ATV

Author: G.O.

  • S’keni vend në banesë? Tetë truke të zgjuara për të ruajtur veshjet sezonale pa rrëmujë

    S’keni vend në banesë? Tetë truke të zgjuara për të ruajtur veshjet sezonale pa rrëmujë

    Nga qeset e vakumit te organizatorët e sirtarëve – mënyra të thjeshta për ta mbajtur gardërobën të pastër, të rregullt dhe gjithmonë gati për sezonin tjetër

    Të jetosh në një banesë të vogël shpesh do të thotë të ballafaqohesh me dilema të përditshme: ku t’i vendosësh palltot e trasha kur vjen vera, apo ku të ruash fustanet dhe rrobat e lehta gjatë dimrit?

    Mungesa e hapësirës sjell jo vetëm rrëmujë vizuale, por edhe dëmtim të gardërobës, rroba të ngjeshura që humbasin formën, materiale të ndjeshme që marrin erë lagështie, apo aksesorë që humbasin mes grumbujve.

    Organizimi i zgjuar bën ndryshimin. Me metoda praktike si qeset e vakumit, kutitë e ulëta për poshtë shtratit, organizatorët për aksesorë apo përdorimi i rafteve të larta, edhe një banesë e vogël mund të ofrojë hapësirë të mjaftueshme. Jo vetëm që kurseni vend, por edhe e ruani gardërobën të pastër, të mbrojtur dhe gjithmonë të gatshme për sezonin tjetër.

    Në vijim gjeni disa këshilla të thjeshta, por shumë efektive, që do t’ju ndihmojnë të mbani shtëpinë të rregullt dhe rrobat tuaja të zgjasin më shumë, transmeton Telegrafi.

    1. Përdorni qese vakumi për rroba

    Qeset e vakumit zvogëlojnë dukshëm vëllimin e rrobave dhe i mbrojnë nga pluhuri, lagështia dhe erërat e pakëndshme. Janë ideale për pulovra të trasha, xhaketa dhe pallto dimërore. Mund t’i vendosni në rafte, poshtë shtratit ose brenda dollapëve. Për më tepër, mund t’i shënoni lehtësisht me marker, p.sh. “Dimër 2025”, që të gjeni shpejt çfarë ju duhet.

    2. Shfrytëzoni hapësirën poshtë shtratit

    Kjo hapësirë shpesh mbetet e pashfrytëzuar. Siguroni kuti të ulëta ose çanta speciale për ruajtjen e rrobave, të cilat futen dhe nxirren lehtësisht. Në këtë mënyrë çlironi vend në dollap, ndërsa rrobat qëndrojnë të mbrojtura nga pluhuri.

    3. Përdorni me zgjuarsi lartësinë e dollapit

    Rafte të larta janë ideale për veshjet sezonale që nuk i përdorni për momentin. Vendosini në kuti ose çanta prej pëlhure dhe shpërndajini në nivelet e sipërme. Nëse është e mundur, shënoni kutitë me foto ose etiketa për të ditur gjithmonë çfarë gjendet brenda.

    4. Shfrytëzoni dyert e dollapit ose muret

    Ekzistojnë mbajtëse dhe grepa special që montohen në dyert e dollapëve ose në mur. Janë të përsosur për shalle, rripa, kapele dhe aksesorë të vegjël. Kështu çlironi hapësirë në sirtarë, ndërsa gjërat e vogla mbeten të dukshme dhe të lehta për t’u marrë.

    5. Rotacion sezonal i veshjeve

    Një praktikë e dobishme është që veshjet t’i ndryshoni sipas sezonit: ato që nuk përdorni për momentin i paketoni dhe i ruani. Kjo lë më shumë vend për rrobat aktuale dhe e bën organizimin më të lehtë. Njëkohësisht, kontrolloni herë pas here rrobat e vjetra , ndoshta disa nuk i vishni më dhe mund t’i dhuroni ose t’i shisni.

    6. Ruani rrobat në kushte të përshtatshme

    Për ruajtje korrekte, mbajini në vend të thatë dhe të errët. Përdorni freskues ambienti ose qese me livandë për të shmangur erërat e pakëndshme dhe molën. Për materiale të brishta ose prej leshi përdorni çanta prej pëlhure që “marrin frymë” ose letër të posaçme për veshje.

    7. Organizatorë për veshje të vogla

    Për çorape, të brendshme, doreza apo rripa, është praktik përdorimi i kutive të vogla, organizatorëve prej pëlhure ose ndarëseve të sirtarëve. Kështu çdo gjë ka vendin e vet dhe shmanget mbushja e panevojshme.

