ATV

Author: G.O.

  • Skandali i rezervave shtetërore/ Ish-sekretari i Ministrisë së Industrisë Irfan Lipovica intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Skandali i rezervave shtetërore/ Ish-sekretari i Ministrisë së Industrisë Irfan Lipovica intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Ish-sekretari i Ministrisë së Industrisë, Irfan Lipovica është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe është parë duke hyrë në këtë objekt, raporton Ekonomia Online.

    Irfan Lipovica është një nga tre të dyshuarit për rastin e rezervave shtetërore, për të cilin rast, të dyshuar janë edhe afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtari tjetër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hafiz Gara.

    Rezervat shtetërore, Rozeta Hajdari u intervistua si e pandehur – Prokuroria Speciale: U mbrojt në heshtje

  • Pranimi i dokumenteve të Serbisë si prova gjyqësore nga Specialja në Hagë, reagon Haxhiu

    Pranimi i dokumenteve të Serbisë si prova gjyqësore nga Specialja në Hagë, reagon Haxhiu

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas pohimit të Dhomave të Specializuara lidhur me pranimin e dokumenteve me prova nga shteti serb, në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    Sipas Haxhiut, ky është zhvillim thellësisht i papranueshëm, duke thënë se pranimi i materialeve nga regjimi serb përbën deformim të rëndë të drejtësisë dhe paraqet fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës.

    “Përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm. Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin”, u shpreh Haxhiu.

    Kujtojmë se më 29 maj, Dhomat e Specializuara në Hagë pranuan disa dokumente me prova, në rastin e gjykimit të emërtuar si “Thaçi dhe të tjerët”.

    Dokumentet thuhet se u pranuan nga Shërbimi i sigurimit shtetëror të Serbisë, Ministria e Brendshme serbe dhe struktura të tjera të këtij shteti.

    Ky është postimi i plotë i Haxhiut:

    Me shqetësim kemi marrë lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.

    Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri.

    Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë.

    Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë.

    Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.

    Përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm. Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin.

    Slobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme.

  • Rezervat shtetërore, Rozeta Hajdari u intervistua si e pandehur – Prokuroria Speciale: U mbrojt në heshtje

    Rezervat shtetërore, Rozeta Hajdari u intervistua si e pandehur – Prokuroria Speciale: U mbrojt në heshtje

    Prokuroria Speciale ka dhënë detaje lidhur me intervistimin e ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari në kuadër të hetimeve për rastin “Rezervat shtetërore”.

    Në komunikatën zyrtare thuhet: “Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, njoftoheni se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Rezervat shtetërore’.”.

    Tutje, Prokuroria bën të ditur se qëllimi i ftesës ka qenë “konstatimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal”.

    Megjithatë, sipas komunikatës, “znj. Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje.”

    Prokuroria thekson se “rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.”

     

  • Bajrami paralajmëron pasoja për ekonominë nëse nuk pezullohet vendimi i ZRrE-së

    Bajrami paralajmëron pasoja për ekonominë nëse nuk pezullohet vendimi i ZRrE-së

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar pasoja të rënda ekonomike nëse Zyra e Rregullatorit për Energji nuk e pezullon vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i energjisë.

    Ajo thotë se rreth 140 mijë vende pune janë në rrezik dhe vendimi mund të shkaktojë një valë të re inflacioni.

    Sipas saj, bizneset ende nuk i kanë pranuar faturat e qershorit, ndërsa importi i energjisë është rritur me 800 për qind krahasuar me muajin maj.

    Bajrami ka ngritur dyshime se nga kjo situatë po përfitojnë disa kompani me lidhje politike dhe ka kërkuar që Prokuroria të veprojë pa vonesë ndaj bordit të ZRRE-së.

    Ajo ka deklaruar se vendimi aktual i ZRRE-së po e dëmton prodhimin vendor dhe po e sakrifikon ekonominë për siç i quan ajo, interesa mafioze.

  • “15 vjet janë pak, na i ka masakru” – Nëna dhe motra e binjakëve binjakëve, flasin pas dënimit të Plleskoviqit për vrasjen e tyre

    “15 vjet janë pak, na i ka masakru” – Nëna dhe motra e binjakëve binjakëve, flasin pas dënimit të Plleskoviqit për vrasjen e tyre

    E ëma e Binak dhe Reshat Dacit, dy viktimave të vrara nga Millosh Pleskoviq gjatë luftës, ka thënë se dënimi prej 15 vjetësh për të, është shumë i ulët.

    Pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ajo ka thënë se ky dënim duhet të jetë i përjetshëm.

    “M’i ka vrarë dy djem Milloshi, nga 29 vjet i kanë pasur. 15 vjet kurgjë nuk janë, janë shumë pak, ai duhet të dënohet përjetë”, ka thënë ajo para gazetarëve.

    Millosh Plleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e tre të rinjve në Prizren në vitin 1998

  • Konfirmohen rastet e para me “gjuhën e kaltër”, dy ferma në Prishtinë dhe Lipjan prekën nga sëmundja virale

    Konfirmohen rastet e para me “gjuhën e kaltër”, dy ferma në Prishtinë dhe Lipjan prekën nga sëmundja virale

    Në Kosovë u konfirmuan rastet e para të sëmundjes virale “gjuha e kaltër” në dy ferma: njëra në komunën e Prishtinës dhe tjetra në komunën e Lipjanit.

