ATV

Author: G.O.

  • Takimi Trump-Zelensky në Uashington: Detaje të diskutimeve zyrtare në Shtëpinë e Bardhë

    Takimi Trump-Zelensky në Uashington: Detaje të diskutimeve zyrtare në Shtëpinë e Bardhë

    Presidenti i SHBA Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky folën sot për shtypin përpara një takimi dypalësh, ku pritet të diskutohen ndihmat ushtarake dhe zhvillimet më të fundit në luftën në Ukrainë.

    Gjatë deklaratave, Zelensky kërkoi publikisht nga Shtetet e Bashkuara raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, duke sugjeruar gjithashtu një marrëveshje të mundshme shkëmbimi, ku Ukraina do të ndihmonte SHBA-në në fushën e prodhimit të dronëve.

    Nga ana tjetër, Trump konfirmoi se do të diskutojë çështjen e furnizimit me raketat Tomahawk, por paralajmëroi se një hap i tillë mund të sjellë një përshkallëzim serioz të konfliktit. Ai theksoi se edhe vetë SHBA-të kanë nevojë për sisteme të tilla për mbrojtjen e tyre.

    Trump shtoi gjithashtu se samiti i tij i ardhshëm me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest nuk ka gjasa të sjellë një takim të drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Zelensky-t.

  • Mediat botërore raportojnë për protestën masive në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Mediat botërore raportojnë për protestën masive në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për protestën e sotme në Tiranë, ku shumë qytetarë u mblodhën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Media prestigjioze “The Washington Post” shkruan se shqiptarët u mblodhën në sheshin qendror të vendit, në mbështetje të luftëtarëve të lirisë.

    “Protestues nga Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin kryesor “Skënderbej” në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) — një ish-grup guerrilësh shqiptarë të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi”, thuhet në shkrim.

    Po ashtu, media “The Telegraph” shkruan se mijëra shqiptarë ishin në protestë në sheshin “Skënderbej”.

    “Veteranët e luftës së Kosovës dhe mijëra mbështetës të tyre u mblodhën të premten në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në një protestë kundër një gjykate të mbështetur nga Bashkimi Evropian, e cila po ndjek penalisht ish-luftëtarët e tyre që luftuan në luftën e viteve 1998-1999 për pavarësinë nga Serbia, duke pretenduar se tribunali është i njëanshëm dhe i padrejtë”, thuhet në shkrimin e The Telegraph.

    Ndërsa, “Anadolu” shkruan se në kryeqytetin e Shqipërisë u mbajt protestë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me moton “Unë jam UÇK”.

    “Në Shqipëri është mbajtur një protestë kombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me moton “Unë jam UÇK”, raporton Anadolu.

    Kujtojmë se mijëra shqiptarë, nga të gjitha trojet shqip-folëse, ishin sot në sheshin “Skënderbej”, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, që mbahen në Hagë.

  • Rënia e numrit të nxënësve shqetëson ekspertët – paralajmërohet krizë në arsim dhe mungesë e fuqisë punëtore

    Rënia e numrit të nxënësve shqetëson ekspertët – paralajmërohet krizë në arsim dhe mungesë e fuqisë punëtore

    Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit, duke hapur shqetësime serioze për të ardhmen e sistemit arsimor dhe tregut të punës, raporton Ekonmia Online. 

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vendi ka humbur mbi 21 mijë nxënës brenda periudhës 2020–2024. Ekspertët e arsimit theksojnë se ky fenomen po thellohet dhe po zbulohet mungesa e reagimit institucional për t’u përshtatur me ndryshimet demografike dhe ekonomike.

    Drejtori i institutit për studime në edukim “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se ulja e numrit të nxënësve është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së natalitetit dhe rritjes së emigrimit.

