ATV

Author: G.O.

  • ​Zelensky dhe Macron bien dakord të takohen pas samitit Trump-Putin

    ​Zelensky dhe Macron bien dakord të takohen pas samitit Trump-Putin

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti francez Emmanuel Macron folën sot, sipas Pallatit Élysée.

    Të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen “në momentin kur do të jetë më i dobishëm dhe efektiv” pas takimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, thuhet në deklaratë.

    Zelensky u takua këtë javë në Berlin me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer.

  • Spanja po lufton me 14 zjarre të mëdha në “kushte të pafavorshme”

    Spanja po lufton me 14 zjarre të mëdha në “kushte të pafavorshme”

    Spanja është duke u përballur me 14 zjarre të mëdha dhe autoritetet paralajmëruan të premten se “kushte të pafavorshme” po e bëjnë më të vështirë luftimin tyre.

    Si pasojë e zjarreve kanë humbur jetën shtatë njerëz këtë muaj në Spanjë.

    Vala e të nxehtit, që ka zgjatur 12 ditë, dhe erërat nga jugu, e kanë bërë edhe më sfiduese punën e zjarrfikësve në një nga verat më të vështira për zjarret në 20 vjetët e fundit, tha Virginia Barcones, drejtoreshë e përgjithshme e shërbimeve të emergjencës.

    “Në pjesën perëndimore të vendit, situata është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Barcones për RTVE.

    Në Galicia, disa vatra zjarri u bashkuan duke formuar një zjarr edhe më të madh, i cili detyroi mbylljen e rrugëve dhe shërbimeve hekurudhore drejt rajonit. Zjarret në provincën Ourense në Galicia u përhapën deri në provincën fqinje Zamora.

    Derisa shumë banorë u evakuuan, disa qëndruan për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre.

    Agjencia kombëtare e motit AEMET paralajmëroi për rrezik ekstrem zjarri në veri dhe perëndim të vendit, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius në bregun verior.

    “Sot do të jetë një tjetër ditë shumë e vështirë, me rrezik ekstrem për zjarre të reja”, shkroi në X kryeministri Pedro Sanchez.

    Një zjarr pranë Molezuelas de la Carballeda në rajonin Castile dhe Leon, që është një nga më të mëdhenjtë në historinë e Spanjës, nuk kishte avancuar që nga e enjtja, tha Angel Sanchez, kreu i shërbimit të zjarreve pyjore në rajon.

    “Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta vënë nën kontroll atë”, shtoi ai.

    Kushtet po shkaktojnë përhapjen e zjarreve me shpejtësi të tillë, sa që zjarrfikësit mund të humbasin kontrollin brenda pak kohësh.

    Dy persona u arrestuan në Costa da Morte në Galicia për shkaktim të zjarreve, pasi dogjën jashtëligjshëm kabllo bakri për të nxjerrë metalin dhe për ta shitur, sipas Ministrisë së Brendshme.

    Zjarret këtë vit kanë djegur mbi 157.000 hektarë, pothuajse dyfishin e mesatares vjetore që nga viti 2006, sipas Shërbimit të Informacionit mbi Zjarret Pyjore të Bashkimit Evropian./REL

  • Daçiq: Mes të ndaluarve gjatë protestave në Serbi ka qytetarë të Kroacisë dhe Sllovenisë

    Daçiq: Mes të ndaluarve gjatë protestave në Serbi ka qytetarë të Kroacisë dhe Sllovenisë

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se 114 njerëz janë arrestuar pas incidenteve në protesta në të gjithë Serbinë, në mesin e tyre tre shtetas të huaj, nga Kroacia, Sllovenia dhe Italia.

    “Çfarë po bën një qytetar kroat në një protestë dhe duke sulmuar xhandarmërinë? Imagjinoni sikur një turmë serbe nga këtu të shkonte në Zagreb dhe ta sulmonte policinë e tyre”, tha Daçiq në një konferencë për media.

    Të enjten mbrëma, në Beograd dhe Novi Sad u shënuan sërish incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe, të thirrura nga studentët që prej muajsh po bllokojnë institucionet e arsimit të lartë.

    Daçiq tha se shtetasi slloven i ndaluar është me origjinë serbe dhe se ai “ka përfunduar studimet e inteligjencës në SHBA”.

    “Kaq për mungesën e përfshirjes së huaj”, shtoi ai, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Sipas ministrit, 75 oficerë policorë u plagosën gjatë trazirave të së enjtes në mbrëmje dhe deri më tani janë ngritur 34 kallëzime penale dhe janë shqiptuar 28 kundërvajtje.

