120 aksidente janë raportuar të kenë ndodhur në Kosovë gjatë 24-orëve të fundit.
Kështu ka njoftuar policia e Kosovës përmes raportit të saj të përditshëm.
Në raport thuhet edhe se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar mbi 2 mijë e 300 gjoba.

120 aksidente janë raportuar të kenë ndodhur në Kosovë gjatë 24-orëve të fundit.
Kështu ka njoftuar policia e Kosovës përmes raportit të saj të përditshëm.
Në raport thuhet edhe se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar mbi 2 mijë e 300 gjoba.

Një person është arrestuar në Pejë pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e tij.
Sipas autoriteteve, pas inicimit të rastit dhe intervistimit nga organet kompetente, prokurori ka vendosur që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.
“Pejë 15.08.2025 – 14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte sulmuar fizikisht vajzën e tij. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit i dyshuari Është liruar në procedurë të rregullt”, njofton PK.

Policia ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur në Prishtinë.
Në njoftim thuhet se vëllai ka sulmuar fizikisht motrën e tij.
Viktima thuhet se ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është në kërkim nga Policia.
“Është raportuar se viktima femër kosovare, është sulmuar fizikisht vëllai i saj. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari është në kërkim nga policia”.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar të mërkurën se nga sot (16 gusht) do të shkyçen nga rrjeti të gjitha bizneset që i plotësojnë kushtet për të dalë në treg të hapur të energjisë nëse ato nuk kanë lidhur kontratë me furnizues.
Ky paralajmërim erdhi pasi që Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale i ka dhënë të drejtë ZRRE-së, në lidhje me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025.
Sipas tij, të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Për të mos mbetur pa energji gjatë kësaj periudhe tranzitore, bizneset u furnizuan përkohësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit.
Rafuna: Skandaloze nëse ZRrE-ja ua ndërpret energjinë bizneseve më 16 gusht
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka kritikuar ashpër vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike për bizneset që nuk kanë lidhur kontratë me furnizues të licencuar.
Rafuna e ka cilësuar vendimin si “skandaloz” nëse zbatohet më 16 gusht, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të dëmtonte rëndë bizneset dhe ekonominë.
“Ka shumë biznese që kanë pasur këtë masë dhe u është hequr nga tregu i lirë, ndërkohë që janë kthyer në tregun e rregulluar, duke prishur konkurrencën e drejtë dhe të barabartë, të garantuar nga e drejta kushtetuese. I bëjmë thirrje ZRRE-së të jetë e kujdesshme dhe të mos ndërmarrë veprime që mund të dëmtojnë ekonominë dhe stabilitetin e biznesit në Kosovë,” tha Rafuna për FrontOnline.
Rexhepi: ZRrE-ja dhe KEDS të mos nguten, të rishikojnë edhe një herë vendimin
Njohësi i çështjeve energjetike, Vezir Rexhepi, ka vlerësuar se shkyçja e rreth 1.300 bizneseve nga tregu i lirë i energjisë është një numër i madh dhe përfshinë pjesë të konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike.
‘’Kur dihet se diku 1300 biznese do të dalin në treg të lirë energjetik, dihet se është një numër shumë i madh dhe e përfshin një pjesë goxha të madhe të energjisë elektrike që e shfrytëzojnë, mendoj që nuk duhet të nguten as ZRRE dhe as KEDS’’, tha Rexhepi.
Ai ka thënë se vendimi duhet të rishikohet dhe të bëhet përgatitje më e mirë, që bizneset të kenë kohë për t’u orientuar për furnizimin e energjisë, ndërsa KEK mund të veprojë si furnizues i mundësisë së fundit deri sa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.
‘’Do të ishte mirë ti mundësohej edhe një zgjatje si furnizues i mundësisë së fundit Korporatës Energjetike të Kosovës tua mundësojë këtyre bizneseve deri ta marrin qëndrueshmërinë me furnizimin elektrik në të ardhmen’’, tha Rexhepi.
Mulaj : Vendimi i ZRrE-së nuk është i drejtë, do të pësojnë bizneset
Ismet Mulaj, njohës i çështjeve të energjetikës, në një prononcim për Front Online ka deklaruar se vendimi i ZRRE-së për shkyçjen e bizneseve që nuk kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar nuk është i drejtë.
Sipas tij, shumë biznese nuk kanë pasur kohë të përgatiten për të kaluar në tregun e lirë dhe kjo mund t’u shkaktojë probleme .
‘’Vendimmarrja e forcuar e ZRRE-së për mua nuk është e drejtë. Shumë prej bizneseve do tu shkaktojë telashe sepse nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontratat me operatorët tjerë në treg , nuk janë përgatit që të dalin në treg të lirë’’, tha Mulaj.
Ai ka thënë se në rast se bizneset fitojnë të drejtën e tyre në Gjykatën Supreme apo gjykata të tjera, ZRRE do të përballet me to.
Mulaj ka përmendur gjithashtu moskthimin e parave për konsumatorët e jugut që kanë paguar për 10 vite për opsionin verior të rrjetit, duke paralajmëruar se situata e njëjtë mund të ndodhë edhe me bizneset nëse e fitojnë të drejtën e tyre.
‘’ ZRRE ende nuk ka arritur t’i kthejë paratë e konsumatorëve te jugut që kanë paguar për 10 vite për pjesën veriore rrymë për shkak se nuk po gjen mekanizmat si ta bëjë atë të drejtë e njëjta histori do të ndodhë edhe me bizneset që e fitojnë të drejtën e tyre në Gjykatën Supreme apo gjykatat e tjera’’, deklaroi Mula.