    “Rënia e numrit të nxënësve pa dyshim që ka karakter demografik të uljes së natalitetit, por edhe mbi të gjitha të rritjes së imigrimit. Nuk është një projeksion befasues – është në kuadër të asaj që si trend statistikor është prezent me vite e dekada tashmë. Befasuese, pa dyshim, ngelet mosreagimi institucional për përshtatje të politikave dhe investimeve karshi numrit në rënie të nxënësve në të gjitha nivelet arsimore, pa përjashtim”, tha Qehaja.

    Sipas Qehajës, nëse politikat arsimore nuk përshtaten me këtë realitet demografik, pasojat do të jenë të ndjeshme në disa dimensione.

    “Nëse politikat nuk korrigjohen karshi këtij trendi demografik, atëherë ne do të kemi në rritje mbi të gjitha trendin e fondit të mësimdhënësve të pashfrytëzuar. Aktualisht i kemi mbi 100 mësimdhënës të cilët janë tepricë me fond të paplotësuar të orëve, dhe ky pa dyshim do të jetë një fond i paplotësuar në rritje e tutje. Ne kemi hapësira të pashfrytëzuara të shumë shkollave në zona rurale dhe në të njëjtën kohë kemi shkolla të mbipopulluara në disa zona urbane me intensitete të larta. Ka një shthurje të shpërndarë si në resurse humane, ashtu edhe në resurse infrastrukturore si rezultat i këtij ndryshimi demografik, për të cilin nevojitet një reagim super i shpejtë në mënyrë që ky trend demografik të mos kthehet pastaj në një shqetësim të një përmase më të madhe”, tha ai.

    Qehaja paralajmëroi gjithashtu se rënia e numrit të nxënësve lidhet drejtpërdrejt edhe me fuqinë punëtore të ardhshme.

    “Ky trend në ulje i numrit të nxënësve kthehet edhe në trend në ulje të fuqisë punëtore të gatshme për tregun e punës. Kjo pa dyshim e vë në pah edhe domosdoshmërinë e përditësimit të shumë profileve, në mënyrë pra që për këtë numër të nxënësve, sado të reduktuar, të kemi profile studimi për të cilat më të vërtetë ka kërkesë tregu i punës. Dhe që këta studentë orientohen në profile që gjenerojnë ekonomi, në profile që kanë kapacitete absorbues”, theksoi ai.

    Në të njëjtën linjë me të, njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, tha se zvogëlimi i numrit të nxënësve është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së natalitetit dhe emigrimit, që po e boshatis Kosovën nga brezi i ri.

    “Ka disa faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie. Para së gjithash kemi të bëjmë me zvogëlimin e numrit të fëmijëve, pra zvogëlimin e natalitetit. Por edhe emigrimin e dimë që ka pasur një emigrim të konsiderueshëm në këtë kohë që ka qenë si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike, ngritjes së inflacionit, jo stabilitetit ekonomik e social që mbretëron në Kosovë. Por edhe faktorëve të tjerë që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kanë ndikuar në vendimin e familjeve për të emigruar nga Kosova. Kjo do të ketë pasoja në të ardhmen, për shkak se jemi duke humbur njërin prej aseteve më të rëndësishëm, njeriun – të riun, fëmijën e Kosovës – dhe ky zvogëlim i vazhdueshëm i numrit të banorëve do të reflektojë me një të ardhme të zymtë për vendin tonë”, tha Osmani.

    Ai theksoi mungesën e një reagimi të sinqertë nga politika dhe mungesën e një vizioni për ta trajtuar këtë krizë në rritje.

    “Mendoj se Kosova ende nuk ka një elitë politike të përgjegjshme e cila i merr përgjegjësitë në kuptimin e ndërmarrjes së hapave konkrete për të zbutur gjendjen dhe për të punuar në drejtimin e duhur. Politikanët janë ende të zënë me punët e tyre, më tepër për t’u rehatuar militantët por edhe për të mbushur xhepat e tyre, kështu që kjo fare pak ose aspak nuk u bën përshtypje. Ende nuk kemi udhëheqës e elitë politike që do të punonin për atë që paguhen. Është tragji-komike për vendin tonë – kanë kaluar më shumë se 25 vite dhe deri më sot nuk mund të themi që kemi pasur udhëheqës që kanë pasur dertin e vendit, por e kanë dertin e xhepit të vet”, tha ai.

