ATV

Author: G.O.

  • Inspektorati Policor: Do të verifikohen pretendimet lidhur me afatin e skaduar të gazit lotsjellës

    Inspektorati Policor: Do të verifikohen pretendimet lidhur me afatin e skaduar të gazit lotsjellës

    Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.

    Nga IPK konfirmuan për Radio Dukagjinin se, në kuadër të këtij hetimi, përveç ankesave të pranuara nga qytetarët, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës.

    Sipas IPK-së, si për ankesat e pranuara në objektet e këtij institucioni, ashtu edhe për rastet e iniciuara në kuadër të detyrës zyrtare, tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e video incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shikimin e dokumentacioneve zyrtare policore që ndërlidhen me menaxhimin e protestës.

    “IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, deklaruan nga IPK.

    Gjatë protestës, e cila u mbajt me kërkesën për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte ngritur dyshime se Policia e Kosovës kishte përdorur gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, të cilit pretendohet se i kishte skaduar afati. Ato bombola të gazit lotsjellës Radio Dukagjini i kishte incizuar dhe janë këto në fotografi. /RadioDukagjini/

  • Kurti pas takimit me presidenten Shiroka-Pula: Nuk kemi kohë për të humbur, do të bashkërendohemi për sfidat shtetërore

    Kurti pas takimit me presidenten Shiroka-Pula: Nuk kemi kohë për të humbur, do të bashkërendohemi për sfidat shtetërore

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mbajtur sot një takim me presidenten, Justina Shiroka-Pula, gjersa uroi të gjithë qytetarët për stabilitetin institucional të Kosovës, pas votimit të presidentes së re.

    Kurti në një deklaratë për media tha se falënderoi presidenten Shiroka-Pula për pranimin e kandidaturës për presidente, gjersa uroi të gjithë qytetarët për stabilitetin institucional.

    “Ishte një takim i parë me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror të Republikës, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim…

    Tash na presin shumë punë e angazhime, të cilat natyrisht që me vullnet të mirë, dijen e mundësinë që kemi do t’i shtyjmë përpara sa më shpejt që mundemi”, tha ai, raporton Telegrafi.

    Kurti u shpreh më tej se Republika e Kosovës më në fund pas më shumë se një vit e gjysmë ka institucionet plotësisht funksionale.

    “…Tash natyrisht se nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha ai, duke shtuar se hasi në mirëkuptimin dhe vullnetin e presidentes që të bashkërendohen maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt. /Telegrafi/

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në disa pjesë të Pejës, shkak një avari në rrjet

    Ndërpritet furnizimi me ujë në disa pjesë të Pejës, shkak një avari në rrjet

    Banorët e disa lagjeve dhe rrugëve në Pejë kanë mbetur pa ujë si pasojë e një avarie të madhe në rrjetin e ujësjellësit.

    Ndërprerja e furnizimit ka prekur “Kapeshnicën”, “Dardania I dhe II”, si dhe rrugët “Bajram Kelmendi”, “Mbretëresha Teuta”, “Mbreti Zog”, “UÇK”, “Sali Çeku” dhe “Muharrem Mitrovica”.

    Sipas KRU “Hidrodrini”, shkak i ndërprerjes është një defekt në gypin DN 450, i cili ka ndodhur në rrugën “Bajram Kelmendi”, pranë Urës së Re.

    Ekipet e terrenit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për sanimin e avarisë, ndërsa nga kompania kanë bërë të ditur se furnizimi me ujë pritet të rikthehet gjatë pasdites.

    “Ekipet e terrenit ndodhen në lokacionin e avarisë dhe po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt të jetë e mundur. Furnizimi pritet të rikthehet në ora 15:00. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe durimin tuaj”, thuhet në njoftim.

  • Ditën e parë si presidente Shirkoka-Pula e nis me homazhe në Prekaz, Rugova e Demaçi: Kosova është ndërtuar mbi sakrificë e vizion

    Ditën e parë si presidente Shirkoka-Pula e nis me homazhe në Prekaz, Rugova e Demaçi: Kosova është ndërtuar mbi sakrificë e vizion

    Me marrjen e detyrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, raporton Ekonomia Online.

    Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

    “Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

    Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

    “Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

    Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

    “Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

    Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

  • Trepça deklarohet për ngujimin e 63 minatorëve: Ndodhi avari në trafo, nuk kishte pjesë rezervë për sanim

    Trepça deklarohet për ngujimin e 63 minatorëve: Ndodhi avari në trafo, nuk kishte pjesë rezervë për sanim

    Ndërmarrja “Trepça” ka dhënë detaje të reja lidhur me avarinë e mbrëmshme në Minierën me Flotacion në Stan Tërg, ku 63 minatorë u ndodhën brenda minierës pas ndërprerjes së energjisë elektrike.

