ATV

Author: G.O.

  • Vendim i ri për Dodikun: Burgimi zëvendësohet me gjobë

    Vendim i ri për Dodikun: Burgimi zëvendësohet me gjobë

    Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka miratuar kërkesën që dënimi me burgim ndaj Millorad Dodikut të ndryshohet në dënim me gjobë, në përputhje me ligjet që e parashohin këtë gjë.

    Dodiku ishte kryetar i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, deri kur iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë.

    Gjykata ka bërë të ditur të martën se “në përputhje me dispozitat ligjore, është marrë vendimi që, pas deklarimit të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, të miratohet propozimi i mbrojtjes dhe dënimi me burg i shqiptuar ndaj të dënuarit Millorad Dodik të zëvendësohet me gjobë”.

    Kodi Penal i Bosnje – Hercegovinës parasheh mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim që shkon deri në një vit, ku një ditë burg llogaritet 100 marka (50 euro). Për shlyerje të një viti burgim, Dodiku do t’i paguajë rreth 36.500 marka, që janë pak më shumë se 18.000 euro, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Dodiku është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt.

    Pas publikimit të vendimit përfundimtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnje e ka anuluar mandatin e tij si president i Republikës Sërpska, i zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022.

    Ekipi ligjor i Dodikut e ka apeluar vendimin më 12 gusht dhe Gjykata e Apelit pritet ta publikojë vendimin final brenda tri ditësh.

    Sipas ligjeve në fuqi, pas përfundimit të mandatit të Dodikut, për shkak të vendimit të gjykatës, Komisioni Zgjedhor duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme për pozitën e kryetarit të Republikës Sërpska, të cilat mund të bllokohen apo pengohen nga ky entitet serb.

    Menjëherë pas vendimit të Komisionit Zgjedhor, Dodiku e ka bërë publike idenë e mbajtjes së një referendumi në Republikën Sërpska, përmes së cilit banorët do të vendosnin për mandatin e presidentit të entitetit, apo për refuzim të vendimit të gjykatës.

    Ekipi i tij ligjor ka nisur ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, të cilën Dodiku nuk e njeh, duke kërkuar nga ajo një masë të përkohshme që ndalon ekzekutimin e vendimit, derisa Kushtetuesja ta thotë fjalën e fundit.

    Avokati i Dodikut, Goran Bubiq ka thënë se vendimi është marrë me qëllim të krijimit të rrugës ligjore për apel në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

    Një hap i tillë është i mundshëm vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Dodiku është shpallur fajtor për nënshkrimin e një dekreti që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, paraprakisht e ka anuluar.

    Përmes këtyre ligjeve, trupat legjislativë në Republikën Sërpska kanë tentuar ta parandalojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushteteuse dhe të Schmidit në territorin e entitetit serb./REL

  • IKShPK-ja me thirrje për kujdes si rezultat i motit të nxehtë, publikon disa rekomandime për qytetarët

    IKShPK-ja me thirrje për kujdes si rezultat i motit të nxehtë, publikon disa rekomandime për qytetarët

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta.

    Ata kanë paralajmëruar rrezikun në rritje për dehidrim dhe probleme të tjera shëndetësore, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Për të përballuar më lehtë vapën, IKShPK rekomandon që qytetarët të ndjekin disa këshilla të thjeshta por efektive:

    Vishni rroba të lehta, të lirshme dhe nga pambuku, për të ndihmuar trupin të marrë frymë dhe të mos mbingarkohet nga nxehtësia.

    Bëni dush ose banjë të freskët gjatë ditës, për të ulur temperaturën trupore.

    Pini ujë rregullisht, të paktën 1 gotë çdo orë, duke arritur 2–3 litra në ditë, edhe nëse nuk ndjeni etje.

    Moti gjatë kësaj jave pritet të jetë shumë i nxehtë. Temperaturat pritet të shkojnë deri në 36 gradë celsius.

  • Tahiri: Kosova në krizë sigurie, pesë vrasje në dy ditë – bandat kriminale të guximshme

    Tahiri: Kosova në krizë sigurie, pesë vrasje në dy ditë – bandat kriminale të guximshme

    Abelard Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës në një konferencë për shtyp tha se vendi është në një “krizë sigurie” referuar pesë vrasjeve në vend përgjatë një periudhe dy ditore.

    Tahiri tha se bandat kriminale, narkotrafikantë e fajdexhinjtë “janë bërë të guximshëm” dhe se madje ato kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pushtetit – kjo referuar Besnik Mujecit (narkotrafikant) asamblist i VV-së në Prishtinë dhe Shemsi Bahtirit (narkotrafikant) po ashtu anëtar i Vetëvendosjes në Prishtinë.