    Osmani paralajmëroi gjithashtu se mungesa e popullsisë së re do të ndikojë direkt në ekonominë dhe tregun e punës në sektorë kyç.

    “Kosova do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët, por pa dyshim më të theksuara do të jenë sektorët që ndërlidhen me ndërtimtarinë, agrobiznesin, bujqësinë, blegtorinë, shërbimet e kështu me radhë. Të gjitha këto kërkojnë punëtorë të shkathët dhe të aftë të cilët do të jenë të gatshëm të punojnë. Natyrisht, nuk përjashtohet mungesa edhe e specialistëve të lartë të IT-së, por edhe të fushave të caktuara. Tashmë në shumë vise rurale të Kosovës është shfaqur ky fenomen, kur në shkolla ka numër të vogël nxënësish, por edhe shumë janë mbyllur. Pa dyshim që edhe problemi i tepricës së mësimdhënësve tashmë është shfaqur dhe më të vërtetë do të jetë e vështirë të kemi një menaxhim efektiv kur shumica e fondeve dhe e buxhetit shkon në paga dhe mëditje, dhe mbeten, do të thotë, fonde të pamjaftueshme për investime kapitale”, tha ai.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2020/2021 ishin të regjistruar gjithsej 229,664 nxënës, ndërsa në vitin 2023/2024 numri ka rënë në 215,431. Rënia ka qenë e vazhdueshme çdo vit: në 2021/2022 u regjistruan 224,429 nxënës, ndërsa në 2022/2023 numri zbriti në 220,578.

  • Prishtinë: Mjekët raportojnë shtim të rasteve me viroza – qytetarëve u rekomandohet vaksinimi kundër gripit

    Prishtinë: Mjekët raportojnë shtim të rasteve me viroza – qytetarëve u rekomandohet vaksinimi kundër gripit

    Specialisti i Mjekësisë Familjare, Rushit Ismaili, ka bërë të ditur se në Prishtinë është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve me viroza, me simptoma të lehta si kollitje, rrjedhje hundësh, temperaturë dhe dhimbje muskujsh.

    Në një intervistë, Ismaili rekomandon që pacientët të qëndrojnë në shtëpi për të paktën tre ditë, të konsumojnë lëngje, çaj e supë, dhe të përdorin paracetamol në rast temperature.

    “Gjithmonë ka pasur raste që shoqëroret me shenja të sëmundjeve dhe rrugëve të respiratorëve të sipërme që ka kollitje temperaturë, shuarje hundësh mënyra më e mirë të parandalohet është vaksinat kundër gripit, së paku njerëzit të mos pësojnë nga virusi i influencës. Mirëpo ka pasur gjithmonë është bërë një rritje e lehtë e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të infeksionit me virozë. Mirëpo ka pasur gjithmonë është bërë një rritje e lehtë e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të infeksionit me virozë. Zakonisht njerëzit ankohen se kanë kollitje, shkuarje hundësh, temperature, dhimbje të muskujve edhe zakonisht janë simptoma të lehta të cilat menaxhohen shumë lehtë nëse qëndron në shtëpi pijë sasi të mjaftueshme të lëngjeve dhe me raste paracetamol kalojnë lehte shumë raste te rralla ka raste te komplikuara”, deklaruar Ismaili.

    Ai u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sa më parë, për të parandaluar komplikimet e mundshme, ku tregoi edhe se vaksina është në dispozicion në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe në të gjitha qendrat e tjera të ngjashme.

