ATV

Author: G.O.

  • Kryeministri britanik paralajmëroi njohjen e Palestinës, Netanyahu: Po shpërblen terrorizmin e Hamasit

    Kryeministri britanik paralajmëroi njohjen e Palestinës, Netanyahu: Po shpërblen terrorizmin e Hamasit

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar homologun britanik Sir Keir Starmer për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetësinë palestineze në shtator, nëse Izraeli nuk i jep fund luftës në Gaza.

    Sipas mediave të huaja, ai thotë se vendimi i kryeministrit britanik “shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit” dhe “ndëshkon viktimat e tij”.

    “Një shtet xhihadist në kufirin e Izraelit sot, do të kërcënojë Britaninë nesër”, tha më tej Netanyahu, shkruan A2 CNN.

    “Paqësimi ndaj terroristëve xhihadistë dështon gjithmonë. Do t’ju dështojë edhe juve. Nuk do të ndodhë”, përfundoi Netanyahu.

    Kujtojmë se Starmer u zotua të bëjë një vlerësim përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, lidhur me se sa i kanë përmbushur Izraeli dhe Hamasi këto hapa përpara se të marrë një vendim përfundimtar, duke siguruar që asnjëra palë të mos ketë të drejtë veto.

    Pas Francës e Britanisë, edhe Malta thotë se do ta njohë Palestinën

  • Rrëzohet një heliktoper në Gjermani, të paktën dy të vdekur

    Rrëzohet një heliktoper në Gjermani, të paktën dy të vdekur

    Të paktën dy anëtarë të forcës ajrore gjermane u vranë kur një helikopter në të cilin po udhëtonin u rrëzua gjatë një misioni stërvitor në lindje të vendit, tha të martën ministria e mbrojtjes.

    Një zëdhënëse e forcës ajrore gjermane i tha AFP-së se dy nga anëtarët e ekuipazhit që vdiqën ishin “me përvojë”, duke shtuar se po zhvillohej një kërkim për anëtarin e tretë.

    Helikopteri, i cili ishte marrë me qira për qëllime stërvitjeje, u rrëzua për arsye ende të panjohura në Mulde, një lumë pranë Grimma, Saksoni.

    Mjeti, një EC-135 (Helikopterë Airbus), ishte zhdukur që nga mëngjesi i djeshëm. Policia tha se qytetarët që po lundronin me kajak vunë re mbeturina në lumë. Një digë u ngrit në një pjesë të lumit për të kufizuar ndotjen dhe rrjedhjen e vajgurit.

  • Pas Francës e Britanisë, edhe Malta thotë se do ta njohë Palestinën

    Pas Francës e Britanisë, edhe Malta thotë se do ta njohë Palestinën

    Pas paralajmërimeve nga Parisi e Londra për njohjen e një shteti të pavarur palestinez në shtator, një gjë të tillë ka thënë se do ta bëjë edhe Malta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara po atë muaj.

    Njoftimin për këtë vendim e dha të martën në mbrëmje kryeministri i shtetit të vogël ishullor, Robert Abela, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    “Pozicioni ynë e pasqyron përkushtimin tonë ndaj përpjekjeve për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme” – shkroi Abela në rrjetin social “Facebook”.

    Qeveria e Maltës ka qenë nën presion të shtuar brenda rangjeve të veta për të njohur një shtet palestinez dhe opozita e qendrës së djathtë këtë muaj gjithashtu bëri thirrje për njohje të menjëhershme.

    Shteti mesdhetar, anëtar i Bashkimit Evropian, ka një histori të përkrahjes për kauzat palestineze dhe i ka mbështetur përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.

    Abela fillimisht i kishte bërë të ditura planet për njohjen e një shteti palestinez në maj, duke thënë se veprimi do të bëhej në një konferencë të Kombeve të Bashkuara në qershor, por konferenca më vonë ishte shtyrë.

    Irlanda, Norvegjia dhe Spanja e njohën Palestinën si shtet të pavarur në maj.

    Paralajmërimet e Britanisë dhe Francës për njohjen e Palestinës kanë shkaktuar reagime negative nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se vendi i tij nuk planifikon që ta ndjekë shembullin e Londrës.

  • Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka njoftuar se nuk ka kolona dhe pritje të gjata në pikë-kalimet kufitare

    QKMK në përditësimin e orës 07:12 njofton se në të gjitha pikë-kalimet kufitare pritjet në hyrje dhe dalje të Kosovës janë nga 3 deri në 5 minuta.

    Më poshtë gjendja në të gjitha pikëkalimet kufitare:

     

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Sot parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell gjatë ditës, ndërsa kryesisht në zonat malore pritet të ketë reshje të izoluara shiu.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 17-40 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 14 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 27°C.

  • Tërmeti godet Rusinë: Paralajmërime për cunami në Japoni dhe ShBA, evakuohen banorët

    Tërmeti godet Rusinë: Paralajmërime për cunami në Japoni dhe ShBA, evakuohen banorët

    Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë ka goditur Gadishullin Kamchatka në Lindjen e Largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunam deri në katër metra lartësi, dëme në ndërtesa dhe paralajmërime masive për evakuim përgjatë bregdetit të Oqeanit Paqësor.

