ATV

Author: G.O.

  • Krasniqi: Institucionet të formohet sa më parë, vonesat po shkaktojnë pasiguri

    Krasniqi: Institucionet të formohet sa më parë, vonesat po shkaktojnë pasiguri

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

    Në këtë takim, Krasniqi e ka theksuar nevojën që institucionet e reja të themelohen sa më shpejt.

    Ai theksoi se vonesat po krijojnë pasiguri dhe po dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.

    “Si gjithmonë, ishte kënaqësi të mirëpres në takim znj. Anu Prattipati, të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë. Në frymën e diskutimit për zhvillimit aktuale, theksova nevojën që institucionet e reja të themelohen sa më parë, sepse vonesat po krijojnë pasiguri dhe po dëmtojnë funksionimin normal të shtetit. PDK do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, në interes të qytetarëve, për stabilitet institucional dhe mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë perëndimorë”, shkroi Krasniqi.

  • Vjosa Osmani thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja

    Vjosa Osmani thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillojë sot konferencë për media.

    Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku është shtuar se konferenca do të fillojë në orën 16:30.

    Arsyet për zhvillimin e kësaj konferencë nuk janë bërë të ditura.

  • Prattipati: Administrata Trump kërkon aleatë të fortë, s’mund të mbështetemi te një vend pa institucione

    Prattipati: Administrata Trump kërkon aleatë të fortë, s’mund të mbështetemi te një vend pa institucione

    E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati thotë se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend.

    Në një intervistë për Gazetën Express ajo tha se Administrata Trump “kërkon aleatë të fortë” me të cilët mund të avancohen prioritetet e përbashkëta dhe se mundësitë për ta forcuar marrëdhënien ekonomike ndërmjet dy vendeve “mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon”.

    Diplomatja amerikane tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner tek i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”.

    Prattipati tha se “udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre” dhe se ngërçin politik duhet ta zgjidhin po ata. “Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës”.

    Që partneriteti me SHBA-në “të lulëzojë”, diplomatja amerikane thotë se “Kosova duhet t’i sigurojë kushtet”, ndërsa tregoi edhe se çfarë mund të pritet nga Administrata Trump.

    Intervista e plotë:

    Kosova po kalon nëpër një situatë të pazakontë. Janë me shumë se 170 ditë nga data e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ende s’e kemi kuvendin e konstituuar e as qeverinë. E keni vëzhguar këtë situatë, i keni takuar partitë politike. Cili është konkluzioni që keni nxjerrë? Kjo situatë nuk mjafton të kualifikohet vetëm si papërgjegjësi apo jo?

    Anu Prattipati: Formimi i një qeverie pas zgjedhjeve është një funksion bazik demokratik, dhe ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në humbje të mundësive për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund t’i avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucionet bazë dhe me një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre është një partner te i cili nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht. Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për t’i formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër. Mundësitë për ta forcuar marrëdhënien tonë ekonomike mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon. Kjo në fund të fundit është një vendim për përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, por ne i inkurajojmë ata të punojnë së bashku për ta përmbushur mandatin që populli i Kosovës ua ka dhënë.

    Pse nuk pati ndërhyrje ose përpjekje për ndërmjetësim nga bashkësia ndërkombëtare për t’i bindur partitë që t’i bëjnë institucionet? Në të kaluarën ka pasur ndihma të tilla.

    Anu Prattipati: Nuk jemi në fazën e shtetndërtimit. Siç tha Zëvendës Sekretari i Shtetit Landau në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit: “Shtetet e Bashkuara mund të jenë partnerë të gatshëm me kapital të konsiderueshëm politik. Ne mund të punojmë fort; por do të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një ‘realizmi praktik’ për vendet e tyre”. Udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre. Kjo do të thotë se ata duhet të punojnë së bashku për ta gjetur një kompromis. Është përgjegjësi e këtyre liderëve politikë ta zgjidhin këtë ngërç. Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës.

    Gjykata Kushtetuese e dha një afat 30 ditësh duke u rekomanduar partive që ta gjejnë mënyrën për formimin e institucioneve – afat që nuk u respektua. Tani Gjykata mori vendim që deputetët t’i ndalojnë veprimet dhe vendimet e tyre. A mendoni se këta gjyqtarë mund të ofrojnë një zgjidhje të saktë që për shumëkënd dështuan ta bëjnë në rastin e parë?

    Anu Prattipati: Nuk është roli i Shteteve të Bashkuara t’i interpretojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo mënyrën se si ato duhet të zbatohen. Udhëheqja politike duhet të punojë së bashku për t’i formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e vet ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në të mirë të vendit.

