ATV

Author: G.O.

  • Dua Lipa shkëlqen me pamje spektakolare në turneun ‘Radical Optimism’ në Toronto

    Dua Lipa shkëlqen me pamje spektakolare në turneun ‘Radical Optimism’ në Toronto

    Dua Lipa duket e mahnitshme në turneun e saj “Radical Optimism” në Toronto, ku performoi në Scotiabank Arena.

    Ylli 30-vjeçare shfaqej fillimisht me një kostum të brendshëm me xixa dhe detaje të arta, të kombinuara me këpucë të larta dhe doreza rrjetë.

    Më pas, ajo ndryshoi dukjen me një kostum maceje me rrjetë dhe reçipeta, ndërsa veshja e tretë ishte një fustan gjysmë i tejdukshëm me të brendshme të bardha.

    Koncerti në Toronto shënoi një nga netët e fundit të turneut gjigant 80-ditor që do të vazhdojë deri në dhjetor 2025 në vende të ndryshme të botës.

    Ndërkohë, Dua dhe aktori Callum Turner kanë çuar marrëdhënien e tyre në një nivel tjetër duke themeluar së bashku kompaninë e prodhimit TwentyTwo Films Limited.

    Çifti, i cili pritet të martohet, do të ketë aksione të barabarta dhe synon të zhvillojë projekte filmike, duke ndjekur gjurmët e Margot Robbie dhe Tom Ackerley.

  • Tërmeti në Afganistan: Numri i të vdekurve kalon 1.400

    Tërmeti në Afganistan: Numri i të vdekurve kalon 1.400

    Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë në lindjen malore të Afganistanit për të gjetur të mbijetuar, të martën, teksa numri i të vdekurve nga një tërmet i fuqishëm ka kaluar 1.400, ka bërë të ditur qeveria e udhëhequr nga talibanët.

    Edhe më shumë se 3.000 persona janë lënduar si pasojë e tërmetit, ka njoftuar më herët Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave në Afganistan

    “Të lënduarit po evakuohen, prandaj këto shifra mund të ndryshojnë dukshëm”, ka njoftuar zëdhënësi i institucionit, Yousaf Hammad.

    “Tërmeti shkaktoi rrëshqitje dheu në disa zona, duke bllokuar rrugë, por ato janë rihapur, dhe rrugët e mbetura do të rihapen për të mundësuar qasjen në zonat që ishin vështirë të arritshme”, ka bërë të ditur ai.

    Tërmeti prej 6.0 ballësh goditi në natën e së dielës në disa provinca, duke rrafshuar fshatra dhe duke i lënë njerëzit të ngujuar nën rrënojat e shtëpive të ndërtuara kryesisht me tulla prej balte dhe me drurë, dhe të tronditur nga fatkeqësia.

  • Kurti shënon ditën e aronisë organike në Prizren: Premton mbështetje për bujqësinë organike

    Kurti shënon ditën e aronisë organike në Prizren: Premton mbështetje për bujqësinë organike

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në shënimin e Ditës së Aronisë Organike në Prizren, ngjarje e organizuar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës” dhe kompania “ArtiFruit&Aronica”. Në këtë aktivitet, Kurti vlerësoi përkushtimin e fermerëve dhe rolin e bujqësisë organike në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

    Ai tha se aronia është një produkt i ri por me potencial të madh për Kosovën, dhe njoftoi se brenda një viti produktet organike vendore do të kenë logon dhe standardet organike të Republikës së Kosovës. Deri tani, certifikimi ka qenë nga BE dhe vende të tjera.

    Kryeministri theksoi mbështetjen financiare prej mbi 535 milionë euro për sektorin e bujqësisë gjatë mandatit qeverisës, si dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe lehtësira burokratike.

    “Aronia dhe pemët e imëta janë pjesë e së ardhmes sonë ekonomike dhe shembull se si mund të zhvillohet Kosova në mënyrë të shëndetshme dhe të qëndrueshme”, u shpreh Kurti.

  • OBSh-ja jep alarmin: Mbi 1 miliard njerëz vuajnë nga probleme të shëndetit mendor

    OBSh-ja jep alarmin: Mbi 1 miliard njerëz vuajnë nga probleme të shëndetit mendor

    Mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, veçanërisht ankthi dhe depresioni, të cilat janë çrregullimet më të zakonshme, ndërkohë që shqetësimi mendor është përgjegjës për mbi 700,000 vetëvrasje çdo vit. Pavarësisht kësaj, shpenzimet publike për shëndetin mendor kanë mbetur të qëndrueshme për vite me radhë dhe arrijnë në vetëm 2% të buxheteve totale të shëndetit.

    Këto janë gjetjet e dy raporteve të publikuara sot nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas kreut të së cilës, transformimi i shërbimeve të shëndetit mendor është një nga sfidat më urgjente të shëndetit publik.

