ATV

Author: G.O.

  • Përqafimi që shkaktoi divorc – merr një tjetër rrjedhë skandali në koncertin e “Coldplay”

    Përqafimi që shkaktoi divorc – merr një tjetër rrjedhë skandali në koncertin e “Coldplay”

    Ish-CEO i “Astronomer”, Andy Byron, dhe ish-drejtoresha e HR-së, Kristin Cabot, u bënë qendra e vëmendjes gjatë një koncerti të “Coldplay” në Massachusetts, kur u shfaqën në ‘Kiss Cam’ të përqafuar.

    Momenti u bë viral menjëherë, duke shkaktuar polemika dhe meme në rrjetet sociale, pasi të dy ishin të martuar me persona të tjerë.

    Sipas një burimi pranë Cabot, mes tyre nuk kishte asnjë aferë romantike, por vetëm një miqësi të fortë dhe marrëdhënie pune të mirë.

    Cabot pranoi se përqafimi ishte i papërshtatshëm në publik, por theksoi se skandali dhe humbja e punës ishin të padrejta.

    “Kristin është etiketuar padrejtësisht si shkatërruese familjeje”, tha burimi.

    Incidenti çoi në veprime të menjëhershme nga kompania ku punonin. Byron dha dorëheqjen një ditë pas skandalit, ndërsa Cabot u largua brenda një jave.

    Seanca e parë gjyqësore për këtë çështje është caktuar për 1 tetor 2025.

    – YouTube www.youtube.com

    Sipas burimeve, Cabot kishte depozituar kërkesën për divorc nga burri i saj, Andrew, i cili ndodhej në udhëtim biznesi gjatë koncertit.

    Raportohet gjithashtu se Andrew po ashtu ndodhej në të njëjtin koncert për një dalje private, pasi çifti kishte jetuar të ndarë për një kohë.

    Momenti i sikletshëm u kthye në objekt talljeje në rrjetet sociale dhe frymëzoi meme të shumta, por Cabot përjetoi edhe pasoja serioze: rreth 900 kërcënime me vdekje dhe incidente të tjera shqetësuese në publik, duke e bërë situatën të vështirë për të dhe familjen e saj.

    As Byron, as Cabot nuk kanë bërë ende asnjë deklaratë publike për skandalin.

    Ky incident është një shembull i qartë se një moment i vogël publik mund të kthehet shpejt në një skandal global dhe të ndikojë jetën personale dhe profesionale të njerëzve. /Telegrafi/

  • Vuçiq dhe Rubio bisedojnë për thellimin e bashkëpunimit mes ShBA-së dhe Serbisë

    Vuçiq dhe Rubio bisedojnë për thellimin e bashkëpunimit mes ShBA-së dhe Serbisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kanë biseduar për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve gjatë një takimi në Nju Jork.

    Vuçiq dhe Rubio u takuan në Nju Jork të martën mbrëma, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Në një shkrim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se biseda mes tyre u përqendrua në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, veçanërisht sa i përket zgjidhjes së çështjes së tarifave të SHBA-së.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifë prej 35 për qind ndaj mallrave serbe muaj më parë.

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, tha se Rubio bisedoi me Vuçiqin për thellimin e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, përfshirë përmes dialogut strategjik dhe pjesëmarrjes së SHBA-së në ekspozitës ndërkombëtare EXPO 2027, e cila do të mbahet në Beograd.

    Vuçiq theksoi se me Rubion e shqyrtoi edhe mundësinë e investimeve të reja, bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe teknologjive të reja, si dhe “perspektivat që ofron mekanizmi i dialogut tonë strategjik”.

    Në gusht, Rubio paralajmëroi pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të zhvillojnë dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.

    Mes shqetësimeve të ngritura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pikërisht nga Nju Jorku se Beogradi paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën, Vuçiq tha se theksoi para Rubios se Serbia është e “përkushtuar” për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.

    Vuçiq tha se “ky është parakusht për çdo përparim të mëtejshëm dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, duke shprehur mirënjohje për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e sigurisë së popullit serb në Kosovë dhe Metohi, si dhe për kontributin e tyre në procesin e dialogut Beograd–Prishtinë”.

