nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje, gjërat kanë ngelur ku janë sot”, tha ai dje.
    Ndërkaq, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si në çdo seancë edhe dje zgjodhi të heshtë dhe të mos përgjigjet në pyetjet e gazetarëve për përgjegjësinë e tij kushtetuese që të krijojë shumicën si parti e parë fituese dhe vendit t’ia japë institucionet.
    Ndërkaq, liderët e partive të tjera bënë thirrje të mos shkelet Kushtetuta dhe të kthehet në rend dite votimi i hapur.

  • Temperaturat e larta, IKShPK-ja del me një listë udhëzimesh për qytetarët

    Temperaturat e larta, IKShPK-ja del me një listë udhëzimesh për qytetarët

    Kulminacioni i kësaj vale të nxehtit që përfshiu vendin gjatë kësaj jave po parashihet të jetë sot.

    Për këtë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një listë udhëzimesh për qytetarët se si të mbrohen nga këto temperatura dhe të qëndrojnë më të sigurt.

    “Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme. Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”, paralajmëron IKSHPK.

    IKSHPK bëri thirrje për hidratim sa më të shumtë, ndërsa lëshoi paralajmërime për grupet më të cenueshme, përfshirë fëmijët që tha se duhet të ruhen nga ekspozimi në diell dhe të mos lihen kurrë në automjete të parkuara.

    Njoftimi i plotë:

    Udhëzime për mbrojtje nga të nxehtit dhe temperaturat e larta

    🌡️ Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme. Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.

    ✅ Veprimet që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur:

    • 🕑 Qëndroni larg të nxehtit: Shmangni daljet dhe aktivitetet e rënda gjatë orëve më të nxehta. Qëndroni në hije dhe kaloni 2-3 orë në një vend të freskët.

    • 💧 Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar: Përdorni veshje të lehta (pambuku), bëni dush të freskët, lagni lëkurën dhe pini ujë rregullisht (1 gotë/orë – 2-3 litra/ditë).

    • 🏠 Mbajeni shtëpinë të freskët: Ajroseni gjatë natës kur jashtë është më freskët. Ditën mbyllni dritaret dhe përdorni perde për të penguar rrezet e diellit.

    👵👶 Kujdesi për grupet e cenueshme:

    • Për të moshuarit mbi 65 vjeç: Kontaktoni rregullisht sidomos ata me sëmundje kronike, paaftësi apo që jetojnë vetëm.

    • Për fëmijët: 🚫 Mos i lini kurrë në automjete të parkuara. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta (10:00–17:00).

    🚑 Në rast emergjence: Kontaktoni mjekun më të afërt ose telefononi 194.

    Vazhdon vala ekstreme e të nxehtit – sot temperaturat arrijnë deri në 44°C

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 53-vjeçarit që u godit nga vetura në rrugën Prishtinë–Mitrovicë

    Sot i jepet lamtumira e fundit 53-vjeçarit që u godit nga vetura në rrugën Prishtinë–Mitrovicë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në fshatin Llazarevë, ku si pasojë ka humbur jetën një person rreth 53 vjeç, identifikuar si Limon Shyti, staf civil në Policinë e Kosovës.

    Familjarët kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 26 korrik 2025, pas namazit të Ikindisë.

    Sinjali raportoi gjithashtu se personi që dyshohet të ketë shkaktuar aksidentin është Bedri Ferati, zyrtar policor në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut.

    Këtë e ka konfirmuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili njoftoi se Ferati ishte jashtë detyrës zyrtare dhe po qarkullonte me veturën e tij private kur përplasi për vdekje viktimën, 53 vjeçarin.

    Në lidhje me rastin, është iniciuar procedurë penale për veprën “Rrezikim i trafikut publik”. Ndaj Feratit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

  • Vazhdon vala ekstreme e të nxehtit – sot temperaturat arrijnë deri në 44°C

    Vazhdon vala ekstreme e të nxehtit – sot temperaturat arrijnë deri në 44°C

    Pas një dite jashtëzakonisht të nxehtë, ku të premten, më 25 korrik 2025, u thye rekordi i temperaturës më të lartë ndonjëherë të regjistruar në Kosovë – me 42.5°C të shënuara në Klinë – sot pritet të vazhdojë vala ekstreme e të nxehtit.

    Parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës. Gjatë pasdites, për shkak të paqëndrueshmërisë së theksuar atmosferike, do të ketë zhvillime konvektive të vranësirave, veçanërisht në jug të vendit, të cilat mund të sjellin rrebeshe të izoluara shiu të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, njoton MeteoKosova, transmeton Periskopi.

