ATV

Author: G.O.

  • Osmani: Jemi në mbrojtje të Kushtetutës, qëndrimet tona i bëjmë publike pas mbledhjes

    Osmani: Jemi në mbrojtje të Kushtetutës, qëndrimet tona i bëjmë publike pas mbledhjes

    Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të LDK-së është takim i rregullt, në të cilin do të diskutohen zhvillimet e fundit politike.

    Osmani tha se pas përfundimit të mbledhjes, deputetët e LDK-së do të dalin me një qëndrim të përbashkët.

    “Është takimi i grupit parlamentar, natyrisht për zhvillimet e fundit. Sapo të përfundojë takimi do të kemi deklaratë të përbashkët”, ka thënë Osmani.

    E pyetur lidhur me mungesën e deputetëve të LDK-së në seancën e djeshme, përkrah PDK-së dhe Aleancës, ajo tha se LDK-ja ka qenë në Kuvend dhe se qëndrimi i saj lidhet me mbrojtjen e Kushtetutës.

    “Çdo ditë jam në Kuvend. Çdo ditë jam në Kuvend. Edhe sot isha në Kuvend. Ne jemi në përkrahje të mbrojtjes së Kushtetutës”, është shprehur Osmani.

    Ajo shtoi se qëndrimet më të detajuara të LDK-së do të bëhen publike menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar.

  • I nxehti po merr jetë në Gjermani, 12 mijë e 500 vdekje këtë vit

    I nxehti po merr jetë në Gjermani, 12 mijë e 500 vdekje këtë vit

    Valët e të nxehtit në Gjermani gjatë këtij viti dyshohet se kanë shkaktuar rreth 12 mijë e 500 vdekje, shifër dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, ka njoftuar Instituti Robert Koch (RKI), autoriteti gjerman i shëndetit publik.

    Në raportin e fundit javor, janë bërë të ditur se numri i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta këtë vit është dukshëm më i madh krahasuar me mesataren e viteve të fundit.

    Sipas të dhënave të institutit, në vitin 2018 në Gjermani u regjistruan rreth 9 mijë e 400 vdekje të lidhura me të nxehtin, ndërsa në vitin 2019 rreth 7 mijë e 700 shkruan yaho.

    Vlerësimi i fundit përfshin periudhën nga 6 prilli deri më 2 gusht 2026.

    Instituti thekson se këto janë vlerësime konservatore dhe se numri real i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta mund të jetë edhe më i madh.

    Të dhënat e fundit vijnë në një kohë kur Gjermania, sikurse pjesë të tjera të Evropës, është përballur me periudha të gjata të temperaturave të larta gjatë verës,transmeton Sinjali.

  • BE-ja i kërkon sërish Kosovës të ndalojë rrënimet në veri

    BE-ja i kërkon sërish Kosovës të ndalojë rrënimet në veri

    Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen ndaj autoriteteve në Kosovë që të pezullojnë rrënimin e objekteve në veri të vendit deri në përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore.

    BE-ja ka shprehur keqardhje që institucionet e Kosovës nuk i kanë përfillur thirrjet e mëhershme për ndaljen e këtyre rrënimeve, veçanërisht atyre që lidhen me objektet përreth Liqenit të Ujmanit.

    Këtë e ka deklaruar në Bruksel, gjatë një konference për media, Annita Hiper, zëdhënëse e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    “Na vjen keq që rrënimi i shtëpive ka vazhduar, veçanërisht pasi ankesat lidhur me pronat janë ende në shqyrtim gjyqësor. BE-ja u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndalin çdo shembje të mëtejme dhe të punojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme ligjore. Çdo hap në drejtim të kundërt, përfshirë edhe shembjet, duhet të pezullohet derisa gjykatat kompetente të nxjerrin vendimin përfundimtar lidhur me ankesat”, tha ajo zëdhënësja e BE-së.

