ATV

Author: G.O.

  • Pa celular, pa ujë dhe pa ushqim – një burrë qëndroi i mbyllur për 4 ditë në një ashensor në Gjermani

    Pa celular, pa ujë dhe pa ushqim – një burrë qëndroi i mbyllur për 4 ditë në një ashensor në Gjermani

    Në Osnabrück të Gjermanisë, një burrë rreth të 70-ave kishte kaluar katër ditë i mbyllur në ashensorin e shtëpisë së tij.

    Për shkak të një prishje, ashensori mbeti jashtë funksioni dhe as butoni i thirrjes së urgjencës nuk punoi.

    Gjatë gjithë kësaj kohe, i moshuari qëndroi pa ushqim, ujë dhe pa asnjë mjet komunikimi.

    Dhe vetëm pas katër ditësh, i biri u alarmua dhe së bashku me policinë dhe ekipin e shpëtimit arritën ta nxjerrin nga aty.

    Forcat e emergjencës u detyruan të hapin me forcë ashensorin për ta liruar burrin e lodhur.

    Autoritetet thanë se shëndeti i tij është tashmë i stabilizuar. Ngjarja ndodhi në fund të qershorit, por u bë e ditur vetëm tani.

    Policia e konsideron këtë “një rast fatkeqësie me fund të lumtur”, që për fat nuk pati pasoja më të rënda. /Telegrafi/

  • Një muaj nga skandali në koncertin e “Coldplay” – reagon për herë të parë ish-bashkëshorti i Kristin Cabot

    Një muaj nga skandali në koncertin e “Coldplay” – reagon për herë të parë ish-bashkëshorti i Kristin Cabot

    Një sipërmarrës nga Massachusetts ka folur për fundin e martesës së tij me Kristin Cabot, e cila këtë verë u pa në krahët e shefit të saj, Andy Byron, gjatë një koncerti të “Coldplay”.

    Pamjet nga “Kiss Cam”, ku Kristin dhe Byron u përpoqën të fshiheshin, bënë menjëherë xhiron e rrjetit dhe u shoqëruan me shakatë e këngëtarit Chris Martin, i cili tha: “Ose janë në një lidhje të fshehtë, ose kanë shumë turp”.

    Vetëm pak javë më vonë, Kristin paraqiti kërkesë për divorc në New Hampshire.

    Andy Cohen dhe Kristin Cabot

    Një zëdhënëse e bashkëshortit të saj, Andrew Cabot, theksoi se çifti ishte ndarë privatisht dhe në mënyrë miqësore përpara koncertit.

    “Vendimi për divorc ishte marrë tashmë. Tani Andrew shpreson që kjo të mbyllë spekulimet dhe t’i japë familjes privatësinë që e ka vlerësuar gjithmonë”.

    Andrew, 61 vjeç, është CEO i ‘Privateer Rum’ dhe ka dy fëmijë nga një martesë e mëparshme.

    Me Kristin ai nuk ka fëmijë.

     

    Skandali me Byron, i cili është gjithashtu i martuar, ndezi një valë memesh dhe diskutimesh online, duke ngritur edhe pyetje mbi kufijtë e privatësisë në epokën digjitale.

    Si Kristin, ashtu edhe Byron, u larguan nga kompania Astronomer, ku punonin bashkë.

    Në një reagim pas largimit të tyre, CEO i përkohshëm Pete DeJoy tha se kompania tregoi qëndresë përballë kësaj vëmendjeje të pazakontë mediatike.

    “Edhe pse nuk do të doja të ndodhte në këtë mënyrë, Astronomer tani është bërë një emër i njohur”. /Telegrafi/

  • Policia e Kosovës pranon donacion nga UNDP

    Policia e Kosovës pranon donacion nga UNDP

    Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka pranuar donacion nga UNDP.

    Kjo u bë e ditur pas takimit të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Gazmend Hoxhës me zëvendësdrejtorin e UNDP-së, Dudley Tarlton.

    Gjatë takimit, është bërë pranim-dorëzimi i donacionit, i cili synon përforcimin e kapaciteteve për sigurinë publike dhe kontrollin kufitar.