    Nën ndikimin e pluhurit saharian, reshjet mund të marrin formën e shiut me baltë, një fenomen i zakonshëm kur uji bie përmes shtresave ajrore të ngarkuara me pluhur.

    Era do të fryjë me drejtime të ndryshme dhe herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos në zonat me zhvillime të theksuara, me shpejtësi prej 20-60 km/h.

    Temperaturat do të mbeten ekstremisht të larta, me minimale që do të lëvizin prej 19 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 39 deri në 43 apo edhe 44°C – me ç’rast pritet që të thyhet sërish rekordi historik i të nxehtit në vend.

  • Nisin diskutimet për një takim të mundshëm mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë

    Nisin diskutimet për një takim të mundshëm mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë

    Delegacionet nga Moska dhe Kievi kanë nisur diskutimet për mundësinë e një takimi mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

    Këto diskutime janë zhvilluar gjatë bisedimeve të mbajtura mes këtyre dy delegacioneve në Stamboll më herët gjatë kësaj jave, tha Zelensky në komente të publikuara më 25 korrik, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Zelensky po kërkon një takim me Putinin dhe i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, – i cili po kërkon që palët të arrijnë një marrëveshje – që po ashtu të marrë pjesë në këtë takim.

    Putin ka thënë se është i gatshëm që të takohet me Zelenskyn, por vetëm gjatë “një faze finale” të negociatave, për t’i dhënë fund luftës që ka nisur mbi tre vjet më parë.

    “Ne kemi nevojë që të ketë përfundim të luftës, dhe kjo me gjasë nis me një takim të udhëheqësve”, tha Zelensky për gazetarët.

    “Në bisedime me ne, ata kanë nisur që ta diskutojnë këtë çështje. Veçse ka përparim drejt një lloji formati të takimit”, shtoi ai.

    Në rundin e fundit të bisedimeve të mbajtur të mërkurën, Kievi propozoi që të mbahen bisedime në fund të gushtit.

    Kjo kohë është e përafërt edhe me afatin e vendosur nga Trumpi, i cili më herët gjatë këtij muaji i dha Rusisë 50 ditë kohë për të arritur një marrëveshje të paqes me Ukrainës ose do të përballet me sanksione.

    Një ditë më parë, Kremlini e minimizoi mundësinë e një takimi Putin-Zelensky në një periudhë të shkurtër kohore.

    “Një takim i nivelit të lartë mund dhe duhet të japë një zgjidhje përfundimtare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

    “A është e mundur që të shkohet në këtë proces të ndërlikuar brenda 30-ditësh? Ka pak gjasa të ndodhë”, shtoi ai.

    Bisedimet për përfundimin e luftës kanë prodhuar pak rezultate. Palët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme dhe Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po dërgon në bisedime zyrtarë të nivelit të ulët që nuk kanë fuqi për vendimmarrje.

    Rusia i ka bërë thirrje Ukrainës që të heqë dorë nga katër rajone që Moska pretendon se i ka aneksuar, një kërkesë që Kievi e ka quajtur të papranueshme.

    Ukraina thotë se nuk do ta njohë kurrë pretendimin e Rusisë mbi territoret e pushtuara – përfshirë Krimenë, të cilën Kremlini e aneksoi në vitin 2014./REL

  • Behrami: Thaçi është dëshmi e një burrështetasi i cili di të frymëzojë edhe në rrethana izolimi

    Behrami: Thaçi është dëshmi e një burrështetasi i cili di të frymëzojë edhe në rrethana izolimi

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami pas dështimit të tentimit të 52-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës komentoi intervistën e djeshme të presidentit, Hashim Thaçi.

    Behrami tha se intervista e Thaçit ka frymëzuar qytetarët duke krahasuar ish presidentin me liderët aktual të vendit.

    Ai tha se Thaçi nga izolimi dha shembull për liderët që sipas tij janë të burgosur në pikëpamjet e tyre kamikaze.

    “Padyshim që ishte intervistë emocionale dhe përmbajtësore, një intervistë që dëshmon që edhe në rrethanat e izolimit edhe në rrethanat e burgut ai di të frymëzojë, di të jap shpresë, di që ta duaj vendin dhe qytetarët që e kanë mbështetur. Vjen kjo intervistë në një kohë kur ne ballafaqohemi me liderë të cilët janë të burgosur në botëkuptimet e tyre kamikaze, të cilët mbajnë të izoluar Kosovën, të cilët e mbajnë Kosovën në stagnim të plotë. Kjo intervistë vjen po ashtu kur Kosova është e izoluar ndërkombëtarisht, është e izoluar përbrenda dhe e përçarë përbrenda”, tha fillimisht ai.

