ATV

Author: G.O.

  • Alergjitë e fshehura: Kur trupi juaj ju paralajmëron në mënyra të papritura

    Alergjitë e fshehura: Kur trupi juaj ju paralajmëron në mënyra të papritura

    Nga kruajtja e lëkurës deri te reagimet ndaj ushqimeve të zakonshme – alergjitë dhe intolerancat shpesh mbeten të pazbuluara për vite me radhë

    Shumë njerëz përballen me alergji apo intoleranca pa e ditur se çfarë saktësisht po u shkakton reagimet. Trupi shpesh dërgon sinjale të vogla – skuqje të lëkurës, fryrje, kollitje apo dhimbje barku që shpesh injorohen. Megjithatë, këto shenja mund të jenë tregues se sistemi imunitar po e sheh një substancë të zakonshme si “armik”.

    Proces i ndërlikuar i diagnozës

    Diagnoza e saktë e një alergjie nuk është gjithmonë e lehtë. Sipas ekspertëve, ky proces mund të zgjasë deri në dy vjet dhe kërkon bashkëpunimin e disa specialistëve: alergologut, pulmologut, nutricionistit, gastroenterologut dhe, nëse është e nevojshme, edhe psikologut. Kjo për shkak se alergjitë shpesh lidhen me faktorë kompleksë – nga gjenetika e deri tek mënyra e jetesës.

    Alergjitë më të zakonshme

    Më shpesh, reaksionet shfaqen pas konsumimit të peshkut, arrave (sidomos kikirikëve), dhe të bardhëve të vezëve – ushqime që mund të shkaktojnë edhe shok anafilaktik. Tek fëmijët, reagimi shpesh është i menjëhershëm dhe i rrezikshëm, ndaj është thelbësore shmangia e plotë e ushqimeve të dyshuara, transmeton Telegrafi.

    Marshi alergjik

    Shumë persona e nisin me alergji të lehta në fëmijëri, për shembull me skuqje të lëkurës. Me kalimin e viteve, kjo gjendje mund të zhvillohet në forma të tjera, si astma, alergjia ndaj polenit ose intoleranca ushqimore. Ky fenomen njihet si “marshi alergjik”, një evolucion i alergjisë që shfaqet në faza të ndryshme të jetës.

    Reagimet e kryqëzuara

    Një nga aspektet më interesante të alergjive është reagimi i kryqëzuar. Për shembull, personat me alergji ndaj bimëve shpesh reagojnë edhe ndaj bizeleve ose disa perimeve me përbërje të ngjashme. Po ashtu, individët me sëmundje celiake mund të mos tolerojnë disa bishtajore për shkak të formulës së ngjashme kimike që trupi nuk arrin ta “njohë”.

    Çfarë duhet të bëni?

    ▪ Mbani një ditar ushqimor për të identifikuar ushqimet që ju shkaktojnë reagim.
    ▪ Konsultohuni me mjekun alergolog për teste të specializuara.
    ▪ Shmangni vetë-diagnostikimin dhe trajtimin pa këshillë mjekësore.
    ▪ Informohuni për alergjitë e kryqëzuara që mund të shfaqen pa paralajmërim.

  • Lady Gaga anulon koncertin në Miami pak minuta para fillimit: Më vjen shumë, shumë keq

    Lady Gaga anulon koncertin në Miami pak minuta para fillimit: Më vjen shumë, shumë keq

    Ylli i muzikës amerikane Lady Gaga (39 vjeçe) i habiti fansat e saj kur anuloi koncertin e turneut “Miami Mayhem Ball” në minutën e fundit, i cili duhej të mbahej në Miami mbrëmë.

    Këngëtarja iu drejtua fansave nëpërmjet Instagram Story, duke kërkuar falje për anulimin e papritur të performancës. “Përshëndetje të gjithëve, më vjen shumë, shumë keq, por duhet ta shtyj koncertin e sonte në Miami”, shkroi ajo.

    Ajo shpjegoi se gjatë provave zëri i saj ishte “jashtëzakonisht i tendosur” dhe se si mjekët ashtu edhe një trajner vokal e këshilluan të mos performonte për shkak të rreziqeve të mundshme shëndetësore.

    “Doja të isha e vendosur dhe të vazhdoja performancën për ty, por nuk dua të rrezikoj dëmtimin e përhershëm të kordave të mia vokale”, tha Gaga. Ajo theksoi se vendimi ishte i vështirë dhe i dhimbshëm, por u mor në përputhje me marrëveshjen e të gjithë ekipit.

