ATV

Author: G.O.

  • Vasfije Krasniqi i bashkohet protestës: Kam dalë për të mbrojtur vlerat e UÇK-së

    Vasfije Krasniqi i bashkohet protestës: Kam dalë për të mbrojtur vlerat e UÇK-së

    Vasfije Krasniqi ka marrë pjesë në protestën e organizuar në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale.

    Në një deklaratë para protestuesve, ajo theksoi se pjesëmarrja e saj nuk është për individë të caktuar, por për mbrojtjen e vlerave kolektive që përfaqëson Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    “Unë sot kam dalë për të mbrojtur vlerat kolektive. Nuk kam dalë për të mbrojtur individë. Është me vonesë, por shpresoj që të jetë një proces i fuqishëm për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së. UÇK-ja ka qenë një ushtri që ka luftuar për të drejtat tona, dhe vlerësimi im për të nuk ka ndryshuar kurrë,” tha ajo.

  • Bllokuan dy shiritat e rrugës për dasmë në Prizren, përgjegjësi gjobitet me 300 euro

    Bllokuan dy shiritat e rrugës për dasmë në Prizren, përgjegjësi gjobitet me 300 euro

    Një rrugë në Prizren është bllokuar tërësisht për shkak të një gazmendi familjar, duke penguar qarkullimin normal të automjeteve. Ngjarja ka ndodhur më 6 gusht rreth orës 16:40 në rrugën “Alush Kryeziu”, ku qytetarët kanë raportuar në Polici për pengesën në të dy shiritat e komunikacionit.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësiti patrullues i Stacionit Policor në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka identifikuar personin përgjegjës.

    Ky i fundit kishte prezantuar një leje komunale për përdorim të njërës korsi të rrugës, por vetëm për një orar të caktuar – nga ora 09:30 deri në 10:30.

    Megjithatë, rruga ishte bllokuar në tërësi dhe jashtë afatit të përcaktuar me leje.

    Si pasojë, policia ka shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh ndaj organizatorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe ka ndërmarrë masat për lirimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.

  • Ambasada britanike: Pavarësia dhe vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen

    Ambasada britanike: Pavarësia dhe vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen

    Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka bërë thirrje që pavarësia dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë të respektohen.

    “Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në një reagim të publikuar nga kjo ambasadë në Facebook të enjten.

    Ky reagim vjen pas konferencës nga presidentja Osmani, dhe pak kohë para vendimit të Kushtetueses lidhur me bllokadën.

    Të premten, më 8 gusht, merr fund masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u është ndaluar deputetëve çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit.

    Të martën Presidentja Vjosa Osmani e tërhoqi kërkesën e saj rreth ngërçit, me arsyetimin se gjyqtar raportues për lëndën ishte caktuar Radomir Laban

  • Pritje të gjata për dalje nga Kosova – deri në dy orë në Merdarë

    Pritje të gjata për dalje nga Kosova – deri në dy orë në Merdarë

    Qytetarët që po dalin nga Kosova përmes pikës kufitare në Merdarë po përballen me pritje deri në dy orë.

    Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku ato shkojnë deri në 90 minuta.

    Situata paraqitet më e lehtë në Jarinjë, ku qytetarët po presin nga 20 deri në 40 minuta për të kaluar kufirin. Në pikat tjera kufitare, pritjet variojnë nga 5 deri në 10 minuta.

  • Mjekët pa Kufij: Shpërndarja e ndihmave në Gaza është kthyer në vrasje të organizuar

    Mjekët pa Kufij: Shpërndarja e ndihmave në Gaza është kthyer në vrasje të organizuar

    Organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) ka dënuar ashpër skemën e shpërndarjes së ushqimeve të kontrolluar nga ushtria izraelite në Gaza, duke e cilësuar si një formë të “urrejtjes së institucionalizuar” dhe “vrasjeje të organizuar”.

    Në një raport të titulluar “Kjo nuk është ndihmë. Kjo është vrasje e organizuar”, MSF kërkon ndalimin e menjëhershëm të këtij procesi.

    Sipas raportit, dy qendra të shpërndarjes së ndihmave në Rafah, në jug të Gazës, janë kthyer në skena kaosi, me përplasje të dhunshme, turma të frikshme dhe përdorim vdekjeprurës të forcës nga trupat izraelite dhe kontraktorët privatë amerikanë.

    “Në asnjë konflikt tjetër ku operojmë nuk është parë një nivel i tillë dhune ndaj civilëve që kërkojnë ndihmë”, thuhet në deklaratë.

    Klinikat e MSF janë shndërruar në qendra për të plagosur në masë. Gjatë qershorit dhe korrikut, në vetëm dy klinika janë pranuar 1 mijë e 380 të plagosur dhe 28 trupa të pajetë.

    Shumë prej tyre kanë plagë me armë zjarri, ndërsa organizata thotë se vendndodhja e plagëve, kryesisht në gjymtyrët e poshtme, tregon për qëllimshmëri në shënjestërzim.

