ATV

Author: G.O.

  • Britania arreston të dyshuarin për sulmin kibernetik në aeroportet evropiane

    Britania arreston të dyshuarin për sulmin kibernetik në aeroportet evropiane

    Një burrë rreth të 40-ave është arrestuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me sulmin kibernetik që goditi Aeroportin Heathrow dhe aeroporte të tjera të mëdha evropiane gjatë fundjavës së kaluar.

    I arrestuari, një 40-vjeçar nga West Sussex, u akuzua për shkelje të Aktit të Keqpërdorimit të Kompjuterëve dhe është liruar me kusht.

    Sulmi kishte në shënjestër Collins Aerospace dhe shkaktoi probleme me sistemet e regjistrimit dhe të hipjes në bord, duke rezultuar në vonesa të konsiderueshme në fluturimet e Heathrow, Brukselit dhe Berlinit.

    “Ndërsa ky arrestim është një hap pozitiv, hetimi është ende në një fazë të hershme dhe është duke vazhduar. Krimi kibernetik mbetet një kërcënim i vazhdueshëm global që vazhdon të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në Mbretërinë e Bashkuar. Së bashku me partnerët tanë vendas dhe ndërkombëtarë, NCA është e angazhuar për të zvogëluar këtë kërcënim në mënyrë që të mbrojë publikun britanik”, tha Zëvendësdrejtori i NCA-së, Paul Foster, Kryetar i Njësisë Kombëtare të Krimit Kibernetik.

    Autoritetet po hetojnë më tej rrethanat e sulmit dhe shkallën e mundshme të përfshirjes së individit të arrestuar.

  • KQZ akrediton mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale, dërgohen fletëvotimet për votuesit nga diaspora

    KQZ akrediton mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale, dërgohen fletëvotimet për votuesit nga diaspora

    Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të mbajtur të mërkurën, u prezantua raporti mbi dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës, të cilët do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale përmes postës.

    Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se raporti përmban të dhënat e plota mbi numrin e zarfeve të dërguara.

    “Raporti shpjegon gjithë procesin që është realizuar. Është paraqitur edhe të dhënat e përgjithshme në lidhje me numrin e zarfeve që ka pranuar Posta e Kosovës nga KQZ”, tha ai.

    Sipas raportit, përmes postës janë nisur rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete. Nga ky numër, 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës, ndërsa 2,050 të tjera janë dërguar përmes postës së shpejtë.

    Çdo zarf përmban fletëvotimet, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin mbi mënyrën e plotësimit dhe dorëzimit të votës përmes postës, si dhe zarfin kthyes me shiritin mbyllës.

    Votuesit jashtë Kosovës janë të detyruar të depozitojnë pakot në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Shumica e zarfeve kanë adresën e kutisë postare të shënuar paraprakisht nga KQZ. Në rast se kjo nuk është bërë, votuesi duhet të shënojë një nga adresat e kutive postare të KQZ-së në shtetin përkatës.

    Periudha e votimit me postë ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, dhe përfshin vetëm 43,933 shtetas të regjistruar jashtë Kosovës.

    Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar akreditimin e 18,041 vëzhguesve nga 51 subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.

  • Osmani kujton Afrim Bunjakun: Asnjë sulm nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën

    Osmani kujton Afrim Bunjakun: Asnjë sulm nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën

    Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar heroin Afrim Bunjaku.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo deklaroi se sakrifica e rreshterit të policisë dëshmon se liria kërkon sakrificë.

    Sipas Presidentes, 24 shtatori dëshmon se asnjë sulm terrorist apo agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën.

    Ajo shtoi se Afrim Bunjaku ra heroikisht duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës, përballë grupeve të armatosura serbe.

  • Ambasada gjermane: Vonesa në formimin e qeverisë rrezikon investimet dhe ekonominë e Kosovës

    Ambasada gjermane: Vonesa në formimin e qeverisë rrezikon investimet dhe ekonominë e Kosovës

    Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Boettcher, ka kritikuar politikën kosovare dhe ka theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë për të garantuar funksionimin normal të shtetit.

    Ai ka vënë theksin mbi nevojën që parlamenti të formojë një qeveri të qëndrueshme, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ndikojë negativisht në interesin e investitorëve dhe në mirëqenien e qytetarëve.

    Boettcher ka theksuar se është përgjegjësi e partive politike dhe e deputetëve të parlamentit të përmbushin pritjet e qytetarëve dhe të konstituojnë kuvendin në përputhje me Kushtetutën.

    “Dua të them diçka kritike për politikën këtu. Pra, është përgjegjësi e partive politike dhe e anëtarëve të parlamentit që të përmbushin pritjet e qytetarëve. Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit që ta konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën dhe të formojnë e zgjedhin një qeveri që ta drejtojë vendin. Dhe nëse Kuvendi konstaton se rruga më e mirë përpara janë zgjedhjet e parakohshme, atëherë le të jetë ashtu”, ka thënë ai.