    Ajo shtoi se kishte bërë gjithçka që mundi për të shmangur këtë rezultat: “Kujdesem shumë për veten time që të jem në gjendje të jap një shfaqje kaq të impenjuar. I dua fansat e mi dhe ju respektoj. Shpresoj se mund ta pranoni faljen time të sinqertë dhe thellësisht të penduar”.

    Në fund të mesazhit, Lady Gaga theksoi se tashmë po punon për një datë të re dhe se po përpiqet të caktojë një datë të re koncerti sa më shpejt të jetë e mundur.

    Më herët këtë vit, Lady Gaga tërhoqi vëmendjen me një sërë sfidash në turne. Në korrik, ajo ra në skenë gjatë një performance në Las Vegas, por u rikuperua shpejt dhe vazhdoi me këngën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Gjithashtu, në maj, koncerti i saj në Rio de Janeiro ishte cak i një sulmi të planifikuar me bombë, i cili, falë ndërhyrjes në kohë të policisë, u parandalua.

    Pavarësisht gjithçkaje, Lady Gaga planifikon të vazhdojë turneun, dhe performanca e radhës është planifikuar për 6 shtator në Madison Square Garden në New York.

    Këngëtarja ka folur më parë hapur se sa shumë ndikojnë problemet e saj mendore në muzikën që krijon. Në një intervistë për Teen Vogue në mars, ajo tha: “Shëndeti im mendor ka pasur gjithmonë një ndikim të fortë në muzikën time. Doja të këndoja më shumë kur isha në gjendjen time më të keqe. Dhe kjo do të thotë se ndihesha shumë kështu, sepse këndoja gjatë gjithë kohës”.

    Ajo shtoi se shkrimi i muzikës e ndihmoi të stabilizohej dhe të gjente zërin e saj: “Shkruja dhe këndoja nga një ndjenjë humbjeje, dhe kjo më ndihmonte të mblidhja veten dhe të tregoja historinë time”.

  • Hamasi gati për marrëveshje me Izraelin, kërkon tërheqje trupave izraelite nga Gaza

    Hamasi gati për marrëveshje me Izraelin, kërkon tërheqje trupave izraelite nga Gaza

    Grupi i armatosur Hamas ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës me Izraelin.

    Në një deklaratë zyrtare, grupi ka listuar disa kushte, përfshirë tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.

    Përveç tërheqjes, Hamasi kërkon hapjen e pikave kufitare, nisjen e procesit të rindërtimit dhe shkëmbimin e të gjithë të burgosurve.

    Marrëveshja, sipas tyre, duhet të përfshijë edhe formimin e një administrate kombëtare të teknokratëve për të menaxhuar rajonin.

    Në deklaratë, Hamasi akuzon Izraelin për krime lufte dhe shkatërrim sistematik të qytetit të Gazës.

    Përveç kësaj, grupi i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar, siç e quajnë ata, gjenocidin dhe dëbimin e popullsisë

  • Aksident mes një autobusi dhe një veture në Prishtinë, katër të lënduar pranojnë trajtim mjekësor

    Aksident mes një autobusi dhe një veture në Prishtinë, katër të lënduar pranojnë trajtim mjekësor

    Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes një autobusi dhe një veture.

    Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 07:30 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana. Ai bëri të ditur se të gjithë të lënduarit kanë pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Pllana ka thënë se, me hetimin e rrethanave të këtij aksidenti po merret Njësia e Trafikut të Kryeqytetit.

  • Rrahje mes tri grave në Pejë, njëra merr ndihmë mjekësore

    Rrahje mes tri grave në Pejë, njëra merr ndihmë mjekësore

    Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të dhunës në familje në Pejë, ku janë përfshirë tri gra.

    Ngjarja ka ndodhur të mërkurën pasdite, ku si pasojë e rrahjes, njëra prej tyre ka pësuar lëndime.

    Sipas raportit të policisë, dy gra kanë njoftuar se janë sulmuar fizikisht nga një grua tjetër pas një mosmarrëveshjeje.

    Më tej, bëhet e ditur se njëra nga viktimat ka pranuar trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.

    lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve, duke hapur rast për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

  • Kurti merr pjesë në ditën e dytë të “KosovaPAR 2025”, thotë se Kosova është rast unik i shtetndërtimit

    Kurti merr pjesë në ditën e dytë të “KosovaPAR 2025”, thotë se Kosova është rast unik i shtetndërtimit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar Kosovën si një rast unik të shtetndërtimit dhe një histori suksesi pas luftës. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike, “KosovaPAR 2025”.