    “Është më prezentë në këtë kohë prandaj jepen vaksina e gripit që tani, në mënyrë që të parandalohet shfaqja e simptomave të rënda në ditët në vijim. Bëjë një thirrje që ata që nuk e kanë marrë vaksinën ta marrin sa me shpejte që është e mundur. Ne jemi përpjekur që të tregojmë për vaksinën dhe për dobitë e marrjes së vaksinës dhe kemi prodhuar fletushka për këtë dhe i themi çdo pacienti që bashkë me të tjera ta marr edhe këtë vaksinë Qendra e Mjekësisë Familjare ofron këtë vaksinë dhe të gjitha qendrat e tjera të mjekësisë familje”, ka theksuar doktori.

    Po ashtu, ai apelon për kujdes të shtuar me higjienën personale, përdorimin e maskave, shmangien e kontakteve të panevojshme dhe një ushqim të shëndetshëm, në mënyrë që të parandalohet përhapja e infeksioneve virale.

    “Mënyra më e mire është te qëndrohet në shtëpi së paku tre ditë nuk ka nevojë të kërkohet ndihmë mjekësore vetëm në rastet shumë të rënda dhe të komplikuara. Rrini në shtëpi pini sasi të mjaftueshme të lëngjeve, qaj, ujë dhe supë dhe në raste kur ke temperaturë me paracetamoll. Kjo zakonisht kalon lehtë edhe më së miri është që të mos dilet të mos e transmetojë viruset tek të tjerët, kolegët e tjerë ose të bëjnë vizita sepse kjo shpërndan virusin. Lajnë duart të përdorin maska, nëse teshtinë të përdorin faculeta të pastra dhe ushqim të balancuar larje te frutave dhe perime me ujë të rrjedhshëm këto janë mënyrat edhe për të parandaluar edhe për të qëndruar shëndetshëm dhe për te kaluar më lehtë një virozë”, shtoi ai.

  • Superliga rikthehet sot me dy përballje interesante

    Superliga rikthehet sot me dy përballje interesante

    Pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare, sot rikthehen emocionet e Superligës së Kosovës në futboll.

    Në program janë dy ndeshje tejet interesante.

    Kampioni në fuqi, Drita do të jetë nikoqire e Malishevës.

    ”Intelektualët” pas tetë ndeshjeve kanë grumbulluar 11 pikë dhe renditen në vendin e katërt, një pikë më hsumë se Malisheva e cila ndodhet në vendin e gjashtë në tabelë.

    Ndeshja tjetër e ditës zhvillohet mes Prishtinës së Re dhe Gjilanit.

    Të dy skuadrat kanë nga 7 pikë, duke u renditur në pozitat e fundit të tabelës;

  • Ish-presidenti i Shqipërisë: Thaçi me të tjerët kryen detyrën më të lartë që njeh historia, mbrojtjen e popullit të vet

    Ish-presidenti i Shqipërisë: Thaçi me të tjerët kryen detyrën më të lartë që njeh historia, mbrojtjen e popullit të vet

    Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ishte njëri nga folësit në protestën e mbajtur në Tiranë, që kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

    Edhe pse në moshë të shtyer, Moisiu mbajti një fjalim të fuqishëm, duke theksuar se krerët e UÇK-së kanë kryer detyrën më të lartë që njeh historia.

    “Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, përballë padrejtësive që po u bëhet bijëve më të mirë të Kosovës. Çlirimtarëve që luftuan për lirinë e vendit të tyre. Në vitin 2022, isha në Hagë, për të takuar personalisht Presidentin Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Aty unë e pashë që këta burra nuk ishin të frikësuar. Ata ishin të qetë e të gatshëm për të sakrifikuar. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkohore, çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet,” tha Moisiu.

  • Protesta për UÇK-në në Tiranë, Veliaj: Për mikun tim e të Tiranës, të gjithë sot në sheshin “Skënderbej“

    Protesta për UÇK-në në Tiranë, Veliaj: Për mikun tim e të Tiranës, të gjithë sot në sheshin “Skënderbej“

    Erion Veliaj ka reaguar në Facebook në mbështetje të protestës që po zhvillohen në sheshin Skënderbej në mbështetje të UÇK-së.