    Drejtori i Shëndetit dhe i Mirëqenies së Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës, Sadik Heta, tha se tashmë janë ndërmarrë masa për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

  • Pezullimi i vendimit për tregun e lirë të energjisë, ZRrE-ja paralajmëron ankesë ndaj Gjykatës Komerciale

    Pezullimi i vendimit për tregun e lirë të energjisë, ZRrE-ja paralajmëron ankesë ndaj Gjykatës Komerciale

    Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, ka bërë të ditur se institucioni do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Komerciale pas pezullimit të vendimit për tregun e lirë të energjisë.

    Sipas tij, aktgjykimi nuk është përfundimtar dhe nuk ekzekutohet menjëherë, ndërsa ZRRE-ja ka afat 15-ditor për ta kundërshtuar. Vendimi i gjykatës vjen pas padisë së kompanisë Proex, që kundërshtoi njoftimin e ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar.

    Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Komerciale për ligjshmërinë e këtij procesi.

  • Millosh Plleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e tre të rinjve në Prizren në vitin 1998

    Millosh Plleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e tre të rinjve në Prizren në vitin 1998

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 15 vjet burgim Millosh Plleskoviqin, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

    Sipas aktakuzës, Plleskoviq gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Plleskoviqit u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri dhe anëtarët: Violeta Namani-Hajra dhe Kujtim Krasniqi.

    Sipas gjykatësit Beqiri, dënimi me 15 vjet burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Palët e dëmtuara udhëzohen në kontest të rregullt civil.

    I akuzuari urdhërohet të paguajë shpenzimet e procedurës penale- për paushallin gjyqësor 200 euro dhe 100 euro të tjera për taksën e kompensimit për viktimat e krimit.

    Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me këtë aktgjykim.

    Gjykatësi tha se pas administrimi të provave, Gjykata me shumicë votave e shpalli fajtor të akuzuarin Plleskoviq për veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile” në bashkëkryerje.

    “Nga dëshmitarët është vërtetuar përtej çdo dyshimi se më 1.9.’98 derisa viktimat F.B., B.D., dhe R.D., ishin duke shkuar në mal, kishin dalë persona me uniforma dhe të armatosur, ku edhe ishin vrarë. Ky fakt është vërtetuar nga të gjitha provat nga dëshmitarët të cilët e kanë përshkruar si janë gjet viktimat në atë vend, e për më tepër nga raporti mjekësor i lëshuar në atëkohë ku është konstatu gjendja e viktimave. Për Gjykatën nuk ka pas dyshim se këto tri viktima shqiptarë janë vra më 1.9.’98 e për më tepër edhe ishin masakruar”, tha gjykatësi.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Plleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

    Sipas aktakuzës, Plleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Plleskoviq.

    Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Plleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

    Andaj, për këto veprime Plleskoviq ngarkohej për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.

  • Franca kërkon përjashtimin e verërave dhe pijeve alkoolike nga tarifat e Trumpit

    Franca kërkon përjashtimin e verërave dhe pijeve alkoolike nga tarifat e Trumpit

    Parisi po kërkon përjashtimin e sektorit të verës dhe pijeve alkoolike nga tarifat e reja amerikane, bëri të ditur të mërkurën Ministri i Tregtisë së Jashtme të Francës, Laurent Saint-Martin, pas arritjes së një marrëveshjeje tregtare midis SHBA-së dhe BE-së.

    “Ajo që po kërkojmë shumë qartë është një përjashtim për sektorin e verës dhe pijeve alkoolike, përveç sektorit të aeronautikës”, tha Saint-Martin pas një takimi me përfaqësues të industrive të prekura nga marrëveshja, e cila parashikon tarifa 15% për shumicën e produkteve evropiane të eksportuara në SHBA që nga 1 gushti.

    Franca eksporton çdo vit verëra dhe pije alkoolike në Shtetet e Bashkuara me një vlerë rreth 4 miliardë euro.

    “Shpresoj që tarifa të mos kalojë nivelin 15%, që është një kufi real, dhe që për disa sektorë ajo të jetë zero. Mendoj veçanërisht për sektorin e verës, i cili po përballet me probleme të mëdha për shkak të uljes së prodhimit dhe rënies së konsumit”, deklaroi Ministrja Franceze e Bujqësisë, Anne Genevard.

  • Ekstradohet nga Shqipëria një person që kërkohej nga autoritetet kosovare

    Ekstradohet nga Shqipëria një person që kërkohej nga autoritetet kosovare

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është ekstraduar nga Shqipëria.

    Pasi që i njëjti po kërkohej nga autoritetet kosovare.

    Në raportin e policisë, thuhet se i dyshuari u ekstradua përmes pikëkalimit kufitar në Vërmicë, aty ku arriti rreth orës 13:00, nën shoqërimin e autoriteteve shqiptare të sigurisë.

    “I njëjti pas kryerjes së procedurave është marrë nga Njësia e Mbrojtjes së Afërt për procedura të mëtutjeshme”.