ATV

Author: G.O.

  • Ali Ahmeti mbështet protestën kundër Speciales: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë

    Ali Ahmeti mbështet protestën kundër Speciales: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë

    Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetje për protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet më 7 gusht në Prishtinë, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj nisme.

    Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme.

    “Lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishtë e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike dhe liridashëse. Që nga paslufta, panumër procese gjyqësore ndërkombëtare e vendore dëshmuan çiltërsinë e luftës sonë për liri, demokraci, pavarësi. Drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të bazohet në procese politike të imponuara nga Rusia dhe “dëshmi” të servuara nga Serbia. Unë jam pjesë e pandarë e luftës për liri të kombit tim dhe e mbështes protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Ju ftoj të gjithëve që të shihemi bashkë më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të lirisë sonë”, ka shkruar Ahmeti.

  • Arrestohen tre persona në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

    Arrestohen tre persona në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

    Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me keqpërdorim të kartelave bankare dhe vjedhje të të dhënave personale.

    Operacioni është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në koordinim me prokurorinë dhe me urdhër të gjykatës, më 31 korrik 2025, në rajonin e Prishtinës.

    Fillimisht janë ndaluar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko) dhe përmes rrjete ve sociale kanë shpërndarë video ku shfaqeshin duke tërhequr para në bankomate të ndryshme.

    Po ashtu, sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kishin hapur edhe faqe në rrjete sociale për të promovuar përdorimin e këtyre kartelave. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike si dëshmi materiale, përfshirë, dy kompjuterë, një laptop, dy telefona mobil, tri USB dhe një hard-disk (HDD).

    Të dyshuarit akuzohen për vepra penale si: “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”, dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

    Më 1 gusht 2025, policia ka arrestuar edhe personin e tretë, gjithashtu mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e të njëjtit grup kriminal.

    Të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit të rastit.

  • Ambasadori britanik: Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare që ta quajnë Dua Lipën të tyren

    Ambasadori britanik: Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare që ta quajnë Dua Lipën të tyren

    Në një ceremoni solemne në Prishtinë, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, u nderua me shtetësinë e Republikës së Kosovës përmes një dekreti të nënshkruar nga Presidentja Vjosa Osmani.

    Përfaqësuesi diplomatik britanik, Jonathan Hargreaves, ishte gjithashtu i pranishëm dhe shprehu krenarinë që Britania dhe Kosova e konsiderojnë Duan si pjesë të tyre.

    Në një postim në Facebook, ambasadori britanik publikoi disa fotografi nga ceremonia dhe po ashtu pozoi me artisten.

    “Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë të dyja krenare që ta quajnë Dua Lipën të tyren. Faleminderit Presidente Osmani për ftesën në ceremoninë e veçantë ku Dua Lipa u nderua me nënshtetësinë e Republikës së Kosovës. Ishte një nder i madh të takoja Duan dhe të festonim një talent britaniko-kosovar kaq të veçantë.”, ka shkruar ambasadori britanik në Facebook.

  • Gjermania thotë se do të dërgojë sisteme të tjera Patriot në Ukrainë

    Gjermania thotë se do të dërgojë sisteme të tjera Patriot në Ukrainë

    Gjermania tha se së shpejti do të nisë dërgimin e dy sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, teksa Kievi po përballet me intensifikim të sulmeve ruse me dronë dhe raketa.

    Sistemet Patriot janë të prodhimit amerikan, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Pas arritjes së një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, ushtria gjermane do të dorëzojë lëshues shtesë të sistemit Patriot gjatë ditëve në vijim dhe do të furnizojë me komponentë të tjerë në dy-tre muajt e ardhshëm, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.

    Në këmbim, Gjermania është pajtuar me Departamentin amerikan të Mbrojtjes që të jetë “shteti i parë” që do të marrë me përparësi sistemet Patriot të gjeneratës më të re.

    Berlini aktualisht ka nëntë sisteme Patriot, teksa që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës i ka dërguar Kievit tri sisteme të tilla.

    Dy Patriot të Gjermanisë momentalisht janë të stacionuar në juglindje të Polonisë, ndërkaq një tjetër po përdoret për të trajnuar ushtarët ukrainas.

    Gjermania është mbështetësja e dytë, pas SHBA-së, sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    Sistemet Patriot prodhohen nga kompania amerikane e mbrojtjes, Raytheon dhe konsiderohen se janë një nga sistemet më efektive për rrëzimin e dronëve dhe raketave.

    Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se njoftimi i së premtes “tregon edhe një herë se Gjermania është mbështetësja më e fuqishme e Ukrainës sa i përket mbrojtjes ajrore”.

    Njoftimi vjen teksa javën e kaluar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij po punon që të sigurojë financimin për 10 sisteme Patriot, pas marrëveshjes së arritur me SHBA-në, sipas së cilës, shtetet evropiane do të blejnë armatim amerikan dhe më pas do t’ia japin Kievit.

