ATV

Author: G.O.

  • Publikoi video duke shtënë me armë, arrestohet i dyshuari në Drenas

    Publikoi video duke shtënë me armë, arrestohet i dyshuari në Drenas

    Një person është arrestuar të mërkurën në fshatin Vërboc të Drenasit nën dyshimet se i njëjti ishte parë në një video në rrjete sociale duke shtënë me armë.

    Raportohet se të shtënat kishin ndodhur mbrëmjen e 29 korrikut.

    “ Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmë automatike dhe 5 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia në raportin 24-orësh.

  • Korriku, muaji i kobshëm për punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë

    Korriku, muaji i kobshëm për punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë

    Muaji korrik ka qenë tragjik për punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë. Pesë punëtorë të këtij sektori kanë vdekur gjatë këtij muaji Kosovë. Rasti i fundit ishte dje kur një punëtor ka vdekur pasi ka rënë nga ndërtesa ku po punonte.

    Viktima ishte rreth 40 vjeç. Policia ka thënë se dy persona janë intervistuar si të dyshuar për rastin e më pas janë ndaluar për 48 orë.

    “Me datë 30.07.2025, rreth orës 12:45, në qytetin e Prizrenit, është raportuar një incident në vendin e punës ku viktima N.XH., mashkull rreth 40 vjeç, nga Drenasi, gjatë kryerjes së punimeve në një kulm, ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më vonë, sipas informatave zyrtare nga emergjenca, është konfirmuar se ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Policia menjëherë i është përgjigjur rastit dhe ka marrë dëshmi nga personat e pranishëm në vendngjarje”, ka thënë Policia rajonale e Prizrenit.

    Të ndaluarit nga Policia janë mbikëqyrësi dhe investitori i punimeve.

    Më 21 korrik, tre punëtorë vdiqën si pasojë e lëndimeve të marra në vendpunishte, dy prej të cilëve ishin në rajonin e Gjakovës dhe njëri në atë të Istogut. Ndërkohë tragjeditë vazhduan. Më 27 korrik një tjetër punëtor në Ferizaj vdiq pas rrëzimit të autovinçit.

    Sipas të dhënave nga Sektori i Punëtorëve të Sektorit Privat, vetëm në vitin 2025, 18 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e ka cilësuar situatën alarmante dhe tejet shqetësuese.

    Azemi ditë më parë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë për të ndalur këtë zinxhir tragjedish në vendin e punës.

    “Prokuroria ka për obligim të marrë veprime, Policia dhe Inspektorati i Punës po ashtu. Ky vit ka nis si vit i kobshëm,” ka thënë ai.

  • Administrata Trump miraton vazhdimin e Kompaktit të MCC për Kosovën

    Administrata Trump miraton vazhdimin e Kompaktit të MCC për Kosovën

    Lajmi është konfirmuar nga Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, gjatë komunikimeve zyrtare me Presidenten Osmani, e cila e cilësoi këtë zhvillim si një “lajm të shkëlqyeshëm për Kosovën”.

    “Kjo është një mbështetje me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani në deklaratën e saj publike.

    Kompakti i MCC pritet të sjellë investime strategjike në infrastrukturën energjetike, duke ndihmuar Kosovën në forcimin e sigurisë energjetike, rritjen e kapaciteteve për energji të pastër dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik.

    Ky vendim nënvizon edhe një herë partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe vjen në një moment kyç për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e institucioneve të vendit.

  • AUV: Ndalohet importi i kafshëve të gjalla nga Serbia

    AUV: Ndalohet importi i kafshëve të gjalla nga Serbia

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të importit të kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit nga Serbia, pas konfirmimit të rasteve me sëmundjet “Gjuha e Kaltër” dhe “Murtaja Afrikane e Derrit” në këtë shtet.

    Sipas AUV-së, ndalimi përfshin gjedhet, delet, dhitë dhe derrat, si dhe çdo produkt me origjinë nga derri, përfshirë edhe ushqimet në bagazhet personale.

    Qëllimi i masës është të parandalohet përhapja e këtyre sëmundjeve virale në territorin e Kosovës.

