ATV

Author: G.O.

  • Deklarohen të pafajshëm Klinaku e Selmani për kanosjen e Albin Kurtit

    Deklarohen të pafajshëm Klinaku e Selmani për kanosjen e Albin Kurtit

    Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku po akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Kurti ka thënë se nuk do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike.

  • Kurti arrin në Gjykatën Themelore

    Kurti arrin në Gjykatën Themelore

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar lidhur me akuzën për kanosje ndaj tij.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar lidhur me akuzën për kanosje ndaj tij, raporton KosovaPress.

    I akuzuar është Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së dhe Nuredin Selmani, te dy këta po marrin pjesë në seancë./Kosovapress

  • Faton Klinaku sot para gjykatës, akuzohet për kanosje ndaj kryeministrit Kurti

    Faton Klinaku sot para gjykatës, akuzohet për kanosje ndaj kryeministrit Kurti

    Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca e parë ndaj Faton Klinakut, i akuzuar për kanosje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Seanca është caktuar të nisë në orën 09:00, dhe sipas procedurës pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Kurti në cilësinë e të dëmtuarit.

    Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se më 30 gusht 2023 kanë kanosur Kurtin përmes postimeve në rrjete sociale.

    Në aktakuzë, Klinaku përmendet për ripostimin e një mesazhi me përmbajtje kërcënuese, ku thuhej: “…Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”

    Disa javë më parë, Prokuroria njoftoi se aktakuza ndaj Klinakut dhe të dyshuarit tjetër, N.S., për veprën penale “Kanosja”, i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Klinaku, anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka deklaruar më herët se nuk ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me kryeministrin Kurti në gjykatë.

    Gjykata pritet të vendosë mbi vlefshmërinë e aktakuzës dhe vijimin e procedurës penale.

  • Të enjten tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve

    Të enjten tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve

    Të enjtën, më 4 shtator, më shumë se 90 përfaqësues të subjekte politike do të tërheqin shortin për renditjen e subjekteve të tyre në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se subjektet politike janë njoftuar për këtë aktivitet.

    “Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime është një proces i hapur, duke garantuar transprencë e plotë dhe trajtim i barabartë i të gjitha subjekteve politike”, tha Elezi.

    Fushata zgjedhore për subjektet politike do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë pak para hapjes së Qendrave të Votimit, në orën 06:59 të datës 12 tetor.

  • Google i shpëton ndarjes, por detyrohet të ndajë të dhëna me konkurrentët

    Google i shpëton ndarjes, por detyrohet të ndajë të dhëna me konkurrentët

    Google nuk do të duhet të shesë shfletuesin e saj Chrome, por duhet të ndajë informacione me konkurrentët, ka urdhëruar një gjykatës federal amerikan.

    Masat e vendosura nga gjykatësi i Distriktit, Amit Mehta, dolën pas një beteje disavjeçare gjyqësore mbi dominimin e Google-it në kërkimin online.

    Rasti ishte përqendruar rreth pozitës së Google-it si motor kërkimi parazgjedhur në një sërë produktesh të veta si Android dhe Chrome, si dhe në produkte të kompanive të tjera si Apple.

    Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së kishte kërkuar që Google të shiste Chrome – por vendimi i së martës do të thotë se gjiganti teknologjik mund ta mbajë atë, megjithatë do t’i ndalohet të ketë kontrata ekskluzive dhe do të duhet të ndajë të dhëna kërkimi me rivalët.

    Google kishte propozuar zgjidhje më pak drastike, si kufizimi i marrëveshjeve për ndarjen e të ardhurave me kompani si Apple, për ta bërë motorin e tij të kërkimit opsionin parazgjedhur në pajisjet dhe shfletuesit e tyre, njofton BBC, transmeton Sinjali.

    Të martën, kompania bëri të ditur se e shihte vendimin si një fitore dhe tha se ngritja e inteligjencës artificiale (AI) me shumë gjasë kishte ndikuar në këtë rezultat.

    “Vendimi i sotëm e njeh sa shumë është ndryshuar industria përmes shfaqjes së AI-së, e cila po u jep njerëzve shumë më tepër mënyra për të gjetur informacion,” tha Google në një deklaratë pas vendimit.

    “Kjo nënvizon atë që kemi thënë që kur ky rast u hap në vitin 2020: Konkurrenca është e fortë dhe njerëzit mund të zgjedhin lehtësisht shërbimet që duan,” vazhdoi deklarata.

    Gjiganti teknologjik kishte mohuar akuzat që nga viti 2020, duke thënë se dominimi i tij në treg vjen për shkak se motori i tij i kërkimit është më i mirë se të tjerët dhe konsumatorët thjesht e preferojnë atë.

    Vitn e kaluar, gjykatësi Mehta vendosi se Google kishte përdorur metoda të pandershme për të krijuar monopol mbi tregun e kërkimeve online, duke punuar në mënyrë aktive për ta ruajtur këtë nivel dominimi deri në atë masë sa të shkelte ligjin amerikan.

