ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe mjaft i nxehtë veror.

    Temperaturat do të kenë rritje si ato minimale edhe ato maksimale dhe pritet të lëvizin nga 14 minimalet deri në 31 gradë Celsius ajo maksimale.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e marta sjellë stabilitet të plotë atmosferik dhe kthjelltësi.

    Do të ketë mot me diell dhe të nxehtë veror në të gjitha viset.

  • Vrasja e 14-vjeçarit në Pirg, zbardhen detaje të reja

    Vrasja e 14-vjeçarit në Pirg, zbardhen detaje të reja

    Dalin detaje të reja dalin nga vrasja tragjike e 14-vjeçarit në fshatin Pirg. Sipas dosjes hetimore, disa ditë para ngjarjes, autori kishte shkuar në fshatin Zvirinë, ku para lokalit të xhaxhait të viktimës ka bërë xhirime gomat e makinës dhe është larguar.

    Në ditën e vrasjes, viktima dhe një shok i tij shkuan në berberanë pranë lokalit ku ndodhi krimi. Ata panë autorin duke kaluar me makinë dhe i fishkëllyen për t’u sqaruar. Autori ndaloi, doli nga makina dhe nisi një debat me ta, gjatë të cilit nxori thikën.

    Viktima përpiqej të mbrohej me një karrige që mori nga oborri i lokalit, por u pengua gjatë lëvizjes dhe autori e goditi me thikë. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe po hetohet nga autoritetet.

  • KEDS-i ndërpret masivisht energjinë për bizneset pa marrëveshje me furnizues – cilat janë pasojat për ekonominë?

    KEDS-i ndërpret masivisht energjinë për bizneset pa marrëveshje me furnizues – cilat janë pasojat për ekonominë?

    Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) në Kosovë ka bërë të ditur të shtunën se ka filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti, për shkak të përfundimit të afatit të përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues tjerë të energjisë.

    Këtë paralajmërim e ka bërë më 13 gusht edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në të mirë të këtij institucioni, kur e ka shqyrtuar lëndën në të cilën është bërë kërkesë për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

    Në treg të hapur kanë dalë 1.300 kompani me rreth 10 mijë njehsorë.

    KEDS-i ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se disa njehsorë do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjera fizikisht te kompanitë, dhe që tashmë janë mobilizuar ekipet në gjithë Kosovën.

    Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

    Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

    Për të mos mbetur pa energji, bizneset janë furnizuar përkohësisht – në periudhën 1 qershor deri më 31 korrik – nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

    Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces të licencimit.

    Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.

    Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n, ndërkohë që janë në pritje edhe dhjetëra kërkesa të tjera.

    Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë e kanë pranuar me shqetësim vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.

    Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se do ta vazhdojë betejën përmes mjeteve ligjore që i ka dispozicion.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të shtunën se pasojat e këtij vendimi do të jenë dramatike.

    “Mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve”, ka thënë ajo përmes një reagimi publik, duke iu bërë thirrje institucioneve të vendit që të ndërhyjnë dhe ta ndalin këtë proces.

    Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

    Në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

    Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.

  • Kërkohej nga Maqedonia e Veriut, arrestohet një person në Istog

    Kërkohej nga Maqedonia e Veriut, arrestohet një person në Istog

    Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut në fshatin Dubravë të Istogut, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase.

    I dyshuari është arrestuar pa incidente dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje.

    Autoritetet janë në pritje të procedurave të mëtejme ligjore që lidhen me ekstradimin eventual të tij.

    ‘‘ARRESTIM ME URDHËRES NDËRKOMBTARE

    Dubravë, Istog 15.08.2025 – 16:15. Në bazë të urdhëresës ndërkombëtare të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë. Me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje’’, thuhet në raportin e PK-së.

  • Çitaku: 1400 biznese po shkyçen, situata është alarmante – qytetarët tash po përballen me rrezikun e papunësisë masive

    Çitaku: 1400 biznese po shkyçen, situata është alarmante – qytetarët tash po përballen me rrezikun e papunësisë masive

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ngritur alarmin për papunësi masive pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për dalje në treg të lirë të bizneseve.

    Sot KEDS ka nisur shkyçje masive pas përfundimit të afatit për biznesët që s’kanë arritur marrëveshje me furnizues të licencuar nga ZRRE.

