ATV

Author: G.O.

  • LVV-ja prezanton kandidatët për komunat veriore

    LVV-ja prezanton kandidatët për komunat veriore

    Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar kandidatët për kryetarë të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

    Kandidati për Leposaviqin është Lulzim Hetemi, i cili aktualisht udhëheq komunën dhe për të cilin subjekti politik thotë se ka dëshmuar guxim dhe integritet në terren.

    Në Zveçan, kandidon Fetah Peci, të cilin partia e paraqet si “zëri i bashkimit dhe zhvillimit” me synimin për të “thyer izolimin dhe hapur mundësi të reja për banorët”. E, për Zubin-Potok, kandidati është Vedat Mehmeti.

  • Rasti i Popoviqit, Haxhiu i reagon Serbisë: Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor

    Rasti i Popoviqit, Haxhiu i reagon Serbisë: Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë sot se shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në Kosovë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikës së Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.

    Reagimi i ministres Haxhiu vjen sot pasi u raportua se Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka deklaruar se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

    Pas një deklarate të tillë të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha se Serbia duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara.

    “Shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në vendin tonë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikë Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.

    Ministria e Drejtësisë së Serbisë paska dalë me akuzë tjetër të rreme duke thënë se zyrtari i saj Igor Popoviq e ka pranuar fajësinë nën kushte presioni. Por, në videon më poshtë mund ta shihni se jo vetëm i akuzuari Popoviq, por edhe vet avokati i tij theksojnë se me vullnet të plotë është bërë si pranimi i fajësisë ashtu edhe marrëveshja.

    Serbia me kutin e saj gjykon edhe Republikën e Kosovës, por ajo duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara”, shkruan ajo.

    Ndryshe, Igor Popoviqi, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë është shpallur fajtor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes etnike.

    Gjykata ka caktuar dënimin prej 6 muajsh burgim, i cili u zëvendësua me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dënim plotësues, dëbim nga Kosova për një periudhë prej dy vjetësh.

    Në këtë rast, gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut dhe akuzohet se më 18 korrik 2025 në Rahovec kishte mbajtur një fjalim publik me përmbajtje nxitëse, duke përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.

    LEXONI EDHE:

    Serbia pretendon se Popoviqi e pranoi “nën presion” fajësinë në Kosovë për nxitje të përçarjes e mosdurimit

  • 23 vatra zjarri të regjistruara sot në Kosovë, 11 ende aktive

    23 vatra zjarri të regjistruara sot në Kosovë, 11 ende aktive

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se gjatë periudhës nga ora 08:00 deri në ora 14:00 të ditës së sotme janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri në vend. Nga këto, 11 vatra mbeten aktive, ndërsa 12 të tjera janë lokalizuar.

    Sipas njoftimit, situata po menaxhohet në koordinim të ngushtë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Qendrat Operative 112 dhe Qendrën Operative të Agjencisë.

    Në një njoftim zyrtar, Agjencia bën thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke kërkuar që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.

  • Mungoi në protestë, reagon deputetja: Nuk isha e vetmja familjare e personave në Hagë që mungova, por u përmenda unë që të sulmohet LVV

    Mungoi në protestë, reagon deputetja: Nuk isha e vetmja familjare e personave në Hagë që mungova, por u përmenda unë që të sulmohet LVV

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, gruaja e Rexhep Selimit i cili është në mesin e personave që janë arrestuar nga Gjykata Speciale ka reaguar sot pasi u raportua se nuk kishe marr pjesë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës për të kundërshtuar veprimet e Gjykatës Speciale.

    Deputetja Selimi në një postim në Facebook shkruan po të protestën për diçka do të fillonte nga fakti se 82 deputetë kanë votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale.

    Ajo tutje thekson se nuk ishte familjarja e vetme që mungoi në protestë, por emri i saj u përmend vetëm që të sulmohet Lëvizja Vetëvendosje.

    Lexoni të plotë postimin e saj:

    Po të protestoja për diçka, do të filloja nga ky fakt:

    82 deputetë votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale:

    30 nga PDK

    34 nga LDK

    18 nga partitë e komuniteteve pakicë.

    Jam e sigurt se ndonjëri prej tyre ka qenë në protestë, duke protestuar ashpër kundër asaj që vetë e ka votuar.

    E deri te padrejtësitë e fundit që po ndodhin aktualisht në Hagë, të cilat janë pasojë direkte e asaj vendimmarrjeje.

    Nuk isha unë familjarja e vetme që mungova në protestë, por nga portalet u përmend vetëm emri im që të sulmohet Lëvizja VETËVENDOSJE!.

  • Sulmet izraelite në Rripin e Gazës shkaktojnë vdekjen e të paktën 10 palestinezëve

    Sulmet izraelite në Rripin e Gazës shkaktojnë vdekjen e të paktën 10 palestinezëve

    Të paktën 10 palestinezë, përfshirë civilë që prisnin ndihmat humanitare, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite përgjatë Rripit të Gazës të shtunën, njofton agjencia për mbrojtjen civile të territorit.

    Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal, i ka thënë AFP-së se të paktën 6 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur, pasi forcat ushtarake izraelite goditën civilët që po mblidheshin pranë një pike ndihmash në Gazë.

    Këto sulme vijnë një ditë pas miratimit nga kabineti i sigurisë së Izraelit të planeve për të zgjeruar ofensivën ushtarake në enklavën palestineze, me synimin e kontrollit të plotë mbi qytetin e Gazës.

  • Zgjedhjet lokale, KQZ: Më 13 gusht përfundon afati për aplikim online për certifikimin e kandidatëve

    Zgjedhjet lokale, KQZ: Më 13 gusht përfundon afati për aplikim online për certifikimin e kandidatëve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 13 gusht përfundon afati për aplikimin online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.