    MSF raporton gjithashtu raste të shumta dhune fizike, përdorim të gazit lotsjellës dhe spërkatje me piper ndaj njerëzve që kërkojnë ndihmë.

    “Njerëzit po qëllohen si kafshë”, deklaroi një nga koordinatorët e organizatës.

    “Ata nuk janë të armatosur, nuk janë ushtarë. Janë civilë që mbajnë qese plastike, duke shpresuar të marrin pak miell ose makarona”.

  • E zuri gjumi në punë, punëtori i Trepçës dënohet me 30 për qind të pagës për pesë muaj

    E zuri gjumi në punë, punëtori i Trepçës dënohet me 30 për qind të pagës për pesë muaj

    Një punëtor i ndërmarrjes publike Trepça Sh.A. është ndëshkuar me ulje të pagës mujore pasi është kapur në flagrancë duke fjetur gjatë orarit të punës.

    Sipas njoftimit të bërë publik nga vetë ndërmarrja në Facebook, më 6 gusht 2025 është mbajtur një shqyrtim publik nga Komisioni Disiplinor, ku është konstatuar se punëtori A.A. ka kryer një shkelje të rëndë të detyrave të punës, në përputhje me rregulloret e brendshme të kompanisë.

    Në vendimin e komisionit thuhet se është shkelur neni që ndalon “fjetjen në vendin e punës gjatë orarit të punës”.

    Fillimisht, komisioni kishte rekomanduar një ulje të pagës prej 30 për qind për gjashtë muaj, por më 7 gusht, kryeshefi ekzekutiv i Trepçës ka miratuar vendimin final që parasheh ulje të përkohshme të pagës për pesë muaj.

    “Në përputhje me Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”, theksohet në njoftim, ku gjithashtu thuhet se ky dënim është marrë për të ruajtur disiplinën dhe përgjegjësinë në vendin e punës.

  • Zelensky kërkon takim ballë për ballë me Putinin për t’i dhënë fund luftës

    Zelensky kërkon takim ballë për ballë me Putinin për t’i dhënë fund luftës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje të enjten për një takim ballë për ballë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.

    Ai e tha këtë një ditë pas takimit që i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, e zhvilloi me Putinin në Moskë.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i quajti bisedimet ndërmjet të dërguarit të tij dhe Putinit, si “shumë frytdhënëse”, por zyrtarët amerikanë prapëseprapë u zotuan të vendosin sanksione ndaj partnerëve tregtarë të Moskës.

    Zelensky tregoi më vonë se kishte folur në telefon me Trumpin, i cili tha se mund të takohet me Putinin “shumë shpejt”.

    “Ne në Ukrainë kemi thënë vazhdimisht se gjetja e zgjidhjeve reale mund të jetë vërtet efektive në nivelin e udhëheqësve”, shkroi Zelensky në rrjete sociale.

    “Është e nevojshme të përcaktohet koha për një format të tillë dhe gamën e çështjeve që do të trajtohen”, shtoi ai.

    Udhëheqësi ukrainas tha të enjten në mëngjes se ka planifikuar t’i zhvillojë “disa” biseda gjatë ditës, përfshirë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, si dhe me zyrtarë francezë dhe italianë.

    “Do të ketë gjithashtu komunikim në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare”, shtoi Zelensky.

    “Gjëja kryesore është që Rusia, e cila e filloi këtë luftë, të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’i dhënë fund agresionit të saj”, përfundoi ai.

  • KDI: Bllokada në Kuvend ka cenuar rëndë funksionimin institucional dhe rendin kushtetues

    KDI: Bllokada në Kuvend ka cenuar rëndë funksionimin institucional dhe rendin kushtetues

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar sot analizën mbi pasojat e bllokadës në Kuvendin e Kosovës, e cila ka hyrë në muajin e katërt pa një zgjidhje funksionale. Raporti nënvizon se mungesa e konstituimit të Kuvendit nuk është më thjesht një krizë politike pas-zgjedhore, por një çrregullim institucional serioz, me pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë funksionale dhe për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Gjatë konferencës për media, Eugen Cakolli nga KDI theksoi se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një vakuum institucional, ku qytetarët janë lënë pa përfaqësim politik, Qeveria në dorëheqje vepron pa mbikëqyrje parlamentare, dhe institucionet e pavarura kanë mbetur jashtë kontrollit demokratik.

    “Kuvendi nuk është thjesht një institucion ligjvënës. Ai është themeli i rendit kushtetues të Kosovës. Pa Kuvend funksional, qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja dhe shteti ka hyrë në një fazë pauze”, tha Cakolli.

    Sipas analizës së KDI-së, mungesa e Kuvendit ka ndikuar në disa rrafshe të funksionimit të shtetit. Para së gjithash, nuk është respektuar afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e tij, siç e përcaktoi Gjykata Kushtetuese në vendimin KO124/25. Kjo shpërfillje përbën shkelje të qartë të rendit kushtetues dhe minon parimin se vendimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe detyruese. Mbi të gjitha, kjo e ka futur vendin në një terren të pashkelur kushtetues, me pasoja të paparashikueshme, që do të duhej të sqaroheshin nga Gjykata Kushtetuese.