    “Mendoj që intervista e mbrëmshme e presidentit Thaçi është edhe një dëshmi e gjallë, ku kemi një dallim mes burrështetasve dhe njerëzve që e shikojnë vetëm interesin e tyre dhe mbrëmë e patëm një intervistë të një burrështetasi i cili edhe në rrethana burgu edhe në rrethana izolimi di të frymëzojë. Presidenti mbrëmë të gjithë neve na mori me vete në qelinë e tij dhe nga qelia e tij na i hapi sytë për një Kosovë e cila duhet të përparojë, për një Kosovë e cila me shumë sakrificë dhe mund është bërë e pavarur dhe ka bërë aleanca ndërkombëtare dhe një Kosovë e cila patjetër duhet të ruajtur, prandaj mendoj që kthimi i tij sa më i shpejtë në Kosovë do të ishte jo vetëm një fitore për familjen e tij, një fitore për bashkëpunëtorët e tij, por mbi të gjitha do të ishte një fitore për Republikën e Kosovës”, tha Behrami.

    Kujtojmë që nesër është caktuar vazhdimi i seancës konstituive në ora 14:00.

  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga Qeveria ta shtyjë procesin e liberalizimit të tregut energjetik

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga Qeveria ta shtyjë procesin e liberalizimit të tregut energjetik

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës i ka dorëzuar Qeverisë një kërkesë për shtyrjen e procesit të liberalizimit të tregut energjetik, duke e konsideruar atë të shoqëruar me shkelje të shumta.

    Para objektit të Qeverisë, drejtori ekzekutiv i Dhomës, Kushtrim Ahmeti, tha se bizneseve po u dërgohen njoftime kërcënuese për ndërprerje të energjisë më 30 korrik, pa pasur paraprakisht fatura për muajt qershor dhe korrik.

    Ndërkohë, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, afati për furnizim nga Korporata Energjetike e Kosovës si Furnizues i Mundësisë së Fundit përfundon më 30 korrik.

     

  • Paraja nuk blen gjithçka, ja 10 gjëra që nuk kanë çmim

    Paraja nuk blen gjithçka, ja 10 gjëra që nuk kanë çmim

    Kur arrin një moshë të caktuar, fillon të kuptosh rëndësinë e parave. Ndërsa është e vërtetë që “paratë nuk mund të blejnë lumturinë”, ato të paktën ofrojnë njëfarë sigurie.

    Shumë njerëz që bëhen jashtëzakonisht të pasur shpesh rriten në familje të varfra, gjë që forcon vendosmërinë e tyre për të mos e përjetuar më kurrë atë përvojë. Nuk ka asgjë të keqe të kesh para, në vetvete. Shumë njerëz të pasur kanë punuar me zell për të arritur suksesin e nevojshëm për të grumbulluar pasuri. Në këtë ndjekje të pandërprerë, shumë njerëz e kuptojnë se paratë nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë përgjigja për atë që e bën një person të lumtur. Paratë nuk mund të blejnë lumturinë por çfarë tjetër nuk mund të blejnë paratë?

    Paratë nuk e kanë bërë kurrë njeriun të lumtur, as nuk do ta bëjnë; nuk ka asgjë në natyrën e tyre për të prodhuar lumturi. Sa më shumë të ketë dikush, aq më shumë dëshiron. – Benjamin Franklin

    Ja dhjetë gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë:

    1. Dashuria
    Paratë mund të blejnë epsh, tërheqje dhe pushtet… por nuk mund të blejnë dashuri. Kjo ndodh sepse dashuria është diçka intime, diçka e sinqertë, diçka misterioze. Paratë nuk janë asnjë nga këto gjëra. Paratë janë thjesht një metodë shkëmbimi, as më shumë dhe as më pak. Përdoren për të paguar një produkt ose një shërbim, komoditeti, rehatia dhe luksi i tyre. Shumë prej nesh e mësojnë këtë në mënyrën e vështirë. Ne grumbullojmë më shumë, vetëm për t’u ndjerë më të zbrazët. Kjo ndodh sepse jemi rritur në një kulturë që e lavdëron pasurinë e cila, çon në keqkuptime dhe besime të rreme.