Katër persona janë arrestuar në Fushë Kosovë nën dyshimin se kanë hedhur prej ndaj një burri dhe të njëjtit ia kanë grabitur çantën e krahut.
Siç bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, në çantën e krahut gjendeshin 8 mijë euro.
Të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
“Rr. Nëna Terezë, Fushë Kosovë 15.08.2025 – 01:03. Raportohet se janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit duke i hedhur sprej viktimës mashkull kosovar, i kanë grabitur çantën e krahut me 8.000 €. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, njofton PK.

Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ndikimin negativ që po ka mosfunksionimi i institucioneve qendrore në nivelin lokal.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi theksoi se shumë projekte komunale janë bllokuar për shkak të mungesës së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe masave të BE-së, duke pamundësuar shfrytëzimin e fondeve të zotuara për Kosovën.
“Mosfunksionimi i institucioneve qendrore ka ndikim negativ edhe në funksionimin e pushtetit lokal, problematika është shumë dimensionale, si nga aspekti financiar por edhe legjislativ. Shumë mjete financiare që janë të zotuara nga BE, nuk mund të thithen nga Kosova për shkak se duhet një marrëveshje ndërkombëtare, ku me dhjetëra miliona euro shkojnë edhe në nivel lokal. Për shkak të masave të BE-së, shumë projekte në nivel lokal që kanë qenë të planifikuara nuk mund të zbatohen apo janë ndërprerë. Komunave u janë duke u marrë mjete financiare të shumta për shkak të zbatimit të shumtë të lëndëve gjyqësore, në veçanti procedurat përmbarimore gjyqësore që kanë të bëjnë me kontratat kolektive. Gjatë këtyre tre vite e gjysmë, komunave u janë marrë padrejtësisht mbi 210 milionë euro, ku shumica absolute e tyre janë marrë për shkak të zbatimit të kontratave kolektive, ku komunat nuk kanë asnjë faj të vetëm për këtë çështje. Me qindra miliona euro nuk kanë mundur të përkthehen në investime kapitale, në subvencione, mallra dhe shërbime për shkak të kontratave kolektive dhe mospërgatitjes së nivelit qendror për ta zgjidhur këtë problem”, tha ai.
Ibrahimi kritikoi mungesën e gatishmërisë së nivelit qendror për të zgjidhur problemet e krijuara nga kontratat kolektive, të cilat kanë shkaktuar humbje prej mbi 210 milionë euro për komunat.
“Niveli qendror po të donte, mund ta zgjidhte këtë problem, duke paraparë një vijë buxhetore që e mbulon koston e kontratës kolektive, por më e dhimbshme është që me miliona euro shkojnë tek përmbaruesi dhe këto mjete financiare janë të taksapaguesve kosovarë. Nuk jemi kundër përmbaruesve, por niveli qendror me dashje është duke lëshuar këtë gabim. Si pasojë e kësaj, mijëra euro shkojnë tek përmbaruesit. Vitin e kaluar kemi pasur rënie drastike të të hyrave vetanake nga tatimi në pronë dhe kjo është pasojë e mospërgatitjes së nivelit qendror për bashkëpunim me komunat”, tha ai.
Ai kërkoi që pas konstituimit të institucioneve të nisë urgjentisht amendimi i ligjeve për financat lokale, tatimin në pronë dhe prokurimin publik, të cilat aktualisht paraqesin pengesë për një ndarje të drejtë të buxhetit mes nivelit qendror dhe atij lokal.
“Ne presim që me konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë të fillohet amendamenti i menjëhershëm i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, Ligjit për Tatimin në Pronë dhe Ligjit për Prokurimin Publik, sepse këto ligje janë pothuajse pengesat kryesore në mosndarjen e drejtë të mjeteve financiare nga niveli qendror kundrejt komunave të Kosovës. Shumica absolute e kryetarëve theksojnë se ka pabarazi në ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore ndaj komunave”, tha ai.

