ATV

Author: G.O.

  • Shukri Buja premton park memorial në Grackën e Vjetër dhe heqjen e deponive ilegale në Lipjan

    Shukri Buja premton park memorial në Grackën e Vjetër dhe heqjen e deponive ilegale në Lipjan

    Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka reaguar ndaj gjendjes në Grackën e Vjetër, ku sipas tij është krijuar një deponi mbeturinash e hekuri në një vend me rëndësi historike.

    Ai e quajti këtë “fyerje për historinë dhe kujtesën kolektive”, duke theksuar se Gracka e Vjetër është fshati që në vitin 1912 u rrafshua nga artileria serbe.

    “Veprimi im i parë si kryetar i Lipjanit do të jetë largimi i kësaj deponie dhe ndërtimi i një parku memorial me obeliskë, për të nderuar sakrificën e popullit tonë,” ka thënë Buja.

    Ai gjithashtu u zotua se gjatë mandatit të tij në Lipjan nuk do të lejohet asnjë deponi ilegale e mbeturinave.

  • Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s

    Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s

    Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, e ka quajtur shkeljen e hapësirës ajrore nga dhjetëra dronë rusë një provokim serioz dhe të rrezikshëm.

    Duke folur në Parlament, ai njoftoi se Polonia ka kërkuar të thirret Neni 4 i traktatit të NATO-s, që u mundëson vendeve anëtare të hapin diskutime në Këshillin e Atlantikut të Veriut për çështje që rrezikojnë sigurinë apo integritetin e tyre territorial.

    Tusku tha se pret mbështetje më të gjerë nga aleatët.

    “Ky nuk është vetëm një konflikt i ukrainasve, por një sfidë që Rusia ia ka shpallur gjithë botës së lirë”, ka thënë ai.

  • Dogana gjen “botox” dhe “fillerë” të padoganuar në Prishtinë me vlerë rreth 5 mijë euro

    Dogana gjen “botox” dhe “fillerë” të padoganuar në Prishtinë me vlerë rreth 5 mijë euro

    Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndaluar më 9 shtator një automjet në territorin e Prishtinës, ku gjatë kontrollit janë gjetur produkte të padoganuara të llojit “botox” dhe “fillerë”, të destinuara për përdorim estetik.

    Pas veprimeve të mëtejshme operative dhe në koordinim me prokurorin kompetent, dogana ka kryer kontroll edhe në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku është gjetur dhe ndaluar një sasi shtesë e këtyre produkteve.

    Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara llogaritet të jetë rreth 5,000 euro.

    Dogana ka theksuar rrezikun e produkteve të padoganuara që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut, duke shtuar se mungesa e kontrollit adekuat dhe transporti i parregullt i bën ato veçanërisht të rrezikshme për shëndetin e popullatës.

  • VIP privilegje: Dua Lipa merr iPhone 17 Pro ngjyrë portokalli para lansimit zyrtar

    VIP privilegje: Dua Lipa merr iPhone 17 Pro ngjyrë portokalli para lansimit zyrtar

    Dua Lipa ka ndezur rrjetin me një fotografi të re ku shfaqet duke mbajtur në dorë modelin më të ri të Apple – iPhone 17 Pro në ngjyrën unike “cosmic orange”.

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore ishte ndër të parat që u pa me Iphone, duke lënë fansat të habitur: “Si e mori kaq shpejt?”.

    Në një kohë kur prezantimi i serisë së re iPhone 17 sapo është bërë dhe para-porositë nisin vetëm këtë të premte, më 12 shtator, videoja e artistes shqiptare me edicionin e ri ka pushtuar rrjetet sociale.

    Komentet nuk kanë munguar, ku shumë ndjekës shprehën habinë se si këngëtarja arriti të siguronte një nga modelet më të kërkuara para publikimit zyrtar.

    Ajo në videon në Instagram xhiroi gjithçka me Iphone të ri, që nga koha kur zgjohet, angazhimet e tjera e deri te koncertet.

    Apple prezantoi katër modele të reja – iPhone 17, 17 Pro, Pro Max dhe versionin ultra të hollë 17 Air.

    Ndër to, iPhone 17 Pro Orange ka marrë vëmendjen kryesore për dizajnin prej alumini, kamerën që kompania e quan ‘më e mira ndonjëherë’ dhe baterinë më të fuqishme në një iPhone deri tani.