    Ai ka paralajmëruar se çdo vonesë në formimin e qeverisë dhe avancimin e tranzicionit energjetik rrezikon interesin e investitorëve dhe sjell humbje të drejtpërdrejta ekonomike.

    “Çdo ditë vonese në formimin e qeverisë dhe në avancimin e tranzicionit energjetik, Kosova rrezikon të humbasë interesin e investitorëve. Dhe kjo nënkupton humbje reale në para, në vende pune dhe në mirëqenie të ardhshme”, ka shtuar Boettcher.

    Ai këto deklarata i bëri gjatë organizimit dy ditor të Kosova Energy Forum dhe Green Business Expo 2025, ngjarje kjo që synon të ofrojë një platformë për diskutime mbi tranzicionin energjetik, liberalizimin e tregut të energjisë dhe sfidat për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së pastër dhe bizneset e qëndrueshme.

  • Limaj në dyvjetorin e rënies së Afrim Bunjakut: Rënia e tij është dëshmi e përkushtimit ndaj detyrës, atdheut e paqes

    Limaj në dyvjetorin e rënies së Afrim Bunjakut: Rënia e tij është dëshmi e përkushtimit ndaj detyrës, atdheut e paqes

    Në dyvjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kujtuar me dhimbje dhe krenari sakrificën e tij në mbrojtje të vendit.

    “Sot përkujtojmë me dhimbje dhe krenari heroin më të ri të Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë. Rënia e tij heroike është dëshmi e përkushtimit të pakompromis ndaj detyrës, ndaj atdheut dhe ndaj paqes së fituar me shumë mund e sakrificë”, ka shkruar Limaj në Facebook.

    Ai theksoi se vepra dhe sakrifica e Bunjakut do të mbesin përgjithmonë në kujtesën e popullit.

    “Lavdi e përjetshme emrit, veprës dhe kujtimit të Heroit, Afrim Bunjaku”, përfundoi Limaj.

  • Turqia burgos komedianin dhe reperin për shaka që e konsideruan fyese ndaj Islamit

    Turqia burgos komedianin dhe reperin për shaka që e konsideruan fyese ndaj Islamit

    Turqia burgosi dy burra të martën vonë në pritje të gjyqit, pasi prokurorët thanë se programi i tyre online përfshinte një shaka që i referohej një hadithi ose mësimi të Profetit Muhamed, të cilin ata pretendojnë se mund të nxisë urrejtje fetare.

    Një gjykatë në Stamboll urdhëroi paraburgimin e YouTuber-it, Bogac Soydemir, prezantues i programit “Soguk Savas”, dhe të ftuarit të tij Enes Akgunduz, një reper, pasi autoritetet thanë se programi përmbante një batutë rreth hadithit “vera është nëna e të gjitha të këqijave”.

    Prokurorët argumentuan se vërejtja rrezikonte të nxiste armiqësi në baza fetare, transmeton Telegrafi.

    Të dy burrat kërkuan falje pas transmetimit dhe, mohuan se kishin bërë ndonjë gabim kur u paraqitën në gjykatë të martën.

    Soydemir tha se nuk kishte ndërmend të provokonte urrejtje, duke shtuar se e hoqi videon pasi u njoftua për çështjen dhe kërkoi falje në llogaritë e tij në mediat sociale.

    Ai tha se vërejtja ishte një koment i shikuesit që lexoi në transmetim, të cilin e ngatërroi për lojë fjalësh.

    Akgunduz gjithashtu hodhi poshtë çdo sugjerim për ofendim të qëllimshëm dhe tha se biseda e tyre ishte keqinterpretuar.

    Ai tha se shakaja ishte një koment nga një shikues që e lexoi në transmetim, të cilin e ngatërroi me një lojë fjalësh të thjeshtë, dhe pranoi se duhej të kishte menduar më me kujdes.

    Çështja vjen pas burgosjes së katër karikaturistëve nga revista javore satirike Leman, për një karikaturë që mendohet se përshkruan Profetët Muhamed dhe Moisi, të cilën presidenti Tayyip Erdogan e përshkroi si një “provokim të ndyrë”.

  • Irani pranon shkatërrimin e impianteve bërthamore nga sulmet amerikane

    Irani pranon shkatërrimin e impianteve bërthamore nga sulmet amerikane

    Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit dhe njëherësh nënpresident, Mohammad Eslami, ka pranuar se disa nga objektet bërthamore iraniane janë dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore amerikane të 22 qershorit.

    Në një intervistë për Sky News në Vjenë, ai konfirmoi se impiantet në Fordow, Natanz dhe Isfahan u goditën nga bombarduesit B-2 Spirit, të cilët përdorën bomba shkatërruese bunkerësh me peshë 13,600 kg, si dhe raketa Tomahawk të lëshuara nga anije amerikane. Imazhet satelitore treguan dëme të konsiderueshme, veçanërisht në Natanz.