Me aeroplanë luftarakë, tapet të kuq dhe slogani shpresëdhënës “Në ndjekje të paqes”, presidenti amerikan, Donald Trump priti homologun rus, Vladimir Putin në një samit në Alaska, i cili përfundoi papritur dhe pa rezultate të qarta.
Pas gati tre orësh takim, të dy liderët deklaruan “përparim”, por lanë konferencën për shtyp pa sqaruar çfarë kishin arritur konkretisht, raporton cnn.
E vetmja gjë e sigurt: nuk u arrit asnjë marrëveshje. Armëpushimi që Trump dëshironte nuk u realizua, ndërsa ai ia kaloi përgjegjësinë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për të “arritur një marrëveshje”, raporton cnn.
“Ramë dakord për shumë gjëra – shumicën, do të thosha”, tha Trump, por shtoi se “ka disa pika të mëdha ku ende nuk jemi pajtuar plotësisht”. Ai theksoi “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”, transmeton Telegrafi.
Samiti, megjithëse pa përfundime konkrete, shënoi një rikthim të dukshëm të Putinit në skenën diplomatike. Megjithatë, sfidat ishin të dukshme që në fillim: ndërsa liderët takoheshin në bazën ajrore Elmendorf, Ukraina njoftoi për sulme të reja ajrore ruse — një shenjë se Putini nuk ka ndërmend të ndalë luftën, edhe pse pritej me nderime në tokën amerikane.
Përparim, por jo marrëveshje

Trump dhe Putin dhanë komente të paqarta pas një takimi disaorësh.
“Patëm një takim shumë produktiv dhe u ramë dakord për shumë pika. Kanë mbetur vetëm disa çështje, shumica jo të rëndësishme, njëra shumë e rëndësishme – por kemi shumë mundësi ta arrijmë. Nuk e arritëm ende, por jemi afër”, tha Trump.
Në një intervistë menjëherë pas samitit, Trump u pyet për lëshime territoriale ndaj Rusisë dhe garanci të mundshme të sigurisë për Ukrainën. Ai tha se për këto pika “kemi negociuar dhe jemi dakordësuar në pjesën më të madhe”, pa dhënë detaje.
Shtoi se Ukraina “duhet të pranojë”. Kur u pyet çfarë këshille ka për Zelenskyn, tha se “duhet të bëjë një marrëveshje”.
Para bisedimeve, ishte më e lehtë të kuptohej si do dukej një dështim sesa një sukses. Trump kishte kërcënuar se do të largohej nga takimi nëse nuk i pëlqente qëndrimi i Putinit, se mund të anulonte konferencën e përbashkët dhe kishte paralajmëruar pasoja të rënda për Rusinë nëse lufta vazhdonte.
Por gjatë fluturimit për në Anchorage, ai pranoi se nuk e dinte si do dukej një sukses – duke thënë se do ta njihte kur ta shihte.
Në fund, suksesi ishte po aq i paqartë pas samitit sa edhe në fillim.
Trump thotë se do të jetë pjesë e një takimi të mundshëm mes Putinit dhe Zelenskyt

