ATV

Author: G.O.

  • Policia shqipton mbi 1 mijë euro gjoba për katër shoferë në Ferizaj

    Policia shqipton mbi 1 mijë euro gjoba për katër shoferë në Ferizaj

    Policia në Ferizaj ka shqiptuar masa ndëshkuese ndaj katër shoferëve të cilët kanë kryer kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor.

    Rasti i parë është evidentuar në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj ku është ndalur shoferi A.J. (22 vjeç), i cili me automjetin VW Golf po qarkullonte me 90 km/h në zonën me kufizim shpejtësie prej 50 km/h.Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim drejtimi për 3 muaj.

    Në fshatin Muhovc të po këtij qyteti policia ka ndaluar shoferin me inicialet A.M i moshës 24 vjeçare me automjetin VW T-Roc me targa vendore, i cili kishte masë mbrojtëse aktive nga data 09.09.2025 deri më 08.03.2026.

    “Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative, masë mbrojtëse – ndalim drejtimi për 6 muaj, si dhe sekuestrim i automjetit”.

    “Rruga magjistrale, fshati Sojevë:Është ndaluar në flagrancë shoferi H.R. (31 vjeç), i cili gjatë ngasjes së automjetit VW Golf po përdorte telefonin celular.

    Pas verifikimeve u konstatua se kjo ishte hera e dytë që i njëjti person kryente të njëjtën kundërvajtje.Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim drejtimi për 3 muaj”.

    “Rruga magjistrale, fshati Mirosalë:Policia ka ndaluar shoferin T.Z. (31 vjeç), i cili me automjetin Citroën C3 me targa vendore kishte bërë tejkalim në vijë të plotë.
    Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim drejtimi për 3 muaj”, thuhet në njoftim të policisë.

    Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, shenjat dhe rregullat e komunikacionit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

  • Publikohet një fotografi e rrallë e Dua Lipës gjatë kohës si adoleshente në Prishtinë

    Publikohet një fotografi e rrallë e Dua Lipës gjatë kohës si adoleshente në Prishtinë

    Një fotografi e rrallë e Dua Lipës, realizuar vite më parë në Prishtinë, është shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale duke ngjallur nostalgji dhe emocion te fansat e saj shqiptarë.

    Në imazh, këngëtarja me famë botërore shihet në tarracën e shtëpisë së saj në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, aty ku ajo kaloi një pjesë të rëndësishme të fëmijërisë dhe adoleshencës.

    Asokohe, Dua ishte vetëm një vajzë e thjeshtë, e mbushur me aspirata e ëndrra për t’u bërë artiste. Pa e ditur ende se çfarë e priste, ajo punonte me ngulm drejt një karriere muzikore që do ta çonte më vonë në majat e suksesit global.

    Fotografia, e cila duket të jetë shkrepur në një moment të qetë e intim familjar, shërben sot si kujtesë e rrugës së gjatë që Dua ka bërë – nga tarraca e një shtëpie në Prishtinë, deri te skenat më të mëdha të botës dhe çmimet më prestigjioze të muzikës.

    Postimi është pritur me shumë komentime dhe pëlqime, me fansat që e cilësojnë imazhin si një dëshmi të bukur të fillesave të saj të përulura dhe frymëzim për të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre.

    Dua Lipa, një prej emrave më të fuqishëm të industrisë muzikore sot, duket se vazhdon të mbetet një simbol krenarie për Kosovën dhe mbarë shqiptarët – dhe kjo fotografi e vjetër vetëm e thekson më shumë këtë lidhje të veçantë. /Telegrafi/

      Screenshot
  • Kurti bëri homazhe pranë varrit të heroit të kombit Zahir Pajaziti: Frymëzim për ushtrinë e Kosovës

    Kurti bëri homazhe pranë varrit të heroit të kombit Zahir Pajaziti: Frymëzim për ushtrinë e Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti”, në fshatin Orllan të Podujevës.

    Në këtë ditë, që shënon ditëlindjen e Heroit të Kombit Zahir Pajaziti, Kurti tha se Zahiri ishte veprimtar i jashtëzakonshëm, luftëtar i paepur që u bë edhe sinonim i kushtrimit për liri, bashkë me Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën.