    E pyetur në një intervistë për Fox News nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.

    Ndërkohë, Vuçiq e tha se e vlerëson mbështetjen e SHBA-së në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, “që është një nga objektivat strategjikë të vendit tonë”.

    “Dialogu i hapur dhe i sinqertë, i bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, është mënyra më e mirë për të forcuar partneritetin Serbi-SHBA”, tha ai./REL/

  • Abdixhiku: Sakrifica e Bunjakut mbetet kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova

    Abdixhiku: Sakrifica e Bunjakut mbetet kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar sakrificën e policit Afrim Bunjaku në dyvjetorin e vrasjes së tij në Banjskë.

    Në postimin e tij, Abdixhiku shkruan se Bunjaku u vra nga pjesëtarë të një grupi terrorist të sponsorizuar dhe komanduar nga Serbia, teksa po kryente detyrën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale.

    “Por Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik”, thekson Abdixhiku.

    Postimi i plotë:

    Afrim Bunjaku, u vra nga pjestarë të një grupi terrorist të sponzorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale.

    Por Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik.

    Sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim. Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë.

    Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi.

    Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”

  • Krasniqi: Bunjaku mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Kosovës

    Krasniqi: Bunjaku mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përkujtuar policin Afrim Bunjaku, i cili u vra para dy vitesh në Banjskë nga terroristët serbë.

    Krasniqi theksoi se sakrifica e Bunjakut mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë një shembull të përjetshëm të nderit dhe besës ndaj atdheut.

    “Por, dy vite pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës.“, shkroi kreu i PDK-së, në një postim në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Dy vite më parë, në Banjskë, ra heroikisht në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë.

    Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tij është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut.

    Por, dy vite pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës.

    Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku!

    Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën!

  • Britania e Madhe i bën thirrje Serbisë që t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e Banjskës

    Britania e Madhe i bën thirrje Serbisë që t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e Banjskës

    Britania e Madhe i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të kapin dhe të sjellin sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist në Banjskë, të datës 24 shtator 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    “Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë kapur dhe nuk janë sjellur para drejtësisë. Ne sërish i bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë për këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.

    Sot shënohet dyvjetori i sulmit terrorist në Banjskë, dhe Ambasada britanike ka vlerësuar lartë veprimin e Policisë së Kosovës.

    “Sot është përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Ne vazhdojmë të mbajmë zi për humbjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, gjatë atij sulmi. Ne shprehim homazhe për profesionalizmin dhe trimërinë e Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator të vitit 2023, dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të duruar në hartimin e një aktakuze”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.

  • Haradinaj: Afrim Bunjaku, ra heroikisht në mbrojtje të paqes – respekt i përjetshëm për sakrificën e tij

    Haradinaj: Afrim Bunjaku, ra heroikisht në mbrojtje të paqes – respekt i përjetshëm për sakrificën e tij

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili u vra nga terroristët serbë në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

    Haradinaj ka përkujtuar sakrificën dhe trimërinë e heroit kosovar në një postim në Facebook, duke shprehur respektin për sakrificën e Bunjakut.

    “Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të ‘Heroit të Kosovës’, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e rënies, shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, shkroi ai.

  • Bunjaku kujtohet nga kolegu i tij: Punuam krah për krah deri në momentin e fundit – dhimbja e humbjes është e pamasë

    Bunjaku kujtohet nga kolegu i tij: Punuam krah për krah deri në momentin e fundit – dhimbja e humbjes është e pamasë

    Heroi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është kujtuar sot nga kolegu i tij, Fahri Shala, në dyvjetorin e rënies së tij heroike gjatë sulmit në Banjskë.

    Duke rikujtuar momentet e fundit me Bunjakun, Shala tha se ato janë shndërruar në dëshmi të pavdekshme të besnikërisë, trimërisë dhe dashurisë për atdheun.

    Dhimbjen për humbjen e kolegut e përshkroi si të madhe, ndërsa krenarinë për sakrificën e tij e quajti lehtësim shpirtëror dhe forcë për të ecur përpara.