    “Çdo qeveri dhe çdo udhëheqës ka përgjegjësinë të veprojë urgjentisht dhe të sigurojë që kujdesi për shëndetin mendor të trajtohet jo si privilegj, por si një e drejtë themelore për të gjithë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një deklaratë.

    Raportet (World Mental Health Today dhe Mental Health Atlas 2024) analizojnë ndikimin e sëmundjeve mendore dhe progresin e bërë nga vendet në zbatimin e shërbimeve të dedikuara për këto gjendje.

    Gratë kanë tendencë të jenë më të prekura (rreth 14.8% e popullsisë femërore vuan nga çrregullime mendore krahasuar me 13% të popullsisë mashkullore). Çrregullimet e ankthit janë më të zakonshmet (që prekin 4.4% të popullsisë); Pas tyre vjen depresioni (4%), problemet që lidhen me aftësinë e kufizuar intelektuale (1.2%) dhe ADHD (1.1%).

    Megjithatë, ka dallime të konsiderueshme midis grupmoshave dhe gjinive: “Çrregullimet depresive dhe të ankthit janë më të zakonshme tek gratë sesa tek burrat gjatë gjithë jetëgjatësisë, ndërsa burrat kanë shumë më tepër gjasa të kenë çrregullime të zhvillimit intelektual (idiopatike), çrregullime të spektrit të autizmit, çrregullime të sjelljes dhe ADHD”, thuhet në raport.

  • Qeveria rrit shpenzimet, për tre muaj i harxhon afro 800 milionë

    Qeveria rrit shpenzimet, për tre muaj i harxhon afro 800 milionë

    Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 784.9 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2025.

    Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku poashtu u bë e ditur se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shpenzimet e ekzekutivit ishin 679.1 milionë euro.

    ASK-ja po ashtu ka treguar se ku janë bërë shpenzimet më të mëdha.

    “Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (28%); kontributet sociale dhe përfitimet (26%); formimi i kapitalit bruto (15%); dhe konsumi i ndërmjetëm (14%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftim të kësaj agjencie.

  • Lojtari i Zvicrës: Ndeshja ndaj Kosovës është gjithnjë e veçantë

    Lojtari i Zvicrës: Ndeshja ndaj Kosovës është gjithnjë e veçantë

    Pas afro dy vjetësh, Cedric Itten është kthyer te përfaqësuesja e Zvicrës në futboll. Itten të martën foli në konferencë për shtyp, ndërsa ka theksuar se ndeshjet me Kosovën janë gjithnjë të veçanta.

    Zvicra e Kosova përballen të premten prej orës 20:45 në Basel, në nismë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    28-vjeçari Itten është kthyer në përfaqësuesen helvetike pasi nisi suksesshëm te Fortuna Dusseldorfi në Bundesliga 2. Në katër ndeshjet e para i shënoi dy gola. Për Zvicrën, Itten i ka pesë gola në 12 paraqitje.

    “Ndeshja ndaj Kosovës është gjithnjë e veçantë”, ka thënë Itten, duke tërhequr vërejtjen nga nënçmimi potencial i kundërshtares së parë të Zvicrës në kualifikimet për Botëror.

    “Qartë se Kosova do të ketë shumë tifozë në stadium”, ka thënë Itten, që për bashkëlojtar te Dusseldorfi e ka Florent Muslijën e Kosovës.

    “Ai mezi e pret ndeshjen dhe ka thënë se dëshirojnë të fitojnë”, ka theksuar reprezentuesi i Zvicrës.

    Itten nuk është prej lojtarëve të rëndësishëm të helvetikëve. Ai megjithatë e di rolin e tij, ndërsa shpreson ta fitojë rastin si zëvendësues.

    Sipas vazove të shortit, Kosova ka gjasat më të vogla për kualifikim në Botëror nga grupi ku janë edhe Suedia e Sllovenia.

    “Qartë se ne duam të kualifikohemi, por e dimë se është grup i vështirë. Do të jetë sfidë. Duket klishe, por duhet të marrim ndeshjet një nga një dhe të mundohemi të fitojmë. Për mua do të thotë shumë që të luaj për përfaqësuesen. Mbushem me krenari kur mund të luaj për ekipin nacional. Është çështje e ndjeshme për zemrën time”, ka thënë Itten.

    Granit Xhaka është shqiptari i vetëm i grumbulluar te Zvicra për ndeshjen me Kosovën. Xhaka do ta udhëheqë si kapiten ekipin në fushën e stadiumit ku është rritur. Selektori Murat Yakin ka ftuar edhe Ardon Jasharin, por ai u lëndua rëndë në ditën kur doli lista. Dhe nuk është grumbulluar.