    8. Etiketa dhe organizim vizual

    Shënimi i kutive dhe çantave është thelbësor, përdorni ngjitës, etiketa letre ose edhe fotografi të përmbajtjes. Kur i ktheni rrobat në vend, menjëherë e dini se ku çfarë shkon dhe kurseni kohë kur kërkoni.

  • Shërbimi Sekret Amerikan eliminon kërcënimet para Asamblesë së OKB-së

    Shërbimi Sekret Amerikan eliminon kërcënimet para Asamblesë së OKB-së

    Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka shkatërruar një rrjet të gjerë me mbi 300 servera SIM në New York, të cilët kishin kapacitet për të çaktivizuar kullat e telefonisë celulare dhe për të ndërprerë shërbimet e emergjencës.

    Sipas njoftimit të agjencisë, pajisjet përfshinin 100 mijë karta SIM të shpërndara në vende të ndryshme dhe ishin të vendosura brenda një distance prej 56 kilometrash nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në New York.

    Hetimi nisi pas një sërë kërcënimesh telekomunikuese kundër zyrtarëve qeveritarë, duke përfshirë edhe incidente me goditje ajrore dhe kërcënime me bomba.

    “Duke pasur parasysh kohën, vendndodhjen dhe potencialin për ndërprerje të konsiderueshme të telekomunikacionit në New York të shkaktuar nga këto pajisje, agjencia veproi shpejt për të ndërprerë këtë rrjet”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Sekret.

    Agjencia bëri të ditur se përmes serverave ishte e mundur të kryheshin kërcënime anonime telefonike dhe të çaktivizoheshin kullat celulare.

    “Kishin potencialin të ndalnin rrjetin celular në New York City”, tha Matt McCool, agjent special i Shërbimit Sekret në New York.

    Ai shtoi se labirinti elektronik i fshehur ishte aq i fuqishëm sa mund të kishte dërguar një mesazh të koduar dhe anonim te çdo qytetar në Shtetet e Bashkuara brenda 12 minutash.

    Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi personat apo grupin përgjegjës për krijimin e këtij rrjeti.

  • Talebanët thonë se Afganistani “nuk do ta dorëzojë kurrë” bazën ajrore të Bagramit, pavarësisht kërcënimeve të Trump

    Talebanët thonë se Afganistani “nuk do ta dorëzojë kurrë” bazën ajrore të Bagramit, pavarësisht kërcënimeve të Trump

    Një zyrtar i lartë talebanësh të martën hodhi poshtë kërkesën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump që Kabuli të dorëzojë bazën ajrore të Bagramit, duke këmbëngulur se objekti është një pjesë e pandashme e Afganistanit.

    Duke folur për Al Arabiya English në një intervistë ekskluzive, zëdhënësi kryesor i qeverisë së talebanëve, Zabihullah Mujahid, tha: “Bagrami është pjesë e territorit të Afganistanit. Nuk është ndryshe nga asnjë copë tjetër toke afgane. Ne kurrë nuk do të pranojmë të negociojmë ose të dorëzojmë ndonjë pjesë të vendit tonë”.

    Ai shtoi se “afganët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj pushtimit dhe asnjë afgan nuk do të lejojë kurrë që toka e tyre të merret ose kontrollohet nga të huajt – as edhe një inç”.

    Bagrami, i vendosur në veri të Kabulit, ishte instalimi më i madh ushtarak amerikan në Afganistan dhe qendra e luftës së tij dy-dekadëshe kundër talebanëve.

    Forcat amerikane e braktisën atë në korrik 2021, disa javë para kthimit të talebanëve në pushtet.

    Dhe Trump të shtunën kërcënoi me ndëshkim nëse baza nuk u kthehet amerikanëve.

    “Nëse Afganistani nuk ua kthen Bazën Ajrore të Bagramit atyre që e ndërtuan, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, GJËRA TË KEQIJA DO TË NDODHIN!!!”, shkroi ai në Truth Social.

    Juventusi mendon shitjen e yllit të tyre pas zhgënjimit që nga transferimi i tij
    Serie A
    Juventusi mendon shitjen e yllit të tyre pas zhgënjimit që nga transferimi i tij
    Siç theksojnë mediat, zëdhënësi konfirmoi bisedimet me zyrtarët amerikanë, por theksoi se ata janë përqendruar në shkëmbimet e të burgosurve, marrëdhëniet diplomatike dhe investimet ekonomike – jo në Bagram, të cilin ai e përshkroi si të panegociueshëm.

    Trump tha të enjten se SHBA-të po përpiqeshin të rifitonin Bagramin sepse talebanët “kanë nevojë për gjëra nga ne”.

