ATV

Author: G.O.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, ish-nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukajt, ish-drejtor në këtë komunë.

    Ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat për t’i sjellë përfitim pasuror personave të tretë, duke dëmtuar pronën publike.

    Në prill të vitit 2021, ata i propozuan Kuvendit Komunal këmbimin e një prone, duke e paraqitur rrejshëm si pronë komunale.

    Ky veprim i ka shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit një dëm prej mbi 125 mijë eurosh.

    Përveç kësaj, Mujka akuzohet edhe për mosraportim të pasurisë.

    Të dy ishin arrestuar në vitin 2023 gjatë një operacioni anti-korrupsion, ku në njërin nga lokacionet ishin sekuestruar edhe 60 mijë euro.

  • Polonia rrëzon disa dronë rusë, BE e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Polonia rrëzon disa dronë rusë, BE e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Polonia ka rrëzuar disa dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore të mërkurën. Incidenti ndodhi gjatë një sulmi masiv ajror rus në perëndim të Ukrainës, duke bërë që Varshava të aktivizojë mbrojtjen ajrore.

    Sipas komandës ushtarake polake, radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte, ndërsa disa prej tyre u neutralizuan.

    Ndërkohë, një dron rus dëmtoi një ndërtesë banimi në një fshat polak në kufi me Ukrainën, por pa shkaktuar të lënduar. Lidhur me këtë incident diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka quajtur hyrjen e dronëve rus në territorin polak “të qëllimshme”.

    Si masë sigurie, autoritetet polake mbyllën përkohësisht hapësirën ajrore të aeroportit Chopin në Varshavë.

    Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk ka thirrur një mbledhje urgjente të qeverisë dhe po bashkërendon veprimet me NATO-n, e cila pritet ta diskutojë këtë çështje gjatë ditës.

  • Vdes njëri nga të goditurit me veturë të hënën në Viti, ngjarja ri-kualifikohet si “vrasje e rëndë”

    Vdes njëri nga të goditurit me veturë të hënën në Viti, ngjarja ri-kualifikohet si “vrasje e rëndë”

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin e Vitisë, kur një veturë ka goditur disa të rinj që po qëndronin në parkun “Bafti Haxhiu”.

    Sipas Policisë, 21-vjeçari me inicialet E.Sh., duke drejtuar një veturë të tipit “Opel Insignia”, fillimisht ka goditur disa karrige e më pas pesë persona.

    Katër nga të rinjtë e lënduar ndodhen jashtë rrezikut për jetë, ndërsa njëri prej tyre, viktima me inicialet A.F., kishte pësuar lëndime të rënda dhe ishte transferuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka vdekur më mëngjesin e sotëm, rreth orës 01:15.

    Pas rastit tragjik, Prokuroria e Shtetit e ka ri-kualifikuar ngjarjen si “Vrasje e rëndë”.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave janë duke vazhduar.

  • IKD: Qeverisja “Kurti II” e kundërligjshme, ministrat mbajtën dy pozita, vendimet e tyre të kundërligjshme

    IKD: Qeverisja “Kurti II” e kundërligjshme, ministrat mbajtën dy pozita, vendimet e tyre të kundërligjshme

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar një raport ku thekson se Qeverisja “Kurti II” ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme.

    Sipas IKD-së, ministrat kanë mbajtur njëkohësisht postin e deputetit, ndërsa shumë institucione janë udhëhequr nga ushtrues detyre.

    Raporti thekson se mbajtja e dy pozitave shkel Kushtetutën, një praktikë që u vlerësua e kundërligjshme edhe nga Gjykata Supreme.

    Përveç kësaj, IKD ka gjetur se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre përtej afateve ligjore ka dëmtuar meritokracinë dhe ka paralizuar institucionet.

    Lidhur me mbajtjen e dy pozitave nga ministrat, rasti tashmë po trajtohet edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

     

  • MPJD konfirmon arrestimin e shtetasit të Kosovës në Serbi, thotë se janë njoftuar përfaqësuesit e BE-së dhe QUINT-it

    MPJD konfirmon arrestimin e shtetasit të Kosovës në Serbi, thotë se janë njoftuar përfaqësuesit e BE-së dhe QUINT-it

    Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar arrestimin e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe.

    Sipas ministrisë, Hazir Haziri është ndaluar të martën në pikën kufitare në Merdarë, teksa po udhëtonte me automjetin e tij privat në drejtim të Serbisë.

    Për këtë rast thuhet se angazhuar menjëherë zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, ku ka kërkuar sqarime zyrtare për arsyet e ndalimit.

    Për rastin, Ministria e Jashtme ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare të QUINT-it.

    Këto ndalime nga autoritetet serbe, Ministria e Jahste i ka cilësuar si shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm ndërkombëtar.

    Për shkak të rritjes së rasteve, ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë për arsye sigurie.

  • Shefja e Komisionit Evropian kërkon sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelin

    Shefja e Komisionit Evropian kërkon sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelin

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën do të kërkojë sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

    Bashkimi Evropian, i cila ka 27 vende anëtare, është thellësisht i ndarë mbi qasjen ndaj Izraelit dhe palestinezëve, dhe nuk është e qartë nëse do të gjendet një shumicë e nevojshme për t’i mbështetur sanksionet dhe masat tregtare kundër Izraelit.