    2. E vërteta
    Paratë mund të jenë në gjendje të blejnë ndikim, por të vërtetat janë më me ndikim nga të gjitha. Shpesh paratë shpenzohen për të krijuar kërkime të anshme për të mbështetur një opinion. Dhe shpesh, paratë fitojnë… në afat të shkurtër. Në fund, pavarësisht se sa para shpenzohen për të mbytur ose shtrembëruar të vërtetën, ajo gjithmonë do të zbulohet.

    3. Koha
    Çdo minutë që kalon është kohë që nuk do ta ktheni kurrë më. Kjo është menduar të jetë pak depresive, por e vërtetë. Jeta jonë fillon të venitet që nga momenti që lindim. Pavarësisht të gjitha përparimeve shkencore dhe mjekësore, nuk ekziston asnjë mënyrë praktike për ta zgjatur jetën në mënyrë të konsiderueshme. Njerëzit jashtëzakonisht të pasur kanë shpenzuar shuma të panumërta parash në përpjekje të kota për të zgjatur jetën e tyre, vetëm për të zbuluar se vdesin rreth të njëjtës moshë si të gjithë të tjerët. Asnjë sasi parash nuk do të jetë në gjendje ta kthejë kohën prapa. Ne duhet ta përjetojmë jetën, çast pas çasti, duke e përjetuar atë në maksimum.

    4. Paqja
    Kultivimi i mendimeve tuaja është e vetmja gjë që do t’ju sjellë ndonjëherë paqe të vërtetë. Një aspekt i kësaj është pranimi kur ndodhin gjëra të këqija dhe shndërrimi i tyre në një përvojë pozitive. Shikoni shumat e panumërta të parave që qeveritë dhe individët kanë shpenzuar në emër të “paqes”. Këto shuma të mëdha nuk kanë qenë kurrë në gjendje t’i afrohen asaj që ne do ta përkufizonim si “paqësore”. Më e rëndësishmja, paqja juaj e brendshme nuk varet nga seksioni i “bilancit” të deklaratës suaj bankare. Është mënyra se si e stërvitni mendjen tuaj, vendosni pritjet dhe përcaktoni se çfarë do të thotë vërtet paqja e brendshme për ju.

    5. Talenti
    Talentet dhe aftësitë që zotëroni në mendjen dhe trupin tuaj janë të paçmuara. Ndërsa paratë me siguri mund të ndihmojnë në zhvillimin e një talenti, ato kurrë nuk do të jenë në gjendje të blejnë një talent ose aftësi. Përveç talentit të lindur, ekziston aftësia për të mësuar një aftësi ose talent, kjo nuk do të jetë kurrë në gjendje të blihet me asnjë shumë parash. Proceset mendore dhe shkathtësia e mendjes dhe trupit nuk do të jenë kurrë të blera… ato janë të paçmueshme.

    6. Shëndeti
    Padyshim që është e vërtetë që paratë mund të blejnë kujdes shëndetësor dhe ilaçe, ato nuk mund ta zëvendësojnë shëndetin e plotë të organizmit tonë më saktë mirëqënien. Në të njëjtën kohë, aktivitete si ushtrimet, mjekësia parandaluese dhe kujdesi për veten kushtojnë pak ose aspak. Është pothuajse dëshpëruese të shohësh të famshëm që shpenzojnë shuma marramendëse parash në përpjekjen e kotë për të ruajtur “bukurinë e tyre natyrale”. Së pari, plakja është bukuri natyrale, rrudhat dhe flokët e thinjur janë gjithashtu bukuri natyrale për këdo.

    7. Sjellja
    Njerëz të pasjellshëm ekzistojnë në jetën tonë na nd0dh të rastisemi apo të përballemi me ta. Mënyra se si ta trajtosh dikë me respekt padyshim nuk vjen nga paratë. Paraja mund t’ju vendosë në një “klasë më të lartë”, por sigurisht nuk ju bën klas.

    8. Miqtë e vërtetë
    Zotërimi i parave sigurisht që mund të tërheqë njerëz që duan të jenë miq, por nuk garanton miqësi të vërtetë. Shumica e miqve të vërtetë e duan njëri-tjetrin… dhe çfarë diskutuam për paratë dhe dashurinë? I njëjti koncept vlen edhe këtu. Miqtë e vërtetë dhe të qëndrueshëm janë aty gjatë ‘bumit’ dhe janë ende aty gjatë ‘rënies’. Paratë dhe pasuritë nuk kanë rëndësi për miqtë e vërtetë… personi juaj ka rëndësi.