Në intervistën për Fox, Trump deklaroi se si Putin, ashtu edhe Zelensky, duan që ai të marrë pjesë në një takim të dytë mes tyre — që sipas tij ishte edhe qëllimi përfundimtar para samitit.
“Të dy duan të jem aty, dhe unë do jem”, tha ai.
Në konferencën për shtyp, ai nuk përmendi një takim trepalësh, por tha se do fliste në telefon me “personat e duhur” – përfshirë Zelenskyn – për t’i informuar mbi bisedimet.
Gjatë paraqitjes së përbashkët me Putinin, e vetmja nismë konkrete e përmendur ishte një takim i dytë mes Trump dhe Putinit.
“Do flasim së shpejti dhe ndoshta do shihemi përsëri shumë shpejt”, tha Trump. “Herën tjetër në Moskë”, u përgjigj Putin në anglisht – një sugjerim që duket se e përjashton nga diskutimi Zelenskyn.
Putin rikthehet në skenën botërore

Menjëherë pas arritjes në SHBA, buzëqeshja e Putinit nga dritarja e limuzinës së Trumpit tregonte gjithçka: pas viteve të izolimit perëndimor, ai ishte rikthyer në vendin më të fuqishëm në botë.
Putin nuk kishte qenë në SHBA për 10 vjet dhe prej kohësh nuk ishte pritur në një samit presidencial. Pas pushtimit të Ukrainës në 2022, ai u bë i padëshiruar nga liderët perëndimorë dhe u përball me urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale – ndaj Alaska ishte zgjedhur pjesërisht sepse SHBA nuk është anëtare e saj.
Por, izolimi përfundoi sapo zbarkoi në Anchorage. Me pritje me tapet të kuq, aeroplanë luftarakë dhe duartrokitje nga vetë Trump, mesazhi ishte i qartë: Putin ishte kthyer. Përshëndetja e tyre me buzëqeshje u cilësua në mediat shtetërore ruse si “një shtrëngim duarsh historik”.
Edhe pse ende i padëshiruar në shumë vende të Evropës, mikpritja nga Trump – udhëheqësi i ekonomisë dhe ushtrisë më të fuqishme në botë – minoi përpjekjet për izolimin e Putinit më shumë se çdo lider tjetër. Ky rikthim u simbolizua kur Putin hipi në makinën e blinduar të Trump – një veprim i pazakontë, por shumë domethënës.
Edhe pa arritur ndonjë marrëveshje të madhe, për Putinin, kjo ishte një fitore.
Asistentë u shtuan në atë që ishte planifikuar si takim kokë më kokë