    Ky afat për aplikim online është hapur që nga data 26 qershor.

    “Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org, e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online,” thuhet në njoftim.

    KQZ-ja ka sqaruar edhe hapat që duhet të ndiqen për aplikim:

    “Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap.

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

  • Serbia pretendon se Popoviqi e pranoi “nën presion” fajësinë në Kosovë për nxitje të përçarjes e mosdurimit

    Serbia pretendon se Popoviqi e pranoi “nën presion” fajësinë në Kosovë për nxitje të përçarjes e mosdurimit

    Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të shtunën se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

    “Ne theksojmë se nënshkrimi dhe përdorimi i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në një rast të tillë shërben ekskluzivisht si një mjet për stigmatizim shtesë të popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, dhe jo si një instrument i sundimit të ligjit”, tha Ministria serbe, shkruan radio Evropa e Lirë.

    Ajo nuk dha asnjë provë për të mbështetur petendimin se Popoviq e pranoi fajësinë nën presion.

    Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviqin me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.

    Popoviq – i cili është ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe – kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Sepciale të Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje dhe përhapje të urrejtje dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.

    Gjatë atij fjalimi, Popoviq, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

    Vetë Popoviq e pranoi të premten para gjykatësit disa herë se qëndron prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë lloj presioni.

    Në një komunikatë të shtunën, Ministria serbe pretendoi se gjyqi kundër Popoviqit ishte “një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të popullit serb”.

    “Prandaj, Republika e Serbisë do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe politike për të mbrojtur Igor Popoviqin dhe për të ekspozuar këtë padrejtësi të rëndë para bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

    Ajo tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë “nuk prodhon efekt juridik në rendin juridik të Serbisë”.

    “Përveç kësaj, vetë marrëveshja është e pavlefshme, sepse është lidhur nën presion dhe në kushte shkeljeje të të drejtave themelore të garantuara nga Rezoluta 1244 dhe Karta e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, sipas aj.

    Ministria u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare “që veprojnë në Kosovë”, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, që të “reagojnë urgjentisht”.

    Popoviq u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë, pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

    Pas ndalimit policor prej 48-orësh, Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij e apeloi vendimin, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Themelores më 31 korrik.

    Prokuroria e akuzoi atë se me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

    Çështjen e arrestimit të Popoviqit, zyrtarët serbë e kanë ngritur edhe gjatë takimeve me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, të akredituar në Serbi, por edhe me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

    Pas shqiptimit të paraburgimit ndaj Popoviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”. Kjo deklaratë u pa si kërcënim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja.

    UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

    Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

    Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

    Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./rel

  • Arrestohet një burrë në Vushtrri, sulmoi fizikisht vajzën e tij, i shkakton lëndim të rëndë trupor

    Arrestohet një burrë në Vushtrri, sulmoi fizikisht vajzën e tij, i shkakton lëndim të rëndë trupor

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Rasti ka ndodhur në Vushtrri, të premten në ora 19:00.

    “Vushtrri 08.08.2025-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht vajzën e tij, viktimën femër kosovare”, thuhet në raport.

    lg.php.gif

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje. 

  • Arrestohet 32-vjeçari në Krujë, kapet duke kultivuar 110 bimë kanabisi

    Arrestohet 32-vjeçari në Krujë, kapet duke kultivuar 110 bimë kanabisi

    Një 32-vjeçar është arrestuar në Krujë të Shqipërisë pasi u kap në flagrancë duke kultivuar bimë narkotike.

    Sipas policisë, shtetasi me inicialet F.K., banues në Thumanë, po kujdesej për 110 bimë kanabisi të mbjella në fshatin Miliskaj.

    “Në kuadër të planit operacional ‘Koordinata’ dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike. Për këtë rast është arrestuar shtetasi F.K., 32 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për 110 bimët e dyshuara Cannabis Sativa në fshatin Miliskaj, Thumanë. Kontrollet në kuadër të këtij plani vijojnë.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Zelensky: Ukrainasit nuk do t’ua dorëzojnë tokën e tyre pushtuesve

    Zelensky: Ukrainasit nuk do t’ua dorëzojnë tokën e tyre pushtuesve

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se Ukraina s’mund ta shkelë Kushtetutën e saj lidhur me çështjet territoriale, tek ka shtuar se “ukrainasit nuk do t’ua dorëzojnë tokën e tyre pushtuesve”.

    Këto komente të tij janë bërë menjëherë pas lajmit për takimin e datës 15 gusht ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Alaskë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka shkruar Reuters.

    Tek e ka komentuar takimin e shumëpritur, Zelensky është shprehur se Ukraina është e gatshme për zgjidhje reale që mund të sjellë paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë, porse ka shtuar se çdo zgjidhje e cila e përjashton Kievin do të ishte një zgjidhje kundër paqes.

    Njoftimi për samitin e përbashkët Rusi-SHBA është bërë pak orë pasi Trumpi kishte sinjalizuar se Ukraina mund të detyrohej të heqë dorë nga disa territore për të përfunduar luftën, e cila filloi me pushtimin në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

    “Po shikoni një territor për të cilin është luftuar për tre vjet e gjysmë, shumë rusë kanë vdekur. Shumë ukrainas kanë vdekur”, ka thënë Trumpi në Shtëpinë e Bardhë të premten.

    “Është shumë e ndërlikuar. Do të marrim diçka mbrapsht, do të bëjmë disa ndërrime. Do të ketë shkëmbime territoriale, për të mirën e të dyja palëve”, ka theksuar ai.

    Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës.