ATV

Author: G.O.

  • Të paktën 35 të vdekur dhe mbi 130 të plagosur nga sulmi izraelit në Jemen

    Të paktën 35 të vdekur dhe mbi 130 të plagosur nga sulmi izraelit në Jemen

    Të paktën 35 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 130 janë plagosur pas një sulmi ajror izraelit ndaj houthive në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, të mërkurën.

    Sulmi vjen vetëm disa ditë pas një sulmi të kryer nga rebelët Houthi, të cilët përdorën një dron për të goditur një aeroport në Izrael. Shumica e viktimave u regjistruan në Sanaa, ku u goditën një seli ushtarake dhe një stacion karburanti, sipas ministrisë së shëndetësisë së Jemenit.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se do të kërkojë sanksione dhe një pezullim të pjesshëm tregtar kundër Izraelit për shkak të situatës në Rripin e Gazës. Ky veprim shkon paralelisht me izolimin global të Izraelit pas sulmit të tij në Katar, ku synonte udhëheqësit e Hamasit.

    Sipas Al-Masirah, një kanal lajmesh satelitor i kontrolluar nga houthitë, sulmi ka goditur një ndërtesë të selisë ushtarake në qendër të Sanaa-s, duke dëmtuar edhe shtëpitë fqinje.

    Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore si përgjigje ndaj raketave dhe dronëve të dërguar nga houthitë në territorin izraelit. Rebelët e mbështetur nga Irani thonë se po mbështesin Hamasin dhe palestinezët në Rripin e Gazës. Të dielën, houthitë dërguan një dron që arriti të thyejë mbrojtjen ajrore të Izraelit dhe përfundoi në një aeroport jugor

  • Kryeministri i Katarit kërkon përgjegjësi nga Netanyahu pas sulmit në Doha: Vrau çdo shpresë për pengjet

    Kryeministri i Katarit kërkon përgjegjësi nga Netanyahu pas sulmit në Doha: Vrau çdo shpresë për pengjet

    Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, ka kërkuar që homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, të nxirret para drejtësisë, pas sulmit të Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Doha, i cili sipas tij “vrau shpresat” për lirimin e pengjeve në Gaza.

    Al-Thani shtoi se Katari po “rivlerëson gjithçka” lidhur me rolin e tij si ndërmjetës në bisedimet e dështuara deri më tani, të cilat synojnë një armëpushim në konfliktin e shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.

    Të martën, forcat ajrore izraelite shënjestruan udhëheqësit e Hamasit që takoheshin në një kompleks në Doha, kryeqytetin e një aleati të SHBA-së që organizon rregullisht bisedime.

    “Mendoj se ajo që bëri Netanyahu ishte vrau çdo shpresë për pengjet,” tha Al-Thani për CNN, duke shtuar se Netanyahu “duhet të nxirret para drejtësisë.”

    Sulmi gjithashtu shkaktoi kritika të rralla nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, një aleat i ngushtë i Izraelit, i cili tha se ishte “shumë i pakënaqur” dhe e përshkroi veprimin si të pamatur.

    Nga ana e tij, Netanyahu paralajmëroi autoritetet e Katarit: “U them Katarit dhe të gjitha kombeve që strehojnë terroristë: ose duhet t’i dëboni ose t’i çoni para drejtësisë. Sepse nëse nuk e bëni, ne do t’i bëjmë.”

  • Policia apel për kujdes në trafik pas reshjeve në Kosovë

    Policia apel për kujdes në trafik pas reshjeve në Kosovë

    Mëngjesi i sotëm nisi me reshje të mëdha të shiut në disa zona të Kosovës.

    Policia e Kosovës ka apeluar tek shoferët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së veturës për sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.

    Në njoftimin e saj, Policia thekson: “Të vozitni me kujdes në kushte të shiut për sigurinë tuaj dhe të të tjerëve në rrugë. 🌧️ NGASJE E SIGURT NË SHI!”

    Për të shmangur aksidentet, Policia ka dhënë këshillat kryesore:

    Mbaj dritat të ndezura – dritat rrisin dukshmërinë për ju dhe për të tjerët.

    Zvogëloni shpejtësinë – rruga e lagur kërkon frenim më të gjatë, udhëtoni me kujdes.