    “Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhitë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës ju shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësimin e madh, për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, tha Tahiri.

    “15 gusht 2023 – Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, arrestohet në Shqipëri për trafikim dhe shitje të narkotikëve. U kap me 11,300 tableta ekstazi MDMA, peshë mbi 5 kilogramë, vlerë rreth 400 mijë euro. 3 qershor 2025 – Një operacion i gjerë antidrogë çon në arrestimin e 22 personave. Mes tyre, Shemsi Bahtiri, anëtar aktiv i Vetëvendosjes në Qendrën e Prishtinës, një nga figurat kyçe të një rrjeti të trafikut të drogës ku u sekuestruan qindra mijëra euro para të gatshme e të falsifikuara, armë, llogari bankare, automjete luksoze dhe lëndë narkotike. 10 gusht 2025 – Gjilani tronditet nga një vrasje e trefishtë. Autori, Mefail Shkodra, i njohur për veprat e shumta penale, shihet i pranishëm në ahengjet e partisë në pushtet”, shtoi deputeti i PDK-së.

    “Duhet të jetë misioni i secilit prej nesh, çkapja e shtetit nga bandat kriminale që sot po terrorizojnë shoqërinë tonë. Rritja e numrit të armëve pa leje në duart e qytetarëve tanë, është e frikshme. Sot, aktualisht kemi rreth 250 mijë armë janë pa leje në vendin tonë. Si PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdorë armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Dhe, jo, kjo nuk është vetëm një betejë politike. Është një betejë për jetën, për paqen, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e vendit”, përfundoi Tahiri.

  • Dyshohet për banorë të bllokuar, situatë kritike nga zjarret në Gramsh

    Dyshohet për banorë të bllokuar, situatë kritike nga zjarret në Gramsh

    Në fshatrat Kullollas, Bletës dhe Menkollarë të Gramshit, nga zjarri masiv janë përfshirë dhe banesa, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

    Burime nga terreni bëjnë me dije se disa banorë kanë mbetur të bllokuar dhe situata është kritike.

    Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile po punojnë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente nga autoritetet.

    Autoritetet kanë dhënë urdhër evakuimi për banorët e tre fshatrave: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për të shmangur rreziqet e flakëve që po përparojnë me shpejtësi.

    Në terren janë angazhuar 80 forca të Forcave të Armatosura së bashku me njësitë vendore, të cilat punojnë pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e zjarreve.

    Autoritetet apelojnë për bashkëpunim maksimal nga banorët dhe vënë në dispozicion të gjitha burimet për menaxhimin e situatës emergjente.

  • Superliga fillon të dielën, por vetëm me tri ndeshje të xhiros së parë

    Superliga fillon të dielën, por vetëm me tri ndeshje të xhiros së parë

    Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur të shtyjë ndeshjet e xhiros së parë të Dritës dhe Ballkanit.

    Arsyeja është angazhimi i këtyre dy ekipeve në kualifikimet e Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

    Si pasojë, java e parë e Superligës do të nisë më 17 gusht 2025 me vetëm tri ndeshje në program.

    Orari për këtë xhiro është: Dukagjini – Prishtina, Malisheva – Prishtina e Re dhe Drenica – Llapi.

    Ndeshjet Gjilani – Ballkani dhe Ferizaji – Drita do të zhvillohen në data të tjera, të cilat do të përcaktohen më vonë.

    Ky vendim është marrë tani e disa vite në mënyrë që ekipet të përqendrohen në garat ndërkombëtare, por që skuadrat tjera të Superligës nuk janë aspak të kënaqura.

  • Ngërçi politik, ​Kurti: Duhet ta presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

    Ngërçi politik, ​Kurti: Duhet ta presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se duhet pritur aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, kur u pyet nëse do ta respektojë vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit.

    Ai këto komente i bëri pas ceremonisë me rastin e 26-vjetorit të Doganës së Kosovës dhe diplomimit të gjeneratës së re të oficerëve doganorë.

    “Duhet ta presim aktgjykimin e plotë”, u përgjigj shkurt Kurti.

    Njoftimin mbi aktgjykimin, Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht, përmes së cilit urdhëroi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditësh.

    Afati fillon të rrjedhë pasi të publikohet aktgjykimi i plotë në Gazetën Zyrtare, por kjo ende nuk ka ndodhur.

    Kushtetuesja tha se kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se ai mund të votohet vetëm deri në tri herë.