    Përveç Gjermanisë, Norvegjia, Holanda, Danimarka dhe Suedia kanë shprehur vullnet që të financojnë blerjen e këtij sistemi në bazë të marrëveshjes me Uashingtonin./REL

  • Heqja e tarifave doganore për produktet amerikane, OEA: Forcon partneritetin politik Kosovë–SHBA

    Heqja e tarifave doganore për produktet amerikane, OEA: Forcon partneritetin politik Kosovë–SHBA

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

    Në njoftimin e saj, Oda thekson se ky vendim pasqyron një angazhim strategjik për avancimin e marrëdhënieve tregtare me partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik të Kosovës.

    “Duke hequr tarifat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese. Në të njëjtën kohë, kjo masë hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

    Sipas Odës, ky vendim i Qeverisë është gjithashtu një përgjigje ndaj thirrjeve të bëra më herët nga kjo organizatë për krijimin e një marrëdhënieje preferenciale tregtare, e cila mund të hapë rrugën për një marrëveshje të ardhshme të tregtisë së lirë me SHBA-të.

  • Aktakuzë ndaj Faton Klinakut për kanosje ndaj Kurtit – reagon Klinaku

    Aktakuzë ndaj Faton Klinakut për kanosje ndaj Kurtit – reagon Klinaku

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe N.S., nën dyshimin për kanosje ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë vitit 2023, përmes komenteve në Facebook.

    Lidhur me këtë, ka reaguar vetë Klinaku, i cili tha se për aktakuzën është informuar përmes mediave dhe se as ai e as avokati i tij nuk janë njoftuar zyrtarisht.

    “Mezi po pres të ballafaqohem me A.K., të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, ka deklaruar ai.

    LEXONI EDHE:

    Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit

  • Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit

    Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën të ditur se aktakuza ndaj F.K. dhe N.S. për veprën penale “Kanosja” është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    “Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Pas reagimeve të opinionit publik për këtë kërcënim, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. thuhet se ka përsëritur një postim me përmbajtje të ngjashme, duke theksuar:
    “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.

    Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., sipas aktakuzës, e ka kanosur me vrasje kryeministrin në detyrë përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, “duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K.”.

  • Osmani për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane: Kosova është partneri juaj i besueshëm

    Osmani për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane: Kosova është partneri juaj i besueshëm

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nga sot hyn në fuqi vendimi i Kosovës për një tarifë ZERO për të gjitha mallrat amerikane.

    Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në X theksoi se është krenare që Kosova është i vendi i parë që propozoi heqjen e saj.

    “Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për presidentin amerikan dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”.

    Qeveria në detyrë mori vendim sot që ta heqë tarifën prej 10 për qind për mallrat nga Amerika.

    Kosova heq tarifën 10 për qind ndaj produkteve amerikane

  • Shemsi Duriqi emërohet Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

    Shemsi Duriqi emërohet Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

    Qeveria e Kosovës ka emëruar Zyrtari përgjegjës për informim në AKF, Shemsi Duriqi si Drejtor Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), raporton Ekonomia Online.

    Propozimi u bë nga ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se janë ndjekur të gjitha procedurat për vlerësimin profesional të kandidatëve.

    Duriqi do ta ushtrojë këtë detyrë për një mandat katërvjeçar.

    “Ministria ka zhvilluar procedurat për këtë pozitë, për zyrtarë publik. Ka kryer vlerësimin profesional të kandidatëve dhe ka rekomanduar kandidatët që plotësojnë kriteret. Propozoj që qeveria të emëroj Shemsi Duriqi të emëroj drejtor ekzektuiv të AKF, për një mandat katër vjeçar”, ka propozuar Sveçla.

  • Lojtari i Bayern Munichut njofton për vdekjen e djalit të tij pas një sëmundje të rëndë

    Lojtari i Bayern Munichut njofton për vdekjen e djalit të tij pas një sëmundje të rëndë

    Portieri i Bayern Munich, Sven Ulreich, ka bërë një postim prekës në rrjetet e tij sociale, duke treguar për vdekjen e djalit të tij të vogël.

    Djali i portierit gjerman tash e sa kohë ishte përballur me një sëmundje të gjatë dhe të rëndë dhe javë më parë ka ndërruar jetë.

    Në reagimin e tij, Ulreich ka falënderuar klubin e Bayernit për faktin se e respektuan privatësinë e tij, duke e mbajtur të fshehtë këtë rast me dëshirën e vet çiftit.

    Reagimi i plotë i Ulreich në Instagram:

    Në pikëllim të thellë duam të njoftojmë sot se djali ynë Len ka ndërruar jetë para disa javësh pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.

    Vendimi për ta bërë këtë publik tani është jashtëzakonisht i vështirë për ne, por për ne si familje është një hap i rëndësishëm për të sjellë qartësi në rrethin tonë dhe edhe për publikun.

    Së bashku me vajzën tonë, po përpiqemi tani të gjejmë rrugën tonë përsëri drejt jetës, hap pas hapi.

    Një falënderim i veçantë shkon për familjet tona, miqtë dhe Bayern Munchen për diskrecionin dhe mbështetjen e madhe gjatë muajve të kaluar, kjo do të thotë shumë për ne.

    I lutemi publikut dhe përfaqësuesve të mediave për mirëkuptim dhe respekt për privatësinë tonë.

    Ju lutemi të shmangni pyetjet dhe deklaratat e mëtejshme./Telegrafi/