    Shmangni shpërqendrimet – mos përdorni telefonin, qëndroni të përqendruar te rruga.

    Krijoni distancë pasuese mes mjeteve – mos qëndroni shumë afër makinës para jush, parandaloni aksidentet.

    “Mos lejoni që reshjet t’ju ndalin nga kujdesi! Siguria është në duart tuaja.”, thuhet tutje.

  • Konsumatorët pa mbrojtje efektive, raporti i ZKA-së gjen dobësi të theksuara në sistemin për mbrojtjen e konsumatorëve

    Konsumatorët pa mbrojtje efektive, raporti i ZKA-së gjen dobësi të theksuara në sistemin për mbrojtjen e konsumatorëve

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale dhe efektive. Kjo gjetje vjen nga raporti performancës, i cili ka analizuar sistemin për mbrojtjen e konsumatorëve për periudhën 2022-2024.

    Sipas raportit, sistemi është i pakoordinuar dhe ka dobësi në trajtimin e ankesave, të cilat nuk monitorohen sistematikisht. Auditori gjeti se inspektimet bëhen kryesisht pas ankesave dhe jo bazuar në analiza rreziku, ndërsa fushatat për ndërgjegjësimin e publikut janë të kufizuara.

    Për të adresuar mangësitë që prekin të drejtat e qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka lëshuar 13 rekomandime për institucionet përgjegjëse.

  • Strategjitë kryesore, si të parandalohet rivaliteti midis fëmijëve

    Strategjitë kryesore, si të parandalohet rivaliteti midis fëmijëve

    Rivaliteti midis vëllezërve dhe motrave është një dukuri e zakonshme në familjet me shumë fëmijë. Ndërsa fëmijët rriten, ata shpesh konkurrojnë me njëri-tjetrin për vëmendjen prindërore dhe një ndjenjë drejtësie.

    Nëse një fëmijë ndihet i lënë pas dore ose nuk trajtohet në mënyrë të barabartë, kjo mund të çojë në konflikt dhe xhelozi në marrëdhënien me njërin prej tyre.

    Përpara ardhjes së një fëmije më të vogël, fëmija më i madh ishte qendra e vëmendjes prindërore. Nevojat e tij plotësoheshin shpejt dhe ai nuk kishte nevojë të ndante lodrat me askënd. Megjithatë, me ardhjen e një vëllai ose motre, situata ndryshon – prindërit tani duhet ta shpërndajnë vëmendjen e tyre midis të dy fëmijëve, gjë që mund të shkaktojë ndjenja xhelozie tek fëmija më i madh.

    Ndërsa fëmijët rriten, rivaliteti manifestohet përmes konkurrencës për lodra dhe aktivitete, si dhe rezistencës së fëmijëve më të vegjël ndaj të moshuarve që u imponojnë rregulla.

    Ja si të reagoni

    Njohja e hershme e konfliktit të mundshëm mund të parandalojë përshkallëzimin dhe mbajtja e qetësisë së prindërve i mëson fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.

    Çdo fëmijë ka nevoja të ndryshme. Në vend të shpërblimeve ose ndëshkimeve identike, ofroni një qasje dhe vëmendje individuale që i përshtatet.

    Fëmijët shpesh i përjetojnë frustrimet e tyre pa aftësinë verbale për t’i shprehur ato. Është e rëndësishme të ndiejmë ndjenjat e tyre dhe t’i dëgjojmë, kjo ndihmon me qetësinë emocionale.

    Ndonjëherë është më mirë të injoroni mosmarrëveshjet fillestare, në këtë mënyrë nuk e shpërbleni sjelljen e keqe me vëmendje dhe fëmijët zhvillojnë aftësinë për të zgjidhur konfliktet vetë.

    Kur emocionet të jenë qetësuar, dëgjojini të dyja palët, inkurajojini fjali si “Ndihem”, pa ndjenjë faji dhe ftojini ato të sugjerojnë vetë zgjidhje.

    Konfliktet janë mundësi për fëmijët që të mësojnë të negociojnë, të bëjnë kompromis dhe të kuptojnë nevojat e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ata zhvillojnë aftësi të qëndrueshme për marrëdhëniet ndërpersonale dhe situatat e ardhshme.