    Por në vendimin e tij, gjykatësi Mehta tha se një shitje e plotë e Chrome ishte “një zgjidhje e papërshtatshme për këtë rast”.

    Google gjithashtu nuk do të duhet të shesë sistemin operativ Android, i cili fuqizon shumicën e telefonave inteligjentë në botë.

    Kompania kishte argumentuar se shkëputja e disa pjesëve të operacioneve të saj, si Android, do të thoshte që ato në fakt do të ndalonin së funksionuari siç duhet.

    “Urdhri i sotëm për masat pajtuese pranoi nevojën për të rikthyer konkurrencën në tregun e kërkimit që ka qenë i monopolizuar prej kohësh, dhe tani ne po shqyrtojmë opsionet tona dhe po mendojmë nëse masat e urdhëruara janë të mjaftueshme për ta përmbushur këtë qëllim,” shkroi në X ndihmësprokurorja e Përgjithshme Abigail Slater pas vendimit.

  • Përfitimet nga lëngu i rrepës

    Përfitimet nga lëngu i rrepës

    Studim i ri nga Universiteti i Exeterit tregon se pirja e lëngut të rrepës së kuqe, i pasur me nitrate, mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut te të rriturit më të moshuar.

    Në studimin e botuar në revistën Free Radical Biology and Medicine, morën pjesë 75 persona, 39 më pak se 30 vjeç dhe 36 të moshës 60–70 vjeç.

    Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe për dy javë.

    -Njëri grup pinte çdo ditë lëng të rrepës së kuqe me përmbajtje të lartë nitratesh.

    -Grupi tjetër pinte një version placebo, pa nitrate. Më pas pati një “periudhë pastrimi” përpara se grupet të ndërronin pijet, ka raportuar FoxNews.

    Tek të moshuarit që pinin lëng të rrepës së kuqe me nitrate:

    -U ulën bakteret në gojë të quajtura Prevotella, të lidhura me inflamacionin.

    -U shtuan bakteret e dobishme, si Neisseria, që lidhen me shëndetin oral dhe kardiovaskular.

    -Tensioni i gjakut ra ndjeshëm, krahasuar me grupin placebo ku nuk pati ndryshim.

    “Ushqimet e pasura me nitrate ndryshojnë mikrobet në gojë në një mënyrë që ul inflamacionin dhe njëkohësisht ndihmon në uljen e tensionit të gjakut te personat më të moshuar”, ka thënë profesori Andy Jones, bashkautor i studimit.

    Si funksionojnë nitratet?

    “Ushqimet që janë të pasura me nitrate – si perimet me gjethe jeshile, panxhari dhe sallata – ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut”, ka thënë për Fox News, analisti mjekësor, Marc Siegel.

    Ai ka shtuar se nitratet kur hyjnë në trup shndërrohen në oksid nitrik, molekulë e rëndësishme për shëndetin e enëve të gjakut sepse ndihmon që ato të zgjerohet dhe kështu ul tensionin e gjakut.

    Pse ndikimi është më i madh te të moshuarit?

    Siegel ka shpjeguar se me kalimin e moshës nivelet e oksidit nitrik në trup bien.

    “Prandaj, ka kuptim pse shohim më shumë përfitim nga konsumi i nitrateve ushqimore te pacientët më të moshuar”, ka thënë ai.

    Lee Beniston, nga Këshilli për Shkencat Biologjike dhe Bioteknologjinë në Britani, për studimin ka thënë se është shembull se si shkenca sqaron lidhjet mes ushqimit, mikrobiomes dhe plakjes.

    “Ky studim është një shembull i shkëlqyer se si shkenca e ushqimit na ndihmon të kuptojmë lidhjet mes dietës, mikrobiomës dhe plakjes së shëndetshme. Ai hap mundësi të reja për përmirësimin e shëndetit vaskular përmes ushqimit”, ka theksuar Beniston.

    Sipas studiuesve nevojiten kërkime të mëtejshme.

    Siegel ka shtuar se studimi mbështet një parim të njohur.

    “Dieta e pasur me fruta dhe perime të freskëta mund të ndihmojë në menaxhimin e shumë sëmundjeve kronike”, ka thënë ai.

    Megjithatë, njerëzit me tension të lartë ose probleme të tjera shëndetësore duhet të konsultohen me mjekun përpara se të bëjnë ndryshime në dietë, sidomos nëse marrin medikamente.

  • Gjykata Speciale pret që në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Gjykata Speciale pret që në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë tha se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

    Në shkresën e publikuar më 2 shtator u tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë që të paraqesë prova të tjera, sikurse edhe mbrojtja të paraqesë prova si kundërpërgjigje. Por, pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla, palët duhet të përgatiten që të paraqesin përmbledhjet përfundimtare deri më 22 dhjetor.

    Paneli i gjyqtarëve tha se parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

    “Paneli i njofton palët dhe pjesëmarrësit se duhet të jenë të përgatitur të paraqesin përmbledhjet përfundimtare të gjykimit, si dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat pjesëmarrëse në procedurë, para fillimit të pushimit gjyqësor, të hënën, më 22 dhjetor 2025”, u tha në shkresë.

    Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti iKosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.

    Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave.

    Në konferencën e fundit statusore të mbajtur më 19 gusht, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, dhanë data të përafërta se kur mendojnë se do të përfundojnë paraqitjen e rastit të tyre.

    Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se idealisht shpreson që të përfundojë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve deri në fund të tetorit, apo më së largu deri në nëntor. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit tha se parashikon se do t’i duhet një javë kohë për paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve. Por, mbrojtja e Krasniqit do të nisë paraqitjen e rastit, pasi të ketë përfunduar ekipi mbrojtës i Thaçit.

    Më 16 korrik 2025, ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit njoftuan se nuk synojnë të paraqesin ndonjë dëshmi mbrojtëse.

    Në shkresën e panelit të gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara – që njihen edhe si Gjykata Speciale – u paraqitën data kur mendohet se do të përmbyllet rasti i mbrojtjes të Thaçit dhe Krasniqit.

    “Paneli vendos si datë të synuar për përfundimin e paraqitjes së mbrojtjes, si për mbrojtjen e Thaçit ashtu edhe atë të Krasniqit, 14 nëntorin 2025 ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të mbrojtjes – cilado që të ndodh më herët”, u tha në shkresën e panelit të gjyqtarëve.

    Paneli tha se kjo datë është vetëm një vlerësim i tij për kohëzgjatjen e çështjet të mbrojtjes dhe “mund të zgjatet, sipas nevojës”.

    Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit tha se do t’i duhen 35.5 orë për dhënien e dëshmive të dëshmitarëve për këtë rast.

    Ndërkaq, mbrojtja e Jakup Krasniqit njoftoi se planifikon që dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe këtp dëshmi veçse u janë dorëzuar prokurorëve.

    Sipas kësaj përllogaritje, gjykatësi tha se do të duhen 35 ditë punë – pesë orë në ditë dëshmi – për përfundimin e dëshmitarëve, duke parashikuar se dëshmia e tyre mund të përfundojë në dhjetor.

    Ndërkaq, në konferencën paraprake statusore, të mbajtur më 22 korrik, ekipet e mbrojtjes të ish-krerëve të UÇK-së u ankuan se nuk kishin kohë të mjaftueshme për përgatitjen e rastit të tyre.

    Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

    ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

  • Therje në Podujevë – një i lënduar, një i arrestuar

    Therje në Podujevë – një i lënduar, një i arrestuar

    Sot rreth orës 15:00, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, një person është therur me mjet të mprehtë dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    Policia ka njoftuar se personi i dyshuar është arrestuar dhe se hetimet lidhur me rastin kanë nisur.

    Rasti është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

  • Policia me aksion në veri të vendit, sekuestron veshje dhe gjëra tjera me mbishkrime nacionaliste

    Policia me aksion në veri të vendit, sekuestron veshje dhe gjëra tjera me mbishkrime nacionaliste

    Policia është duke zhvilluar aksion në veri të vendit, me asistim edhe të Doganës, pas njoftimit se në një lokal në Leposaviq po shiten pije, logo, bluza, thika e gjëra të tjera me mbishkrime nacionaliste.

    Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë në Veri.

    “Rreth orës 12:00 jemi njoftu nga Njësitet e Policisë Kufitare se në një lokal në zonën e Leposavicit shiten pije, logo, maica, thika, elektroshok etj. Lidhur me rastin Njësiti i Hetimeve Rajonale ka dal në vendin e ngjarjes, aty ka asistu edhe Dogana ndërsa për shkak të mbishkrimeve dhe gjërave të tjera që janë gjetë aty është njoftu edhe Prokuroria Speciale”, tha Elshani.

    “Deri tani nuk kemi persona të arrestuar dhe bastisja ende është në vazhdim. Pas përfundimit të saj dhe intervistimeve të nevojshme, në bashkëpunim me Prokurorin e rastit do të dijm se si të veprojm tutje”.

  • Pesë të vdekur në një aksident në Luksemburg, dyshohet se tre prej tyre janë shqiptarë

    Pesë të vdekur në një aksident në Luksemburg, dyshohet se tre prej tyre janë shqiptarë

    Të hënën në mbrëmje ndodhi një aksident i rëndë midis një veture dhe një furgoni në rrugën N15, mes Feulen dhe Heiderscheid në Luksemburg.

    Bilanci, sipas medias infos.rtl.lu është shumë i rëndë: pesë personat që ndodheshin në të dyja mjetet kanë humbur jetën.

    Nga ky aksident raportohet se të vdekur kanë mbetur tre shqiptarë, fotografitë e të cilëve janë publikuar ne grupe të shqiptarëve që jetojnë në Luksemburg.

    Por, identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar as nga autoritetet në Luksemburg dhe as nga ato shqiptare, apo kosovare.

    Sipas mediave në Luksemburg, të dy automjetet u përplasën ballë për ballë, pas së cilës morën flakë. Të dy mjetet u shkatërruan plotësisht nga zjarri.