    Sipas njoftimit të “Trepçës”, avaria ka ndodhur rreth orës 19:30 në Trafon Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 kV, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për minierën dhe Njësinë e Flotacionit.

    Në momentin e avarisë, në minierë ndodheshin 63 minatorë, të cilët ishin në ndërrimin e dytë dhe planifikonin ta përfundonin punën në orën 23:00.

    Pas ndërprerjes së energjisë, 54 minatorë kanë arritur të dalin në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

    “Trepça” njofton se furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa nëntë minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe 20 minuta më vonë.

    “Furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa 9 minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50. Pas rikthimit të energjisë elektrike, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.

    Sipas ndërmarrjes, procesi i sanimit është vështirësuar për shkak të mungesës së pjesëve rezervë në magazinë, pasi ato aktualisht nuk janë në stok.

    “Procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok. Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit. Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësistë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet. Për zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e sanimit të avarisë do të njoftoheni me kohë”, thotë ndërmarrja.

  • Agron Bajrami emërohet kryenegociator për dialogun teknik me Serbinë

    Agron Bajrami emërohet kryenegociator për dialogun teknik me Serbinë

    Qeveria e Kosovës e ka emëruar kryenegociator për dialogun teknik me Serbinë Agron Bajramin, ambasadorin e Kosovës në Belgjikë.

    Vendimi është marrë më 17 shtator dhe është nënshkruar nga kryeministri i Kosovës.

    Në vendim të Qeverisë thuhet se funksioni i Bajramit si kryenegociator përfundon me mbarimin e mandatit të kryeministrit, nëse emërimi i tij nuk ndërpritet më herët.

    Në vendim përcaktohet gjithashtu se Bajrami është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, në pajtim me ligjin në fuqi.

  • Ushtroi dhunë ndaj gruas dhe vajzës së tij në Rahovec, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Ushtroi dhunë ndaj gruas dhe vajzës së tij në Rahovec, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Një person është arrestuar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe vajzës së tyre.

    Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 08:00, në Rahovec.

    Tutje bëhet e ditur se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe pastaj janë liruar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Rahovec 07.10.2026 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe vajzës së tyre. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe pastaj janë liruar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, lidhur me rastin është informuar edhe QPS-ja dhe mbrojtësit e viktimave.

  • Nënë e bijë denoncojnë dhunë në familje në Prishtinë – djali dyshohet se i sulmoi dhe i kërcënoi me vrasje

    Nënë e bijë denoncojnë dhunë në familje në Prishtinë – djali dyshohet se i sulmoi dhe i kërcënoi me vrasje

    Një rast i dhunës në familje është raportuar pak pas mesnate në rrugën “Malush Kosova” në Prishtinë, ku nënë e bijë kanë denoncuar se janë sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me vrasje nga djali, respektivisht vëllai i tyre.

    Siç mësohet rreth orës 00:20, Policia ka pranuar informatën për incidentin dhe njësia patrulluese ka dalë në vendin e ngjarjes.

    Sipas deklarimeve të A.S. dhe O.S., konflikti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me zhurmën e muzikës, ndërsa L.S. dyshohet se më pas i ka sulmuar fizikisht dhe i ka kërcënuar se do t’i vriste.

    Të dyja janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë pranuar trajtim mjekësor dhe janë intervistuar lidhur me rastin.

    Edhe i dyshuari është shoqëruar në stacion dhe ka marrë trajtim mjekësor. Sipas të dhënave të rastit, ai ka qenë në gjendje të dehur, prandaj intervistimi i tij ka mbetur të zhvillohet gjatë kohës së ndalimit.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit, L.S. është ndaluar për 48 orë.

    Rasti po trajtohet për “Lëndim të lehtë trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

  • “Një emër i paharruar i lirisë së Kosovës”, Haradinaj përkujton “Sandokanin”

    “Një emër i paharruar i lirisë së Kosovës”, Haradinaj përkujton “Sandokanin”

    Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar në përvjetorin e vdekjes Abedin Rexhën, të njohur me nofkën “Sandokani”.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka kujtuar bashkëluftëtarin e tij, duke e cilësuar si një luftëtar trim dhe të vendosur.

    “Me Abedin Rexhën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, ditën kur ra Luani e u plagos Rafet Rama.

    E kujtoj si luftëtar trim e të vendosur, një emër i paharruar i lirisë së Kosovës. I përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se dëmtoi kompaninë me kontrata dhe fatura të rreme

    Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se dëmtoi kompaninë me kontrata dhe fatura të rreme

    Një person është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit.

    Sipas Policisë, ai dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka lidhur kontrata të dëmshme për një kompani dhe ka paraqitur raporte të rreme, përmes të cilave dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

    Policia thotë se i ndaluari dyshohet se i ka shkaktuar kompanisë edhe dëm financiar përmes faturave të rreme.

    Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.