    Ai shtoi se në tri ditët e mëparshme, 121 oficerë policorë u plagosën në incidente në protesta në të gjithë Serbinë, nëntë prej të cilëve rëndë.

    Për tri mbrëmje radhazi, protesta antiqeveritare janë organizuar në qytete anembanë Serbisë, gjatë të cilave paralelisht u mblodhën edhe mbështetës të Qeverisë.

    Gjatë këtyre tubimeve, të cilat u thirrën nga studentë dhe qytetarë që i mbështetën ata, shpërthyen disa incidente.

    Protestat antiqeveritare të udhëhequra nga studentët kanë vazhduar në Serbi për më shumë se nëntë muaj, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 16 nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, më 1 nëntor.

    Qeveria mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe refuzon të shpallë zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat e fundit të organizatorëve të protestave masive./REL

  • Hiqni njollat dhe pikat e errëta në lëkurë me një recetë të vjetër indiane

    Hiqni njollat dhe pikat e errëta në lëkurë me një recetë të vjetër indiane

    Ky trajtim i thjeshtë, i bazuar në parimet e Ayurveda-s, shkencës së lashtë indiane të shërimit, ka ndihmuar për shekuj në zbehjen e njollave dhe përmirësimin e pamjes së lëkurës

    Njollat dhe pikat e errëta janë një problem i zakonshëm estetik që lind kur në lëkurë prodhohet më shumë melaninë, pigmenti natyral që i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve.

    Ky fenomen mund të shkaktohet nga ekspozimi i tepërt në diell, ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë, përdorimi i disa medikamenteve, dëmtimet fizike apo procesi natyror i plakjes.

    Edhe pse nuk paraqesin rrezik shëndetësor, këto njolla shpesh ndikojnë në vetëbesim dhe në mënyrën se si e shohim veten.

    Ky trajtim natyral është informues dhe nuk zëvendëson këshillat profesionale të mjekut ose dermatologut.

    Çfarë është hiperpigmentimi?

    Hiperpigmentimi është një çrregullim i ngjyrës së lëkurës që shfaqet me zona të errëta si pasojë e rritjes së prodhimit të melaninës. Ai mund të shkaktohet nga rrezet e diellit, shtatzënia, sëmundje të ndryshme, plakja ose trauma në lëkurë. Njollat kafe të këtij lloji janë të padëmshme për shëndetin, por shpesh janë të bezdisshme nga ana estetike.

    Shkaqet ndahen në dy grupe:

    Të jashtme – ekspozimi në rrezet e diellit ose kontakt me substanca kimike (p.sh. betaksolol, minociklinë, estrogjen, progesteron etj.).

    Të brendshme – prirja gjenetike; personat me ngjyrë më të errët të lëkurës janë më të predispozuar për ta zhvilluar këtë gjendje.

    Pikat e imta, njollat e plakjes dhe ato të shkaktuara nga dielli vijnë nga rrezet ultraviolet (UV) që dëmtojnë melaninën, duke shkaktuar ndryshime të përkohshme ose të përhershme të ngjyrës së lëkurës. Më shpesh shfaqen në fytyrë dhe duar, por mund të paraqiten kudo në trup që ka qenë i ekspozuar në diell.

    Gjithashtu, edhe plagët nga trauma ose operacioni mund të lënë ndryshime të ngjyrës së lëkurës. Edhe pse problemi fillestar zhduket, njollat e errëta shpesh mbeten.

    Melasma është një formë e hiperpigmentimit që shfaqet gjatë shtatzënisë, por ndonjëherë mund të prekë edhe meshkujt. Njihet si “maska e shtatzënisë” sepse njollat kafe shfaqen kryesisht në fytyrë – në hundë dhe faqe. Zakonisht zhduket vetvetiu pas shtatzënisë dhe nuk paraqet rrezik shëndetësor, transmeton Telegrafi.

    Receta natyrale kundër hiperpigmentimit

    Përbërësit:

    ▪ 1 lugë çaji pluhur shafrani të Indisë (kurkumë/turmerik)
    ▪ 1 lugë çaji lëng limoni të freskët

    Përgatitja dhe përdorimi:

    ▪ Përziejini mirë përbërësit derisa të krijohet një masë homogjene.
    ▪ Aplikojeni në zonat e prekura.
    ▪ Lëreni të veprojë për rreth 15 minuta, derisa të thahet.
    ▪ Shpëlajeni me ujë të ftohtë.

    Mos e ekspozoni lëkurën në diell menjëherë pas aplikimit!

    Këshillohet përdorimi para dushit.

    Përsëriteni 1-2 herë në ditë derisa të shihni përmirësim të dukshëm.