    Kosova do t’i mbajë së shpejti zgjedhjet lokale. Katër komunat me shumicë serbe në veri udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë pasi ata serbë braktisën institucionet në vitin 2023. A prisni pjesëmarrje të serbëve në këto zgjedhje, përkatësisht të Listës Srpska?

    Anu Prattipati: Dua të ju referoj te ajo që Zëvendëspresidenti J.D. Vance tha në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt. Ai tha: “Nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar kundërshtarët e tu”. Më vonë në të njëjtin fjalim ai tha: “Unë besoj se t’i përjashtosh njerëzit, t’i përjashtosh shqetësimet e tyre, ose, edhe më keq, t’i mbyllësh mediat, t’i mbyllësh zgjedhjet, ose t’i përjashtosh njerëzit nga procesi politik nuk mbron asgjë. Në fakt, kjo është mënyra më e sigurt për ta shkatërruar demokracinë”. Partitë politike të serbëve të Kosovës përfaqësojnë qytetarë të këtij vendi. Ato janë pjesë e peizazhit politik të Kosovës dhe nuk duhet të bllokohen nga pjesëmarrja politike. Të gjitha partitë duhet ta mbështesin të drejtën e njerëzve për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Kjo do të thotë të parandalohet çdo përpjekje për t’i bllokuar partitë politike të serbëve të Kosovës nga pjesëmarrja në zgjedhje. Përdorimi i ndonjë truku administrativ apo procedural për të penguar parti apo individë që ndryshe janë të kualifikuar të garojnë do ta njolloste rezultatin.

    Si ambasadë keni reaguar shpesh ndaj veprimeve të qeverisë së Kosovës duke i cilësuar ato si veprime të pakoordinuara. Kemi pasë përpjekje të kësaj qeverie për ta hapur urën kryesore mbi Ibër. Kur ky plan s’pati sukses u mor vendimi që të ndërtohen dy ura të reja. Ka pasur edhe reagime tjera nga diplomatë të akredituar në Kosovë. Cili është qëndrimi juaj?

    Anu Prattipati: Më lejoni ta them këtë: Shtetet e Bashkuara duan t’i forcojnë lidhjet, veçanërisht ekonomikisht, me vendet në rajon. Për ta bërë këtë dhe për ta rritur prosperitetin tonë të përbashkët, ne dhe populli i Kosovës kemi nevojë për paqe dhe stabilitet. Veprimet që i rrisin tensionet në rajon pengojnë Shtetet e Bashkuara të punojnë në mënyrë produktive me Kosovën. Qeveria në detyrë e kryeministrit Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura dhe për deklaratat mbi veprime të njëanshme për ta zhvendosur arsimin dhe shëndetësinë në sistemin kosovar. Ne nuk e vëmë në dyshim që këto institucione duhet në fund të integrohen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është tejet e rëndësishme. Çdo plan për ta ndryshuar statusin e institucioneve paralele duhet të jetë i koordinuar plotësisht dhe të diskutohet paraprakisht me udhëheqësit e zgjedhur dhe anëtarët e komunitetit serb të Kosovës dhe të koordinohet përmes kanaleve të vendosura siç është Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një afat kohor dhe plan të qartë të përcaktuar. Nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë në mënyrë të përgjegjshme.

    Cilat janë raportet Kosovë-SHBA aktualisht? Z. Kurti nuk është se ka qenë lideri më bashkëpunues i Kosovës me Amerikën, që për gjenerata politikanësh konsiderohet vendi kryesor aleat.

    Anu Prattipati: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një marrëdhënie të fortë dhe produktive me Kosovën dhe duan të bashkëpunojnë për çështje që e avancojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal. Kosova duhet t’i sigurojë kushtet në vend që ky partneritet të lulëzojë. Veprimet që ndikojnë negativisht tek qytetarët e Kosovës jo vetëm që i rrezikojnë marrëdhëniet bilaterale të Kosovës, por gjithashtu shkojnë drejtpërdrejt kundër prioriteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara në rajon, veçanërisht forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Stabiliteti dhe siguria rajonale janë kyçe për prosperitetin ekonomik. Gjatë vizitës më 12-14 korrik në Kosovë, Zyrtari i lartë i Byrosë Brendan Hanrahan e përforcoi këtë mesazh dhe e inkurajoi qeverinë ta krijojë një ambient të përshtatshëm për investime të mëtejshme amerikane.

    Ka shumë paqartësi në Kosovë se rreth qasjes që do ta ketë Administrata Trump në Kosovë në muajt në vijim. Çfarë mund të na thoni?

