ATV

Author: G.O.

  • Kosova anëtarësohet në institucionin e parë të BE-së – bëhet pjesë e EESC-së

    Kosova anëtarësohet në institucionin e parë të BE-së – bëhet pjesë e EESC-së

    Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë  institucioni i parë i BE-së i cili ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova pasi para më shumë se një viti kishte pranuar anëtarë nga të gjitha vendet kandidate.

    Ky institucion këshillëdhënës në strukturat e Bashkimit Evropian do të ketë në përbërjen e tij edhe përfaqësues nga Kosova, të cilët do të përzgjidhen përmes procedurës që është në vazhdim e sipër.

    Në këtë Komitet marrin pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, nga organizatat ekonomike, nga sindikatat dhe partnerët tjerë socialë dhe ekonomikë.

    Tashmë EESC ka bërë publike shpalljen për kandidatë nga Kosova të cilët mund të paraqiten deri më datën 24 tetor. Kur të zgjedhën, ata do të marrin pjesë në punimet e këtij Komiteti  në mënyrë të barabartë, sikur të gjithë pjesëmarrësit nga vendet tjera kandidate dhe nga vendet anëtare, pos që nuk do të kenë të drejtë të votojnë. E drejta për të votuar mbetet e rezervuar vetëm për anëtarët nga shtetet anëtare të BE-së.

    Kur në këtë Komitet në pranverën e vitit 2024 ishin pranuar të gjitha vendet kandidate por jo edhe Kosova, kryetari i këtij Komiteti Olive Ropke i kishte thënë Kohës se “Kosova nuk mund të përfshihet për arsye formale, sepse nuk e ka formalisht statusin e kandidatit”. Në fakt Kosova akoma mbetet i vetmi shtet evropian i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE por nuk është shqyrtuar kërkesa e saj.
    Përkundër kësaj, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka gjetur mënyrën për të tejkaluar pengesën formale dhe për ta përfshirë edhe Kosovën në këtë nismë.

    “Kosova nuk ishte përfshirë në fazën pilot të këtij projekti për shkak të statusit. Megjithatë, pas konsultimeve me Komisionin Evropian dhe pjesëmarrësit tjerë të rëndësishëm, u vendos që të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidat potencial për anëtarësim. Thirrja për shprehjen e interesit nga kandidatët tash është e hapur deri me 24.10.2025 dhe kur procedura e përzgjedhjes të përmbyllet anëtarët kandidat të zgjerimit nga Kosova do të kenë të njëjtin status sikur edhe kandidatët nga vendet tjera të zgjerimit”, kanë thënë nga ky institucion në përgjigjen për Kohën.

    Në këtë shpallje mund të paraqiten kandidatë nga organizatat e shoqërisë  civile, sindikatat dhe të gjithë partnerët ekonomikë dhe socialë.

    Anëtaret e këtij komiteti që vinë nga vendet kandidate marrin pjesë aktive në punën e Komitetit ekonomik dhe Social Evropian në mënyrë të barabartë me kolegët nga vendet e BE-së por nuk do të kenë të drejtë të votës.

    Në këtë Komitet në vitin 2024 ishin pranuar anëtarët nga 9 vende kandidate dhe jashtë kishte  mbetur Kosova, i vetmi vend i përfshirë në procesin e zgjerimit por që formalisht nuk ka status formal kandidati për anëtarësim në BE.

    Ky Komitet vitin e kaluar kishte  pranuar anëtarë nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Të gjitha këto kanë formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Presidenti i këtij Komiteti Ropke, të cilit i ka skaduar mandati, kishte thënë se kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të vendeve kandidate edhe para se ato të bëhen vende formale anëtare të Bashkimit Evropian. Ai ka shprehur pritjet e tij që kolegët nga vendet kandidate të sjellin përvojën e tyre të dobishme në punën e këtij institucioni.