    Sipas autoriteteve ruse, disa persona janë lënduar në rajonin e goditur. Banorëve të pjesës lindore të Japonisë – zonë që përjetoi cunamin shkatërrues të vitit 2011 – iu është kërkuar të evakuohen menjëherë.

    “Tërmeti i sotëm ishte serioz dhe më i forti në dhjetë vitet e fundit”, deklaroi guvernatori i Kamchatkës në Telegram. Ministri Rajonal i Situatave të Emergjencave, Sergei Lebedev, konfirmoi se pas tërmetit u regjistrua një cunami prej 3 deri në 4 metrash, duke bërë thirrje që “të gjithë të largohen nga bregu”.

    Instituti Amerikan i Sizmologjisë raportoi se tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 km, rreth 125 km nga Petropavlovsk, një qytet me rreth 165 mijë banorë.

    Në Japoni, mbi 1.9 milion njerëz janë urdhëruar të evakuohen, ndërsa Agjencia Meteorologjike ka paralajmëruar për valë cunami deri në 3 metra. Paralajmërimet shtrihen nga Hokkaido në veri deri në prefekturën Wakayama në jug, duke mbuluar qindra kilometra përgjatë bregdetit të Paqësorit.

    Në SHBA, autoritetet në Hawaii dhe Kaliforni kanë lëshuar paralajmërime për banorët që të qëndrojnë larg plazheve dhe zonave të ulëta. Ekspertët amerikanë theksojnë se nuk pritet ndonjë dëm i madh në territorin e SHBA-ve, ndërsa guvernatori i Hawaii-t u ka kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë.

  • Gjendet trupi i pajetë i 33-vjeçarit në Liqenin e Ujmanit

    Gjendet trupi i pajetë i 33-vjeçarit në Liqenin e Ujmanit

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë gjetur trupin e 33-vjeçarit pas disa ditësh kërkimesh intensive, i cili dyshohet se u hodh nga ura në Liqenin e Ujmanit më 27 korrik 2025.

    Trupi i tij është lokalizuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit, përfshirë njësitë e zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët ishin angazhuar që nga dita e raportimit të rastit, në kuadër të një operacioni humanitar të koordinuar.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë FSK përmes një komunikate për media.

    “Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka urdhëruar ekipet e Kërkim-Shpëtimit në ujëra për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur,” thuhet në njoftim.

    Sipas FSK-së, me pranimin e urdhrit, ekipet kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe KFOR-in, kanë zhvilluar kërkime intensive në zonën e liqenit.

    “Falë intensitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi, u arrit të lokalizohet dhe evakuohet trupi i pajetë i viktimës,” thuhet tutje në njoftim.

    Trupi i viktimës është dorëzuar tek Policia e Kosovës dhe ekipi i forenzikës për procedurat e mëtejme ligjore

     

  • Vazhdojnë kërkimet në liqenin e Ujmanit për gjetjen e 33 vjeçarit, flet shefi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave

    Vazhdojnë kërkimet në liqenin e Ujmanit për gjetjen e 33 vjeçarit, flet shefi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave

    Shefi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME), Genc Metaj ka deklaruar se menjëherë pas marrjes së informacionit për rastin e mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në liqenin e Ujmanit, janë angazhuar të gjitha ekipet për kërkim dhe shpëtim.

    Ai shtoi se AME, si organ koordinues në situata emergjente ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

    Megjithatë, siç tha ai për shkak të kapaciteteve të kufizuara, deri tani nuk është arritur të gjendet trupi i pajetë.

    “Agjencia e Menaxhimit Emergjent me të marr vesh me Policinë menjëherë i ka angazhuar ekipet e AME-së, njësitet e zjarrfikësve… policia ka qenë non stop. I kemi angazhuar Shoqatën e Kosovës për kërkim, shpëtim. Gjithashtu kanë qenë të angazhuar dhe klubi i zhytjes ‘Trepça’. Agjencia si koordinuese e veprimeve në rastet emergjente i ka marrë të gjitha masat, mirëpo me kapacitetet aktuale të cilat i kemi pasur nuk kemi arrit me pas një sukses për me arrit me gjet trupin e personit të humbur dhe me këtë arsye me veprime ndërinstitucionale i kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi kërkuar angazhimin e FSK-së, të cilët sot kanë ardhë dhe janë duke e kryer punën e vet në liqen”, ka thënë Metaj, duke shtuar se të hënën kanë bërë kërkesë për ndërhyrjen e FSK-së.

    Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së veriut, Veton Elshani, konfirmoi se Policia e Kosovës është e përfshirë në operacion dhe po ofron asistencën e nevojshme.