    “Për mikun tim e të Tiranës, Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, të gjithë sot në sheshin Skënderbej!”, shkruan Veliaj.

    Postimi i plotë:

    Një padrejtësi diku, shpejt kthehet në padrejtësi kudo!

    Për mikun tim e të Tiranës, Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, të gjithë sot në sheshin Skënderbej!

    Jam aty me mendje dhe me zemër me të gjithë ju!

  • Garda Kombëtare e FSK-së organizon garën ‘Shpëtimtari 2025’

    Garda Kombëtare e FSK-së organizon garën ‘Shpëtimtari 2025’

    Garda Kombëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës – Regjimenti i Mbrojtjes Civile ka realizuar me sukses garën vjetore “Shpëtimtari 2025”, ku morën pjesë njësi të specializuara si ato të Kërkim-Shpëtimit, Materieve të Rrezikshme dhe Deminimit.

    Qëllimi i kësaj gare ishte vlerësimi i aftësive profesionale, fizike dhe taktike të pjesëtarëve të njësive, si dhe forcimi i bashkëpunimit dhe nxitja e frymës garuese ndërmjet ekipeve pjesëmarrëse.

    Ngjarja u cilësua si një demonstrim i përgatitjes dhe përkushtimit të pjesëtarëve të FSK-së në përballjen me situata emergjente dhe operacione të ndërlikuara.

  • Mospjesëmarrja e Kurtit në protestë, Ali Ahmeti: Kjo nuk është gjë e mirë

    Mospjesëmarrja e Kurtit në protestë, Ali Ahmeti: Kjo nuk është gjë e mirë

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga Tirana, tha se protesta në Tiranë është mbarëkombëtare.

    Ahmeti u shpreh se sot po përjeton një emocion shumë të veçantë.

    “Kjo është një protestë mbarëkombëtare, sot bashkë me bashkëkombasit tanë në Shqipëri të cilët kanë qenë përherë bashkë me ne në ditë të vështira, nga Gjirokastra, deri në Shkodër, Kukës, kanë hapur të gjitha dyert dhe sot kam një emocion të veçantë se kjo protestë për drejtësi, që të gjithë jemi UÇK, mbahet në sheshin “Skenderbe”, mu në kryeqytetin e Shqipërisë, aty ku kanë vepruar të gjithë këta heronj dhe shumë të tjerë”, u shpreh ai.

    Ndërkaq, në lidhje me mospjesëmarrjen e Albin Kurtit dhe Sali Berishës në këtë protestë, ai tha se kjo nuk është gjë e mirë.

    Ahmeti shtoi gjithashtu se kjo është protestë nuk ka ngjyrime politike dhe as prapavijë partiake.

    “Nuk është mirë, kjo është një protestë mbarëkombëtare, është e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta, pa ngjyrime politike, besoj që në të ardhmen do ta shohin që të gjithë që këtu nuk ka prapavijë as partiake, as për politika ditore, por është një solidaritet që bëhet për drejtësi, për ata të cilët kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës, që t’u jepet pafajësia, sepse janë të pafajshëm”.

    “Ushtria jonë ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat, ushtria jonë ka pasur vështirësitë nga më të mëdha për të menaxhuar me gjithë atë gjenocit që kanë ushtruar bandat serbe në Kosovë”, u shpreh ai.

  • KQZ verifikon mbi 97% të votave në Mitrovicë – Tahiri mbi 100 vota para Pecit

    KQZ verifikon mbi 97% të votave në Mitrovicë – Tahiri mbi 100 vota para Pecit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me verifikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale.

    Në faqen e tyre kanë bërë përditësimin e fundit edhe për rezultatet në Mitrovicën Jugore.

    Atje, KQZ njofton se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka 48.04%, ose 14,905 Vota.

    Kurse kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci ka 47.66% ose 14,788 Vota.

    Deri tani janë verifikuar 97.14 për qind e votave atje.

    Nga kjo përqindje, Tahiri prin para Pecit 117 vota.