    “Sot, më 24 shtator 2025, përkujtojmë me pikëllim të thellë dhe krenari dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku. Punuam krah për krah, të pandarë për vite me radhë, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Edhe sot, në kujtesën time të freskët, mbeten pamjet dhe sekondat e fundit që ndamë së bashku, çaste që u shndërruan në dëshmi të pavdekshme të besnikërisë, trimërisë dhe dashurisë së tij për atdheun. Dhimbja e humbjes është e pamasë, por krenaria për sakrificën e tij e lehtëson shpirtin dhe na jep forcë të ecim përpara. Me përulje e respekt të pafund, përkulemi para aktit të tij sublim, para vendosmërisë dhe guximit që e bënë të flijohej për mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë të  shtrenjtë”, thotë Shala.

    Ai shtoi se Bunjaku nuk është vetëm kujtim i dhimbjes, por edhe flamur i guximit, shtyllë e nderit dhe mishërim i dashurisë së pashuar për Kosovën.

    Sipas Shalës, heroi do të jetojë në çdo hap të lirisë dhe në çdo frymëmarrje të vendit që e mbrojti me gjakun e tij.

    Fahri Shala është gjithashtu dëshmitar në rastin e sulmit në Banjskë.

  • Ambasada gjermane: Radojiçiq ende i lirë në Serbi, pandëshkueshmëria e përgjegjësve e papranueshme

    Ambasada gjermane: Radojiçiq ende i lirë në Serbi, pandëshkueshmëria e përgjegjësve e papranueshme

    Sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa Millan Radojiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, vazhdon të jetë i lirë.

    Në dyvjetorin e këtij sulmi ka reaguar edhe Ambasada gjermane në Prishtinë.

    “Dy vjet që nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë, megjithatë, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit, Radoiçiq, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.

    Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi.

    Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet në postimin e Ambasadës.

  • DASh: Trump u dha fund 7 luftërave, në listë edhe Kosova–Serbia

    DASh: Trump u dha fund 7 luftërave, në listë edhe Kosova–Serbia

    Departamenti Amerikan i Shtetit e ka cilësuar Donald Trumpin si “President të Paqes”.

    Përmes një grafike zyrtare, Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se Trump ka përfunduar shtatë luftëra në shtatë muaj, ku në listë përfshihet edhe menaxhimi i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Këtë grafikë e ka shpërndarë edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

    Ky publikim i Departamentit Amerikan të shtetit pason fjalimin e presidentit amerikan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku Trump theksoi se u dha fund konflikteve që shumë analistë dhe politikanë i kishin konsideruar si të pafundme dhe të pazgjidhshme.

    Përveç Kosovës dhe Serbisë, në listën e Departamentit të Shtetit figurojnë edhe ndërmjetësimet në konfliktet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe Pakistanit e Indisë.

    Sipas Uashingtonit, këto janë arritje historike për paqen dhe stabilitetin global.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj gjashtë personave për përdorim të granatave, armëve dhe dhunës ndaj policisë në veri

    Ngrihet aktakuzë ndaj gjashtë personave për përdorim të granatave, armëve dhe dhunës ndaj policisë në veri

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L., për veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale Huliganizmi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se më 13 tetor 2021 kanë marrë pjesë me dashje në një turmë të organizuar në Mitrovicë të Veriut, e cila ishte përfshirë në veprime të dhunshme kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Doganës.

    “Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehuri kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Po ashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Si pasojë e dhunës, disa zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

    Në aktakuzë përmendet se “B.A., E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime trupore”.

    Gjithashtu, në lagjen “Berxhane” në Mitrovicë të Veriut, të njëjtën ditë, tre nga të akuzuarit (I.V., M.V. dhe M.R.) dyshohet se kanë përdorur armë zjarri dhe bombola gazi kundër zyrtarëve policorë dhe doganorë.

    Sipas njoftimit, turma më pas është drejtuar drejt një barnatoreje, ku kanë lënduar edhe zyrtarë të tjerë policorë dhe kanë shkaktuar dëme materiale.

    “Janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M., dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro”, thuhet në fund të njoftimit.