    Anu Prattipati: Administrata Trump ka qenë e qartë: Qeveria e SHBA-së prioritizon sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës i ndan këto prioritete dhe angazhohet për të nxitur stabilitet dhe paqe, mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të palimituara. Ka potencial të madh në marrëdhënien SHBA-Kosovë, veçanërisht për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kjo është e mirë për Shtetet e Bashkuara si dhe për Kosovën. Ne shohim mundësi në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, dhe sigurinë kibernetike. Në anën tjetër, nëse Shtetet e Bashkuara shohin se qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që i minojnë këto prioritete, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për ta ndjekur një bashkëpunim të tillë.

  • Haradinaj takon ambasadorin britanik: Kosova duhet t’i kthehet funksionimit institucional

    Haradinaj takon ambasadorin britanik: Kosova duhet t’i kthehet funksionimit institucional

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Gjatë takimit u zhvillua një diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet aktuale politike në vend, ku Haradinaj e informoi Ambasadorin Hargreaves për angazhimin e Aleancës në këtë periudhë vendimtare për vendin.

    Në takim u theksua nevoja urgjente për tejkalimin e bllokadës institucionale.

    Haradinaj ritheksoi se kjo bllokadë duhet të zhbllokohet pas datës 8 gusht, kur pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai nënvizoi se funksionimi i plotë i institucioneve është thelbësor për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

    Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua edhe marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku kryetari Haradinaj vlerësoi lart rolin e vazhdueshëm të Britanisë në mbështetjen për siguri dhe stabilitet në rajon.

    Në përfundim, kryetari i AAK-së ritheksoi përkushtimin e tij dhe të Aleancës për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e vendit në NATO. /Telegrafi/

  • Dogana me aksion në disa barnatore të Prishtinës për shpërndarje të barnave pa banderola

    Dogana me aksion në disa barnatore të Prishtinës për shpërndarje të barnave pa banderola

    Dogana e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Prishtinë ku ka ndaluar një veturë që shpërndante barna pa banderola në barnatore të ndryshme. Gjatë kontrollit janë gjetur barna të kontrabanduara pa dokumentacion ligjor dhe me prejardhje të dyshimtë.

    I dyshuari është shoqëruar për intervistim, ndërsa barnat janë sekuestruar. Me autorizim të prokurorit, po zhvillohen kontrolle shtesë në barnatoret përkatëse.

    Komunikata e plotë:

    Dogana e Kosovës – Njësitet Antikontrabandë ndërmarrin aksion kundër shpërndarjes së barnave të kontrabanduara në Prishtinë

    Prishtinë, 5 gusht 2025 – Sot në qytetin e Prishtinës, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë identifikuar një automjet të dyshimtë që ishte duke shpërndarë barna pa banderola në barnatore të ndryshme.

    Gjatë ndalimit dhe kontrollit të automjetit, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barnave të kontrabanduara, të cilat nuk posedonin dokumentacion të rregullt ligjor dhe nuk kishin banderola të Republikës së Kosovës, duke ngritur dyshime për prejardhjen e tyre dhe sigurinë për përdorim të qytetarëve. I dyshuari është shoqëruar për intervistim nga zyrtarët hetues të Doganës së Kosovës, ndërsa të gjitha barnat janë sekuestruar si prova materiale.

    Me autorizim të Prokurorit kompetent, aktualisht janë duke u kryer kontrolle shtesë në barnatoret ku dyshohet se janë shpërndarë këto barna. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe veçanërisht në mbrojtjen e shëndetit publik nga produktet ilegale dhe të pasigurta.

    Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast të dyshuar përmes linjës pa pagesë 0800 50 095 ose përmes platformës online për denoncim anonim.

  • Lëndohet një punëtor i “Trepçës”

    Lëndohet një punëtor i “Trepçës”

    Një punëtor i ndërmarrjes “Trepça” është lënduar të hënën gjatë montimit të një gome të makinës vetëngarkuese me ajër të komprimuar me të cilën bëhet bartja e xehes.

    Punëtori është jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Rasti ka ndodhur në mbrëmje në njësinë biznesore në Stan Tërg.

    Ndërkohë nga menaxhmenti kanë thënë se punëtori i elektromakinerisë është lënduar gjatë riparimit të kokëzës së rrotës së vetëngarkuesit.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë komisioni i brendshëm i “Trepçës” dhe Inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale (KPMM), që pritet të dalin me raport zyrtar për situatën e krijuar dhe shkaqet që çuan te incidenti.