    “1400 biznese, kryesisht prodhues, po shkyçen me dhunë nga rrjeti i energjisë elektrike. Mijëra punëtorë rrezikojnë të mbesin pa vende pune, pa të ardhura për veten dhe familjet e tyre. Qytetari i Kosovës, i rraskapitur nga çmimet e larta të produkteve bazike dhe energjisë, sot po përballet edhe me rrezikun e papunësisë masive, si pasojë e vendimeve rrënuese të Kurtit dhe klikës së tij në ZRRE”.

    “Situata është alarmante. Ky është vetëm vazhdimi i përpjekjeve të qëllimshme të lidershipit të LVV-së dhe vartësve të tyre për të shkatërruar sektorin privat, ashtu siç kanë bërë me institucionet e pavarura. Kjo mendësi totalitare i përket shekullit të kaluar, dhe shoqëria jonë nuk do ta tolerojë”.

    Për këtë çështje kanë reaguar edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, nga ku, përmes një komunikate për media thuhet se liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë e vendit.

    LEXONI EDHE:

    Bajrami: Qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike, Prokuroria duhet të reagojë

  • Bajrami: Qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike, Prokuroria duhet të reagojë

    Bajrami: Qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike, Prokuroria duhet të reagojë

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e dëmton ekonominë e vendit përmes politikave të tij. Ajo ka reaguar pas shkyçjes së bizneseve të cilat nuk kanë arritur marrëveshje me furnizues.

    Bajrami e ka akuzuar Kurtin për kapje të institucioneve.

    “Duhet të ndalet maskara që po i bëhet ekonomisë sonte. ZRrE në nëntor të vitit 2024 ka thënë se në Kosovë nuk ka treg të lirë të energjisë elektrike, ndërsa në mars kjo zyrë lajmëron se duhet të dilet në treg të lirë. Kjo është hajnia më e madhe që po ndodh në Kosovën e pasluftës. Duhet ta dijë Prokuroria e Kosovës se duhet të reagojë shpejt kundër këtij shkatërrimi dhe korrupsioni. Përgjegjës janë Albin Kurti, Ministria e Ekonomisë, ZRrE, KEDS dhe KESCO”, ka thënë ajo në konferencë për media.

    Bajrami ka kërkuar hetim mbi ZRRE-në për çështjen e daljes në treg të lirë, derisa ka shtuar se qytetarëy po paguajnë për “mafinë energjetike”.

    “I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucionet si ZRRE dhe të tjerat që kjo politikë të mos kalojë dhe të mos mbetet e pa ndëshkuar. Qytetarët duhet ta dinë se po paguajnë për mafinë energjetike. Çdo sekondë që e kanë një pajisje të kyçur në rrymë, nga xhepi i tyre ndajnë para për NOA-n e për kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi”, deklaroi ajo.

  • S’certifikohen “Lidhja e Prishtinës” dhe “Lëvizja për bashkimin e shqiptarëve” –  Njëra i ngjante LDK-së, tjetra pati gabim drejtshkrimor

    S’certifikohen “Lidhja e Prishtinës” dhe “Lëvizja për bashkimin e shqiptarëve” – Njëra i ngjante LDK-së, tjetra pati gabim drejtshkrimor

    Dy subjektet politike, Lidhja e Prishtinës dhe Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve, nuk janë certifikuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të emërtimeve që kanë.

    Lidhja e Prishtinës i ngjan një emërtimi që e ka përdorur Lidhja Demokratike e Kosovës më herët, ndërsa Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve e ka një gabim drejtshkrimor, pasi është shtuar një “ë” gabim në fjalën e fundit.

    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u certifikuan 39 subjekte tjera politike, përfshirë 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur.

     

  • “Shkyçja e bizneseve rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë”

    “Shkyçja e bizneseve rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë”

    KEDS-i ka njoftuar se ka nisur shkyçjet masive të bizneseve që s’kanë dalë në treg të lirë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

    Rreth kësaj ka reaguar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, nga ku, përmes një komunikate për media thuhet se liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë e vendit.

    Nga DTHK kanë shprehur kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve.

    ‘‘Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend’’, thuhet mes tjerash.

    Komunikatë:

    Liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë e vendit

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rishpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve që nuk janë pajtuar me kushtet e papranueshme dhe të dëmshme të ofruara nga kompanitë e licencuara, ndërkohë që pjesa tjetër kane bërë marrëveshje të përkohshme, janë në pritje të vendimeve të gjykatave dhe themelimit të institucioneve të reja të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë.

    Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend.

    Në çdo vend tjetër, një kërcënim i tillë për humbjen e vendeve të punës do të ngjallte alarm të menjëhershëm. Në Kosovë, për fat të keq, institucionet po zgjedhin të heshtin, duke e bërë veten bashkëpërgjegjëse për pasojat e rënda që priten.

    Pasojat e këtij hapi do të jenë dramatike: mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rikërkon për të disatën herë urgjentisht nga institucionet e vendit që të ndërhyjnë dhe të ndalin këtë proces të dhunshëm dhe të padrejtë, i cili rrezikon të shkatërrojë themelet e ekonomisë sonë.

  • 50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të FSK-së

    50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të FSK-së

    Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

    E lidhur me këtë sot Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhenë detaje, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për 50 automjete të blinduara.

    “Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë t’i transferojnë 50 Automjete të Blinduara Sigurie (ASV) Qeverisë së Kosovës… Kosova, duke përdorur burimet e saj mbrojtëse, do t’i sjellë këto automjete në kapacitet të plotë operacional, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e sigurisë së të dy kombeve tona”, thuhet në postim.

    Ndërkaq, një ditë më parë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka shkruar se është i gëzuar për avancimin dinamik të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila vazhdon të fuqizohet me teknologji dhe mjete të avancuara për të garantuar realizimin e misionit të saj kushtetues.

    “Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”, ka shkruar Maqedonci. /Telegrafi/

  • Zelensky takon Trumpin të hënën në Uashington pas samitit ShBA-Rusi

    Zelensky takon Trumpin të hënën në Uashington pas samitit ShBA-Rusi

    Presidenti amerikan, Donald Trump e ka zhvilluar një “bisedë të gjatë telefonike” me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

    Zelensky, në anën tjetër, ka thënë se i është bërë ftesë për vizitë të hënën në Uashington, për ta takuar Trumpin.

    Sipas zëdhënëses, Karoline Leavitt, Trump e ka telefonuar Zelenskyn sa ka qenë në aeroplan gjatë kthimit në Uashington, pas takimit të zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaskë, i cili nuk është përmbyllur me armëpushim në Ukrainë.

    Trump ka biseduar edhe me liderët evropianë dhe zyrtarë të lartë të NATO-s.

    Edhe zëdhënës të Komisionit Evorpian kanë bërë të ditur se Trump ka biseduar më shumë se një orë me Zelenskyn, kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Friedrich Merz, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Sipas Presidencës ukrainase, Turmp ka biseduar fillimisht me Zelenskyn, dhe më pas janë bashkuar në thirrje edhe liderët evropianë.

    Zeelensky ka thënë përmes një postimi në Telegram se biseda me Trumpin ka qenë substanciale.

    “Ukraina e konfirmon sërish se është e gatshme të punojë në mënyrë sa më produktive që është e mundur, për hir të paqes. Presidenti Trump më ka informuar për takimin e tij me liderin rus, për pikat kryesore të bisedës së tyre. Është e rëndësishme që fuqia amerikane të ndikojë në zhvillimin e situatës”.

    Zelensky ka thënë se e mbështet propozimin e Trumpit për takim trepalësh në mes të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.

    “Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivel të liderëve dhe formati trepalësh është i përshtatshëm për ne”.

    Ai ka paralajmëruar se mund të takohet me presidentin Trump të hënën në Uashington.

    “Është e rëndësishme që evropianët të përfshihen në të gjitha fazat, për të pasur garanci të qëndrueshme të sigurisë, bashkë me Amerikën. I kemi diskutuar sinjalet pozitive prej palës amerikane sa i përket pjesëmarrjes në garanci të sigurisë për Ukrainën. Vazhdojmë të koordinohemi me partnerët për të gjitha pozicionet tona”, ka thënë mes tjerash Zelensky.

    Trump dhe Putin kanë folur shkurt në një konferencë për media dhe nuk kanë pranuar pyetje. Takimi i tyre ka zgjatur rreth tri orë, në bazën ajrore amerikane në Alaskë.

    Trump ka thënë se ekipi i tij ka arritur “përparim të madh” drejt dhënies fund të luftës, mirëpo ende nuk ekziston një marrëveshje.

    Putini ka thënë se Rusia këmbëngul në atë që e quan “rrënjë të problemit” – gjuha që përdor Kremlini, përmes së cilës kërkon çarmatosjen e ushtrisë ukrainase, dhe që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO./REL