  • Tre rituale që çiftet e lumtura i praktikojnë çdo ditë

    Tre rituale që çiftet e lumtura i praktikojnë çdo ditë

    Ka momente sfiduese në çdo marrëdhënie, por çiftet që janë të lumtura në planin afatgjatë shpesh kanë një gjë të përbashkët: zakonet e përditshme që ushqejnë lidhjen e tyre.

    Ka mënyra të thjeshta dhe praktike për të kultivuar afërsinë, mirënjohjen dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Më poshtë janë tre rituale që çiftet në marrëdhënie të suksesshme i praktikojnë rregullisht për të ruajtur harmoninë dhe ngrohtësinë në marrëdhëniet e tyre.

    Mund ta bësh çdo takim me partnerin tënd të veçantë me një gjest të thjeshtë por kuptimplotë, një përshëndetje të ngrohtë dhe të sinqertë. Kjo rutinë e vogël rikthen një ndjenjë pritjeje dhe lidhjeje. Nëse mungojnë përshëndetjet, ai emocion i veçantë i momentit të përbashkët zhduket.

    Harrojeni bisedat sipërfaqësore ndërsa shfletoni telefonin ose shikoni televizor gjatë një pushimi. Vetëm dy minuta bisedë plotësisht e fokusuar do të thotë më shumë se një javë e tërë kohe “së bashku” e kaluar pa qenë realisht të pranishëm me njëri-tjetrin. Mundohuni ta filloni ditën duke u zgjuar më herët dhe duke ndarë një moment për të folur për ditën që ju pret gjatë mëngjesit. Kështu ndërtoni afërsi dhe një ndjenjë të të qenit një ekip.

    Është e lehtë të humbasësh nga sytë të gjitha gjërat e mira që partneri yt bën për ty me kalimin e kohës. Në vend që të kritikosh, mëso të vëresh gjeste të vogla dhe të mëdha dhe të falënderosh. Kur i themi partnerit tonë se e vlerësojmë atë që bën, edhe nëse janë thjesht gjëra të përditshme, ne i njohim përpjekjet e tij dhe forcojmë respektin tonë të ndërsjellë. Me kalimin e kohës, do të bëhesh më tolerant, i vetëdijshëm për sa gjëra të mira bën për njëri-tjetrin.

  • Hilary Duff njofton rikthimin në muzikë pas dhjetë vitesh

    Hilary Duff njofton rikthimin në muzikë pas dhjetë vitesh

    Aktorja dhe ylli i muzikës pop, Hilary Duff, ka zbuluar se po planifikon një rikthim në botën e muzikës, 10 vjet pas publikimit të albumit të saj “Breathe In. Breathe Out”.

    Konkretisht, u zbulua se Duff ka nënshkruar një kontratë me Atlantic Records si dhe se do të punojë në një seri dokumentarësh.

    Projekti i drejtuar dhe prodhuar nga Sam Wrench do të tregojë rikthimin e shumëpritur muzikor të Duff, udhëtimin e saj personal në botën e muzikës.

    Seriali i ri do të tregojë uljet dhe ngritjet e gjithçka që ndodh midis tyre, si dhe ekuilibrin midis familjes, regjistrimit të këngës së re, provave për shfaqje dhe përgatitjes për të performuar në skenë për herë të parë pas 10 vjetësh.

    Seria dokumentare do të përfshijë gjithashtu intervista, performanca dhe pamje nga arkivi i saj.

    Duff e konfirmoi lajmin në Instagramin e saj, duke shkruar: “Muzikë e re, ose diçka tjetër…”.

    Ajo gjithashtu la të kuptohej së fundmi se do të vazhdonte karrierën e saj muzikore në një postim në Instagram. /Telegrafi/

  • Art Ahmeti zgjedhet nënkryetar i Degës II të LDK-së në Prishtinë

    Art Ahmeti zgjedhet nënkryetar i Degës II të LDK-së në Prishtinë

    Aktivisti i njohur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Art Ahmeti, ka marrë një post tjetër të rëndësishëm brenda partisë.

    Ai është zgjedhur nënkryetar i Degës II të Prishtinës.

    Lajmin për emërimin e tij e ka konfirmuar vetë kryetari i Degës, Florian Dushi.