    Sipas tij, procesi i veçantë i shtetndërtimit në 25 vitet e fundit është vlerësuar edhe nga organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

    Ministria e Punëve të Brendshme, për të tretin vit me radhë, ka organizuar konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR 2025”, e cila këtë vit është fokusuar në temën: “Capacity in Public Administration for or through AI?”.

    Kjo temë trajton ndikimin e inteligjencës artificiale në ndërtimin e kapaciteteve në administratën publike.

    Konferenca synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e Reformës së Administratës Publike si një parakusht për integrimin evropian dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

    Këtë vit, në një kontekst të përshpejtuar digjital, diskutimet lidhen ngushtë me transformimin që sjell inteligjenca artificiale në qeverisje dhe administratë.

    “KosovaPAR 2025”, e cila nisi dje dhe po vazhdon edhe sot, përfshin 14 panele, 2 sesione kryesore dhe një tryezë të rrumbullakët, me pjesëmarrje nga niveli i lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, shoqëria civile, si dhe përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë.

  • Arrestohet polici i Njësisë Speciale, dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe armëmbajtje pa leje

    Arrestohet polici i Njësisë Speciale, dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe armëmbajtje pa leje

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një zyrtar policor që ushtronte detyrën në Njësinë Speciale Operative, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

    Arrestimi është bërë mbrëmë, si pjesë e një hetimi të përbashkët nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Në kuadër të hetimeve, është kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Vushtrri me autorizim të organeve të drejtësisë.

    Gjatë bastisjes, janë sekuestruar prova që mund të jenë të lidhura me rastin.

    Inspektorati Policor, duke vepruar në përputhje me autorizimet ligjore dhe në interes të hetimit i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që ta suspendojë përkohësisht zyrtarin e arrestuar.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa priten veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorin përgjegjës.

  • Vrasja në Lipjan, policia bastis shtëpinë e të dyshuarit Top Kolshi – gjendet një armë

    Vrasja në Lipjan, policia bastis shtëpinë e të dyshuarit Top Kolshi – gjendet një armë

    Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit në fshatin Baincë të Lipjanit, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në shtëpinë e Top Kolshit, i cili dyshohet për kryerjen e krimit dhe groposjen e trupit të viktimës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bastisja u realizua më 3 shtator 2025, në orën 12:05, me urdhëresë të Gjykatës.

    Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike.

    Kolshi ndodhet tashmë në paraburgim, me vendim të Gjykatës të marrë më 13 gusht 2025. Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që ai të arratiset apo të shmanget nga drejtësia, nëse do të lihej i lirë.

    Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime se vrasja nuk është kryer vetëm nga Kolshi, por edhe me përfshirjen e personave të tjerë ende të paidentifikuar.

    Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se, gjatë intervistimit, Top Kolshi e ka pranuar se ka kryer veprën penale.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë nga njësitë përkatëse.

  • Sot hidhet shorti për renditjen e partive, subjektet politike do të mësojnë numrin e tyre për zgjedhjet lokale

    Sot hidhet shorti për renditjen e partive, subjektet politike do të mësojnë numrin e tyre për zgjedhjet lokale

    Mbi 90 përfaqësues të subjekteve politike sot do të tërheqin shortin për renditjen e tyre në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

    Procesi i tërheqjes së shortit është paraparë të nis në orën 11:00 dhe do të mbahet në objektin e komunës së vjetër në Prishtinë.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se shorti do të zhvillohet në mënyrë të hapur, duke garantuar transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme do të nisë më 13 shtator dhe do të përfundojë para hapjes së qendrave të votimit më 12 tetor, në orën 06:59.

  • Përplaset teleferiku historik në Lisbonë, të paktën 15 të vdekur dhe 18 të lënduar

    Përplaset teleferiku historik në Lisbonë, të paktën 15 të vdekur dhe 18 të lënduar

    Të paktën 15 persona kanë vdekur dhe 18 të tjerë janë plagosur në Lisbonë të Portugalisë, pasi teleferiku historik “Gloria” doli nga shinat mbrëmjen e së mërkurës.

    Autoritetet portugeze konfirmuan se dy prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën.

    Sipas mediave lokale, aksidenti ndodhi kur një kabllo u lirua, duke bërë që vagoni të humbiste kontrollin dhe të përplasej me një ndërtesë. Shefi i Mbrojtjes Civile tha se ekipet e emergjencës punuan për nxjerrjen e personave që mbetën të bllokuar në vendngjarje.

    Teleferiku “Gloria” është ndërtuar në vitin 1885 dhe konsiderohet një nga simbolet më të njohura të Lisbonës.

    Prej më shumë se një shekulli, ai ka shërbyer si një nga atraksionet kryesore për turistët që vizitojnë kryeqytetin portugez.