  • Dialogu me Serbinë, Rama: I dështuar, Kosova të mos e izolojë vetën

    Dialogu me Serbinë, Rama: I dështuar, Kosova të mos e izolojë vetën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në konferencën “Shqipëria, horizont i ri”, mbajtur në Vjenë të Austrisë.

    Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe tek dialogu Kosovë-Serbi, ku sipas kreut të qeverisë, ka dështuar, kjo edhe për shkak të formatit.

    Rama shtoi se Prishtina nuk duhet ta izolojë veten.

    “Më vjen keq që nuk ka përparim. Serbia duhet të bëjë pjesën e vet, të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë BE të gjithë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të ecë përpara. Kjo ka të bëjë me pranimin e asaj që kërkon BE”.

    “Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE, është dështim, sepse formati nuk është i duhuri. Kosova thjesht duhet ta bëjë këtë gjë. Në të kundërt do e izolojë veten akoma më shumë dhe do jetë më keq.”, theksoi Rama.

  • NATO-ja paralajmëron Rusinë që “të ndalë” shkeljet e hapësirave ajrore

    NATO-ja paralajmëron Rusinë që “të ndalë” shkeljet e hapësirave ajrore

    NATO paralajmëroi Rusinë që të ndalë sjelljen “përshkallëzuese” të shkeljeve të hapësirave ajrore në krahun e saj lindor, pasi aleanca mbajti bisedime urgjente pas inkursionit të javës së kaluar në Estoni.

    “Rusia mban përgjegjësinë e plotë të këtyre veprimeve, që përshkallëzojnë situatën, që rrezikojnë të ketë keqllogaritje dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve. Këto veprime duhet të ndalen”, tha aleanca ushtarake prej 32 anëtarësh përmes një njoftimi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Rusia nuk duhet të dyshojë: NATO dhe aleatët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, do të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe joushtarake për të mbrojtur veten dhe për të penguar të gjitha kërcënimet nga të gjitha drejtimet”.

    Në njoftim u shtua se NATO “do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrën, kohën që zgjedh” dhe se angazhimi i aleancës për paktin e saj të mbrojtjes kolektive mbetet “i pathyeshëm”.

    Estonia thirri konsultimet emergjente sipas Nenit 4 të traktatit themeltar të NATO-s pasi avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore për 12 minuta të premten e kaluar.
    Ky incident – gjatë së cilit NATO-ja ngriti në ajër avionë – ndodhi një javë pasi aleanca rrëzoi dronë rusë mbi Poloni, duke detyruar Varshavën që të thërrasë konsultime të ngjashme.

    Në përgjigje të inkursionit rus me dronë në Poloni, NATO-ja njoftoi se po forconte mbrojtjen e saj në lindje për të ndihmuar në zmbrapsjen e kërcënimit nga Rusia.

    Përveç Polonisë, në krahun lindor të NATO-s janë edhe Rumania, Lituania, Letonia dhe Finlanda, që po ashtu kanë raportuar së voni shkelje të hapësirave të tyre ajrore.

    Rritja e tensioneve ka nxitur frikë se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të përhapet në mbarë kufirin e NATO-s.

    Shtetet e NATO-s u zotua se “këto veprime dhe veprime të tjera të papërgjegjshme të Rusisë nuk do të zmbrapsin përkushtimin e aleatëve për mbështetjen për Ukrainën”.

    Sipas Nenit 4 të NATO-s, çdo anëtar mund të thërrasë diskutime urgjente kur ndiejnë se “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike apo siguria” janë në rrezik.

    Bisedimet e së martës shënojnë herën e katërt që kur është aktivizuar Neni 4 që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022 dhe po ashtu shënojnë herën e nëntë që kur u themelua aleanca 79-vjet më parë.

    Ndërkaq, siguria kolektive e NATO-s bazohet në parimin e Nenit 5: nëse një anëtar sulmohet, e gjitha aleanca i del në mbrojtje.

    Ky nen është aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara./REL

  • Osmani në Fox News: Trump na ka ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimeve, majin e kaluar patëm një përpjekje nga Serbia

    Osmani në Fox News: Trump na ka ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimeve, majin e kaluar patëm një përpjekje nga Serbia

    Presidentja Vjosa Osmani e cila po qëndron në ShBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka dhënë një intervistë për televizionin republikan Fox News, ku ka lavdëruar raportet e mira në mes të SHBA-së dhe Kosovës.

    Osmani thotë se 95% e popullit Kosovar, është pro-amerikan që ‘beson në lidershipin amerikan’.