    Ai tha se e mbanë mend janarin e vitit 1997, kur Zahir Pajaziti, pa i mbushur ende 35 vjet, ra heroikisht në ballafaqim me forcat armike e okupatore të Serbisë, në Pestovë të Vushtrrisë, pasi që kishte kryer shumë aksione çlirimtare, e që i paraprinë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Zahir Pajaziti është emri i cili kujtohet e nderohet nga populli mbarë, por në veçanti ai është frymëzim për ushtrinë e Kosovës, për forcat tona të sigurisë, për të gjithë ushtarët, oficerët dhe nënoficerët, të cilët e mbrojnë integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, gjithandej Kosovës, tërë kohën”, tha kryeministri Kurti.

  • Moldavia bëhet me kryeministër pro-BE

    Moldavia bëhet me kryeministër pro-BE

    Alexandru Munteanu u betua si kryeministër i Moldavisë të shtunën gjatë një ceremonie ku morën pjesë Presidentja Maia Sandu dhe kryetari i parlamentit, Igor Grosu.

    Muneanu, një ekonomist 61-vjeçar i cili ka punuar në Bankën Botërore dhe Bankën Kombëtare të Moldavisë, po merr një detyrë politike për herë të parë për të ndihmuar në udhëheqjen e përpjekjeve të vendit të tij për anëtarësim në BE, raporton “Politico”.

    Parlamenti i Moldavisë emëroi Munteanun si kryeministër të premten, pasi zgjedhjet e shtatorit i dhanë Partisë qeverisëse të Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) të Sandusë një fitore vendimtare ndaj rivalëve të saj pro-rusë.

    “Kemi një mundësi unike për t’u bërë qeveria që do ta çojë Moldavinë në Bashkimin Evropian”, tha Munteanu të premten para votës së besimit. Kryeministri i sapozgjedhur fitoi mbështetjen e 55 prej 101 deputetëve.

  • Pse kirurgët veshin uniforma me ngjyrë të gjelbër ose blu?

    Pse kirurgët veshin uniforma me ngjyrë të gjelbër ose blu?

    Keni menduar ndonjëherë përse mjekët veshin uniforma në ngjyrë jeshile ose blu në sallën e operacionit, dhe kurrë të bardha? Kjo gjë, ndonëse në dukje e parëndësishme, rezulton se mund të përcaktojë suksesin e një ndërhyrjeje kirurgjikale.

    Bright Side ka zbuluar përse ngjyra veshjes së kirurgëve është kaq e rëndësishme. Më parë, i gjithë stafi mjekësor vishte uniforma të bardha, deri në vitin 1914, ku një mjek me shumë influencë zëvendësoi këto uniforma tradicionale me ato jeshile apo blu.

    Problemi është se ngjyra e bardhë mund të turbullojë shikimin e mjekëve, nëse ato largojnë shikimin nga ngjyra e errët e gjakut tek uniforma e kolegëve të tyre. I njëjti efekt ndodh edhe kur dilni jashtë gjatë dimrit dhe shihni rrezet e diellit të reflektuara tek bora.

    Por kjo ende nuk i përgjigjet pyetjes se përse uniforma e kirurgut është në ngjyrë jeshile ose blu. E vërteta është se e gjelbra dhe bluja janë e kundërta e ngjyrës së kuqe në spektrin e dritës vizuale, dhe gjatë një operacioni një kirurg është pothuajse gjithmonë i përqendruar tek ngjyrat e kuqe.

    Për shkak të kësaj, ngjyra jeshile dhe blu e uniformave të tyre nuk i ndihmon vetëm për të përmirësuar mprehtësinë vizuale të kirurgëve, por i bëjnë ata edhe më të ndjeshëm ndaj nuancave të ndryshme të ngjyrës së kuqe.

    Rrjedhimisht ato i ndihmojnë t’i kushtojnë vëmendje më të madhe nuancave të anatomisë së njeriut, e cila zvogëlon në mënyrë të konsiderueshme gjasat që ata të bëjnë një gabim gjatë operacionit.