    Për këtë arsye, autoritetet kufitare janë udhëzuar të shtojnë kontrollet në të gjitha pikat hyrëse, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që ta respektojnë vendimin dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

    Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj M.A për përfshirje në sulmin e dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

    Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, M.A akuzohet për katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

    Ngjarja, që ndodhi në afërsi të ndërtesës komunale në Zveçan, përshkallëzoi në dhunë serioze, ku M.A , së bashku me të pandehur të tjerë, sipas Prokurorisë, ka përdorur shufra, kokteje molotovi, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri për të sulmuar forcat e sigurisë, duke mos iu bindur urdhrave të KFOR-it për shpërndarje paqësore të turmës.

    Si pasojë, janë lënduar të paktën 30 ushtarë të KFOR-it dhe disa zyrtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë automjete të policisë dhe të gazetarëve që mbulonin protestën.

    Gjatë hetimeve, ndaj të pandehurit janë sekuestruar armë zjarri dhe substanca narkotike, për të cilat Prokuroria ka kërkuar konfiskim dhe shkatërrim ligjor.

    PSRK gjithashtu ka propozuar që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj M.A deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për shkak të natyrës së rëndë të veprave dhe rrezikut të përsëritjes së tyre.

  • Në Brekoc të Gjakovës gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë nga lufta e fundit

    Në Brekoc të Gjakovës gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë nga lufta e fundit

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar të mërkurën gjetjen e mbetjeve mortore në fshatin Brekoc të Gjakovës, gjatë gërmimeve që po realizohen në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, gjetja e eshtrave dyshohet të jetë e lidhur me personat që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

    “Pas vazhdimit të gërmimeve dhe vlerësimeve në këtë lokacion, ekipet tona kanë gjetur eshtra”, thuhet në komunikatë.

    Tani, mbetjet e gjetura do t’i nënshtrohen analizave antropologjike dhe identifikimit përmes ADN-së. Pasi të përfundojnë procedurat laboratorike, familjet e viktimave do të njoftohen për rezultatet dhe identitetin e mbetjeve.

    “Komisioni dhe partnerët institucional janë të përkushtuar për trajtimin me prioritet dhe kujdes të posaçëm të kësaj çështjeje, në shërbim të familjeve të viktimave dhe për të vënë drejtësinë në vend.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Bastisje në burgun e Dubravës, kapen lëndë narkotike e telefona

    Bastisje në burgun e Dubravës, kapen lëndë narkotike e telefona

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm parandalues kundër një tentative për futje të kontrabandës në zonën sterile të Qendrës Korrektuese në Dubravë.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se pas pranimit të informacioneve proaktive dhe organizimit operativ në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, në koordinim dhe nen organizimin e Departamentit për Siguri të Qendrës Korrektuese të Dubravës, është realizuar një bastisje e menjëhershme.

    Tutje në postim thuhet se gjatë kontrollit janë zbuluar pesë qese të zeza, të mbështjella dhe të izoluara me izolir të tejdukshëm.

    “Qeset janë lokalizuar dhe brenda tyre janë gjetur: lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në disa njësi, me peshë të përgjithshme prej 98 gramësh (me mbështjellës); pesë telefona të markës Samsung, prej të cilëve njëri kishte SIM kartelë të vendosur të operatorit IPKO, si dhe dy SIM kartela të papërdorura të të njëjtit operator”, thuhet në postim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur në postim ky operacion është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Njësisë së Inteligjencës, Departamentit të Sigurisë së QK Dubravë dhe zyrtarëve përgjegjës të sigurisë, dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës për të parandaluar çdo përpjekje për futjen e kontrabandës dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar brenda institucioneve korrektuese.

  • Hawaii dhe Japonia ulin alarmin për cunami pas tërmetit 8.8 ballësh në lindjen e largët të Rusisë

    Hawaii dhe Japonia ulin alarmin për cunami pas tërmetit 8.8 ballësh në lindjen e largët të Rusisë

    Hawaii dhe disa pjesë të Japonisë kanë ulur nivelin e alarmit për cunami në nivele këshilluese, pasi njëri nga tërmetet më të forta të regjistruara ndonjëherë goditi lindjen e largët të Rusisë në orët e hershme të së mërkurës, raporton AP.