Befasia ndodhi sapo Trump zbriti nga aeroplani: takimi me Putinin nuk do të ishte më kokë më kokë, vetëm me përkthyesit. Në vend të kësaj, dy këshilltarë do t’i bashkoheshin secilit lider gjatë bisedimeve dypalëshe.
Kjo ishte ndryshe nga sa kishte njoftuar Shtëpia e Bardhë më herët gjatë javës, ku thuhej se do të kishte një pjesë të takimit vetëm mes dy presidentëve. Një zyrtar amerikan tha se ky ishte një ndryshim i vonshëm, pa dhënë shpjegime pse ndryshoi formati.
Takimet kokë më kokë të Trump me Putinin gjatë mandatit të parë kishin qenë shpesh të paqarta. Me vetëm përkthyesit të pranishëm, nuk dihej çfarë ishte diskutuar saktësisht, dhe ndihmësit shpesh nuk mund të përcaktonin nëse ishte arritur ndonjë marrëveshje. Pas një takimi të tillë në Gjermani, Trump i kërkoi përkthyesit të hidhte poshtë shënimet.
Pjesëmarrja e dy ndihmësve në takimin e së premtes – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff – mund të sjellë më shumë qartësi në ditët në vijim, sidomos nëse Rusia jep një version të ngjarjeve që bie ndesh me atë të SHBA-së.
Megjithatë, një moment mbeti vetëm mes Trump dhe Putinit: udhëtimi i shkurtër me limuzinën presidenciale nga pista deri në dhomën e takimit. Brenda veturës ishin vetëm ata dhe agjentët e Shërbimit Sekret – pa këshilltarë apo përkthyes.
Përmbajtja e atij bisedimi të shkurtër dihet vetëm nga ata të dy. /Telegrafi/

Protesta antiqeveritare në Serbi u mbajtën edhe të premten mbrëma në disa qytete serbe. Gjatë protestave janë shënuar incidente.
Në qendër të Beogradit, xhandarmëria u përplas me demonstruesit antiqeveritarë, ndërsa përleshje pati edhe në Bulevardin e Mbretit Aleksandër.
Protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe dogjën kontejnerë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe i shpërndau demonstruesit me automjete të blinduara.
Gjatë protestave raportohet se ka të lënduar, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në Novi Sad, protesta përfundoi zyrtarisht rreth orës 22:30 dhe tubimi kaloi i qetë.
Protestat antiqeveritare u organizuan si reagim ndaj sulmeve të mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) ndaj kundërshtarëve të pushtetit në dy qytete të Vojvodinës – në Vërbas dhe Baçka Palankë – më 12 gusht.
Në protestat e organizuara ditëve të kaluara ka pasur përplasje të ashpra mes demonstruesve antiqeveritarë dhe aktivistëve të SNS-së, të cilët i kanë goditur protestuesit me mjete piroteknike.
Protestat antiqeveritare të udhëhequra nga studentët kanë vazhduar në Serbi për më shumë se nëntë muaj. Protestuesit kërkojnë që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 16 nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, më 1 nëntor 2024.
Qeveria serbe mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe refuzon të shpallë zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat e fundit të organizatorëve të protestave masive./REL

Me vransira kalimtare e intervale me diell parashihet moti ditën e shtunë në vend.
Pasdite më vonë zhvillime të rrebesheve të shiut dhe bubullima, priten përreth zonave malore.
Temperaturat minimale zbresin në 16C deri 19C. Maksimalet gjatë ditës 32C deri 35C. Frynë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 5-11m/s.
Të dielen orëve të pasdites shfaqen kushte për rrebeshe shiu dhe bubullima, fillimisht përreth zonave malore, që më vonë mund të shtrihen edhe në pjesë tjera.
Ditën e hënë rrebeshet do të jenë më të përhapura në vend.
Temperaturat maksimale pësojnë rënie deri në 25C e 26C.
Minimalet zbresin në 12C e 13C. Nga dita e martë mot më stabil me më shumë intervale me diell. Temperaturat në rritje deri në 31C e 33C, ditën e mërkurë. Erërat frynë nga verilindja të lehta dhe mesatare 5-12m/s.

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) ka njoftuar se pika kufitare në Glloboçicë, mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është mbyllur përkohësisht.
Sipas njoftimit, rreth orës 15:40 autoritetet maqedonase kanë informuar palën kosovare se, për shkak të një zjarri të madh pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut që paraqet, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabit të Krizave të RMV-së, është vendosur mbyllja e kufirit në këtë pikë.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe përdorimin e pikave të tjera kufitare deri në normalizimin e situatës.