    Ky trajtim natyral funksionon sipas parimeve të Ayurveda-s:

    ▪ Limoni vepron si zbardhues natyral dhe nxit heqjen e shtresave të vdekura të lëkurës.

    ▪ Kurkuma jo vetëm që ndihmon në zbardhjen e njollave (një sekret bukurie i njohur mirë në Indi), por ka edhe veti të fuqishme anti-inflamatore, duke i dhënë lëkurës shkëlqim natyral.

    ▪ Për personat me lëkurë shumë të ndjeshme, lëngu i limonit mund të hollohet me ujë ose të zëvendësohet me qumësht.

    Provojeni dhe do të shihni ndryshimin!

  • Dua Lipa nuk harron traditën shqiptare, kërcen me gotë mbi kokë në pushimet në Ibiza

    Dua Lipa nuk harron traditën shqiptare, kërcen me gotë mbi kokë në pushimet në Ibiza

    Dua Lipa ka nisur festimet e hershme të ditëlindjes së saj të 30-të, me disa ditë në Ibiza, Spanjë, e rrethuar nga miqtë dhe të afërmit më të ngushtë.

    Artistja shqiptare me famë botërore ka publikuar pamje nga atmosfera festive, ku shihet duke kërcyer dhe shijuar muzikën spanjolle në një festë plot ngjyra dhe energji.

    E veshur me stil dhe e rrethuar nga njerëzit e saj të dashur, Dua nuk iu rezistoi ritmeve, teksa vallëzimi i vinte krejt natyrshëm. Ajo rrezatonte sharm dhe vetëbesim, duke u kthyer në qendër të vëmendjes në çdo lëvizje.

    Një nga momentet më të veçanta që ajo ndau me ndjekësit ishte vallëzimi me gotë mbi kokë – një zakon i njohur në dasmat shqiptare.

    Në njërën nga videot, ajo shihet duke kërcyer me hijeshi, me një gotë të mbushur mbi kokë që nuk lëviz asnjë centimetër, edhe pse lëvizjet e saj janë plot dinamizëm.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by DUA LIPA (@dualipa)


    Ky detaj i ka emocionuar fansat, pasi risjell një moment tjetër të ngjashëm nga e kaluara, kur Dua ishte parë duke kërcyer me gotë mbi kokë, por atëherë nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare.

    Përmes këtij vallëzimi simbolik dhe pranisë së miqve të ngushtë, Dua Lipa feston një kapitull të ri të jetës. /Telegrafi/

     

  • Edhe dy javë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, deri tani janë regjistruar 5 mijë e 445 votues

    Edhe dy javë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, deri tani janë regjistruar 5 mijë e 445 votues

    Vetëm edhe dy javë, deri më 29 gusht 2025, kanë mbetur për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

    Deri më tani, ky proces, i cili ka filluar më 23 korrik, ka ngjallur pak interesim, pasi vetëm rreth 5,500 shtetas të Kosovës nga diaspora janë regjistruar për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të dhënat e fundit nga procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

    “Deri më sot (e premte, 15 gusht, ora 12:00) përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 7,026 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 5,445, ndërkaq janë refuzuar 1,581”, tregoi Elezi.

    Sipas tij, “në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.))”.

    Po sipas të dhënave nga KQZ, komuna me më së shumti votues të regjistruar jashtë Kosovës është Suhareka me 526, Deçani me 442, Dragashi 440 dhe Istogu, Gjakova e Klina me mbi 300 votues të regjistruar.

    Numri më i madh i votuesve të regjistruar është nga shteti i Gjermanisë (2,767), i pasuar nga ai i Zvicrës (1,121), e të tjera.

  • Prattipati pret në takim përfaqësues të Listës Serbe, thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës

    Prattipati pret në takim përfaqësues të Listës Serbe, thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës

    E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati ka vazhduar takimet me përfaqësues të partive politike të Kosovë.

    Ajo priti në një takim përfaqësuesit e Listës Serbe, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e gjerë nga të gjitha partitë është thelbësore për të siguruar që çdo komunitet të ketë një zë në të ardhmen e Kosovës.

    Në postimin e Ambasadës Amerikane në Facebook tutje thuhet se e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Kosovë, Prattipati po ashtu theksoi rëndësinë e komunitetit serb të Kosovës dhe përfaqësuesve të tij për të marrë pjesë plotësisht në punën e institucioneve të Kosovës.

