ATV

Author: G.O.

  • Ukraina thotë se Rusia ka kryer sulm masiv në Harkiv

    Ukraina thotë se Rusia ka kryer sulm masiv në Harkiv

    Një person është vrarë dhe dhjetë persona – përfshirë dy fëmijë – janë plagosur në sulmin më të madh ajror që Rusia ka kryer në qytezën Lozova të Ukrainës që kur ka nisur lufta mbi tre vjet më parë, thanë zyrtarët.

    Sulmi masiv shkaktoi dëme në një stacion të trenit dhe infrastrukturë tjetër në qytezën, që është qendër e transportit në rajonin e Harkivit – që gjendet në kufi me Rusinë – tha operatori shtetëror i hekurudhave, Ukrzaliznytsia, përmes një njoftimi.

    “Infrastruktura kritike, ndërtesa banimi dhe shtëpi janë dëmtuar… Lozova ka përjetuar sulmin më të madh që nga nisja e luftës”, tha kreu i Këshillit të qytetit, Serhiy Zelenskiy, përmes një postimi në Telegram.

    Ai shtoi se pjesë të rajonit kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë për shkak të sulmit rus.

    Kompania Ukrzaliznytsia tha se një nga punonjësit e saj vdiq dhe katër të tjerë u plagosën gjatë këtij sulmi.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia ka goditur infrastrukturën civile në Lozova me më shumë se 25 dronë, duke dëmtuar një depo dhe një stacion.

    Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar 29 nga 46 dronët e lëshuar nga Rusia në mbarë Ukrainën gjatë natës. Në njoftim u tha po ashtu se një raketë balistike dhe 17 dronë goditën lokacione të ndryshme në Ukrainë.

    Këto raportime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, ndërkaq Rusia ende ka komentuar për pretendimet ukrainase.

    Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Moska vazhdimisht ka mohuar se godet infrastrukturën civile, pavarësisht dëshmive të shumta që tregojnë të kundërtën.

  • Lidhja e Bizneseve: ZRrE-ja të zbatojë vendimet e gjykatës, të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë

    Lidhja e Bizneseve: ZRrE-ja të zbatojë vendimet e gjykatës, të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

    LBK thekson se ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog serioz me komunitetin e bizneseve, është i papranueshëm dhe rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë vendore. Qasja e deritashme e ZRRE-së, me mbështetjen e heshtur të Qeverisë, përbën një hap të gabuar strategjik, që nuk i shërben interesit të bizneseve të Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të vendit.

    “LBK shpreh keqardhje që ZRRE dhe Qeveria kanë ndërmarrë një vendim pa konsultime të thelluara, pa analizë të ndikimit ekonomik dhe pa ndonjë plan kalimtar të qartë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji për sektorin privat.

    Nuk është e qartë në çfarë agjende janë përfshirë ZRRE-ja dhe Qeveria, por është evidente se ky drejtim nuk është në përputhje me nevojat dhe interesat strategjike të prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

    Sipas tyre, edhe gjykata kompetente ka vlerësuar se ky vendim është kundërshtim më legjislacionin dhe ka urdhëruar pezullimin e tij, çka e bën të pakuptimtë këmbënguljen për zbatimin e tij nga ana e ZRRE-së.

    LBK kërkon që ky vendim të rishikohet me urgjencë dhe që të ndërmerren masa konkrete për të ndaluar zbatimin e tij deri në një analizë të plotë gjithëpërfshirëse, të hartuar në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve dhe partnerët institucionalë.

    “Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe një qasje të arsyeshme në raport me një çështje kaq jetike për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

  • Arrestimi i kolonelit Nexhmi Krasniqi, Sveçla: Nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë

    Arrestimi i kolonelit Nexhmi Krasniqi, Sveçla: Nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e realizuar ditën e hënë, e ku në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

    Sveçla në reagimin e tij ka shkruar se krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë.

    “Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë”.

    “Mbështes dhe njëkohësisht insistoj në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”, ka deklaruar ai.

    Sveçla shtoi tutje se, Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë dhe ne asnjë rrethanë çerdhe banimi e mburojë e veprimtarive kriminale.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka zhvilluar një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në qytetin e Prizrenit dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

    Sipas njoftimit zyrtar, ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor, i cili është realizuar me përkushtim nga hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

    Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

    Ai dyshohet për përfshirje në veprat penale të detyrimit, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Hetimet në terren po vazhdojnë, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit të dyshuar si pjesë e procedurës administrative.

