ATV

Author: G.O.

  • Deri në dy orë pritje për të hyrë në Kosovë nga Dheu i Bardhë

    Deri në dy orë pritje për të hyrë në Kosovë nga Dheu i Bardhë

    Po vazhdojnë kolonat dhe pritjet e mërgimtarëve me orë, nëpër pikat kufitare për të hyrë në Kosovë.

    Në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, pritjet arrijnë deri në dy orë, ndërsa në Muçbabë deri në 40 minuta. Në Merdarë dhe Jarinjë, qytetarët presin mesatarisht nga 10 deri në 15 minuta.

    Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare, pritjet janë më të shkurtra, duke lëvizur nga 1 deri në 5 minuta.

     

  • 1,100 raste të reja me kancer në një vit, dominon kanceri i gjirit dhe ai i mushkërive

    1,100 raste të reja me kancer në një vit, dominon kanceri i gjirit dhe ai i mushkërive

    Gjatë këtij viti në Kosovë janë regjistruar rreth 1,100 raste të reja me kancer.

    Sipas Klinikës së Onkologjisë në QKUK, kanceri i gjirit mbetet më i shpeshti tek femrat, me 230 raste, ndërsa te meshkujt dominon kanceri i mushkërive.

    Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se grupmoshat më të prekura janë ato nga 50 deri në 60 vjeç, por po vërehet rritje shqetësuese edhe tek personat nën moshën 50 vjeç.

  • Barduani takon zyrtarin amerikan të Mbrojtjes: Rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të ShBA-së në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Barduani takon zyrtarin amerikan të Mbrojtjes: Rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të ShBA-së në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, është takuar sot me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për politikën evropiane dhe të NATO-s, David Baker, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u cilësua si një mundësi e rëndësishme për të ndarë qëndrime mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe për të diskutuar rrugët më të mira për mbështetjen e një angazhimi të ripërtërirë politik për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    “Baker rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet më tej në njoftim.

  • Projekti për rehabilitim e kanalit të Ibër Lepencit është afër përfundimit

    Projekti për rehabilitim e kanalit të Ibër Lepencit është afër përfundimit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për ecurinë e rehabilitimit të kanalit Ibër Lepenc.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se po bëhen investime jetike për infrastrukturën kritike, duke shtuar se ky kanal po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurt.

    Në të njëjtin postim, Kurti ka shpërndarë njoftimin e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka bërë të ditur se projekti me vlerë 13 milionë eurosh është drejt përfundimit dhe ka arritur tw realizohet rreth 90 për qind.

    Ajo ka sqaruar se nga 20 kilometrat e pjesës së hapur të kanalit, 10 kilometra, aty ku kishte më shumë nevojë, janë duke u rehabilituar përmes bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

    Ky kanal, me gjatësi prej 49 kilometrash, ka rëndësi jetike për furnizimin me ujë të pijshëm, ujitjen e tokave bujqësore dhe prodhimin e energjisë.

  • Bislimi: BE-ja aprovon aplikimet në programin e Kornizës Investuese, Kosova përfiton mbi 2 milion euro

    Bislimi: BE-ja aprovon aplikimet në programin e Kornizës Investuese, Kosova përfiton mbi 2 milion euro

    Zëvendëskryeministri në dorëheqje, Besnik Bislimi, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka miratuar aplikimet e Kosovës në programin e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.

    Sipas tij, Kosova do të përfitojë mbi 2 milionë euro për projekte në fushën e energjisë dhe digjitalizimit.

    Ai ka theksuar se aplikimet kishin marrë fillimisht vlerësim pozitiv nga komisioni përkatës dhe tani janë aprovuar zyrtarisht.

    Bislimi ka kujtuar se aplikimet ishin dorëzuar vitin e kaluar, në një periudhë kur Kosova ishte nën masa nga Bashkimi Evropian, të cilat ai i ka cilësuar si të padrejta.

  • Zv.ndihmëssekretari i mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, pasdite takohet me Osmanin e Maqedoncin

    Zv.ndihmëssekretari i mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, pasdite takohet me Osmanin e Maqedoncin

    Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikën Evropiane dhe NATO-n, David Baker, po qëndron për vizitë në Kosovë.

    Pasditen e sotme, ai do të zhvillojë takime me krerët institucionalë të vendit. Fillimisht në orën 15:00 do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa në orën 16:00 me ministrin në dorëheqje të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vizita përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Edhe Ambasada amerikane ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë, Baker do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

  • Sulmohet deputeti Adem Hoxha, Policia thotë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë

    Sulmohet deputeti Adem Hoxha, Policia thotë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë

    Deputeti Adem Hoxha është sulmuar fizikisht të premten në fshatin Zlipotok të Dragashit.

    Rreth orës 18:30, Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare se një person ishte paraqitur me lëndime trupore.

    Sipas zëdhënësit të Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, viktima ka marrë ndihmën e parë dhe është dërguar më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    Mjekët kanë konstatuar se ai ka pësuar lëndime të lehta trupore.

    Motivi i sulmit ende nuk dihet. Në koordinim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

  • Prokuroria Speciale lëshon urdhërarrest ndaj Goran Rakiqit, për shkak se i njëjti tri herë nuk iu është përgjigjur ftesave për intervistim

    Prokuroria Speciale lëshon urdhërarrest ndaj Goran Rakiqit, për shkak se i njëjti tri herë nuk iu është përgjigjur ftesave për intervistim

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Prokuroria Speciale ende është duke e hetuar rastin e vendosjes së barrikadave në rrugët e katër komunave veriore.

    Në këtë drejtim, kishte ftuar për intervistim politikanin serb, Goran Rakiq, i cili aso kohe shpesh paraqitej para kamionëve duke iu prirë protestuesve që ishin të shumtë në numër.

    Por, ish-deputeti dhe ish-kryetari i Listës serbe, nuk iu përgjigj këtyre ftesave, andaj Prokuroria speciale ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij.

    Kjo u konfirmua për ATV-në, pikërisht nga ky institucion.

    “Në kuadër të zhvillimit të këtyre hetimeve, Prokuroria ka ftuar tri herë për intervistim z. Goran Rakic. Mirëpo, i njëjti nuk është paraqitur në PSRK, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”, njoftuan nga Prokuroria Speciale.

    Barrikadat rast për të cilin po e heton prokuroria, ishin vendosur më 10 dhjetor të vitit 2022. Aso kohe, kamionët kishin qëndruar në rrugët kryesore që lidhin komunat veriore me njëra-tjetrën, duke mos u larguar për rreth 20 ditë.

    Kështu, nga bllokimi i rrugëve, qytetarët e atyre komunave, kishin mbetur për ditë të tëra me vështirësi në furnizim me gjëra elementare, derisa disa policë kufitarë kishin mbetur të bllokuar në pikën në Bërnjak, derisa ishte intervenuar me helikopterët e KFOR-it.

  • Dyshohet se keqtrajtoi një person gjatë arrestimit, IPK-ja rekomandon suspendimin i një polici

    Dyshohet se keqtrajtoi një person gjatë arrestimit, IPK-ja rekomandon suspendimin i një polici

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor për shkak të një incidenti në Ferizaj.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë para mesnatës kur disa zyrtarë policorë edhe pse e kishin sinjalizuar ndaljen e një veture, e njëjta nuk ishte ndaluar.

    Pas disa minutash ndjekjeje, policia arriti ta ndalonte veturën ku ndodheshin tre persona. Dyshohet se gjatë arrestimit, ndaj drejtuesit të mjetit, policia kishte përdorur forcë të tepruar, duke shkaktuar lëndime trupore.

    IPK-ja ka nisur hetimet për tejkalim të autorizimeve dhe keqpërdorim të forcës, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente.

  • Zv.ndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje vjen në Kosovë, në fokus siguria

    Zv.ndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje vjen në Kosovë, në fokus siguria

    Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker, ka nisur një vizitë në Kosovë, ka bërë të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit të tij Baker do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të institucioneve kosovare, me fokus bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    “Gjatë vizitës së tij, Baker do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm SHBA-Kosovë në mbrojtje dhe përpjekjet e përbashkëta për të promovuar sigurinë rajonale”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Kjo shënon vizitën e parë të David Bakerit në Kosovë.