ATV

Author: G.O.

  • Shqipëri: Policia rrethon objektin e Televizionit “News 24”, ndërpritet sinjali – reagon Asociacioni i Gazetarëve

    Shqipëri: Policia rrethon objektin e Televizionit “News 24”, ndërpritet sinjali – reagon Asociacioni i Gazetarëve

    Policia e Shtetit ka rrethuar zyrat e News 24 në Tiranë, duke kërkuar lirimin e ambienteve dhe largimin e gazetarëve të televizionit informativ.

    Të shtunën, rreth orës 07:00 të mëngjesit, një duzinë policësh u shfaqën në mjediset e televizionit News 24, në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës, duke kërkuar largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e godinës.

    Sipas gazetës Panorama, e cila është pjesë e të njëjtit grup mediatik, policia po ndalon futjen e gazetarëve në ndërtesë, ndërsa kërkon lirimin e ambienteve ku aktualisht ndodhen redaksitë e News 24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, për t’ia transferuar kompanisë shtetërore “KAYO”. Panorama gjithashtu raporton se televizionit i është prerë energjia elektrike.

    Në orën 07:36, sinjali i News 24 u ndërpre.

    KAYO është një kompani shtetërore e prodhimit dhe tregtimit të armëve, e themeluar në vitin 2024. Në 12 mars 2025, qeveria miratoi një vendim që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kompanisë KAYO. News 24 është qiramarrës afatgjatë në ish-Uzinën e Autotraktorëve.

    Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë u shpreh i shqetësuar për veprimet e Policisë së Shtetit.

    “Ky veprim alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” shkruan AGSH.

    “Ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë,” theksoi organizata.

    AGSH i bëri thirrje institucioneve shtetërore të ndërpresin aksionin dhe t’u garantojnë gazetarëve të News 24 qasje në ambientet e punës, si dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.

    I pyetur nga BIRN, zëdhënësi i Policisë së Shtetit nuk komentoi për operacionin për lirimin e mjediseve të News 24.

  • Pengoi ish të dashurën pavarësisht urdhrit të mbrojtjes, arrestohet një burrë në Ferizaj

    Pengoi ish të dashurën pavarësisht urdhrit të mbrojtjes, arrestohet një burrë në Ferizaj

    Të premten është arrestuar një person në Ferizaj i cili dyshohet ta ketë penguar dhe kanosur ish të dashurën e tij.

    Për më tepër, ajo kishte pasur urdhër mbrojtje nga personi në fjalë.

    “Ferizaj 25.07.2025-16:35. Lidhur me rastin, më 08.08.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që muaj më parë kishte kanosur dhe penguar në vazhdimësi ish të dashurën e tij, e cila kishte edhe urdhër mbrojtës nga gjykata. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

  • Punime në rrjet, KEDS-i tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Punime në rrjet, KEDS-i tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se sot do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Orari sipas rajoneve të Kosovës, e Shtunë 9 Gusht:

    Prishtinë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    NS 35/10[kV] Batllava

    Nga Dalja 10[kV] Orllani (kodi: 14015002) do të ndërprehen:

    1.TS 10/0.4[kV] TS Vikendicat (me kod: 14015002031) nga ora 10:00 deri 12:30.

    2.TS 10/0.4[kV] TS Orllan Kulla 1 (me kod: 14015002026) nga ora 12:30 deri 14:30.

    Vendet: Orllani – Vikendicat.

    Arsyeja: Demontim i shtyllave 0.4[kV].

    2.

    NS 110/35/10[kV] Fushë-Kosovë

    Nga Dalja 10[kV] Dalja F.K nr.4 do të ndërprehet TS-i:

    TS 10/0.4[kV] Fushë-Kosovë Prroni (kodi: 10012084025) nga ora 10:30 deri 15:30

    Vendet: rr. Vëllezërit Fazliu Nr.24

    Arsyeja: Ndërprerje për shkaqe sigurie – instalimi i kabllos ABC.

    3.