    Ky vendim i Kushtetueses është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje – parti që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkaq është mirëpritur nga partitë që deri më tash ishin në opozitë.

    Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh. Por, gjykata nuk pati treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi.

    Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

    Procesi ka ngecur te votimi për kryetar të kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun por ajo nuk ka marrë 61 votat e nevojshme. /KP/

  • 1 muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen në Prizren, Gjykata jep detaje

    1 muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen në Prizren, Gjykata jep detaje

    Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar 1 muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen në Prizren.

    Në njoftimin e gjykatës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se “më datë 10 Gusht 2025, rreth orës 20:30 min, në Prizren, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari”, i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje privon nga jeta të ndjerin H.Sh., , në atë mënyrë që fillimisht nxisin qenët e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosje të shkurtër i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën patent, ngjyrë e zezë dhe e godet në pjesën e gjoksit H.Sh., i cili nuk e ka pritur këtë goditje me faktin se ata kanë qenë shok, më pas i pandehuri ik në drejtim të fshatit, ndërsa i ndjeri përcillet në qendër emergjente të Spitalit “Daut Mustafa”, në Prizren, në gjendje të rëndë shëndetësorë ku më pas është dërguar në QKUK-së në Prishtinë ku edhe ndërron jetë nga plagët e marra. Gjithashtu më datë, kohë dhe vend të njëjtë posedon armën e ftohtë, pa leje, në vend publik ku ishin të grumbulluar një numër i madh i njerëz, duke e përdorur për qëllime vdekje prurëse thikën patent, me ngjyrë të zezë, me të cilën ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit H.Sh., krejt kjo në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi posedimin e armëve të ftohta”.

    Tutje thuhet se gjykata vlerëson që janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit sepse ekziston rreziku i arratisjes nëse ai lirohet.

    “Duke marrë parasysh provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë, të cilat arsyetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ky kryer veprat penale, Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri pas kohës kur dyshohet se ka kryer veprën penale ka qenë në arrati, dhe prania e tij para institucioneve të drejtësisë është siguruar pas kërkimit dhe arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, nga këto arsye ekziston rreziku se me lënien në liri apo masë alternative, i njëjti mund të ipet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe të jetë i pa arritshëm për institucionet, duke penguar zhvillimin e procedurës hetimore të pa penguar. Gjithashtu kjo çështje penale është në fazën fillestare të hetimit, dhe para Prokurorit të Shtetit do të merren në pyetje dëshmitarët e rastit dhe i pandehuri, andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimi në dëshmitarë, apo fshehjes së fakteve dhe provave tjera materiale, për çka është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm.”

  • KQZ-ja certifikon grupin e parë me 10 subjekte politike dhe 64 kandidatë për zgjedhjet lokale 2025

    KQZ-ja certifikon grupin e parë me 10 subjekte politike dhe 64 kandidatë për zgjedhjet lokale 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve, që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025, raporton Ekonomia Online.

    Periudha e aplikimit të subjekteve politike për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve, ka filluar më 26 qershor dhe do të përfundojë më 13 gusht 2025, në orën 23:59.

    Në grupin e parë, KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 10 subjekteve politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 64 kandidatë, prej të cilëve 5 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 59 për anëtarë të kuvendeve komunale.

    Lista e subjekteve politike dhe numri i kandidatëve të certifikuar deri më tani (12 gusht 2025) është:

  • Arrestohet një i dyshuar për krime lufte, mori pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në Malishevë

    Arrestohet një i dyshuar për krime lufte, mori pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në Malishevë

    Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët, kanë njoftuar se mëngjesin e sotëm në Prishtinë kanë arrestuar R.M. të dyshuar për “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

    Ai dyshohet se gjatë periudhës 29-31 mars 1999 bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.

    “R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.”

    Tutje thuhet se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

    “Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special.”

  • Prokuroria e konfirmon: Xhemajl Nuhiu është i dyshuar për vrasjen në Hajvali, ende në arrati

    Prokuroria e konfirmon: Xhemajl Nuhiu është i dyshuar për vrasjen në Hajvali, ende në arrati

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se me datë 11.08.2025, rreth orës 22:00, një ngjarje tragjike ka ndodhur ne lagjen Hajvali të Prishtinës, ku një person M.M., është qëlluar me armë zjarri.

    Sipas një njoftimi për media viktima u dërgua menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët e konstatuan vdekjen e tij pa shenja jete.

    Tutje në njoftim thuhet se menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante te Policisë se Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

    “Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbeten e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të autorit të kësaj vepre të rëndë penale.