    Prokuroria dhe IPK kanë theksuar se janë të përkushtuara në luftimin e çdo forme të kriminalitetit, përfshirë edhe rastet kur të dyshuarit janë zyrtarë publikë.

  • FIBA nis hetim pas thirrjeve antishqiptare në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë

    FIBA nis hetim pas thirrjeve antishqiptare në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë

    Federata Ndërkombëtare e Basketbollit tha për Radion Evropa e Lirë të hënën se e ka nisur një hetim lidhur me thirrjet antishqiptare që shpërthyen gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë gjatë fundjavës.

    “Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në përputhje të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit”, tha FIBA për REL.

    Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në turmën e tifozëve në ndeshjen e fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë dëgjuar thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.

    FIBA tha se e dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi apo gjuhe raciste.

    “Ne promovojmë në mënyrë aktive krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe me respekt për të gjithë lojtarët, ekipet dhe tifozët, si një përparësi kryesore në sport”, tha ajo.

    Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut – ku shqiptarët përbëjnë gati një të katërtën e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh – ndodheshin në sallë gjatë ndeshjes.

    Incidenti ka shkaktuar gjithashtu reagime të ashpra në Kosovë dhe Shqipëri, vende me popullsi kryesisht shqiptare.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, një nga zyrtarët që morën pjesë në ndeshje, dënoi “thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike” në një deklaratë më 4 gusht, dy ditë pas ndeshjes.

    Ai tha se, ndonëse ishte i pranishëm në arenë, “nuk i kishte vënë re” thirrjet e tifozëve, duke pretenduar se ato ishin bërë nga “një grup i vogël njerëzish”.

    “Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.

    Partia shqiptare në opozitë në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), tha se në këtë ngjarje “u dëgjuan kore antishqiptare, thirrje raciste dhe gjuhë e pastër e urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve”.

    Ministri i Sportit i Maqedonisë së Veriut, Borko Ristovski, tha se kjo Ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv – vjen nga tifozë në tribunë – dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.

    “Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.

    Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

    Të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.

    “Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha Osmani.

    Komiteti Olimpik i Kosovës i dënoi thirrjet antishqiptare gjatë ndeshjes në Kumanovë në një reagim në Facebook të hënën, duke thënë se “veprimet e tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me vlerat themelore të lëvizjes olimpike, të cilat promovojnë respektin, barazinë dhe solidaritetin mes popujve”.

    “KOK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, që të ndërmarrin masa konkrete ndaj gjuhës së urrejtjes dhe autorëve të këtyre sjelljeve të dënueshme, që nuk kanë vend në ngjarjet sportive”, thuhet në reagim.

    Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i cilësoi si të papranueshme thirrjet fyese ndaj shqiptarëve.

    “Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, tha ajo. /REL

  • Holanda ndan 500 milionë euro për të blerë armë amerikane për Ukrainën

    Holanda ndan 500 milionë euro për të blerë armë amerikane për Ukrainën

    Holanda njoftoi të hënën se do të kontribuojë me 500 milionë euro për të blerë pajisje ushtarake amerikane për Ukrainën, duke u bërë vendi i parë i NATO-s që kontribuon në një mekanizëm të ri për ta furnizuar Kievin me armë amerikane.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha muajin e kaluar se SHBA-ja do ta furnizojë armë Ukrainën, të paguara nga aleatët evropianë, por nuk dha hollësi se si do të funksiononte kjo.

    “Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do ta dorëzojë një paketë prej 500 milionë eurosh me sisteme armësh amerikane (duke përfshirë pjesë dhe raketa Patriot)”, tha ministri i Mbrojtjes i Holandës, Ruben Brekelmans, në një postim në X.

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ish-kryeministër holandez, mirëpriti njoftimin dhe tha se ka inkurajuar edhe anëtarët e tjerë të aleancës të marrin pjesë në mekanizmin e ri, të quajtur Nisma e NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL).

    “Kjo është për t’i dhënë Ukrainës pajisjet që i nevojiten urgjentisht tani për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, tha Rutte në një deklaratë.

    “U kam shkruar të gjithë aleatëve të NATO-s, duke i nxitur të kontribuojnë në këtë nismë për ndarjen e barrës, dhe pres njoftime të tjera të rëndësishme nga aleatë të tjerë së shpejti”, shtoi ai.

    Ambasadori i SHBA në NATO, Matthew Whitaker, i tha Reuters të hënën se ai priste që shumë më tepër vende të njoftojnë gjatë javëve në vijim se do të marrin pjesë.