  • Afganistani dhe Pakistani ulen në tryezë bisedimesh në Doha

    Afganistani dhe Pakistani ulen në tryezë bisedimesh në Doha

    Një delegacion i lartë nga Afganistani mbërriti në Doha të shtunën për bisedime paqeje me Pakistanin, tha një zëdhënës i qeverisë afgane. Takimi u  organizua pasi të dyja vendet ranë në ujdi ta zgjasin armëpushimin pas përplasjesh të ashpra në kufi.

    “Siç ishte premtuar, sot do të zhvillohen bisedimet me palën pakistaneze në Doha”, tha Zabihullah Mujahid në një deklaratë, duke shtuar se delegacioni afgan udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Mullah Muhammad Yaqoob.

    Një delegacion pakistanez ndodhej që të premten në kryeqytetin e Katarit dhe pritej të bashkohej me zyrtarë të tjerë të lartë, sipas disa burimeve qeveritare dhe të sigurisë që folën për agjencinë Reuters.

    Qeveria pakistaneze ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedime. Ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme në Pakistan nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Të premten, Afganistani dhe Pakistani ranë dakord të zgjasin armëpushimin 48-orësh për kohën sa zgjasin bisedimet në Doha, sipas burimeve. Kjo përpjekje vjen pas përleshjeve të dhunshme që vranë dhjetëra persona dhe plagosën qindra të tjerë gjatë javës së fundit – dhuna më e madhe mes dy vendeve që prej marrjes së pushtetit nga talebanët në Kabul në vitin 2021.

    Luftimet tokësore të ashpra dhe sulmet ajrore pakistaneze përgjatë kufirit 2.600 kilometra të gjatë u nxitën pasi Pakistani kërkoi nga Afganistani që të ndalojë militantët që, sipas tij, veprojnë nga brenda territorit afgan dhe kryejnë sulme në Pakistan.

  • Amir Rrahmani drejt shpërblimit nga Napoli – refuzoi oferta nga Premierliga, Serie A dhe Bundesliga

    Amir Rrahmani drejt shpërblimit nga Napoli – refuzoi oferta nga Premierliga, Serie A dhe Bundesliga

    Qendërmbrojtësi i Napolit dhe Kosovës, Amir Rrahmani pritet që të vazhdojë kontratën me klubin italian. 

    Sipas raportimit nga “CalcioNapoli24”, detajet e fundit ekonomike të kontratës janë duke u analizuar.

    Në këtë raportim thuhet tutje se kontrata e Rrahmanit do të zgjatet deri më qershor të vitit 2029.

    “Një kontratë afatgjate për mbrojtësin, që e konsideron Napolin si shtëpinë e tij”, shkruan mediumi në fjalë.

    Ky vazhdim kontrate do të ishte edhe si shpërblim për besnikërinë e treguar nga Amir Rrahmani, pasi kapiteni i Kosovës refuzoi oferta nga klube si Tottenhami, klubet e Arabisë Saudite, klube gjermane dhe nga një klub i Italisë.

    Amir Rrahmani është pjesë e Napolit që nga viti 2020, ku kaloi nga Verona për 14 milionë euro.

    Me Napolin, kapiteni dardan fitoi dy herë Serie A-në.

  • Motoristët drejt Hagës, publikohen pamje të marshit për drejtësi

    Motoristët drejt Hagës, publikohen pamje të marshit për drejtësi

    Nën organizim të platformës “Liria ka Emër” shumë motoristë janë nisur nga Kosova për në Hagë, atje ku do të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së ë cilët po mbahen në paraburgim.

    Ish-kryetari i Organizatave të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka publikuar një video të motoristëve nga ky marsh.

    Motoristët para nisjes u bashkuan te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku bën homazhe te varrezat, për tu ndalur më pas në vendet që janë simbolikë e luftës, si Poklek, Deçan, Gllogjan, Koshare dhe Mejë.

    Nisja u bë me 15 tetor, ndërkohë Haradinaj para mediave nga Prekazi tregoi se, “Në Cyrih do të na bashkohen motoristë nga Italia, Gjermania e Austria, më pas do të ndalemi në Dyseldorf, për të vazhduar në Hagë dhe Bruksel”.