    “Më këtë rast, kolonel Hoxha shprehu falënderimin ndaj UNDP-së, pasi që përmes këtij donacion për herë të parë në Policinë e Kosovës është zhvilluar dhe funksionalizuar platforma e-Learning (mësimi virtual), ku policia ka përfituar edhe trajnime të dedikuara për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e trajnimeve të reja në këtë platformë. Po ashtu në këtë ceremoni të pranim- dorëzimit policia ka pranuar softuerë/licenca të avancuara iBase dhe Analyst Notebook, të cilët mundësojnë mbledhjen dhe analizimin e informatave mbi rastet që lidhen me armë zjarri, municion dhe eksplozivë dhe që edhe më tutje do të ngritin efikasitetin e Pikës Kryesore të Armëve (FFP)”, thuhet në komunikatë.

    Tutje bëhet e ditur se përveç kësaj, 25 skanerë dore do të përdoren për kontrolle më efikase në pikat kufitare, vijën e gjelbër dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke rritur kapacitetin operacional dhe sigurinë e qytetarëve.

  • Atentati me dy viktima në Shkodër, dalin pamjet nga arrestimi i Ragip Gilës, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

    Atentati me dy viktima në Shkodër, dalin pamjet nga arrestimi i Ragip Gilës, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

    Policia e Shqipërisë publikoi pamje nga arrestimi i Ragip Gilës, autor i dy vrasjeve dje në Shkodër.

    Policia tha se po “vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë”.

    “Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës. Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak. Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër: -arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja””, thuhet në njoftim.

    Policia tregoi se kanë sekuestruar 2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes; -automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.

    “Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike”, thuhet në njoftim.

    Policia tha se po “vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre”.

    “Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”.

  • Osmani: Masa e përkohshme e Kushtetueses ndalon çdo procedurë, përfshirë edhe mandatarin

    Osmani: Masa e përkohshme e Kushtetueses ndalon çdo procedurë, përfshirë edhe mandatarin

    Presidentja Vjosa Osmani në konferencë për media tha se masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin e Kosovës ndalon çdo procedurë, përfshirë edhe caktimin e mandatarit.

    “Çështja e masës asnjëherë nuk e paragjykon vendimin e Gjykatës. Masa si e tillë na obligon të gjithëve, e obligon Kuvendin, më obligon mua si presidente që të mos ftoj partinë e parë për mandatarin. Na ndalon të ndërmarrim çdo procedurë. Të gjithë këta hapa konsiderohen procedura për zgjedhjen e Qeverisë dhe një gjë e tillë është ndaluar me masën e marrë. Po atë ditë që masa hiqet, do ta thërras partinë e parë dhe do ta caktojmë mandatarin, e pastaj do të procedohet me formimin e Qeverisë”, ka thënë Osmani.

  • Osmani: Nuk është hera e parë që Lista Serbe ka bojkotuar institucionet, shteti duhet të ecë përpara

    Osmani: Nuk është hera e parë që Lista Serbe ka bojkotuar institucionet, shteti duhet të ecë përpara

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media pas dorëzimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuese, ka theksuar se posti i nënkryetarit të Kuvendit që i takon komunitetit serb, sipas Kushtetutës, mbetet i rezervuar për këtë komunitet dhe nuk mund të zëvendësohet nga askush tjetër, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se ky pozicion mund të plotësohet në një seancë të ardhshme, pa penguar konstituimin e Kuvendit.

    Sipas saj, nuk është hera e parë që Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e vendit, mirëpo shteti duhet të ecë përpara.

    “Në të kaluarën ka pasur raste kur disa nga nënkryetarët nuk janë zgjedhur në seancën konstituive, por është proceduar me konstituimin. Për ne, ai pozicion që i takon komunitetit serb sipas Kushtetutës, mbetet për komunitetin serb. Askush nuk mund ta zërë atë vend, ai mbetet i zbrazët dhe thjesht do të plotësohet në një seancë të radhës, pa bllokuar konstituimin e Kuvendit.

    Ky parim mund të vihet në zbatim vetëm kur kemi institucione funksionale, sepse as të drejtat e pakicave nuk mund të mbrohen kur nuk kemi as Kuvend e as Qeveri. Nuk mund të përjashtohet mundësia që të ketë përpjekje për t’u mbështetur në të drejtat e garantuara me Kushtetutë për të nxjerrë mundësi që shkelin Kushtetutën, por këto skenarë duhet të parandalohen.