    “Po lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Whitaker në një intervistë në selinë e NATO-s në Bruksel.

    I pyetur për një afat kohor për dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë përmes mekanizmit të ri, ai tha: “Mendoj se do të shohim përparim shumë të shpejtë, me siguri në javët në vijim, por mbase edhe më herët”.

    “Holandezët janë vetëm të parët nga shumë të tjerë. Do të shihni një seri njoftimesh në javët në vijim”, shtoi ai.

    NATO-ja tha se do ta koordinojë nismën e re, e cila financohet nga anëtarët evropianë të aleancës dhe nga Kanadaja, dhe do të ndahet në paketa me vlerë afërsisht 500 milionë dollarë secila.

    Kievi mirëpriti vendimin e Holandës.

    “Ukraina, dhe kështu e gjithë Evropa, do të jenë më mirë të mbrojtur nga terrori rus”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X.

    “Jam sinqerisht mirënjohës ndaj Holandës për kontributin e saj të konsiderueshëm në forcimin e mburojës ajrore të Ukrainës”, shtoi ai.

  • DASh mund të kërkojë nga aplikantët për vizë – garanci deri në 15 mijë dollarë për të hyrë në ShBA

    DASh mund të kërkojë nga aplikantët për vizë – garanci deri në 15 mijë dollarë për të hyrë në ShBA

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka propozuar që aplikantët për viza biznesi dhe turistike të dorëzojnë garanci deri në 15.000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

    Në një njoftim që do të publikohet në Regjistrin Federal të martën, DASH-it thekson se do të nisë një program testues 12-mujor, sipas të cilit, njerëzve nga vende që konsiderohen me shkallë të larta të qëndrimeve të paligjshme pas skadimit të vizës dhe me mangësi në kontrollin e dokumenteve të brendshme, mund t’u kërkohet ta dorëzojnë një garanci prej 5.000, 10.000 ose 15.000 dollarësh kur aplikojnë për vizë.

    Propozimi vjen ndërkohë që administrata Trump po ashpërson kërkesat për aplikantët për viza.

    Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit njoftoi se shumë aplikantë për rinovim vizash do të duhet t’i nënshtrohen një interviste shtesë personale, gjë që më parë nuk kërkohej.

    Përveç kësaj, DASH po propozon që aplikantët për programin e Lotarisë së Vizave të kenë pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i shtetësisë.

    Një përmbledhje e njoftimit për garancinë, e cila u publikua në faqen e internetit të Regjistrit Federal të hënën, nënvizon se programi testues do të hyjë në fuqi brenda 15 ditëve nga publikimi zyrtar dhe është i nevojshëm për të siguruar që Qeveria amerikane të mos mbetet financiarisht përgjegjëse nëse një vizitor nuk i përmbahet kushteve të vizës së tij apo saj.

    “Të huajt që aplikojnë për viza si vizitorë të përkohshëm për biznes ose qejf dhe që janë shtetas të vendeve të identifikuara nga departamenti si me nivele të larta të shkeljeve të vizës, me mangësi në informacionin për verifikim dhe kontroll, ose që ofrojnë shtetësi nëpërmjet investimit, nëse kjo shtetësi është marrë pa kërkesë për qëndrim në vend, mund të bëhen subjekt i programit testues”, thuhet në njoftim.

    Thuhet gjithashtu se vendet që preken do të renditen sapo të hyjë në fuqi programi.

    Kjo garanci nuk do të zbatohet për shtetasit e vendeve që marrin pjesë në Programin e Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program) dhe mund të përjashtohet për të tjerët në varësi të rrethanave individuale të aplikantit.

    Garancitë për vizat janë propozuar edhe më parë, por nuk janë zbatuar.

    Departamenti i Shtetit tradicionalisht ka dekurajuar këtë kërkesë për shkak të procesit të ndërlikuar të depozitimit dhe kthimit të garancisë, si dhe për shkak të perceptimeve të gabuara që mund të krijohen në publik.

    Megjithatë, departamenti tha se ky qëndrim i mëparshëm “nuk mbështetet nga ndonjë shembull apo dëshmi e kohëve të fundit, pasi garancitë për viza nuk janë kërkuar përgjithësisht në ndonjë periudhë të fundit”.

  • Të paktën 33 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite ndërsa kërkonin ndihma

    Të paktën 33 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite ndërsa kërkonin ndihma

    Të paktën 33 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit ndërsa përpiqeshin të siguronin ndihma ushqimore në Gaza, sipas spitaleve të zonës.