    “Vetëm përmes angazhimit aktiv mund të dëgjohen dhe adresohen zërat, shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

    Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

  • Apeli e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

    Apeli e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

    Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale e ka refuzuar kërkesën e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për ta hedhur poshtë vendimin e Themelores që nuk ua mundësoi lirimin e përkohshëm treshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kërkesa e tyre për t’u liruar përkohësisht pas përfundimit të rastit të Prokurorisë së Specializuar ishte hedhur poshtë nga Themelorja më 13 maj 2025, ndërkaq Veseli, Selimi dhe Krasniqi e apeluan vendimin dhe hoqën dorë përkohësisht nga e drejta për rishikim të çdo-dy-muajshëm të paraburgimit deri në vendimin e ri.

    Hashim Thaçi nuk e pati dorëzuar fare një kërkesë të tillë për lirim të përkohshëm meqë ndaj tij po zhvillohet edhe një proces tjetër gjyqësor për tentim-pengimi të drejtësisë.

  • Urdhër-arrest ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e popullsisë nga Kosova

    Urdhër-arrest ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e popullsisë nga Kosova

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë ndaj 21 personave për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.

    Ndaj të njëjtëve, prokurori special Atdhe Dema tha se është lëshuar edhe urdhër-arrest ndërkombëtar.

    Sipas provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake, të pandehurit, të cilët janë në numër, kanë ushtruar kontroll dhe autoritet mbi forcat e armatosura në territoret përkatëse të Kosovës, duke përfshirë Ushtrinë e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Policinë e Serbisë.

  • Këto opsione të fshehura mund ta bëjnë Wi-Fi-në e hotelit shumë më të shpejtë

    Këto opsione të fshehura mund ta bëjnë Wi-Fi-në e hotelit shumë më të shpejtë

    Pavarësisht nëse jeni në një udhëtim pune apo në pushime, një Wi-Fi i ngadaltë në dhomën e hotelit mund t’ju prishë planet.

    Lajmi i mirë është se ka disa mënyra për të përshpejtuar internetin, pa u mbështetur vetëm në cilësinë e rrjetit të hotelit. Disa truke përfshijnë rregullimet në vetë pajisjen, ndërsa të tjerat kërkojnë pajisje shtesë ose planifikim paraprak.

    Një nga hapat e parë që mund të provoni është ndryshimi i serverit DNS. DNS-i i parazgjedhur i hotelit mund të jetë i ngadaltë, ndaj kalimi te Google DNS ose Cloudflare shpesh sjell ngarkim më të shpejtë të faqeve dhe një lidhje më të qëndrueshme. Vlen gjithashtu të provoni rifillimin e pajisjes, pasi ruterët modernë zakonisht zgjedhin automatikisht kanale më pak të ngarkuara, gjë që mund të përmirësojë rezultatin.

    Nëse dyshoni se hoteli po kufizon shpejtësinë e trafikut të internetit, një zgjidhje mund të jetë përdorimi i një shërbimi VPN. Ai krijon një lidhje të sigurt dhe të enkriptuar, dhe mund të anashkalojë kufizimet e vendosura. Mund të provoni të harroni rrjetet që nuk i përdorni më ose të rivendosni plotësisht cilësimet e rrjetit në pajisje. Kjo mënyrë heq cilësimet e vjetra dhe të panevojshme, gjë që ndonjëherë përshpejton lidhjen Wi-Fi.

    Rekomandohet gjithashtu që para udhëtimit të përditësoni sistemin operativ dhe drejtuesit (drivers) e pajisjeve, pasi softueri i vjetëruar mund të ndikojë negativisht në shpejtësinë e lidhjes.

    Është e rëndësishme të merrni parasysh edhe vendndodhjen fizike brenda hotelit. Dhomat afër pikave kryesore të aksesit (ruterëve) zakonisht kanë sinjal më të fortë. Shmangni dhomat me mure të trasha ose sipërfaqe të mëdha metalike midis jush dhe ruterit. Gjithashtu, përpiquni të shmangni përdorimin e Wi-Fi-së gjatë orëve të ngarkuara.

    Për ata që duan më shumë kontroll mbi lidhjen, ruterët portativë mund të jenë një zgjidhje e shkëlqyer. Ata zgjerojnë rrjetin ekzistues dhe krijojnë një lidhje tuajën private dhe më të qëndrueshme. Edhe më mirë është lidhja përmes kabllit Ethernet, nëse është e disponueshme në dhomën e hotelit apo në qendrën e biznesit të tij.

    Nëse asgjë tjetër nuk funksionon, mund të përdorni hotspot-in mobil të telefonit tuaj ose të kombinoni rrjetin celular me atë të hotelit përmes softuerëve që bashkojnë lidhje, për të marrë një internet më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm. /