    Megjithatë, ajo që po komentohet më shumë nuk janë specifikat, por fakti se Dua është e para që po e shijon këtë pajisje të shumëpritur. /Telegrafi/

     

  • Haxhiu: Kosova është shtet unitar, jo multietnik – Lista Serbe po kërcënon demokracinë

    Haxhiu: Kosova është shtet unitar, jo multietnik – Lista Serbe po kërcënon demokracinë

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka deklaruar se Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik, duke theksuar se asnjë grup etnik nuk ka të drejtë vetoje mbi institucionet shtetërore.

    Ajo kritikoi përpjekjet e Listës Serbe për të përdorur vendet e rezervuara si mjet bllokues për konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e qeverisë, duke i cilësuar ato si kërcënim direkt për demokracinë në vend.

    “Ndërlidhet me komentet që ne kemi dërguar dje në Gjykatën Kushtetuese. Dua të theksoj se shteti ynë është shtet unitar dhe jo shtet multietnik. Në shtetin tonë të shpallur të pavarur në vitin 2008, asnjë grup etnik nuk e ka të drejtën e vetos mbi organet tona. Qytetarët e kësaj Republike janë të barabartë. Gjykata Kushtetuese nuk e ka as komoditetin dhe as legjitimitetin që të gërmojë në themelet e Kushtetutës për të shtuar diçka. Është e papranueshme që një parti politike – në këtë rast Lista Serbe, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës – të përdorë vendet e rezervuara si mjet për konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e Qeverisë. Kjo sjellje përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë”, deklaroi Haxhiu.

    Haxhiu theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka as kompetencë e as legjitimitet të ndërhyjë në themelin kushtetues për të ndryshuar apo shtuar diçka.

    “Kërkesa e Listës Serbe dhe përpjekjet e saj për të monopolizuar vendet e rezervuara përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe demokratike. Gjykata Kushtetuese nuk duhet të njohë asnjë pretendim në këtë rast të Listës Serbe, e cila synon të pengojë konstituimin e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese as nuk e ka këtë kompetencë, e as këtë legjitimitet për të ndërhyrë në ligjet kushtetuese dhe për të ndryshuar apo shtuar diçka në to. Në kuadër të procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, është themelore të theksohet se jemi shtet sovran dhe i pavarur, ku funksionimi i institucioneve është i domosdoshëm”, shtoi ajo.

    Haxhiu tha se nuk ka informacione nëse opozita ka dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese..

    “Mendoj që secili deputet i Kuvendit të Kosovës, secili subjekt – sidomos partitë shqiptare – ka qenë e rëndësishme që të dorëzonin komente në Gjykatën Kushtetuese. Është e rëndësishme që ta mbrojmë shtetin tonë.
    Në këtë drejtim, ju ftoj edhe juve që të pyesni partitë opozitare nëse kanë dorëzuar komente. Është e rëndësishme që në këtë betejë të ishim bashkë. Por vetë fakti që ata nuk i siguruan as 5 vota që Nenad Rashiq të zgjidhej nënkryetar, është i mjaftueshëm për të kuptuar pozicionin e partisë dhe kush po e bën avokatin e Listës Serbe.
    Për ne ka qenë e papranueshme masa që ka marrë Gjykata Kushtetuese,” tha ajo.

  • Tusk: Polonia është më së afërmi një konflikti të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore

    Tusk: Polonia është më së afërmi një konflikti të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore

    Polonia është më afër një konflikti të hapur se sa ka qenë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka thënë kryeministri Donald Tusk të mërkurën, pas rrëzimit të dronëve rusë mbi territorin polak.

    Ai shtoi se vendi i kishte kërkuar NATO-s të hapte konsultime sipas Nenit 4 të traktatit, i cili parasheh konsultime mes anëtarëve sa herë që territori, pavarësia ose siguria e ndonjërit prej tyre kërcënohet.

    Tusk ka treguar se gjatë natës ka pasur 19 ndërhyrje në hapësirën ajrore polake dhe se ushtria ka kaluar me sukses testin e saj të parë.

    “Nuk kam arsye të pretendoj se jemi në prag të luftës, por është kaluar një vijë dhe është pakrahasueshëm më e rrezikshme se më parë. Kjo situatë na afron më afër konfliktit të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore.”, tha ai.

    Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Karolina Galecka, bëri të ditur se Polonia ka gjetur shtatë dronë dhe mbeturina nga një raketë.

    Një dron goditi një ndërtesë banimi në Węgryki në Poloninë lindore, pa shkaktuar lëndime, ndërsa në rajonin lindor të Lublinit u gjet një dron i dëmtuar në fshatin Czosnówka, njoftoi policia.

  • Përfaqësuesit e OVL UÇK-së takohen me eurodeputetin Mandl – shpalosin shqetësimet për Gjykatën Speciale

    Përfaqësuesit e OVL UÇK-së takohen me eurodeputetin Mandl – shpalosin shqetësimet për Gjykatën Speciale

    Përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Gazmend Syla, janë pritur sot në takim nga eurodeputeti Lukas Mandl në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg.

    Në njoftimin e OVL-UÇK-së bëhet e ditur se Gucati e Syla kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale.

    Po ashtu, ata i kanë kërkuar eurodeputetit që mesazhin e tyre ta përcjellë tek kolegët e tij në Parlamentin Evropian dhe tek institucionet përkatëse të shtetit të tij, transmeton Gazeta Express.

    Sipas OVL-UÇK-së, “ky takim përbën një hap domethënës në kuadër të përpjekjeve tona për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë”.

    Në postimin e bërë nga organizata, thuhet: “Sot, në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg, zhvilluam një takim me rëndësi të veçantë me eurodeputetin z. Lukas Mandl, një zë i fuqishëm dhe i qëndrueshëm në mbështetje të Kosovës. Përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Gazmend Syla, paraqitën me seriozitet shqetësimet tona lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës sonë çlirimtare dhe të vlerave mbi të cilat është ngritur liria e Kosovës.

    Z. Mandl i dëgjoi me vëmendje dhe mirëkuptim qëndrimet tona, për çka e falënderojmë sinqerisht. E lutem që ta përcjellë këtë mesazh tek kolegët e tij në Parlamentin Evropian dhe në institucionet përkatëse të shtetit të tij, duke i dhënë kështu zë dhe mbështetje kauzës sonë të drejtë.

    Ky takim përbën një hap domethënës në kuadër të përpjekjeve tona për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë.”

  • Dyshimi për varrezë masive në Kozhle, Hoti: Lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash

    Dyshimi për varrezë masive në Kozhle, Hoti: Lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se lokacioni në Kozhlje, afër Novi Pazarit, ku dyshohet për një varr masiv, deri më tani është shfrytëzuar si deponi mbeturinash.

    Sipas tij, ky është një nga vendet që është diskutuar disa herë nga Grupi Punues për të Zhdukurit nga lufta, krahas lokacioneve si Batajnica dhe Kozhareva, për të cilat Kosova ka kërkuar vazhdimisht nisjen e hulumtimeve.

    Në këtë zonë sot është deleguar një ekip nga Kosova për të bërë vlerësimin e terrenit dhe për të parë mundësinë e fillimit të punimeve.

    “Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit. Duhet theksuar se kjo po ndodh pas një zjarri që për gati dy muaj ka kapluar atë zonë. Nga Kosova sot është deleguar një ekip i përbërë nga z. Kushtrim Gara, z. Ditor Haliti dhe z. Valon Hyseni. Aktualisht në terren janë të pranishëm edhe ICRC dhe EULEX, krahas palës serbe. Sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ai ka theksuar se lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash që nga viti 1999 dhe për të arritur deri te zona e dyshuar, duhet largimi i tyre deri në një thellësi mbi 15 metra.

    Hoti ka bërë thirrje që Serbia të mos e zvarrisë procesin në Kozhlje dhe të fillojë punimet edhe në vendet e tjera të identifikuara.

    “Ajo që ka rëndësi të veçantë është që të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të fillojnë punimet edhe në lokacionet tjera për të cilat ka zotime, siç është Batajnica dhe 16 lokacionet tjera të përmendura në raportin e tyre.”, ka shkruar ai.

  • Apple prezanton iPhone 17, gjithçka që duhet të dini për telefonin më të ri të gjigantit amerikan

    Apple prezanton iPhone 17, gjithçka që duhet të dini për telefonin më të ri të gjigantit amerikan

    Apple ka zbuluar iPhone-in e saj të shumëpritur më të fundit, i cili vjen në pesë ngjyra: ngjyrë livando, blu e çelët, e zezë, e bardhë dhe jeshile ulliri.