    Tërmeti me magnitudë 8.8 shkaktoi valë cunami që arritën deri në Japoni, Hawaii dhe në disa pjesë të Oqeanit Paqësor. Deri më tani, nuk është raportuar për dëme të mëdha, por autoritetet paralajmërojnë qytetarët të qëndrojnë larg vijave bregdetare, duke theksuar se rreziku mund të zgjasë më shumë se një ditë.

    Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka njoftuar se paralajmërimi për cunami është ulur në bregun jugor të Paqësorit pranë Fukushimës, ndërsa mbetet në fuqi në pjesën veriore.

    Shefi i Departamentit të Mbrojtjes së Hawaiit, Gjeneralmajor Stephen Logan, ka sqaruar se niveli këshillues nënkupton mundësinë e rrymave të forta dhe valëve të rrezikshme, si dhe përmbytjeve në plazhe dhe porte.

    “Urdhri për evakuim është pezulluar dhe është konstatuar se situata është e sigurt për banorët që të kthehen në zonat përkatëse”, bëri të ditur Logan.

    Ndërkohë, fluturimet janë rifilluar në aeroportin ndërkombëtar të Honolulut, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave e Hawaiit njoftoi se portet tregtare do të rihapen.

  • Samsung sjellë inovacione të reja për jetën në lëvizje me Galaxy Z Flip7, Z Fold7 dhe Galaxy Watch8

    Samsung sjellë inovacione të reja për jetën në lëvizje me Galaxy Z Flip7, Z Fold7 dhe Galaxy Watch8

    Në një botë ku dita është e mbushur me aktivitete të ndryshme, nga takimet deri tek palestra dhe angazhimet personale, teknologjia që na shoqëron duhet të përshtatet me stilin e jetës sonë.

    Samsung ka krijuar një përvojë të re që flet gjuhën e lëvizjes dhe elegancës, duke sjellë produkte si Galaxy Z Fold7, Z Flip7, dhe Galaxy Watch8, duke ofruar mundësi të reja dhe të fuqishme për përdoruesit e saj.

    Dizajn dhe performancë që ecin me ritmin tuaj

    Samsung ka avancuar më tej vizionin e saj për telefonat e palosshëm, duke sjellë pajisjet më të holla dhe më të lehta të krijuara për ata që kërkojnë më shumë, pa bërë asnjë kompromis. Galaxy Z Flip7 është kompakt dhe mund të futet lehtësisht në xhepin e xhaketës, por gjithashtu ofron mundësinë të menaxhosh takimet, të bësh foto dhe të kontrollosh muzikën pa e hapur ekranin kryesor.

    Për ata që kërkojnë një ekran më të gjerë, Galaxy Z Fold7 ofron një përvojë të pasur dhe të sofistikuar të një tableti, të përsosur për ata që lexojnë raporte në lëvizje, editojnë dokumente, apo shikojnë video gjatë pushimit të drekës.

    Pajisje të qëndrueshme dhe të besueshme

    Të dy pajisjet e fundit, Z Flip7 dhe Z Fold7, janë krijuar me materiale të përforcuara dhe ekrane me qëndrueshmëri të lartë, duke i bërë ato shoqërues të besueshëm kudo. Samsung ka siguruar që këto pajisje të jenë gjithashtu të ndërtuara për të përballuar kushte të ndryshme të përdorimit dhe të ofrojnë performancë të shkëlqyer.

    Përjetimi i jetës në lëvizje me Galaxy Watch

    Një tjetër element i rëndësishëm i ekosistemit Galaxy janë pajisjet e veshjes. Galaxy Watch8 dhe Galaxy Watch Ultra janë të krijuara për të monitoruar shëndetin dhe aktivitetet tuaja, duke përfshirë matjen e aktiviteteve fizike, gjumit, dhe shëndetit të zemrës me saktësi të lartë. Galaxy Watch Ultra ofron opsione më të avancuara për ata që janë të angazhuar në aktivitete ekstreme dhe kërkojnë një monitorim më të thelluar.