  • Rubio: ShBA-ja dhe Irani ende nuk kanë përfunduar bisedimet për rrugët ujore, por marrëveshja mund të arrihet shpejt

    Rubio: ShBA-ja dhe Irani ende nuk kanë përfunduar bisedimet për rrugët ujore, por marrëveshja mund të arrihet shpejt

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar të martën se Uashingtoni dhe Teherani ende nuk kanë përfunduar bisedimet për kalimin nëpër rrugët ujore ndërkombëtare vendimtare, por shpreson që një marrëveshje të arrihet “shumë shpejt”.

    Pas raportimeve dhe deklaratave të zyrtarëve të lartë amerikanë se të dyja palët janë afër arritjes së një marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, Rubio u tha gazetarëve në Departamentin e Shtetit se negociatat kanë shënuar përparim, por ende nuk kanë përfunduar.

    “Është bërë përparim në ato bisedime, por ende jo përfundim”, tha Rubio.

    “Shpresojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt,” shtoi ai.

    Duke pretenduar se disa anije tregtare kanë qenë në gjendje të kalojnë tranzit pavarësisht përpjekjeve për të bllokuar kalimet e tyre, Rubio tha se aktualisht ekzistojnë negociata mes SHBA-së, Omanit dhe Iranit për të mundësuar kalimin më të sigurt të më shumë anijeve në një afat të shkurtër.

    “Ekziston një bisedë dhe një negociatë në të cilën jemi të përfshirë midis Omanit dhe Iranit se si më shumë anije mund të jenë në gjendje të kalojnë atje në mënyrë të sigurt në një afat të shkurtër”, tha ai.

    “Ka naftë që lëviz tani përmes ngushticave. Pra, ngushticat janë të hapura”, deklaroi Rubio, duke iu referuar Ngushticës së Hormuzit dhe rrugës ujore Bab el-Mandeb, mes Jemenit dhe Bririt të Afrikës.

  • Përurohet rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti: Investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe sigurinë ujore të vendit

    Përurohet rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti: Investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe sigurinë ujore të vendit

    Në Zubin-Potok është përuruar rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, projekt që sipas institucioneve synon forcimin e sigurisë ujore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend. Në ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët vlerësuan rëndësinë e investimit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë dhe sigurinë e përgjithshme të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se projekti përfaqëson një investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe sigurinë ujore të vendit.

    “Sot po e përurojmë përfundimin e një projekti madhor të Ibër-Lepencit për sigurinë ujore dhe mbrojtjen e kanalit. Pranë kësaj pjese të kanalit të ujit, që tani nuk është më i dukshëm, dhe për një arsye të mirë, sepse është rehabilituar dhe, me kërkesë të banorëve, këtu është mbuluar për ta rritur sigurinë për të gjithë. Prej se është ndërtuar në vitet e 80-ta, ky kanal ka qenë infrastrukturë jetike për Republikën e Kosovës. Kanali, që nis në këtë komunë dhe i përshkon 49 kilometra deri në Prishtinë, siguron ujin për termocentralet tona, që prodhojnë deri në 90 për qind të energjisë sonë, për tokën bujqësore në Rrafshin e Kosovës dhe për fabrikat e ujit të pijes që furnizojnë nëntë komuna me mbi 500 mijë banorë. Prandaj, mbrojtja e tij nuk është thjesht një çështje lokale dhe as vetëm teknike, është mbrojtje e përditshme e Republikës, e dritës në shtëpi, e ujit nga rubineti, e prodhimit në ekonomi dhe e bukës nga ara”, u shpreh Kurti.

    Kurti tha se investimi prej 18 milionë eurosh nuk është vetëm reagim ndaj rreziqeve, por ndërtim i kapaciteteve për parandalimin e tyre.

    “Përmes këtij projekti, në vlerë prej 18 milionë eurosh, janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit, si dhe është ndërtuar një rezervuar kompensues me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente. Ky projekt dëshmon se Republika jonë nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut; ajo ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet të vazhdojnë t’u ofrohen me cilësinë e duhur, pa ndërprerje. Ne zgjodhëm që përurimin e projektit ta bëjmë pikërisht në këtë vend, ku kanali dikur ka qenë rrezik për banorët, por ku sot ndërmarrja Ibër-Lepenc investon në infrastrukturë, punëson qytetarët dhe e përmbush misionin e vet për shtetin”, tha Kurti.