  • KQZ për anëtarët e KKZ-së që u aksidentuan: Ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor

    KQZ për anëtarët e KKZ-së që u aksidentuan: Ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë se pesë anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Komunë e Ferizajt që u aksidentuan në rrugën Slivovë-Ferizaj ishin duke kryer detyrat në kuadër të procesit zgjedhor.

    Në komunikatën për media, KQZ ka thënë se “Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin”.

    KQZ ka shprehur shqetësimin për këtë ngjarje, pa çka ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të tyre.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton opinionin publik se të premten, në orën 18:17, pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Ferizajt kanë pësuar një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor. Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse. Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

  • Policia jep detaje për aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë të KKZ-së në Ferizaj

    Policia jep detaje për aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë të KKZ-së në Ferizaj

    Policia ka njoftuar se në aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë e Komisionit Komunal Zgjedhor nga LDK-ja në Ferizaj, ka ndodhur në fshatin Slivovë-Ferizaj, pasi vetura është përplasur me një autobus.

    Shoferi i veturës dhe katër pasagjerët janë lënduar. Katër të lënduar janë dërguar në QKUK nga Emergjenca  e Ferizajt.

    “Me datën 17.10.2025 në ora 18:17 në rrugën magjistrale, fshati Slivovë-Ferizaj Aksident trafiku me lëndime trupore ku në këtë aksident trafiku ishin të përfshira dy automjete: një veture dhe një autobus me targa vendore me shoferët M.SH.K. Veç dëmeve materiale lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjeret, te cilët pas trajtimit mjekësor në emergjencën e Ferizajt, katër persona dërgohen ne Q.K.U.K-Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, njoftoi Policia.

    Blerton Jakupi nga LDK-ja në Ferizaj ka thënë se pesë të lënduarit janë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor. Ai nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social “facebook” të shtunën ka shkruar se një prej të lënduarve është në gjendje kome.

  • Kylie Jenner shkëlqen e veshur me një fustan latex ngjyrë rozë, ndërsa thekson linjat trupore

    Kylie Jenner shkëlqen e veshur me një fustan latex ngjyrë rozë, ndërsa thekson linjat trupore

    Kylie Jenner tërhoqi gjithë vëmendjen të premten mbrëma në Los Angeles, teksa u shfaq me vajzën e saj Stormi në një event madhështor për markën e saj të bukurisë Kylie Cosmetics.

    28-vjeçarja, e cila kohët e fundit ka zbuluar se ëndrra e saj e kahmotshme është të bëhet një “yll popi”, mori pjesë në hapjen e pop-up-it special që shënon 10-vjetorin e brandit dhe lansimin e koleksionit të ri të kufizuar “King Kylie”, që do të dalë zyrtarisht në shitje më 18 tetor.

    Kylie u mbështet nga familja dhe miqtë e afërt – përfshirë motrat e saj të famshme Kim Kardashian dhe Kendall Jenner, të cilat u panë në mesin e të ftuarve, shkruan DailyMail.

    Ylli i “The Kardashians” mbërriti në event me një fustan ngjitur pas trupit në ngjyrë rozë të çelët, me një dekolte të hapur përpara që theksonte linjat e saj elegante.

    Ajo e kompletoi pamjen me këpucë me taka rozë dhe një paruke të gjatë në ngjyrë rozë pastel, duke bërë një deklaratë të guximshme stili.

    Kylie zgjodhi aksesorë minimalë, me vathë të vegjël dhe disa unaza të shndritshme, duke i lënë veshjes së saj të marrë gjithë vëmendjen.

    Grimimi i saj ishte i rafinuar — me qerpikë të theksuar, hije të ndritshme në sy dhe një blush rozë për një shkëlqim natyral. Në buzë mbante një ngjyrë neutrale, për të ruajtur ekuilibrin e pamjes.

