ATV

Author: G.O.

  • Gucati nga Tirana: As shiu nuk na ndal, ashtu si në luftë

    Gucati nga Tirana: As shiu nuk na ndal, ashtu si në luftë

    Përkrahës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në zemër të Tiranës, në një protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    Protesta, e tretë me radhë, sipas organizatorëve, ka për qëllim të tregojë unitet mbarëkombëtar dhe të kërkojë drejtësi për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një deklaratë për RTV21, tha: “Kjo është protesta e tretë me radhë dhe nuk besoj se shiu apo moti i keq do t’i ndalë qytetarët, njësoj siç nuk na ndali as gjatë luftës.”

    Ai shtoi se pjesëmarrja e figurave të rëndësishme kombëtare e bën këtë protestë edhe më domethënëse.

    “Është e rëndësishme që sot këtu janë edhe  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili do të mbajë edhe një fjalim,” theksoi Gucati.

    Sipas tij, protesta ka karakter gjithëkombëtar dhe është vetëm një ndër disa që do të pasojnë. “Kjo është një protestë bashkimi, protestë që do të pasohet nga dy të tjera në ditët dhe javët në vijim,” tha ai.

  • Basha me deputetët finlandezë: Kosova e përkushtuar ndaj integrimit evropian

    Basha me deputetët finlandezë: Kosova e përkushtuar ndaj integrimit evropian

    Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka zhvilluar takim me deputetë të Kuvendit të Finlandës të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

    Kryekuvendari thotë se ligjvënësve finlandez u theksoi vendosmërinë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës dhe aspiratat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

    “Ne jemi popull që besojmë në vlerat perëndimore të demokracisë, të drejtës, të mirëqenies, barazisë dhe të lirisë, mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Përkundër sjelljeve të vazhdueshme penguese, agresive dhe destruktive të Serbisë, angazhimi ynë mbetet garantimi i integritetit territorial, sigurimi i mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë dhe avancimi në rrugën tonë të integrimit evropian”.

    Basha, shtoi se në këtë takim theksoi se Kosova është e dëshmuar për përkushtim në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve si shoqëri gjithëpërfshirëse. “Ku secili qytetar, pa asnjë dallim, ka vend të barabartë në jetën publike dhe politike të vendit, me të gjitha të drejtat e garantuara kushtetuese dhe ligjore”.

    Me mysafirët finlandez, Basha thotë se foli për reformat institucionale.

    “Në takim nënvizova edhe faktin se shteti ynë ka ndërmarrë reforma të thella institucionale, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke e luftuar me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo vërtetohet edhe me matjet e indekseve kredibile ndërkombëtare, që Kosovën e vlerësojnë si vend që garanton lirinë e shprehjes dhe që po shënon progres të gjithëmbarshëm ekonomik, duke dëshmuar kështu orientimin tonë të qartë drejt të ardhmes në familjen evropiane”, ka thënë Basha.

  • Edita Tahiri: Albin Kurti po ëndërron, nuk do të zgjidhet më kryeministër

    Edita Tahiri: Albin Kurti po ëndërron, nuk do të zgjidhet më kryeministër

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, tha me bindje të plotë se Albin Kurti nuk do të zgjidhet më kryeministër, duke shtuar se “ai po ëndërron”.

    “Nuk do të zgjidhet më Albin Kurti kryeministër. Ai po ëndërron! Ka demokraci” tha Tahiri në emisionin Kosova Live.

    Ajo theksoi se Kosova nuk është pronë e një partie politike dhe se shteti nuk mund të funksionojë sipas dëshirës së Vetëvendosjes.

    “Ne nuk jemi në shtëpinë e Vetëvendosjes që të bëhet shteti si duan ata. Ky është shtet demokratik” – shtoi tutje Tahiri.

  • “Pa çlirimtarët s’ka shtet”, mesazhet që përcjellin qytetarët nga Kosova në Tiranë

    “Pa çlirimtarët s’ka shtet”, mesazhet që përcjellin qytetarët nga Kosova në Tiranë

    Protestues nga qytete të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Evropa tanimë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, ku pas disa orësh nis protesta “Drejtësi për çlirimtarët”.

    Ata kërkuar të lirohen çlirimtarët pasi po mbahen padrejtësisht në Hagë. Sami Hoti nga Rugova e Gjakovës kanë vendos të vinë në protestë për shkak të padrejtësisë ndaj çlirimtarëve.

    “Të lirohen sa më shpejtë se po mbahen padrejtësisht dhe i bëj apel të gjithë shqiptarëve, ai që e ndien vetën shqiptar të na bashkëngjiten në këtë protestë”, tha ai.

    Muhamet Beqiri nga Skenderaj tha se sot i madh e i vogël duhet të jetë në këtë shesh të mrekullueshëm për këtë protestë të mrekullueshme.