    Nga NS 110/10(20)[kV] Prishtina 5 do të ndërprehet:

    NS 10/0.4[kV] TS Blinda (Kodra e Trimeve 13) Baki (kodi: 13000003018) nga ora 09:00 deri 12:00.

    Vendet: Kodra e trimave te Baki Automobile.

    Arsyeja: Përforcimi i ormanit t njehsorëve.

    Pejë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/10(20)[kV] Peja 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Leshani (kodi: 51000005) nga ora 10:00 deri 15:00.

    Vendet: fshatrat: Ramon, Gllaviqicë, Leshan, Jabllanicë, Rosuja dhe Cvërk e Thatë.

    Arsyeja: Dislokimi i rrjetit të TM në LP 10 [kV] Leshani.

    2.

    Nga NS 110/35/10[kV] Peja 1 do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Fusha e Pejës (kodi: 50000009) nga ora 09:00 deri 14:00.

    Vendet: Bajraktarët, Kulla e Ministrit, Treboviq, Qunguri, Elsa, Nabërgjan, Lluga, Llabjan dhe Bllagaj.

    Arsyeja: Ndërrimi i shtyllave të thyera.

    Mitrovicë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/10(20)[kV] Peja 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Leshani (kodi: 51000005) nga ora 10:00 deri 15:00.

    Vendet: fshatrat: Ramon, Gllaviqicë, Leshan, Jabllanicë, Rosuja dhe Cvërk e Thatë.

    Arsyeja: Dislokimi i rrjetit të TM në LP 10 [kV] Leshani.

    2.

    Nga NS 110/35/10[kV] Peja 1 do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Fusha e Pejës (kodi: 50000009) nga ora 09:00 deri 14:00.

    Vendet: Bajraktarët, Kulla e Ministrit, Treboviq, Qunguri, Elsa, Nabërgjan, Lluga, Llabjan dhe Bllagaj.

    Arsyeja: Ndërrimi i shtyllave të thyera.

    Gjilan

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Në TS 110/35/10 kV Vitia-ndëprehet:

    Trafo fusha 35/10kV TR-3 – H12 (Trafofusha 35kV) – J07 (Trafofusha 10kV) prej orës 11:00 deri në ora 15:00

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive. Testimi i transformatorit të fuqisë, ndërrimi i termometrit në TR-3.

    2.

    Nga TS 110/35/10 kV Vitia do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Gërmova (kodi: 61067003) prej orës 11:00 deri në ora 15:00

    Vendet: Gërmovë, Germovë e Ulët, Sodovinë, Pompa Lindi, Mobilieria, Plastika, Remniku i Ri, Goshicë Kulla, Vërban si dhe BRRE EKO Energy.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive. Testimi i transformatorit të fuqisë, ndërrimi i termometrit në TR-3.

  • Tubim paqësor dhe solidarizues për popullin e Gazës sot në Prishtinë

    Tubim paqësor dhe solidarizues për popullin e Gazës sot në Prishtinë

    Shoqëria civile do të organizojë sot tubim paqësor dhe solidarizues për popullin e Gazës.

    Tubimi është paraparë të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” me fillim nga ora 19:00.

    Organizime të tilla ka pasur në mbarë botën si reagim ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza.

    Me moton “Në Gaza s’ka jetë – por ne kemi zë”, organizatorët kanë ftuar qytetarët që të bashkohen dhe të ngrehin zërin kundër dhunës dhe padrejtësive ndaj banorëve të Gazës dhe të rrisin ndërgjegjësimin për krizën humanitare atje.

  • Një person gjendet pa shenja jete në Graçanicë

    Një person gjendet pa shenja jete në Graçanicë

    Të premten rreth orës 18:00, një person është gjetur pa shenja jete në fshatin Batushë të Graçanicës.

    Policia, rastin e ka cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”, teksa shtoi se trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, tha Policia në raportin 24-orësh.

  • Lufta në Ukrainë – Trump njofton se do të takohet me Putinin më 15 gusht në Alaska

    Lufta në Ukrainë – Trump njofton se do të takohet me Putinin më 15 gusht në Alaska

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen në Alaskë të premten e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e luftës në Ukrainë.