    Ndërsa, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti është i një rëndësie të veçantë për sigurinë ujore të Kosovës, duke kujtuar edhe sulmin terrorist ndaj kanalit vitin e kaluar.

    “Është kënaqësi e veçantë të jem këtu sot për të përuar një projekt tejet të rëndësishëm për sigurinë e kanalit dhe sigurinë ujore të Republikës së Kosovës. Herën e fundit që kemi qenë këtu ka qenë përafërsisht para një viti, kur puna në këtë pjesë ka filluar, ndërkohë që kishin kaluar më pak se gjashtë muaj prej se ishte përfunduar rehabilitimi i asaj pjese të kanalit që ishte cak i një sulmi terrorist. Ky rast na bëri më së miri ta kuptojmë e ta ndiejmë thellë atë që të gjithë e dinim racionalisht: që Ujmani është jetik për sigurinë e vendit tonë, duke qenë jetik edhe për furnizimin me ujë dhe për rezervat ujore, duke pasur dy të tretat e rezervave të gjithë Republikës së Kosovës, por edhe për furnizimin me ujë të rreth 500 mijë banorëve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, shteti, institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike nuk janë aty vetëm për të reaguar kur ka sulme. Mirëmbajtja e rregullt dhe e duhur e infrastrukturës kritike është po aq e rëndësishme për sigurinë”, tha ajo.

    Ajo shtoi se rehabilitimi ka përmirësuar kapacitetin dhe monitorimin e kanalit.

    “Ky projekt që po përurojmë sot ka dhënë tri rezultate kryesore: e para, e ka rehabilituar kanalin dhe ia ka rikthyer kapacitetin fillestar; e dyta, e ka përmirësuar cilësinë e ujit; dhe e treta, e ka modernizuar mënyrën se si monitorohet dhe menaxhohet e gjithë kjo infrastrukturë kritike. Rezultati i parë është rehabilitimi i plotë i 10 kilometrave të kanalit. Segmentet e dëmtuara janë veshur me beton të ri të armuar, ndërsa pjesët me dëmtime strukturore dhe rrjedhje aktive janë sanuar”, shtoi Rizvanolli.

    Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, vlerësoi bashkëpunimin institucional dhe tha se projekte të tilla ndikojnë në ndryshimin e qasjes ndaj banorëve të veriut të Kosovës.

    “Unë po e falënderoj kryeministrin, mbi të gjithë të tjerët, juve, zonja ministre Rizvanolli. Keni treguar deri më tani veten që me të vërtetë jeni një person i përkushtuar për zhvillimin e secilit prej rajoneve të Kosovës. Unë gjithashtu po mbetem i përkushtuar, së bashku me juve, që t’i vazhdojmë këto projekte, të cilat në esencë e ndryshojnë krejt qasjen ndaj banorëve të veriut të Kosovës”, tha Rashiq.

    Drejtori i ndërmarrjes Ibër-Lepenc, Faruk Mujka, tha se projekti paraqet një investim të rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me ujë dhe stabilitetin e infrastrukturës jetike në vend.

    “Ju falënderoj nga zemra për prezencën tuaj në këtë inaugurim kaq të rëndësishëm, siç është projekti ‘Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit’, që ndikon dukshëm në rritjen e stabilitetit dhe kualitetit të furnizimit me ujë, pikë së pari për KRU Mitrovica, KRU Prishtina dhe KEK-un, që janë ndër institucionet më të rëndësishme në vend. Projekti që po inaugurojmë sot po ndikon në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit me ujë. Nuk është thjesht vetëm një investim në infrastrukturë, por një investim në sigurinë kombëtare, mirëqenien tonë dhe në ekonominë e vendit tonë. Uji është burim i çmuar i jetës dhe siguria e furnizimit me ujë është një prej prioriteteve kryesore për çdo shoqëri që synon zhvillim të qëndrueshëm. Ne po garantojmë që qytetarët e nëntë komunave të Republikës së Kosovës, si dhe impiantet e KEK-ut, do të kenë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë edhe në kohët më të vështira”, tha Mujka.