    “Përqindja e pasurimit nuk është domosdoshmërisht për armët kur është e lartë. Ne kemi nevojë për pasurim më të lartë për ndjeshmëritë dhe mjetet tona të matjes me saktësi”, tha Eslami, duke shtuar se sanksionet e kanë detyruar Iranin të prodhojë vetë pajisjet e nevojshme.

    Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pranoi se sulmet shkaktuan “dëme të tepërta dhe serioze”, ndonëse lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei, kishte deklaruar se programi bërthamor nuk ishte penguar.

    Araghchi theksoi se nuk ka plane për të rinisur bisedimet me SHBA-në, duke e cilësuar një “armike” që ka kryer padrejtësi të mëdha ndaj Iranit. Ai paralajmëroi se sulmet do të kenë “pasoja të përhershme” dhe i quajti ato “të paligjshme dhe kriminale”.

    Ndërkohë, vendet evropiane kanë paralajmëruar rikthimin e sanksioneve nëse Irani nuk ndërmerr hapa urgjentë për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, përfshirë kthimin e inspektorëve të OKB-së dhe rifillimin e bisedimeve. Irani pritet të zhvillojë diskutime me evropianët gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë.

  • FSK në stërvitje për gjuajtje taktike me mortaja

    FSK në stërvitje për gjuajtje taktike me mortaja

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se, me mbështetjen e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (SATMO), po vazhdon përpjekjet për avancimin dhe forcimin e kapaciteteve operacionale dhe mbështetjes luftarake të personelit ushtarak.

    Në kuadër të këtyre përpjekjeve, FSK-ja ka bërë të ditur se ushtarët e Kosovës po realizojnë aktivitetin e gjuajtjes me mortaja, stërvitje kjo që po zhvillohet në Shqipëri, në koordinim të ngushtë me SATMO dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

    “Në përputhje me planet e trajnimit dhe në koordinim të ngushtë me SATMO, si dhe me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, po realizohet aktiviteti i gjuajtjes taktike me mortaja në stërvitjen që po zhvillohet në Biza të Republikës së Shqipërisë. Ky aktivitet synon rritjen e gatishmërisë operative, forcimin e bashkëpunimit rajonal mes forcave tona dhe partnerëve ndërkombëtarë,” bëhet e ditur në njoftim.

    FSK-ja thekson se trajnimi është zhvilluar në pjesën teorike dhe praktike, me fokus në tri detyra kryesore:

    “Trajnimi me mortaja (Mortar training), Kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe mortajave (Infantry mortar leader course), Vëzhgues i përparmë (Forward observer), ku janë stërvitur në: përdorimin e sigurt të mortajave, shënjestrimin, gjuajtjen, stërvitje e procedurave të koordinimit dhe komunikimit midis elementeve të zjarrit dhe njësive taktike, shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira me trajnerët dhe këshilltarët e partnerëve ndërkombëtarë.”

    Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se ky bashkëpunim forcon kapacitetet profesionale të saj dhe kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin rajonal përmes trajnimit të sinkronizuar dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët.

  • Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit

    Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke argumentuar se ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

    Kërkesa është dorëzuar më 22 shtator, ku prokuroria është mbështetur edhe në vendimin për konfirmimin e aktakuzës.

    “Thaçi paraqet një rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat në këtë proces, dhe përfundimi i çështjes nga Prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave nuk e eliminon këtë rrezik”, thuhet në kërkesë.

    Sipas prokurorisë, dëshmitarët vazhdojnë të mbeten të rrezikuar edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre, përmes përpjekjeve për hakmarrje, nxitjes për të tërhequr dëshmitë ose ndërhyrjeve në procedura paralele.

    “Për më tepër, klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë vazhdon, të cilën Gjykata e Apelit e ka pranuar si një ‘rrethanë kontekstuale’ të rëndësishme”, thuhet më tej.

    Në kërkesë përmendet edhe se “gjetje të ngjashme janë bërë në aktgjykimin ndaj Mustafës dhe në aktgjykimin e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj. Paneli gjyqësor në rastin Gucati dhe Haradinaj konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje aktive dhe kritike në Kosovë’”.

    Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

  • Mësuesja goditet me thikë në klasë nga një nxënës 14-vjeçar në Francë

    Mësuesja goditet me thikë në klasë nga një nxënës 14-vjeçar në Francë

    Një mësuese u godit me thikë nga një nxënës 14-vjeçar në Shkollën e Mesme Robert Schuman në Benfeld, në departamentin francez të Bas-Rhin, pranë Strasburgut.

    Sipas mediave franceze adoleshenti jetonte në një strehë lokale.

    Ai u arrestua nga xhandarmëria dhe është në gjendje kritike pasi u vetëther në kohën e arrestimit.

    Alarmi u dha këtë mëngjes, ndërkohë që shkolla u evakuua për arsye sigurie.

    Mësuesja, e cila u qëllua në klasën e saj, u dërgua në spital në gjendje të rëndë por pa rrezik.

    Sipas mediave franceze nxënësi 14-vjeçar njihej në shkollën e tij për pikturimin e grafiteve naziste.