  • “Nuk më linte të haja i qetë”: 25-vjeçari që vrau të atin në Durrës, lihet në burg

    “Nuk më linte të haja i qetë”: 25-vjeçari që vrau të atin në Durrës, lihet në burg

    Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 25-vjeçarin Marjan Kodheli, i cili pak ditë më parë vrau me thikë të atin, Pjetër Kodheli.

    Sipas burimeve nga seanca, masa e sigurisë rezultoi e ligjshme, ndërsa i riu u shfaq duke qeshur në dhomën e xhamit gjatë gjithë seancës, raporton Top Channel.

    Pas ngjarjes, Marjan Kodheli ka deklaruar përpara policisë se kishte pasur grindje të vazhdueshme me babain e tij.

    “Nuk më linte të haja i qetë,” – ka thënë ai, ndër të tjera duke shtuar: – “Nuk e di si ndodhi, mora thikën dhe e qëllova.”

    Në dëshminë e tij, i riu ka rrëfyer se konflikti ndodhi gjatë vaktit të drekës.

    “Ishim duke ngrënë bukë dhe babai mu turr. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e mbaj mend pse ndodhi, por kemi pasur grindje të vazhdueshme që kur jam kthyer nga Greqia, para gjashtë muajsh. Kam jetuar në Francë, jam me pasaportë franceze. Atje kam qëndruar rreth gjashtë vjet dhe më pas kam shkuar në Greqi, ku kam punuar për gjashtë muaj. Nga Greqia jam kthyer në shtëpi dhe isha i papunë.”

    “Kemi pasur debate me babain. Sherri ndodhi teksa hanim drekë. Nuk e di si ndodhi, mora thikën dhe e qëllova,” – ka dëshmuar ai.

    Sipas A2 CNN, ngjarja është zhvilluar në kuzhinën e banesës së familjes Kodheli, në momentin kur Marjani dhe i ati, Pjetri, kishin mbetur vetëm.

    Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar 7 plagë në trupin e viktimës, dy prej të cilave në kokë dhe pesë në trup. Në vendngjarje u gjetën dy thika, që dyshohet se janë përdorur për krimin.

  • Kelmendi: Janë sekuestruar mbi 48 milionë euro pasuri të pajustifikueshme gjatë vitit 2024

    Kelmendi: Janë sekuestruar mbi 48 milionë euro pasuri të pajustifikueshme gjatë vitit 2024

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë ngrirë dhe sekuestruar pasuri të pajustifikueshme me vlerë prej mbi 48 milionë eurosh, ndërsa nga gjykatat janë konfiskuar përfundimisht asete në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh.

    Në fjalimin e tij në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, Kelmendi tha se këto rezultate përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e luftës kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, por ai theksoi se ende ka shumë punë për t’u bërë.

    “Duhet të jetë shumë e qartë se mjetet me të cilat është kryer vepra penale dhe ato që janë përfituar me vepër penale duhet të konfiskohen. Për ta arritur këtë, prokurorët duhet të jenë shumë më proaktivë dhe më të vendosur”, deklaroi ai.

    Kelmendi vlerësoi edhe punën e Zyrës për Rikthim të Aseteve, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo zyrë, e themeluar në prill të vitit 2024, ka pranuar kërkesa për bashkëpunim nga shumë vende të botës dhe ka paraqitur kërkesa për informacione të nevojshme për hetimet e prokurorëve vendorë. Ai tha se zyra ka dhënë mbështetje të rëndësishme në rikthimin e aseteve të konfiskuara dhe në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

    Sa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Kelmendi njoftoi se gjatë vitit 2024 janë zgjidhur 39 raste me 45 persona të përfshirë, ndërsa vetëm në nëntëmujorin e vitit 2025 janë zgjidhur 26 raste me 37 persona.