  • 700 nxënës të Prishtinës ndjekin kurse falas të notit në Pishinën e Gërmisë

    700 nxënës të Prishtinës ndjekin kurse falas të notit në Pishinën e Gërmisë

    Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati ka njoftuar se 700 nxënës të shkollave publike të Prishtinës po ndjekin këtë verë kurse falas të notit në Pishinën e Gërmisë.

    Për zhvillimin e këtij programi nga afër kanë parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë komunalë. Programi ka nisur me iniciativën e drejtorit të Arsimit, Arianit Elshani, dhe drejtorit të Sportit, Granit G. Geci.

    Sipas njoftimit të nënkryetares së Prishtinës, Besiana Musmurati, programi synon që përmes mësimit të notit fëmijëve t’u ofrohet një aftësi e rëndësishme jetësore, krahas promovimit të aktivitetit fizik.

    “Noti nuk është vetëm sport. Është një aftësi jetësore që rrit sigurinë, vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve”, ka shkruar Musmurati.

    Ajo ka theksuar se investimi në programe të tilla e bën qytetin më të mirë dhe më të orientuar drejt nevojave të fëmijëve. /Telegrafi/

  • Prokuroria Speciale për gërmimet në Zubin Potok: Hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë

    Prokuroria Speciale për gërmimet në Zubin Potok: Hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë

    Prokuroria Speciale e Kosovës tha se në koordinim me Policinë e Kosovës, hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut, “po vazhdojnë intensivisht”.

    “Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë”, tha Prokuroria.

    Ndërkaq, në njoftim u tha se prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore.

    “Deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë”.

    Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale tha se nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment.

    “Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”.

  • Barack Obama feston ditëlindjen e 65-të

    Barack Obama feston ditëlindjen e 65-të

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, feston sot ditëlindjen e tij të 65-të.

    Obama hyri në histori si presidenti i 44-t i ShBA-së dhe presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit, duke shërbyer për dy mandate nga viti 2009 deri në vitin 2017.

    Gjatë presidencës së tij, ai u përball me krizën financiare globale, miratoi reformën e kujdesit shëndetësor të njohur si “Obamacare” dhe luajti një rol të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare.

    Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Obama ka vazhduar të jetë aktiv në jetën publike përmes Obama Foundation, organizatë që promovon zhvillimin e liderëve të rinj, angazhimin qytetar dhe projekte të ndryshme filantropike në mbarë botën.

    Ai gjithashtu ka botuar librin autobiografik A Promised Land, ndërsa së bashku me bashkëshorten e tij, Michelle Obama, vazhdon të mbështesë iniciativa në fushën e arsimit, demokracisë dhe barazisë sociale.

  • BQK publikon Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025

    BQK publikon Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025, i cili paraqet vlerësimin e zhvillimeve në sistemin financiar, rreziqeve ndaj stabilitetit financiar dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar përballë zhvillimeve të pafavorshme, duke evidentuar kapacitetin e tij për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

    Raporti është hartuar në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri të larta, tensione gjeopolitike, presione inflacioniste dhe kushte më të shtrënguara të financimit. Përkundër këtyre zhvillimeve, ekonomia e Kosovës vazhdoi të shënojë rritje pozitive gjatë vitit 2025, ndërsa aktiviteti ekonomik u përshpejtua në tremujorin e parë të vitit 2026. Pozicioni i shëndoshë fiskal, niveli i ulët i borxhit publik dhe ruajtja e disiplinës fiskale vazhduan të kontribuojnë në zbutjen e rreziqeve makroekonomike.

    Raporti konfirmon se sistemi financiar i Kosovës ruajti stabilitet të lartë gjatë vitit 2025, duke dëshmuar qëndrueshmëri ndaj zhvillimeve në ekonomi. Pozita e shëndoshë financiare e institucioneve financiare, korniza e avancuar rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe politikat makroprudenciale të ndjekura nga BQK kanë forcuar më tej kapacitetin e sistemit financiar për të absorbuar rreziqet dhe për të ruajtur funksionimin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit financiar.