    Trump e bëri të ditur takimin e 15 gushtit në rrjetet sociale, ndërsa lajmi u konfirmua edhe nga një zëdhënës i Kremlinit, i cili tha se vendndodhja ishte “mjaft logjike” duke marrë parasysh afërsinë relative të Alaskës me Rusinë, njofton BBC, transmeton Sinjali.

    Zëdhënësi shtoi se Trump është ftuar në Rusi për një samit të mundshëm të dytë.

    Nga Ukraina nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm.

    Njoftimi për takimin erdhi vetëm disa orë pasi Trump kishte sinjalizuar se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

    “Po flasim për një territor për të cilin është luftuar për tre vjet e gjysmë, shumë rusë kanë vdekur. Shumë ukrainas kanë vdekur.”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë të premten.

    “Është shumë e ndërlikuar. Do të marrim diçka mbrapsht, do të bëjmë disa shkëmbime. Do të ketë disa shkëmbime territoresh, në dobi të të dyja palëve.”, shtoi ai.

  • Edhe sot mot i nxehtë, temperaturat maksimale arrijnë deri në 37°C

    Edhe sot mot i nxehtë, temperaturat maksimale arrijnë deri në 37°C

    Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe jashtëzakonisht i nxehtë. Rrezik nga dehidrimi dhe goditja e nxehtësisë nëse qëndroni jashtë për periudha të gjata kohore.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 10-35 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 15 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale prej 34 deri në 37°C.

     

  • 20 minuta pritje për hyrje tek Dheu të Bardhë, mbi një orë për dalje

    20 minuta pritje për hyrje tek Dheu të Bardhë, mbi një orë për dalje

    Vazhdojnë pritjet në pikat e kalimit kufitar të Kosovës.

    Sipas Qendrës për Menaxhim Kufitar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për hyrje në Kosovë në pikën kufitare në Dheu i Bardhë, pritjet arrijnë deri në 20 minuta, ndërsa për dalje nga vendi, pritjet shkojnë deri në 90 minuta.

    Në pikën kufitare në Merdarë, pritjet për hyrje janë rreth 10 deri në 15 minuta, kurse për dalje deri në gjysmë ore.

    Ndërkaq, në pikat e tjera kufitare pritjet për hyrje në Kosovë janë nga 3 deri në 5 minuta.

  • Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Murati: Kjo nuk është drejtësi

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Murati: Kjo nuk është drejtësi

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh.

    Në njoftimin e publikuar të premten, thuhet se kandidati për këtë post mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjithë deputetët kanë detyrimin të marrin pjesë në procesin e votimit.

    Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës, transmeton Telegrafi.

    Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe ministri në detyrë i Financave, Hekura Murati, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se kjo gjykatë merr vendime varësisht se cila parti është në pyetje.

    “Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, ka deklaruar ai.

    Reagimi i plotë i Muratit:

    “Në vitin 2014, për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet, Gjykata Kushtetuese ishte bërë vegël e PDK-së dhe kishte vendosur që:

    1. Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje.

    2. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër.

    Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda, sepse fituesi ishte Lëvizja Vetëvendosje.

    Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë, ku tash e thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesi është Lëvizja Vetëvendosje.

    Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje.

    Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë.

    E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021.

    Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen”.

  • Kushtetuesja vendos për krizën në Kuvend: Votimi për kryetar të bëhet i hapur

    Kushtetuesja vendos për krizën në Kuvend: Votimi për kryetar të bëhet i hapur

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar më 8 gusht aktgjykimin e saj lidhur me krizën institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke vendosur se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur.

    Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin e datës 26 qershor, i cili përcaktonte qartë procedurat që duhej të ndiqeshin për konstituimin e Kuvendit.

    Në vendimin e Kushtetueses konstatohet se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

    Gjykata, vendosi:

    TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;

    TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;

    TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

    TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;

    TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;

    TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

    TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

    TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.