    Në krah të saj ishte vajza 7-vjeçare Stormi, e cila kishte veshur një fund dhe xhaketë rozë që përputheshin me look-un e nënës. Ajo kishte kombinuar veshjen me një bluzë të printuar dhe këpucë të sheshta rozë.

    Eventi u mbajt në Melrose Avenue për të festuar dekadën e parë të suksesit të “Kylie Cosmetics” dhe për të prezantuar koleksionin e ri “King Kylie”, që përmban produkte me formula të reja dhe nuanca ikonike, në edicion të kufizuar, sipas faqes zyrtare të markës.

    Emri “King Kylie” i referohet periudhës së saj ikonike të vitit 2015, kur Kylie njihej për ngjyrat e guximshme të flokëve dhe make-up-et e veçanta.

    Sipas përshkrimit zyrtar, koleksioni është “një homazh i guximshëm për një dekadë bukurie ikonike, inovacioni dhe trashëgimie që ka përcaktuar një epokë”.

    Në të përfshihen produkte si paleta e syve në formë targe kaliforniane, frymëzuar nga ngjyrat e flokëve të Kylie-t ndër vite, si dhe setet e famshme Matte Lip Kit, të rikthyera me paketim dhe nuanca që kujtojnë debutimin e brandit në vitin 2015.

    Në komunikatën zyrtare, Kylie shprehu mirënjohjen e saj: “Jam jashtëzakonisht krenare që po festoj 10 vite të Kylie Cosmetics. E kam dashur make-up-in qëkur mbaj mend, dhe jam shumë falënderuese që kam mundësinë të krijoj dhe ndaj produkte që i përdor çdo ditë me fansat e mi në mbarë botën”.

    Ajo shtoi: “Jam shumë e emocionuar të prezantoj koleksionin ‘King Kylie’ – ka qenë e mrekullueshme të kthehem pas në kohë dhe të reflektoj se ku nisi gjithçka”.

    Në mesin e të ftuarve, Kim Kardashian mori gjithashtu vëmendjen me një fustan latex rozë me dekolte të thellë, të kombinuar me sandale me platformë dhe flokë të kapur në një stil të lëmuar elegant. /Telegrafi/

     

     

     

     

  • LDK-ja përjashton mundësinë e votimit të Qeverisë dhe të hyrjes në koalicion me Vetëvendosjen

    LDK-ja përjashton mundësinë e votimit të Qeverisë dhe të hyrjes në koalicion me Vetëvendosjen

    Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka deklaruar se partia e tij nuk do të votojë formimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, duke përjashtuar mundësinë e hyrjes në një koalicion me këtë subjekt. Ai tha se LDK ka refuzuar disa ftesa që nga fillimi i konstituimit të Kuvendit, për shkak të keqqeverisjes së VV-së gjatë mandatit të kaluar.

    “Jo ne nuk do ta votojmë, ashtu siç e dini edhe ju edhe qytetarët e Kosovës. Ne i kemi marrë disa ftesa për me hy në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi, domethënë kur ka fillu hapat e parë për konstituimin e Kuvendit. Ne të gjitha ato i kemi refuzuar, për arsye që mendojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme të qeverisë me LVV, duke e pasur parasysh që qeverisja e tyre gjatë katër viteve të kaluara, ata kanë keqqeverisur me të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë. Kështu që kësaj radhe ne nuk do të bashkëqeverisim e as nuk do ta votojmë qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Guri.

    Megjithëse deri më tani nuk ka pasur ftesë zyrtare nga VV për bisedime, Guri thotë se edhe një ftesë e tillë do të refuzohej.