    Vlerësimi i përgjithshëm i raportit është se rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbeten nën kontroll. Sistemi financiar vazhdon të karakterizohet nga pozicion i fortë kapitali, likuiditet i mjaftueshëm, cilësi e mirë e aseteve dhe burime të qëndrueshme financimi, duke ruajtur aftësinë për të mbështetur ekonominë edhe në rast të materializimit të skenarëve më pak të favorshëm. Kjo dëshmon se sistemi financiar vazhdon të kryejë në mënyrë efektive funksionet e tij kryesore, duke ruajtur besimin e publikut dhe duke mbështetur financimin e ekonomisë.

    Raporti vlerëson se, megjithëse mjedisi ndërkombëtar vazhdon të karakterizohet nga pasiguri të lidhura me tensionet gjeopolitike, fragmentimin ekonomik, kushte më të shtrënguara financiare, inflacionin dhe rritjen e rreziqeve kibernetike, sistemi financiar i Kosovës ka dëshmuar kapacitete të mjaftueshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të absorbuar goditje të mundshme.

    Një nga gjetjet kryesore të raportit janë se rezervat ekzistuese të kapitalit dhe likuiditetit, së bashku me kapacitetin për gjenerimin e të ardhurave, sigurojnë vazhdimësinë e funksionimit të sektorit financiar dhe aftësinë e tij për të vazhduar mbështetjen e aktivitetit ekonomik edhe në kushte më sfiduese. Gjithashtu edhe rezultatet e stres-testimeve, konfirmojnë se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm edhe nën skenarë të rënduar makroekonomikë dhe financiarë.

    Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e politikës makroprudenciale të BQK-së, e cila synon identifikimin në kohë të rreziqeve sistemike dhe forcimin e rezervave mbrojtëse të sektorit financiar. Kjo qasje kontribuon në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe krijon parakushte për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit financiar.

    Njëkohësisht, raporti evidenton progresin e vazhdueshëm në forcimin e qëndrueshmërisë operacionale dhe kibernetike, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe avancimin e digjitalizimit të shërbimeve financiare. Këto zhvillime rrisin sigurinë, efikasitetin dhe besimin në sistemin financiar, duke forcuar aftësinë e tij për t’iu përshtatur rreziqeve dhe sfidave në zhvillim.

    Me gjithë zhvillimet pozitive, raporti paraqet  perspektivën dhe ekspozimin ndaj pasigurive nga mjedisi i jashtëm, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të cilat kërkojnë vëmendjen e duhur institucionale.

    Në përputhje me mandatin e saj ligjor, BQK do të vazhdojë të zbatojë politika të kujdesshme mbikëqyrëse dhe makroprudenciale, në harmoni me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, ne menyre qe të identifikojë me kohë rreziqet potenciale dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar, të forcoje më tej qëndrueshmërinë e sistemit financiar per te krijuar kushte të favorshme për rritje ekonomike të qëndrueshme.

    Raporti i Stabilitetit Financiar për vitin 2025 është i qasshëm në faqen zyrtare të BQK-së, në seksionin “Publikimet”, në këtë link: https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2026/08/BQK_FSR-22.pdf

  • Tërmet 4.3 ballë godet Italinë

    Tërmet 4.3 ballë godet Italinë

    Një tërmet me magnitudë 4.3 ballë të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e së martës Italinë.

    Sipas Institutit Kombëtar Italian për Gjeofizikë dhe Vullkanologji, tërmeti është regjistruar në orën 10:15 sipas kohës lokale.

    Epiqendra ishte rreth shtatë kilometra në perëndim të qytetit të Pizës, në rajonin e Toskanës, ndërsa thellësia e tërmetit ishte tetë kilometra.

    Lëkundjet janë ndier në Pisa, Livorno dhe në zonat përreth Toskanës. Mediat lokale raportojnë se tërmeti është ndier edhe në Valdera, përgjatë bregdetit dhe në zonën e Versilias.

    Deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme të mëdha materiale.