    “Ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës”, tha von der Leyen në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Von der Leyen shtoi se komisioni “do të krijojë muajin e ardhshëm një grup donatorësh për palestinezët” një pjesë e të cilit do të përqendrohet në rindërtimin e ardhshëm të Gazës.

    “Uria e shkaktuar nga dora e njeriut nuk mund të jetë kurrë armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ajo, duke marrë duartrokitje në Parlament.

    Fjalimi i saj erdhi një ditë pasi ushtria izraelite i paralajmëroi banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen, para se ta nisë ofensivën e gjerë për ta marrë nën kontroll qytetin, i cili thuhet të jetë bastioni i fundit i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Izraeli i bëri këtë paralajmërim të martën para një sulmi ndaj liderëve të Hamasit në Katar, ku negociatat për përfundimin e luftës në Gazë dukej se kishin ngecur.

    Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi rrëmbyen 251 njerëz më 7 tetor të vitit 2023 dhe i vranë rreth 1.200 të tjerë, kryesisht civilë izraelitë.

    Në Gazë po mbahen edhe 48 pengje, rreth 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

    Lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë dhe rrënuar pjesën më të madhe të territorit.

    Shumë pjesë të qyteteve kryesore janë shkatërruar plotësisht dhe rreth 90% e rreth 2 milionë palestinezëve janë zhvendosur brenda vendit./REL

  • Policia sekuestron aparate që kryenin pagesa me dinar në veri

    Policia sekuestron aparate që kryenin pagesa me dinar në veri

    Policia e Kosovës ka sekuestruar në veri të vendit disa aparate POS që shërbenin për kryerjen e pagesave me valutë dinari.

    Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua më 9 shtator 2025 nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Mitrovicë Veri, gjatë asistimit të inspektorëve të tregut të Komunës së Mitrovicës Veri dhe atyre të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Gjatë kontrollit në disa biznese, u gjetën shtatë aparate POS në po aq subjekte, të cilat përdornin dinarin për transaksione.

    Prokurori i Shtetit është informuar për rastin dhe ka dhënë udhëzime që pajisjet të sekuestrohen përkohësisht, si dhe të iniciohet procedurë penale për veprën “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.

    Në lidhje me këtë rast nuk është arrestuar asnjë person, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nën kompetencën e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike – Rajoni Mitrovicë Veri.

  • Izraeli sulmon Katarin, shpërthime të fuqishme në Doha

    Izraeli sulmon Katarin, shpërthime të fuqishme në Doha

    Izraeli ka kryer një sulm kundër udhëheqjes së Hamasit në Doha, ka thënë një burim izraelit për CNN-im, pasi një shpërthim u dëgjua në kryeqytetin e Katarit.

    Burimi nuk ka specifikuar se kush ishte në shënjestër, por udhëheqësit e Hamasit e kanë përdorur kryeqytetin e Katarit si seli jashtë Gazës për vite me radhë.

    Të hënën, kryenegociatori i Hamasit, Khalil Al-Hayya, u takua me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, në Doha.

    Sulmi duket se shënon herën e parë që Izraeli ka nisur një operacion në Katar.

  • KQZ mundëson regjistrimin online të Votuesve me Nevoja të Veçanta për votim përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve

    KQZ mundëson regjistrimin online të Votuesve me Nevoja të Veçanta për votim përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e Votuesve me Nevoja të Veçanta për votim në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Për të lehtësuar procesin e regjistirmit, KQZ ka funksionalizuar platfomën elektronike: https://vpnv.kqz-ks.org, e cila do të jetë e qasshme deri më 7 tetor 2025.

    Për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, KQZ do të angazhojë ekipe mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës, në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.

    Procesi i regjistrimit dhe evidentimit ka filluar për votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta, ndërkaq për votuesit me lëvizje të kufizuar në institucione, regjistrimi do të fillojë më 15 shtator.

    I. Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta, 7 shtator – 7 tetor 2025

    Votues me nevoja të veçanta, konsiderohen votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.

    Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi.

    II. Regjistrimi i votuesve në rrethana të veçanta, 7 shtator – 7 tetor 2025

    Votues në rrethana të veçanta konsiderohen votuesit që për shkaqe sigurie dhe votusit që janë në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendovitimin e tyre të caktuar.

    Registrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platfomës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

    III. Regjistrimi dhe evidentimi i votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione do të fillojë më 15 shator dhe do të përfundojë më 2 tetor 2025

    Votues në institucione konsiderohen votuesit me zotësi juridike, me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.

    KQZ në bashkëpunim me institucione relevante bën evidentimin e këtyre votuesve.

    Votuesit me lëvizje të kufiziuar në institucione dhe të evidentuar prej tyre konsiderohen si votues të regjistruar, ndërkaq votuesit që ndodhen në institucione të hospitalizimit, shtëpitë e të moshuarëve dhe strehimoret për mbrojtjen e viktimave, mund të regjistrohen edhe individulisht përmes platformës elektornike.

  • LVV me slloganin “Bashkë”në zgjedhjet lokale

    LVV me slloganin “Bashkë”në zgjedhjet lokale

    Partia Vetëvendosje ka nxjerrë slloganin “Bashkë” për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Postimi:

    Bashkë me qytetarët,
    Bashkë për komunat,
    Bashkë punojmë,
    Bashkë shërbejmë,
    Bashkë fitojmë!