    Të dy pajisjet janë ideale për ata që duan të ndjekin ritmin e trupit të tyre, pa pasur nevojë të shikojnë vazhdimisht ekranin.

    Përvojë intuitive me One UI 8

    Pajisjet Galaxy tani ofrojnë një ndërfaqe të re, One UI 8, e cila sjell një përvojë të rafinuar dhe intuitiv. Ajo bën përdorimin e përditshëm më të lehtë se kurrë, duke ofruar akses të shpejtë tek veçoritë e përdorura më shpesh dhe duke përdorur inteligjencën artificiale për të mësuar nga zakonet tuaja.

    Kjo e bën Galaxy një ndihmës të vërtetë personal, jo thjesht një mjet.

    Provo Galaxy pa pasur nevojë të ndryshosh pajisjen

    Nëse ende nuk jeni pjesë e ekosistemit Galaxy, mund ta provoni përvojën Galaxy falë Try Galaxy. Mjafton të vizitoni trygalaxy.com ose të skanoni kodin QR për të provuar funksionalitetet më të fundit të Galaxy Z dhe One UI direkt nga telefoni juaj aktual, qoftë Android apo iPhone.

    Ky është momenti për të jetuar në lëvizje, me teknologji që përshtatet me jetën tuaj dhe jo anasjelltas. Me Galaxy Z Flip7, Z Fold7, dhe Galaxy Watch8, çdo hap i ditës bëhet më i thjeshtë, më i mençur dhe padyshim më elegant.

  • Nga tetori nis zbatimi i rregullave të reja për udhëtime në zonën Schengen

    Nga tetori nis zbatimi i rregullave të reja për udhëtime në zonën Schengen

    Bashkimi Evropian njoftoi se sistemi i ri i kontrollit kufitar për shtetasit që nuk janë nga blloku evropian, i cili do t’i japë fund vendosjes së vulave nëpër pasaporta, do të nisë zbatimin në tetor.

    I ashtuquajturi Sistem i Hyrje/Daljes (EES) fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por u shty në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.

    Komisioni Evropian ka vendosur 12 tetorin e vitit 2025 si datë për nisjen e operacioneve për zbatimin e EES-së. Nga 12 tetori e tutje, EES-ja do të nisë gradualisht të zbatohet në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, tha BE-ja.

    Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017 dhe zbatimi i tij u shty disa herë. Sistemi pritet të vlejë për rreth 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.

    EES-ja do të regjistrojë datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve dhe do të ketë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara.

    Sipas sistemit të ri, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike – fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

    Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipet e tyre ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë.

    Në mars, disa shtete anëtare u pajtuan që zbatimi të bëhet përmes fazave, që do të nisë më 12 tetor.

    “Kjo do të rrisë sigurinë… duke na ndihmuar që të identifikojmë personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit, të parandalojmë lëvizjet e parregullta dhe të ulim mashtrimet me dokumente dhe identitete”, tha Magnus Brunner, komisionar për Migrim.

    Komisioni Evropian tha se për udhëtarët do të ketë fushata informuese në aeroporte dhe në pikëkalime kufitare në mbarë BE-në para se të nisë zbatimi i sistemit.

    Sipas tij, periudha gjashtëmujore, sa është vendosur koha për përshtatjen me këtë sistem, është kohë e mjaftueshme për shtetet anëtare, udhëtarët dhe bizneset që të përshtaten me sistemin e ri.

    Sipas zbatimit të planifikuar në faza, vendet anëtare të BE-së duhet të fillojnë të operojnë sistemin në gjysmën e pikave kufitare pas tre muajsh dhe ta kenë tërësisht funksional atë pas gjashtë muajsh.

    “EES mund t’i marrë secilit udhëtar disa minuta shtesë për t’u përfunduar, prandaj përgatituni të prisni më gjatë se zakonisht në kufi sapo të nisë sistemi”, tha Ministria e Jashtme e Britanisë në një përditësim për udhëtime./REL