    Republika e Kosovës nuk duhet të mbahet peng dhe askush nuk duhet të ketë të drejtën e vetos, sepse kjo do të rrezikonte themelet demokratike të shtetit. Nuk është hera e parë që Lista Serbe ka bojkotuar apo është larguar nga Kuvendi ose nga institucionet e sigurisë, por kjo asnjëherë nuk e ka bllokuar funksionimin e institucioneve. Shteti duhet të ecë përpara”, ka thënë Osmani.

    Osmani ka thënë se nuk kanë dorëzuar komente lidhur me ndryshimin e mënyrës së votimit për nënkryetarë gjatë seancës konstituive.

    “Nuk kemi dërguar komente lidhur me këtë çështje, sepse mendojmë se është çështje dytësore, madje edhe tretësore. Ne kemi proceduar me çështjen kryesore, që është se nuk duhet të lejojmë që themelet e Republikës të cenohen. Votimi në pako nuk kërkohet në Kushtetutë, ndërsa interpretimet për rregulloren mund t’i bëjë Kuvendi.

    “Çështja parësore që sot e ka Gjykata Kushtetuese është nëse do ta mbrojë Republikën nga vetoja e një partie që përfaqëson një komunitet i cili as nuk e njeh dhe as nuk i respekton ligjet e kësaj Republike. Nuk duhet të lejojmë që të rrezikohen themelet e Kosovës”, ka thënë Osmani.

  • Pas sulmeve të Kurtit dhe VV-së ndaj Kushtetueses, Ambasada Gjermane: Respektojeni Gjykatën, mos ndërhyni!

    Pas sulmeve të Kurtit dhe VV-së ndaj Kushtetueses, Ambasada Gjermane: Respektojeni Gjykatën, mos ndërhyni!

    Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar një reagim për media pas sulmeve të shumta të Lëvizjes Vetëvendosje në adresë të Gjykatës Kushtetuese.

    Ambasada gjermane ka theksuar rëndësinë e pavarësisë juridike si themel për sundimin e ligjit dhe kanë kërkuar që të respektohet Gjykata Kushtetuese dhe që partitë politike të përmbahen nga ndërhyrjet.

    “Në iu bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë pavarësinë juridike dhe të përmbahen nga çfarëdo ndërhyrje, përfshië sulmet personale”, thuhet në reagim.

    “Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, shkruan reagimi i ambasadës gjermane.

  • “Dritë për Komunat” – AAK fillon fushatën lokale më 13 shtator

    “Dritë për Komunat” – AAK fillon fushatën lokale më 13 shtator

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale më 13 shtator 2025, në ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë.

    Nën moton “Dritë për Komunat”, AAK synon të vazhdojë modelin e saj të dëshmuar të qeverisjes lokale.

    “Kryetarët tanë kanë sjellë rezultate konkrete dhe janë renditur lart në performancë,” tha Ramush Haradinaj në njoftimin për hapjen e fushatës.

    “Ftojmë të gjithë qytetarët dhe përkrahësit tanë të na bashkohen në këtë moment të rëndësishëm për të nisur së bashku rrugën drejt zhvillimit të barabartë për të gjitha komunat”, ka theksuar Haradinaj.

  • “Kobra” para gjykatës: Nuk e kam njohur viktimën

    “Kobra” para gjykatës: Nuk e kam njohur viktimën

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën ka nis dhënien e mbrojtjes i akuzuari Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, i akuzuar për vrasjen e të riut në lokalin “Kobra City” në Prizren.

    Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Hoxha po përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj. Ai tha se nuk e ka njohur kurrë tani të ndjerin V.C.

    I akuzuari tregoi se lokalin e kishte në një lokacion tjetër, por që dikush ia dogji andaj kishte ndërruar lokacion. Ky biznes tha se funksionon përreth 18 vite.

    Dëshmia e tij po vazhdon.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

    Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

    Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

    Vërejtje:
    Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

  • Policia shpall në kërkim Arbër Havollin, të dyshuar për vrasjen në Podujevë

    Policia shpall në kërkim Arbër Havollin, të dyshuar për vrasjen në Podujevë

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Arbër Havollin, i dyshuar për vrasjen e ndodhur të shtunën mbrëma në fshatin Llapashticë të Epërme, Podujevë.

    Viktimë e rastit ishte 44-vjeçari Bashkim Spahiu nga fshati Gllamnik.

    Në njoftim thuhet se Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim të prokurorisë kompetente, kërkon ndihmën e qytetarëve për të siguruar informata që do të çonin në arrestimin e personit të dyshuar për këtë vrasje.