    Apple po shfaq përmirësime të mëdha të ekranit me ekranin e ri Super Retina XDR. Madhësia e ekranit është 6.3 inç, nga 6.1 inç që ishte në modelin e mëparshëm, transmeton Telegrafi.

    Tani ai mbështet ProMotion me një shpejtësi rifreskimi prej 120Hz, arrin një shkëlqim rekord prej 3,000 nitësh dhe është i veshur me një shtresë anti-reflektuese me 7 shtresa plus Ceramic Shield 2 për rezistencë 3-fish më të madhe ndaj gërvishtjeve. Apple thotë se gjithçka ka të bëjë me lexueshmërinë në çdo mjedis.

    Në brendësi, çipi i ri A19 sjell një motor ekrani të riprojektuar, një motor neural me 16 bërthama, një CPU me 6 bërthama dhe një GPU me 5 bërthama. I kombinuar me rritjen e bandwidth-it të memories, Apple pretendon se është 20 përqind më i shpejtë se iPhone 16.

    Jeta e baterisë përmirësohet gjithashtu, me 8 orë shtesë të luajtjes së videos krahasuar me gjeneratën e kaluar. Kur keni nevojë për një mbushje, telefoni mund të arrijë 50 përqind të karikimit në vetëm 20 minuta.

    Debuton kamera Center Stage në pjesën e përparme të iPhone. Lejon selfie me rezolucion të lartë në çdo orientim, kështu që nuk keni më nevojë ta rrotulloni telefonin vetëm për të kapur një pamje peizazhi.

    Apple gjithashtu nxori në pah selfie-t e stabilizuara gjatë lëvizjes, duke synuar që fotot dhe videot tuaja të përparme të jenë të qarta edhe kur jeni në lëvizje.

    Apple po i jep një shtysë serioze sistemit të kamerave të iPhone 17. Ai përmban një konfigurim të ri të dyfishtë fusion prej 48MP, një telefoto 2x prej 12MP dhe një kamerë ultra të gjerë fusion prej 48MP – një linjë e ndërtuar për të trajtuar gjithçka, nga pamjet e përditshme deri te peizazhet e gjera.

  • Asgjë nuk u shpëton atyre, katër shenja të zodiakut janë të pamundura për t’u mashtruar

    Asgjë nuk u shpëton atyre, katër shenja të zodiakut janë të pamundura për t’u mashtruar

    Ka njerëz që kanë një intuitë të mprehtë dhe një sy të mprehtë për detaje.

    Ata e vënë re shpejt kur diçka nuk shkon, veçanërisht kur dikush po përpiqet të fshehë të vërtetën.

    Astrologjia zbulon katër shenja që është e vështirë të mashtrohen sepse pothuajse asgjë nuk u shpëton.

    Akrepi

    Akrepët kanë një aftësi të lindur për të lexuar midis rreshtave. Intuita dhe shikimi i tyre depërtues zbulojnë shpejt gënjeshtrat dhe qëllimet e fshehura. Ata rrallë i besojnë fjalës së dikujt dhe gjithmonë kërkojnë prova, gjë që i bën pothuajse të pamundur për t’u mashtruar.

    Virgjëresha

    Virgjëreshat i kushtojnë vëmendje çdo detaji. Mendja e tyre analitike dhe aftësia për të lidhur pikat i lejon ata të dallojnë menjëherë mospërputhjet. Nëse përpiqeni të fshihni diçka, Virgjëresha ndoshta do të jetë e para që do ta vërë re.

    Bricjapi

    Bricjapët janë të kujdesshëm dhe praktikë, dhe mosbesimi i tyre shpesh i mbron nga manipulimi. Ata vëzhgojnë veprimet, jo vetëm fjalët, dhe nuk e lënë veten të mashtrohen nga fjalët e bukura. Ata jetojnë sipas rregullit se besimi duhet të fitohet.

    Ujori

    Ujorët mendojnë ndryshe dhe gjithmonë kërkojnë pamjen e përgjithshme. Aftësia e tyre për të parë gjërat nga këndvështrime të shumta i ndihmon të dallojnë kur diçka nuk shkon. Ata nuk bien pre e trukeve sipërfaqësore sepse shohin përtej të dukshmes.