    Zyrtarë të menaxhmentit kanë thënë se ndërmarrja në vazhdimësi “ka marrë të gjitha masat që lëndimet e tilla dhe të natyrave të tjera të jenë sa më të rralla”.

  • Daily Mail raporton për stuhinë e djeshme të shiut dhe breshërit në Brezovicë

    Daily Mail raporton për stuhinë e djeshme të shiut dhe breshërit në Brezovicë

    Një stuhi e fuqishme shiu e shoqëruar me breshër ka goditur pasditen e djeshme zonën e Brezovicës, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme në rrugën që të çon drejt një prej destinacioneve më të njohura turistike malore në Kosovë.

    Reshjet e kanë mbushur rrugën me ujë, ndërsa disa automjete janë bllokuar.

    Për stuhinë ka raportuar edhe gazeta britanike, Daily Mail.

  • Shaip Kamberi e padit kryetaren e Kuvendit të Serbisë për nxitje të urrejtjes fetare e racore

    Shaip Kamberi e padit kryetaren e Kuvendit të Serbisë për nxitje të urrejtjes fetare e racore

    Shaip Kamberi, i vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të hënën se ai bashkë me dy deputetë të tjerë nga komuniteti boshnjak në Serbi, e kanë paditur kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për “nxitje të urrejtjes etnike, fetare e racore”.

    Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Kamberi e akuzoi Brnabiqin se ajo kishte përdorur gjuhë të tillë gjatë një konference për media më 30 korrik, pas protestave të para disa ditëve në Novi Pazar.

    “Në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Republikës së Serbisë, znj. Ana Brnabiq, në një konferencë për media, në zemër të institucioneve shtetërore, përdori një gjuhë që nuk mund të quhet ndryshe veçse e nxitjes ndaj urrejtjes fetare dhe racore. Ajo deklaroi: ‘atëherë dëgjuam thirrje Allahu Ekber dhe gjëra të tjera të neveritshme’”, tha Kamberi.

    Ai theksoi se kjo ishte arsyeja që ai, bashkë me kolegët e tij deputetët, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Bërnabiqit për “nxitje të urrejtjes etnike, fetare e racore”.

    “[Kjo] fjali nuk është as lapsus e as interpretim i gabuar. Është një fjali që stigmatizon fenë islame, identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtën besim, duke i përbaltur dhe asociuar me ‘të neveritshmen’, me ‘rrezikun’, me ‘të huajin’ brenda një shteti që ende nuk ka dalë nga trauma e nacionalizmit agresiv të viteve ‘90”, shkroi ai.

    Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

    Shumica e shqiptarëve në Serbi i përkasin besimit islam, sipas regjistrimit të fundit.

    Kamberi nguli këmbë se ky veprim “nuk është hakmarrje politike, nuk është as sensacionalizëm, është një thirrje për drejtësi”.

    Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

    Shqiptarët në Serbi ankohen se autoritetet atje nuk ua njohin diplomat e Kosovës, kërkojnë integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

    Zyrtarët serbë i kanë hedhur poshtë akuzat.

    Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

    Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

  • Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Jemi të turpëruar nga thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Jemi të turpëruar nga thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka thënë se populli maqedonas është i turpëruar nga thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve.

    Kjo pas thirrjeve nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë në fundjavë në qytetin e Kumanovës.

    “Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë — por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Siljanovska Davkova ka thënë se Maqedonia nuk do të lejojë më që arenat sportive të kthehen në “arena tifozësh gladiatorësh”. Sipas presidentes maqedonase, mësimi i parë se “si të brohorasësh” mësohet në shtëpi e më pas në shkolla. Ajo ka thënë se shteti duhet t’u kundërvihet urrejtjes së tifozëve dhe të mësojë se si të brohorasin.

  • Tahiri e ashpër me Kurtin: Pasojat do t`i paguajë shtrenjtë Kosova

    Tahiri e ashpër me Kurtin: Pasojat do t`i paguajë shtrenjtë Kosova

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka komentuar ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër dhe qëndrimin e kryetarit të VV-së, Albin Kurti ndaj partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.

    Ajo ka vlerësuar se Kurti po i ndërton dy ura mbi lumin Ibër, por ka ndërtuar një mur politik ndaj “opozitës”.

    Në profilin e saj në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se kjo sjellje e Kurtit do ta paguajë shtrenjtë Kosova.

    “Dy ura dhe nje mur- dy ura mbi lumin Iber mire per qytetaret – por Kurti ka vendos nje mur politik ndaj opozites – shume keq per shtetin, pasojat shtrenjte do ti paguaj Kosova…”, ka shkruar Tahiri.