    “Mesazhi i im dhe i gjithë këtyre sa më shpejt të lirohen të pafajshmit, le të arrestohen udbashat që kanë vrarë e kanë masakruar”, tha ai.

    E qytetari nga Tirana, Aliu thekson se ka dalur në këtë protestë për gjakun e shqiptarëve.

    “Të lirohen ushtarët e UÇK-së. Nuk kam ardhur për politikanët se këta janë të gjithë të korruptuar por kam ardhur për gjak shqiptar”, tha ai, raporton euronewsal.

    Kurse, një qytetar nga Vushtrria tha se popullit të Kosovës është duke iu bërë padrejtësi, pasi nëse dënohet UÇK-ja dënohet i gjithë populli shqiptar.

    “Jemi në përkrahje të çlirimtarëve, fal tyre sot Kosova po gëzon lirshëm, fal tyre fëmijët shkojnë në shkollë lirshëm, fal tyre çdo infrastrukturë, çdo arritje që është bërë fal tyre, duke fillua prej policisë, ushtrisë prej të gjithave i kemi fal çlirimtarëve….një herë e përgjithmonë të vendoset drejtësia në vend. Pa luftës kemi pas padrejtësi ndaj Haradinajt, Limajt pas andej ka ndodhur gjykata e UNMIK-ut që ka qen inkriminuese, e padrejtë, tani EULEX, tash një gjykatë e specializuar me urdhër me dëshmitë të falsifikuara nga Serbia”, tha ai.

    Protesta në Tiranë organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Gjatë ditës së djeshme në konferencë për media kanë njoftuar se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë.

  • “Ujku Shigjetë”, FSK-ja njofton për ushtrimin fushor në rajonin e Gjakovës

    “Ujku Shigjetë”, FSK-ja njofton për ushtrimin fushor në rajonin e Gjakovës

    Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se nga data 20-29 tetor 2025, Forca e Sigurisë së Kosovës do të realizoj ushtrimin fushorë “ Ujku Shigjetë”, në kuadër të validimit të Regjimentit të tretë të Forcave Tokësore.

    Në njoftim thuhet se gjatë kësaj periudhe do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe Poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

    “E gjithë kjo lëvizje do bëhet me qëllim të realizimit të ushtrimit, andaj kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Venezuela dislokon trupa, raportohet për sulm të ri të ShBA-së

    Venezuela dislokon trupa, raportohet për sulm të ri të ShBA-së

    Venezuela ka dislokuar mijëra trupa afër kufirit kolumbian në përgjigje të grumbullimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Karaibe, ku mediat amerikane kanë raportuar për një sulm të ri ndaj një anijeje që dyshohet se po transportonte drogë.

    Shtetet e Bashkuara kanë dërguar disa anije ushtarake në Detin e Karaibeve dhe javët e fundit ka kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse ndaj anijeve.

    Të paktën 27 persona janë vrarë deri më tani si pasojë e sulmeve amerikane, teksa grumbullimi ushtarak ka rritur frikën në Karakas se qëllimi përfundimtar është ndryshimi i Qeverisë në Venezuelë.

    Venezuela ka nisur stërvitje ushtarake, përfshirë edhe dislokimin e 17 mijë trupave në shtetin Tarika, që gjendet në kufi me Kolumbinë, sipas komandantit Michell Valladares.

    Përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton nëse do të zgjerojë veprimin ushtarak të SHBA-së nga deti në tokë, admirali që ka mbikëqyrur sulmet detare ka njoftuar për dorëheqjen e tij.

    Disa persona që gjendeshin në bordin e anijes të sulmuar të enjten shpëtuan, sipas mediave amerikane, përfshirë CBS, CNN dhe NBC, të cilët cituan zyrtarë të paidentifikuar amerikanë.

    Pentagoni nuk ka dhënë informacione se sa është numri i të mbijetuarve.

    Të mërkurën, Trump tha se ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për të kryer operacione të fshehta në Venezuelë, duke shtuar se po shqyrton edhe veprime të mëtejme ndaj karteleve të dyshuara të drogës.

    “Tani po shqyrtojmë mundësinë për operacione tokësore, sepse detin e kemi nën kontroll”, tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.

    Një ditë më pas, admirali Alvin Holsey njoftoi se do të largohej nga posti i udhëheqësit të forcave amerikane që operojnë në Amerikën Qendrore dhe Jugore, transmeton Radio Evropa e Lore.

    Kreu i Komandës Jugore amerikane nuk dha arsye për dorëheqjen e tij vetëm një vit pasi mori këtë detyrë.

    Udhëheqësi i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka dënuar çdo përpjekje të Uashingtonit për “ndryshim të regjimit” dhe ka kritikuar “grusht shtetet e orkestruara nga CIA”.

    Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, po ashtu ka mohuar një raportim se ajo kishte negociuar me SHBA-në për të rrëzuar Maduron.