    “Jo, ne nuk kemi pasur ftesa zyrtare. Ne i kemi pasur disa ftesa të cilat kanë qenë publike prej LVV-së në drejtim të LDK-së për një koalicion të mundshëm ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, të cilat edhe ne publikisht i kemi refuzuar për arsye që mendojmë se nuk është i duhur një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së. Duke e pasur parasysh që ne dallojmë jashtëzakonisht shumë, duke e pasur parasysh që për LDK-në njëri prej misioneve kryesore është mbajtja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, ndërsa këta gjatë katër viteve i kanë dëmtu shumë interesat tona në raport me miqtë tanë dhe Kosova është nën sanksione. Ne nuk do të kontribuojmë në vazhdimin e një qeverisje prej LVV-së. Ato ftesat që i kemi marrë publike, që kanë qenë dy ose tri prej tyre, i kemi refuzu publikisht”, deklaroi ai.

    Në lidhje me ftesat paraprake nga Vetëvendosje, Guri sqaroi se LDK nuk ka shprehur kurrë interesim për t’i dëgjuar ato.

    “Ne nuk kemi qenë të interesuar për me ditë ofertën e tyre. Për atë arsye nuk kemi shku në asnjë takim që na kanë ftu për me diskutu rreth ofertës, për arsye që kjo nuk është çështje oferte ose interesi, është punë për të mirën e Kosovës. Për atë arsye ne e kemi refuzu atë ftesë”, tha Guri.

  • Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën: ShBA-të nuk duan përshkallëzim

    Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën: ShBA-të nuk duan përshkallëzim

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk arriti të siguronte raketat lundruese Tomahawk gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump, megjithëse kishte udhëtuar në Uashington me këtë shpresë.

    Këto raketa me rreze të gjatë veprimi, sipas Zelenskyt, do të ndihmonin Ukrainën për të goditur objektiva strategjike të naftës dhe energjisë brenda territorit rus.

    Gjatë fjalës hapëse në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh: “Shpresoj ta zgjidhim këtë luftë pa menduar për Tomahawk. Është një armë që Amerikës i duhet.”

    Takimi mes dy liderëve zgjati rreth dy orë e gjysmë. Më vonë, Zelensky e përshkroi si një takim “produktiv”, por theksoi se nuk do të komentonte për raketat Tomahawk sepse, sipas tij, “SHBA-të nuk duan përshkallëzim.”

    Më vonë gjatë ditës, Trump u bëri thirrje të dyja palëve që të ndalin luftën: “Të dyja palët duhet të shkojnë në shtëpi, të shkojnë te familjet e tyre, të ndalojnë vrasjet. Dhe kjo duhet të jetë e gjitha,” tha ai, duke shtuar se këtë ndjesi ia kishte komunikuar si Zelenskyt, ashtu edhe presidentit rus Vladimir Putin.

    Takimi Zelensky-Trump ndodhi vetëm një ditë pasi Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin, ku u raportua se ranë dakord të takohen së shpejti në Hungari.

    Ndërkohë, Zelensky kishte sugjeruar më herët një shkëmbim të mundshëm armësh, duke thënë: “Ukraina ka mijëra dronë të prodhuar nga ne, por ne nuk kemi Tomahawk. SHBA mund të kenë mijëra dronë tanë, aty mund të punojmë së bashku.”

  • Elezi: Numërimi përfundon në 34 komuna, Prishtina ende në proces – rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

    Elezi: Numërimi përfundon në 34 komuna, Prishtina ende në proces – rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), të cilat nisën një ditë pas zgjedhjeve lokale, po përfundojnë. Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është në vijim dita e dytë e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës.

    Sipas KQZ‑së, deri në orën 10:00 të së shtunës (18 tetor), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 34 komuna, ndër të cilat: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot dhe Leposaviq.

    Komunat që ende nuk e kanë përmbyllur verifikimin e rezultateve për Kryetarët dhe Kuvendet Komunale janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Malisheva.

    Zëdhënësi i KQZ‑së, Valmir Elezi, deklaroi: “Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, e shtunë, janë verifikuar rezultatet për 2,463 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,446 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,446, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,909.”
    Sipas tij, procesi i numërimit për votimin jashtë Kosovës përmes postës (nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025) është duke vazhduar.

    Ai shtoi se gjatë ditës KQZ-ja do të publikojë rezultatet nga ky numërim, i cili pritet të përfundojë në ditët në vijim.