    “Që prej vitit 1999 kur ushtarët amerikanë erdhën për të ruajtur jetët tona. Sot ekzistojmë të lirë dhe si shtet Sovran falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse Amerika nuk qëndroi mënjanë dhe nuk mbylli njërin sy në përpjekjen tonë për të mbijetuar derisa po përjetonim gjenocid por erdhi që të na shpëtojë dhe të na jap të drejtën që të jemi të lirë. Sot, 95% e popullit tonë janë pro-amerikan dhe që besojnë në lidershipin amerikan dhe ne vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – thotë Osmani në Fox News.

    Ajo ka thënë se Kosova ka telashe me fqinjin e saj Serbinë, e cila kohë pas kohe, shkakton tensione.

    “Ne kemi një fqinj që shkakton probleme kohë pas kohe. Në të kaluarën, Serbia ka shkaktuar një numër konfliktesh në Ballkanin Perëndimor sepse udhëhiqej nga ‘Kasapi i Ballkanit’ – Millosheviq. Ka ende njerëz në lidershipin serb që dëshirojnë të kthehen në të kaluarën derisa ne shikojmë drejt së ardhmes”, ka thënë Osmani.

    Presidentja Osmani edhe një herë ka përmendur një rast të muajit maj të këtij viti, ku thotë se Administrata Trump parandaloi eskalimin e mundshëm të situatës.

    “Presidenti Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes dhe në një paqe të qëndrueshme. Në shtator të vitit 2023, kishte një agresion serb kundër Republikës së Kosovës. Ne e menaxhuam situatën me ndihmën e aleatëve tonë, derisa mbetet një kërcënim i vazhdueshëm që na vjen nga Serbia. Në maj po ashtu kishte një përpjekje për ngritje tensionesh dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar eskalimin”, tha Osmani në Fox News, në lidhëzën e intervistës, që ka shpërndarë edhe vetë.

  • Fushat zgjedhore, AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve

    Fushat zgjedhore, AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve

    Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike që gjatë fushatës zgjedhore të mbrojnë të dhënave personale të qytetarëve.

    Përmes një reagimi, AIP ka bërë me dije se mbrojtja e këtyre të dhënave është obligim ligjor.

    “Në përmbushje të detyrimeve ligjore, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kërkon nga Partitë Politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më datës 12 tetor 2025”, është thënë në reagimin e agjencisë.

  • Akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Damka e Kamberaj deklarohen të pafajshëm

    Akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Damka e Kamberaj deklarohen të pafajshëm

    Ministri në dorëheqje i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ish-sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Besim Kamberaj, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Ata po përballen me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilën e kundërshtuan gjatë paraqitjes para trupit gjykues. Pas leximit të aktakuzës, gjyqtari Kujtim Krasniqi udhëzoi palët që brenda 30 ditësh mund të paraqesin ankesë kundër aktakuzës.

    Sipas aktakuzës ata dyshohen se nga 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ – “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.

  • Infermieri sulmohet me thikë nga kolegu në Spitalin e Tiranës, i dyshuari në kërkim

    Infermieri sulmohet me thikë nga kolegu në Spitalin e Tiranës, i dyshuari në kërkim

    Një infermier i Spitalit rajonal të Tiranës “Shefqet Ndroqi” dyshohet se e ka plagosur me thikë kolegun e tij brenda vendit të punës.

    Policia e Shtetit ka njoftuar se rasti ka ndodhur të martën, ndërsa autori me inicialet D.Ç. është ende në kërkim.

    “Rreth orës 11:20, në ambientet e një spitali shtetëror, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi D.Ç., rreth 32 vjeç, ka goditur me mjet prerës shtetasin M. O., rreth 37 vjeç, të dy punonjës të spitalit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Infermieri i lënduar nga arma e ftohtë thuhet se është nën kujdesin e mjekëve.

    Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e të dyshuarit.

  • Ish-presidenti Sejdiu shpreh ngushëllime për vdekjen e Petrovcit: Do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje

    Ish-presidenti Sejdiu shpreh ngushëllime për vdekjen e Petrovcit: Do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje

    Humbja e aktorit të njohur Enver Petrovci ka tronditur botën e artit në Kosovë dhe më gjerë.

    Ai u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të madhe si aktor, regjisor dhe pedagog, i cili ndikoi tek breza të tërë artistësh.

    Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Petrovci dhe për komunitetin artistik, duke kujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të Petrovcit në art dhe kulturë.

    Petrovci ndërkaq do të varroset sot në Prishtinë, ku pritet të marrin pjesë familjarë, miq dhe dashamirë të artit për t’i dhënë lamtumirën e fundit.