    Nën udhëheqjen e Maduros, ushtria venezuelase këtë javë zhvilloi stërvitjet më të mëdha ushtarake, pas një sulmi tjetër nga SHBA-ja.

    Ushtria e Venezuelës ka dislokuar trupa në Tarika, ku tre ura kryesore e lidhin këtë shtet me Kolumbinë. Po ashtu, ushtria është stacionuar në jug, ku gjendet kufiri me Kolumbinë dhe Brazilin, si dhe në disa lokacione tjera detare.

    Trinidadi dhe Tobago, që gjendet pranë brigjeve të Venezuelës, po heton nëse dy persona të vrarë në sulmet detare amerikane ishin shtetas të tij, thanë zyrtarët më herët gjatë javës./REL

  • OBSh: Sëmundjet infektive në Gaza po përhapen pa kontroll

    OBSh: Sëmundjet infektive në Gaza po përhapen pa kontroll

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se sëmundjet infektive po “dalin jashtë kontrollit”, me vetëm 13 nga 36 spitalet që funksionojnë pjesërisht në Gaza.

    “Qoftë meningjit… diarre, sëmundje të frymëmarrjes, po flasim për sasi jashtëzakonisht të madhe të punës”, ka thënë drejtoresha e OBSH-së për rajonin, Hanan Balkhy.

    Ndërkohë, stafi i organizatës që gjendet në territorit palestinez ka thënë se ka rritur dërgesat me pajisje mjekësore në objektet shëndetësore që kur armëpushimi hyri në fuqi.

    Që nga fillimi i armëpushimit, sipas agjencisë së OKB-së për ushqimin në Gazë janë futur 560 tonë ushqim në ditë, por ka vlerësuar se kjo është pak.

  • Përkujtohet Dita e Unitetit Gjerman, prezantohet ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

    Përkujtohet Dita e Unitetit Gjerman, prezantohet ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se dje është festuar Dita e Unitetit Gjerman, një ngjarje që kujton fuqinë e unitetit, guximin dhe ndjenjën e përbashkët të qëllimit.

    Në ceremoninë e këtij viti, përveç shënimit të 35-vjetorit të Unitetit Gjerman, u prezantua edhe ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Si e ftuar nderi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi lidhjen e veçantë që ekziston midis Gjermanisë dhe Kosovës, një marrëdhënie që ndikon në jetën e qytetarëve të të dy vendeve dhe që ambasadori Rudolph synon ta forcojë edhe më tej gjatë mandatit të tij.

    Në këtë ceremoni morën pjesë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve, miq dhe partnerë ndërkombëtarë.

    Në deklaratën e saj, Ambasada Gjermane ka falënderuar të gjithë të pranishmit që kontribuuan për ta bërë këtë festim kaq të veçantë.

  • Mijëra qytetarë nga Kosova ndalen tek pompa e derivateve ku zakonisht bëjnë ndalesa, këtë herë të gjithë së bashku në protestën në Tiranë 🇦🇱

    Mijëra qytetarë nga Kosova ndalen tek pompa e derivateve ku zakonisht bëjnë ndalesa, këtë herë të gjithë së bashku në protestën në Tiranë 🇦🇱

    Mijëra qytetarë nga Kosova janë nisur sot drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare që po mbahet në kryeqytetin shqiptar, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

    Kolona të gjata automjetesh janë parë përgjatë “Rrugës së Kombit”, ndërsa shumë qytetarë janë ndalur në pikat e zakonshme të karburanteve për t’u bashkuar dhe organizuar për rrugëtimin drejt Tiranës 🇦🇱.

    Protesta po mbahet për të kërkuar drejtësi dhe trajtim të barabartë për ish-udhëheqësit e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte në Gjykatën Speciale të Hagës.

    Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve nga Kosova e Shqipëria po shihet si një shenjë e unitetit mbarëkombëtar dhe e mbështetjes së fortë për luftën çlirimtare dhe figurat e saj kryesore.

    https://www.facebook.com/share/v/1MvBXDdrMH/?mibextid=wwXIfr

  • Ali Ahmeti mbërrin në Tiranë për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, pritet nga Begaj

    Ali Ahmeti mbërrin në Tiranë për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, pritet nga Begaj

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka mbërritur sot në Tiranë për t’u bashkuar me protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, e cila synon të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

    Para fillimit të protestës, Ahmeti u prit nga presidenti shqiptar Bajram Begaj në një takim që ai e përshkroi si të ngrohtë dhe vëllazëror.

    Sipas Ahmetit, në bisedë u fokusuan zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërfqinjor.

    “E përgëzova Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.

    Rruga drejt Brukselit është rrugëtim strategjik kombëtar, që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

    Në takim theksuam gjithashtu rëndësinë e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku, të cilët në Evropën e bashkuar duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt,” shkroi Ahmeti në Facebook.