    “Policia është këtu për të asistuar, ndërsa udhëheqja e operacionit i takon AME-së. Me ardhjen e FSK-së, presim që të paktën trupi të gjendet, në mënyrë që të zbutet sadopak dhimbja e familjes që ka humbur një anëtar të saj”, u shpreh Elshani.

    Ndryshe, sot në orët e mëngjesit erdhën në ndihmë njësitet e specializuara të FSK-së, ndërsa që nga dita e diela kanë qenë të angazhuara njësite të Policisë së Kosovës, ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe zhytës profesionistë, të cilët po punojnë pa ndërprerë për lokalizimin e trupit, por deri tani, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.

  • Ekspertët e krizave ushqimore: Skenari më i keq i urisë po ndodh në Gaza

    Ekspertët e krizave ushqimore: Skenari më i keq i urisë po ndodh në Gaza

    “Skenari më i keq i urisë po ndodh aktualisht në Rripin e Gazës”, tha autoriteti kryesor ndërkombëtar për kriza ushqimore më 29 korrik, duke parashikuar “vdekje të shumta” nëse nuk merren masa të menjëhershme.

    Ky paralajmërim, që ende nuk përbën shpallje zyrtare të urisë, vjen pas reagimeve të shumta pas publikimit të imazheve të fëmijëve të kequshqyer dhe raportimeve për dhjetëra vdekje të lidhura me urinë pas gati 22 muajsh luftë.

    Presioni ndërkombëtar e shtyu Izraelin që gjatë fundjavës të shpallë disa masa, përfshirë ndalesa të përditshme në luftime për shkaqe humanitare në disa pjesë të Gazës dhe hedhjen nga ajri të pakove me ndihma. Megjithatë, Kombet e Bashkuara dhe palestinezët në Gazë thonë se situata ka ndryshuar pak, teksa turmat e dëshpëruara të palestinezëve vazhdojnë të dynden drejt kamionëve me ndihma para se ato të arrijnë në destinacionet e parapara.

    Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC) paralajmëroi se Gaza që dy vjet është buzë urisë, por zhvillimet e fundit kanë “përshkallëzuar në mënyrë dramatike” situatën.

    Shpallja zyrtare e urisë, që është e rrallë, kërkon të dhëna që nuk mund të merren në Gazë për shkak të pengimit të qasjes në këtë territor.

    Por, ekspertët e pavarur thonë se nuk kanë nevojë për një shpallje formale për të kuptuar atë që po shohin në Gaza.

    “Ashtu si një mjek familjar mund ta diagnostikojë shpesh një pacient me të cilin është i njohur bazuar në simptomat e dukshme, pa pasur nevojë të dërgojë mostra në laborator dhe të presë rezultatet, po ashtu mund t’i interpretojmë simptomat e Gazës. Kjo është uri e vërtetë”, tha për Associated Press Alex de Waal, autor i librit “Uria Masive: Historia dhe e Ardhmja e Saj” dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Paqe Botërore.

    Teksa situata humanitare në Gazë është rënduar, Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez njoftoi më 29 korrik se numri i viktimave që nga nisja e luftës më 2023 ka shkuar në mbi 60.000.

    Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Afër 50 persona besohet se ende mbahen në Gazë, ndërsa të tjerët janë liruar në marrëveshjet paraprake të armëpushimit.

  • Itali, shkon në 5 numri i të vdekurve nga virusi i Nilit

    Itali, shkon në 5 numri i të vdekurve nga virusi i Nilit

    Sipas autoriteteve kompetente, 5 persona kanë vdekur nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali këtë vit.

    Në rajonin e Kampanias, pikërisht në Napoli, dje vdiq një burrë 80-vjeçar me sëmundje të rënda. Pak kohë më parë, u njoftua gjithashtu se në fund të javës së kaluar, një burrë 74-vjeçar që vuante nga problemet me veshkat dhe ishte infektuar me virusin, humbi jetën, gjithashtu në një spital të Napolit.

    Javën e kaluar, tre persona të tjerë vdiqën nga ndërlikimet e shkaktuara nga virusi në zonën më të gjerë të Latinës (e cila ndodhet 78 kilometra në jug të Romës) dhe në qytetin e Novarës, pranë Torinos.

    Mjekët italianë theksojnë se në shumicën e rasteve, kushdo që është i infektuar me virusin (i cili transmetohet nga mushkonjat) mbetet asimptomatik ose kapërcen simptomat e ngjashme me gripin brenda pak ditësh, pa pasur nevojë të shtrohet në spital. Megjithatë, tek të moshuarit me sëmundje themelore dhe sistem imunitar të dobësuar, ekziston një shans më i madh për probleme më serioze, duke filluar me ndërlikime serioze në sistemin neurologjik.

    Krahasuar me vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve deri më tani nuk është rritur. Ajo që ka ndryshuar është regjistrimi i përqindjes më të madhe të rasteve (deri më tani janë 28) në rajonin e Latinës, ku ka fusha të gjera me zona bujqësore dhe, deri një shekull më parë, malaria ishte veçanërisht e përhapur.