    Zvicra të hënën e pret Slloveninë, po në Basel, ditën kur Kosova luan me Suedinë në “Fadil Vokrri”.

  • Apeli i Speciales ia rrëzon kërkesën, Isni Kilaj mbetet në paraburgim

    Apeli i Speciales ia rrëzon kërkesën, Isni Kilaj mbetet në paraburgim

    Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka rrëzuar kërkesën e fundit të Isni Kilajt kundër masës së paraburgimit.

    Vendimi është marrë më 1 shtator 2025 nga gjyqtarja Michele Picard, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ky është apelimi i katërt i Kilajt kundër masës së paraburgimit dhe ngjashëm si të tri vendimet paraprake, edhe kësaj radhe u vendos që kërkesa e tij të rrëzohet në tërësi.

    Apeli ka konstatuar se vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, për rrezikun e pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme, është i bazuar në prova të mjaftueshme dhe të arsyeshme.

    Sipas Apelit, nuk ka ndonjë tregues se gjyqtarja ka bërë ndonjë gabim të dukshëm faktik lidhur me këtë pjesë.

    Po ashtu, Apeli në vendim ka theksuar se gjyqtarja e procedurës paraprake ka shqyrtuar periudhën e kaluar në paraburgim, duke e balancuar me seriozitetin e akuzave dhe rreziqevet e identifikuara.

    Si rrjedhojë, Apeli i Speciales ka qëndruar në linjë me vendimin e gjyqtares së procedurës paraprake se paraburgimi nuk është masë e rëndë dhe mbetet masë e nevojshme.

    Sipas Apelit, janë marrë parasysh të gjitha masat alternative të propozuara nga mbrojtja, derisa gjyqtarja e procedurës paraprake ka shpjeguar qartë se pse ato nuk janë të mjaftueshme për të adresuar rreziqet përkatëse.

    Apeli thekson se ky vlerësim është në përputhje me jursprudencën e mëparshme dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    “Si rrjedhojë, Dhoma e Apelit konkludon se Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka gabuar në vlerësimin e saj dhe se vazhdimi i paraburgimit për z. Kilaj është i justifikuar”, thuhet në vendim.

    Pra, kërkesa e Kilajt u rrëzua në tërësi si dhe u konfirmua vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake për vazhdimin e paraburgimit. Veç kësaj, u tha se vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.

    Kilaj kishte argumentuar se gjyqtarja e procedurës paraprake kishte përdorur një metodologji të gabuar për vlerësimin e rrethanave që i paraprijnë paraburgimit duke cenuar të drejtën për liri.

    Veç kësaj, Kilaj pretendon se gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot vazhdimisht ka përsëritur gjetjet e mëparshme të vendimeve të saj dhe se duhet të bëhet gjithmonë vlerësim i ri.

    Ndërsa, Prokuroria ka thënë se Kilajt i është respektuar e drejta për liri dhe se gjyqtarja e procedurës paraprake ka vendosur drejt.

    Ndryshe, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Aksident mes dy veturave në Bresje, lëndohen katër persona

    Aksident mes dy veturave në Bresje, lëndohen katër persona

    Në orët e para të mëngjesit të së martës një aksident trafiku mes dy veturave ka ndodhur në fshatin Bresje.

    Lajmin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës.

    “Sot rreth orës 05:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Pejë-Prishtinë, saktësisht në fshatin Bresje,ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime”.

    “Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”.

  • Osmani takoi komandantin e KFOR-it, shprehu mirënjohje për angazhimin e ushtarëve

    Osmani takoi komandantin e KFOR-it, shprehu mirënjohje për angazhimin e ushtarëve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi mbrëmë një darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit të sigurisë në vendin tonë.

    Në vazhdë të takimeve të rregullta me komandantin e KFOR-it, si dhe në prag të përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e pandërprerë të tij dhe të ushtarëve të KFOR-it në mirëmbajtjen e paqes dhe të sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me institucionet e sigurisë në Kosovë.

    Ajo ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve tona të sigurisë dhe KFOR-it, si garanci për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Kjo është paga astronomike e Edersonit te Fenerbahçe

    Kjo është paga astronomike e Edersonit te Fenerbahçe

    Portieri brazilian, Ederson mbrëmë udhëtoi në Stamboll për të kompletuar kalimin nga Manchester City te Fenerbahçe.

    Ederson ka nënshkruar kontratë 3+1 vjeçare nga ku do te fitojë 11 milionë euro në vit.

    Nga mediat turke u raportua që Feneri pagoi 12 milionë euro për kartonin e gardianit 32 vjeçar.

    Ederson qëndroi për 8 sezone te City duke regjistruar 372 paraqitje ku bien në sy edhe 7 asistime teksa ka fituar Premier Ligën 6 herë dhe 1 Champions League.