    Përveç besimit të dhënë nga partia, Art Ahmeti, djali i ish-ministrit Qemajl Ahmeti dhe nipi i Xhavit Ahmetit, bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, po kërkon edhe besimin e qytetarëve për zgjedhjet komunale të 12 tetorit.

    Në këto zgjedhje, Art Ahmeti kandidon me numrin 44 nga radhët e LDK-së.

  • Ramiz Lladrovci: Numri 101 po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë të Drenasit

    Ramiz Lladrovci: Numri 101 po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë të Drenasit

    Kryetari aktual i Drenasit, njëherësh kandidat edhe për një mandat, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar për hapjen e fushatës zgjedhore “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, të shtunën, në ora 20:00 në “Hajdini Palace”, Komoran.

    Për numrin 101, Lladrovci ka theksuar se “është numër që po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë, dinjitoz e me integritet të komunës së Drenasit”.

    Ftesa e plotë e Lladrovcit:

    Ftesë për pjesëmarrje në hapjen e fushatës “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”

    Falënderoj qytetarët, grupet e qytetarëve nga lagjet e fshatrat e komunës tonë, për mikpritjen dhe përkrahjen e madhe që më ofruan dhe po ma ofrojnë në takimet parazgjedhore që nga dita e krijimit të Iniciativës qytetare “Për Drenasin Kampion”. Falënderoj gjithashtu miqtë dhe dashamirët përtej kufijve lokal të cilët më japin përkrahje duke besuar fort në rrugën time të nderit.

    Ftoj qytetarët e komunës së Drenasit, të jenë të pranishëm në hapjen e fushatës zgjedhore “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, të shtunën, më 13 Shtator, në ora 20:00, në “Hajdini Palace”- Komoran. Në hapjen e fushatës, do të prezantohen edhe kandidatët nga Lista për Kuvendin e Komunës si dhe Platformën zgjedhore.

    Numri 101 ofron vazhdimin e qeverisjes së mirë, transparente e llogaridhënëse, qeverisje me qytetarin, qeverisje me duar të pastra dhe zbatim të ligjit. Është numër që bashkon atdhetarët e të gjitha gjeneratave, nga familjar të dëshmorëve e martirëve, veteranë e invalidë të UÇK-së, veprimtarë, themelues e aktivistë të partisë shtetformuese e shtetndërtuese. Është numër që po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë, dinjitoz e me integritet të komunës së Drenasit.

    Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë, sfidat dhe mundësitë për të bërë më të mirën e mundshme për qytetarët e komunës së Drenasit, për qytetarët kampionë. Përkrahja e ofruar pa rezervë, më lehtëson dhe fuqizon, për të vazhduar për të qenë kampion i qeverisjes së mirë edhe në mandatin e ardhshëm. Vazhdojmë, +4!

  • Uran Ismaili nis serinë “Pa Filter” me Tefik Bekteshin: Do ta ndërtojmë Spitalin e Prishtinës

    Uran Ismaili nis serinë “Pa Filter” me Tefik Bekteshin: Do ta ndërtojmë Spitalin e Prishtinës

    Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka nisur një seri të re takimesh të quajtur “Pa Filter”, ku bisedon hapur me qytetarë e profesionistë për çështjet më të rëndësishme të kryeqytetit.

    Në takimin e parë, ai u bashkua me Tefik Bekteshin, ish-drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.

    Ismaili tha se qytetarët e Prishtinës janë të diskriminuar prej më shumë se 25 vitesh nga mungesa e një spitali të dedikuar për ta, duke theksuar se kjo është padrejtësi e pakuptimtë që duhet të marrë fund.

    “Kam me e realizu Spitalin e Prishtinës,” tha ai, duke kujtuar se plani i detajuar është përgatitur që në kohën kur ai ishte ministër i Shëndetësisë, por nuk u vu kurrë në zbatim nga qeverisjet e mëvonshme.

    Nga ana e tij, Tefik Bekteshi tha se ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të ishte arritje historike për qytetarët e kryeqytetit, duke e cilësuar një hap që do të mbetet në kujtesë.

    Ai po ashtu e falënderoi Ismailin për bashkëpunimin e ofruar gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë dhe për gatishmërinë për të mbështetur profesionistët shëndetësorë në reformat e ndërmarra atë kohë.