    9. Dituria
    Informacioni që grumbulloni, elementët e intelektit tuaj dhe mënyrat se si shfaqni mençurinë nuk mund të blihen kurrë. A keni menduar ndonjëherë pse disa nga njerëzit më të pasur duket se veprojnë në mënyrat më të çuditëshme? Kjo ndodh sepse paratë ose diçka tjetër ka ndikuar në proceset e tyre të të menduarit. Disa njerëz të pasur kanë deklaruar se si paratë i bëjnë të ndihen ‘të pamposhtur’ dhe si rezultat, kanë marrë disa vendime vërtet të këqija. Pra, nuk është vetëm përvetësimi i kësaj dijeje që e bën atë të paçmuar, është zbatimi praktik i kësaj dijeje… asnjërën prej të cilave nuk mund ta blejë paraja.

    10. Prania dhe pranimi
    Ndoshta më e rëndësishmja është prania dhe pranimi, aftësia për të qenë i pranishëm me vetëdije dhe për të pranuar, pa gjykim çdo situatë. Kjo dhuratë e jashtëzakonshme që ndryshon jetën nuk është e disponueshme për blerje, vetëm për ata që kërkojnë të kuptojnë dhe zbatojnë konceptet. Aftësia për të qenë i pranishëm dhe për të pranuar çdo moment teksa e jetojmë jetën është një dhuratë e vlefshme… më e vlefshme se çdo shumë parash. Në fund të fundit, nëse praktikojmë praninë dhe pranimin gjatë gjithë jetës sonë, çfarë nevoje kanë paratë?/TAR

  • Mbroni flokët nga dielli gjatë pushimeve: Ja çfarë duhet të dini

    Mbroni flokët nga dielli gjatë pushimeve: Ja çfarë duhet të dini

    Mbrojtja e lëkurës nga rrezet e diellit është një hap themelor në kujdesin e lëkurës, veçanërisht në verë, kur ekspozimi ndaj diellit është në nivelin më të lartë. Dhe ndërsa ky informacion është tashmë i njohur për të gjithë ne, kur bëhet fjalë për flokët, situata ndryshon.
    Dhe flokët duhet të mbrohen nga rrezet e diellit, me mbrojtje të përshtatshme dhe të dedikuar.

    Mbrojtje nga dielli specifike për flokët që duhet të aplikohet me të njëjtin kujdes që aplikojmë në produktet tona të kujdesit për lëkurën çdo mëngjes dhe darkë, për të siguruar shëndetin maksimal të flokëve — pavarësisht nëse jeni me pushime apo ende prisni të dilni nga qyteti.

    Vogue.it shkruan se qumështi për flokë Biopoint Solaire krijon një barrierë të aftë për të bllokuar efektet e dëmshme të ekspozimit afatgjatë ndaj diellit, kripës së detit, klorit të pishinës dhe madje edhe flladit bregdetar, të cilat mund t’i bëjnë flokët pa jetë, të thatë dhe të brishtë, duke nxitur këputjen. Kjo mbrojtje nga dielli hidraton flokët dhe u jep atyre më shumë shkëlqim dhe butësi, sipas atyre që e kanë provuar produktin.

    Si dëmtojnë flokët dielli dhe uji i detit
    Rrezatimi UV dëmton keratinën në flokë, dobëson strukturën e flokëve dhe përshpejton procesin e tharjes. Uji i detit than gjithashtu flokët sepse thith lagështinë nga flokët dhe mund të kontribuojë në humbjen e ngjyrës në flokët e lyer. Për më tepër, kombinimi i diellit, erës dhe kripës krijon kushte ku flokët thahen shpejt, ashpërsohen dhe priren të këputen.

    Si t’i mbroni flokët gjatë verës
    Përdorni produkte me mbrojtje nga rrezet UV për flokët tuaj. Llaket, qumështet dhe vajrat e flokëve të formuluara posaçërisht krijojnë një shtresë mbrojtëse që mbron flokët nga rrezet UV, tharja dhe dëmtimi.

    Vishni një kapelë ose shall. Mbrojtja fizike mbetet mënyra më e mirë për të zvogëluar ekspozimin direkt në diell.

    Shpëlani flokët pasi të notoni në det ose pishinë. Kjo largon kripën dhe klorin, të cilat mund të dëmtojnë më tej flokët.

    Përdorni maska dhe balsam hidratues. Këto produkte ndihmojnë që flokët të mbeten të ushqyer dhe elastikë, edhe pas ekspozimit intensiv në diell.