    Në këtë periudhë vakuumi, Qeveria në dorëheqje ka ndërmarrë vendime me ndikim të madh politik dhe financiar – përfshirë mbi 70 milionë euro angazhime buxhetore – në mungesë të kontrollit parlamentar dhe jashtë mandatit të kufizuar që përcakton Ligji për Qeverinë.

    “Vendime për ndarjen e subvencioneve, themelimin e komisioneve të përhershme, ose ndryshime kadrovike në borde publike janë marrë, pa asnjë filtër mbikëqyrës apo diskutim institucional”, u tha tutje.

    Sipas kësaj analize, reforma kyçe të paralajmëruara dhe të dakorduara, si Vettingu dhe Kodi Civil, kanë mbetur pezull.

    “Pesë projektligje të reformës në drejtësi janë të bllokuara. Po ashtu, procesi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është ndërprerë plotësisht – përfshirë ato që ndërlidhen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili pritet të sjellë mbi 800 milionë euro për Kosovën. Pa një Kuvend funksional, të gjitha këto partneritete janë të ekspozuara ndaj dështimit, meqenëse që secila prej tyre duhet të procedohet në procedurë parlamentare nga pika zero – një proces që zgjatë mesatarisht 3 deri në 6 muaj”, thuhet në njoftim.

    “Mbi 20 institucione të pavarura, me një buxhet vjetor prej 59 milionë euro, kanë mbetur pa mbikëqyrje. Raportet e tyre për vitin 2024 nuk janë shqyrtuar, ndërsa një pjesë e bordeve vazhdojnë të mbeten jofunksionale. Kjo hap rrugë për ndërhyrje politike, mungesë transparence dhe keqpërdorim të fondeve publike.

    Sferë tjetër e ndikimit të bllokadës institucionale është përjashtimi i qytetarëve nga përfaqësimi demokratik. Prej gati një viti, e sidomos prej tre muajsh, Kosova ka funksionuar efektivisht pa Kuvend – pa përfaqësim, pa kontroll dhe pa zë të qytetarëve brenda institucioneve. Kjo gjendje minon legjitimitetin institucional dhe e dëmton në mënyrë të pakthyeshme besimin publik në sistemin demokratik”, thanë tutje nga KDI.

  • Franca lufton zjarrin më të madh që nga viti 1949

    Franca lufton zjarrin më të madh që nga viti 1949

    Zjarrfikësit francezë po luftojnë për të tretën ditë radhazi për ta vënë nën kontroll zjarrin më të madh në Francë në gati tetë dekada, si pasojë e të cilit janë djegur mbi 16.000 hektarë, ka vdekur një person dhe janë shkatërruar dhjetëra shtëpi.

    Pamjet nga Reuters TV tregojnë shtëllunga tymi që ngrihen mbi zonën pyjore në rajonin Aude, në jug të Francës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Pamjet me dron shfaqin sipërfaqe të mëdha të bimësisë së djegur.

    Një person ka vdekur, tre janë të zhdukur dhe dy të tjerë, përfshirë një zjarrfikës, janë në gjendje të rëndë, thanë autoritetet lokale.

    “Deri tani, zjarri nuk është vënë nën kontroll”, tha të enjten Christophe Magny, një nga zyrtarët që drejton operacionin e shuarjes së zjarreve, për televizionin BFM.

    Ai shtoi se shpreson se flakët të vihen nën kontroll më vonë gjatë ditës.

    Zjarri, rreth 100 kilometra nga kufiri me Spanjën, jo larg Detit Mesdhe, ka nisur të martën dhe është përhapur me shpejtësi.

    Zjarri tashmë ka përfshirë një zonë një herë e gjysmë më të madhe se Parisi. Zyrtarët kanë thënë se është zjarri më i madh në Francë që nga viti 1949.

    Zjarri tani po përhapet më ngadalë, tha ministrja e Mjedisit, Agnes Pannier-Runacher, për radion France Info.

    Shkencëtarët thonë se verërat më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut e bëjnë atë më të rrezikuar nga zjarret.

    Zyra meteorologjike e Francës ka paralajmëruar për një valë të re të të nxehtit që do të nisë në pjesë të tjera të jugut të Francës të premten dhe pritet të zgjasë disa ditë./REL

  • Presidentja Osmani falënderon Presidentin Trump për përkrahjen ndaj Kosovës – publikon letrën

    Presidentja Osmani falënderon Presidentin Trump për përkrahjen ndaj Kosovës – publikon letrën

    Presidentja e Kosovës ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Presidentit Donald Trump për përkrahjen dhe fjalët e fuqishme që ai ka dhënë në lidhje me partneritetin me Kosovën.

    Presidentja theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për të qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo sfidë dhe sukses.

    Ajo shtoi se mbetet e përkushtuar që të punojë së bashku me Presidentin Trump për thellimin e mëtejshëm të aleancës ndërmjet dy vendeve në vitet në vijim.