    Dëshmitarë raportuan se u përballën me breshëri plumbash teksa turma të uritura po i afroheshin pikave të ndarjes së ndihmave.

    Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se një punonjës i saj u vra kur forcat izraelite granatuan zyrën e tyre.

    Dy spitale në jug dhe qendër të Gazës raportuan se kanë pranuar trupa të vrarësh përgjatë rrugëve që çojnë drejt pikave të ndihmës të mbështetura nga Izraeli, përfshirë 11 të vrarë në zonën Teina, teksa po përpiqeshin të arrinin një pikë shpërndarjeje në Khan Younis.

    Tre dëshmitarë palestinezë thanë për Associated Press se panë ushtarë që hapnin zjarr përgjatë këtyre rrugëve, të cilat ndodhen në zona ushtarake.

    Njëri prej tyre, Yousef Abed, përshkroi se ishte vënë nën zjarr të pakontrolluar dhe pa të paktën tre persona të plagosur rëndë në tokë.

    “Nuk munda t’i ndihmoja nga të shtënat”, ka thënë ai.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen dhe si rezultat priten riga shiu nëpër disa zona, kryesisht në juglindje të vendit.

    Temperaturat minimale pritet të sillen nga 12 e 17°C, kurse ato maksimalet nga 21 – 25°C

  • Gjermania paralajmëron sanksione ndaj Izraelit: Gjendja në Gaza është e papranueshme

    Gjermania paralajmëron sanksione ndaj Izraelit: Gjendja në Gaza është e papranueshme

    Qeveria gjermane po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në Rripin e Gazës.

    Kancelari Friedrich Merz deklaroi se një vendim mund të merret në ditët e ardhshme, pasi të pranohet raporti i plotë nga Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, i cili ndodhet në një vizitë në Lindjen e Mesme për të vlerësuar gjendjen.

    “Gjendja në Gaza është e papranueshme.”, tha Merz, duke theksuar se Gjermania nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj vuajtjeve të civilëve palestinezë.

    Edhe Wadephul paralajmëroi se nëse nuk ka përparim për të ndihmuar popullsinë civile, Izraeli rrezikon izolim ndërkombëtar.

    Për të treguar angazhim humanitar, Gjermania, së bashku me Britaninë dhe Francën, organizuan një urë ajrore për dërgimin e ndihmave emergjente në Gaza. Dy aeroplanë ushtarakë gjermanë hodhën 34 paleta me ushqime, ujë dhe ilaçe.

    Ky vendim i mundshëm për sanksione përbën një ndryshim të madh në politikën tradicionalisht pro-izraelite të Berlinit dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Zyrtarët gjermanë theksojnë se qëllimi nuk është ndëshkimi, por nxitja e një reagimi më të përgjegjshëm nga qeveria izraelite.

  • Evropa e prekur këtë verë nga thatësira rekord

    Evropa e prekur këtë verë nga thatësira rekord

    Më shumë se gjysma e tokës në vendet europiane, kryesisht në lindje, në fillim të korrikut ishte prekur nga thatësira, rezulton nga një hulumtim i të dhënave të fundit të Observatorit Europian të Thatësirave (EDO).

    Kjo është hapësira më e madhe e prekur prej thatësirës në harkun kohor 1 deri më 10 korrik që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2012.

    Vlera ishte 21 përqind mbi mesataren e viteve 2012 deri në 2014. Krahasur me qershorin, kur 55,5 përqind e sipërfaqes ishte e prekur nga thatësira, vlera ka rënë paksa.

    Hulumtimi i thatësirave nga programi i Observatorit europian Copernicus bazohet në imazhet satelitore dhe tre parametrave që merren parasysh: reshjet, lagështira e tokës dhe gjendja e vegjetacionit.

    Më shumë e prekur nga thatësira lindja e Europës

    Në Serbi, Bullgari dhe Kosovë toka ishte e prekur tërësisht nga thatësira. Edhe në Armeni dhe Turqi sipërfaqe të mëdha – 77 deri në 95 përqind e vendit – janë prekur nga thatësira. Në Turqi thatësira e shoqëruar edhe me erëra të forta ka shkaktuar zjarre, njofton dw.

    Siria ndërkohë është prekur nga thatësira, që po rrezikon të korrat e grurit dhe sipas OKB-së është e rrezikuar garancia për ushqim për 16 milion njerëz. Në Europën perëndimore gjendja ka qenë me dallime, ndërsa në Francë një e treta e tokës u prek nga thatësira, Spanja dhe Portugalia nuk u prekën fort nga thatësira.