  • Komisionarja për Zgjerim e BE kujton tragjedinë në Novi Sad: Mobilizoi masën për të kërkuar llogaridhënie

    Komisionarja për Zgjerim e BE kujton tragjedinë në Novi Sad: Mobilizoi masën për të kërkuar llogaridhënie

    Tragjedia e një vit më parë që ndodhi në Novi Sad një vit më parë ka mobilizuar fuqishëm qytetarët atje për të kërkuar llogari nga regjimi i Aleksandër Vuçiq. Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos teksa kujtoi 16 viktimat tha se  kjo tragjedi po e ndryshon Serbinë dhe ka mobilizuar masën për të kërkuar llogaridhënie, liri të shprehjes dhe demokracie”, ka shkruar Kos në platformën “X”, duke shtuar se “Këto janë të njëjtat vlera që do ta udhëheqin Serbinë drejt BE-së”

    Në nderim të viktimave të 1 nëntorit të cilët humbën jetë pas shembjes fatale të çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, u mblodhën mijëra njerëz në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, e ku vendosen lule dhe qirinj përgjatë gardhit të përkohshëm pranë hyrjes së dëmtuar të stacionit.

    Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në përkujtimet që filluan në stacion në orën 11:52 paradite – në të njëjtën orë kur ndodhi tragjedia.

    Ata gjithashtu mbajtën 16 minuta heshtje në nderim të 16 viktimave.

    Që nga ajo ditë, Serbia është përballur me protesta të rregullta të udhëhequra nga studentët.

    Fillimisht, protestuesit kërkuan hetim transparent, por më pas thirrjet e tyre u zgjeruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

    Studentë dhe qytetarë të tjerë kanë mbërritur në Novi Sad që nga e premtja, me makina, biçikleta apo në këmbë.

    Mijëra njerëz të tjerë marshuan drejt Novi Sadit nga Beogradi – rreth 100 kilometra – dhe nga Novi Pazari, rreth 340 kilometra në jug të kryeqytetit. U deshën simbolikisht 16 ditë – në nderim të 16 viktimave – që ta përfundonin marshimin.

    Të premten mbrëma, banorët e Novi Sad dolën në rrugë për t’i pritur marshuesit, duke fishkëllyer dhe valëvitur flamuj, shumë prej tyre të prekur emocionalisht.

    “Erdha të përulem para forcës më të madhe në botë sot: studentëve tanë, rinisë sonë”, tha Ratko Popoviq nga rajoni i Novi Sadit

    Protestat e vazhdueshëm bënë që kryeministri të jepte dorëheqje, rrëzimin e qeverisë dhe formimin e një të reje. Por, presidenti Aleksandar Vuçiq ka qëndruar në detyrë.

  • Përballje të forta sot në Superligën e basketbollit të Kosovës

    Përballje të forta sot në Superligën e basketbollit të Kosovës

    Java e katërt në Superligë do të jetë me shumë sfida interesante, ku dy prej tyre zhvillohen ditën e sotme.

    Derbi i kësaj jave është ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës, dy skuadrave që në tri ndeshjet e para kanë shënuar tri fitore, ndeshje e cila nis nga ora 17:00.

    Takim po ashtu interesant është ai mes Trepçës dhe Golden Eagle Yllit, më fillim nga ora 19:00.

    Kampionia dhe ish-kampioni nuk e kanë nisur aq mirë edicionin e ri, me një fitore e dy humbje në edicionin e ri.

  • Vonesa dhe devijime, Aeroporti i Berlinit ndaloi fluturimet pas shfaqjes së një droni

    Vonesa dhe devijime, Aeroporti i Berlinit ndaloi fluturimet pas shfaqjes së një droni

    Aeroporti i Berlinit ndaloi për rreth dy orë të gjitha fluturimet gjatë natës pas raportimeve për një dron në zonë, duke shkaktuar vonesa dhe devijime të shumta.

    Një dëshmitar raportoi praninë e dronit , gjë që çoi në mbylljen e pistës veriore. Edhe policia konfirmoi se e pa dronin, por nuk arriti ta gjente. Në operacion u përfshinë edhe një helikopter policie dhe Zyra Federale e Aviacionit të Gjermanisë.

    Fluturime për në Bazel, Oslo dhe Barcelonë nuk mundën të niseshin, ndërsa një avion nga Londra për në Berlin u devijua në Hamburg për shkak të rrezikut nga droni. Edhe fluturimet nga Stokholmi, Antalia dhe Helsinki drejt Berlinit u ridrejtuan. Vonesat pritet të vazhdojnë edhe sot.