ATV

Author: G.O.

  • U godit nga një motoçiklist i huaj, humb jetën një këmbësor në Fushë Kosovë

    U godit nga një motoçiklist i huaj, humb jetën një këmbësor në Fushë Kosovë

    Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur pasditen e së hënës në Fushë Kosovë, saktësisht në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë.

    Në këtë ngjarje, një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një motoçikletë.

    Sipas njoftimit të Policisë, viktima është një burrë kosovar, ndërsa drejtuesi i motoçikletës është identifikuar si shtetas i huaj.

    Si pasojë e goditjes, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka vdekur menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Me të marrë informacionin, në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante policore për të kryer hetimet fillestare lidhur me rrethanat e aksidentit.

    Ndërkohë, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Deklarata e Kurtit për buxhetin e komunave – Reagon AKK, Ibrahimi: Fjalët e Kurtit janë fyese për kryetarët

    Deklarata e Kurtit për buxhetin e komunave – Reagon AKK, Ibrahimi: Fjalët e Kurtit janë fyese për kryetarët

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ndajë mjete buxhetore për kryetarët e komunave që, sipas tij, “nuk punojnë mirë apo vjedhin”.

    Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Drejtori, Sazan Ibrahimi, tha se një qëndrim i tillë tregon mungesë vullneti për bashkëpunim ndërinstitucional.

    “Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i përbërë nga kryetarët e komunave të partive të ndryshme politike, pas deklaratës të fundit të kryeministrit Kurti rreth kryetarëve në ardhje apo në përgjithësi kryetarët e komunave, ku doli me një deklaratë që nuk ishte që të bëhet përpjekje për bashkëpunim ndërinstitucional në mes të nivelit lokal dhe qendror por më shumë duke i fryrë polarizimit në shoqërinë kosovare. AKK vlerësoi se kjo deklaratë e kryeministrit Kurti është një lloj fyerje për kryetarët e tanishëm por edhe për kryetarët në ardhje sepse janë institucione tjera të cilat vlerësojnë se kryetarët e komunave çfarë veprime bëjnë, nëse bëjnë veprime të cilat nuk janë në kuadër të përgjegjësive të tyre apo ndonjë veprim që bie ndesh me ligjin atëherë janë institucionet e drejtësisë që merren me të”, ka deklaruar Ibrahimi.

    Ibrahimi është kthyer edhe në deklaratat e 2021-ës kur Kurti sipas tij kishte përdorur gjuhën e njëjtë.

    “I kemi zgjedhjet lokale, patëm edhe raundin e parë kur kryetarët e komunave nga partitë e ndryshme fituan garën në raundin e parë, a duhet thuhet se edhe ata kryetarët që janë zgjedhur në vitin 2021 kanë bërë veprime antiligjore apo jo sepse kanë qenë 4 kryetarë nga Lëvizja Vetëvendosje. Duhet të kthehem në vitin 2021 sepse nuk është hera e parë që Kurti shprehet me këtë fjalor, në vitin 2021 në zgjedhjet lokale të atij viti ku 4 kryetar ishin nga Lëvizja Vetëvendosje ku “krimi ka zbritur në nivel lokal” atëherë nëse paska zbritur në vitin 2021 edhe kryetarët e LVV-së janë të përfshirë në këto krime. Gjithashtu duhet të theksoj që i kemi kaluar ato sisteme qeverisëse kur një person ka vendosur për buxhetin e shtetit, tash i kemi ligjet në fuqi”, tha Ibrahimi.

    Sipas Ibrahimit, asnjë kryetar komune që nga viti 2021 nuk ka pasur aktakuzë për ndonjë vepër të tillë, duke e cilësuar gjuhën e Kurtit si fyese dhe të papranueshme.

    “Kryetarët e komunave prej ardhjes së kryeministrit Kurti në vitin 2021 deri më tani asnjë kryetar i komunës pa marrë parasysh i cilës parti është, nuk e ka asnjë aktakuzë të ngritur për krim siç ka theksuar në vitin 2021 apo për këtë fjalë që e ka përdorur që ‘mos i votoni njerëzit të cilët janë hajna’, kjo është një gjuhë jashtëzakonisht e ulët, sepse kryetari i komunës merr vota të drejtpërdrejta. Në vend që kryeministri në detyrë t’i përfaqësojë dhe t’i mbrojë interesat e të gjitha komunave të Kosovës ai del me deklarata të tilla, ku ne si bord i Asociacionit të Komunave të Kosovës i vlerësojmë si deklarata fyese, në komuna zhvillohet jeta e qytetarit jo në zyrat komode të kryeministrit në detyrë apo ministrave në detyrë, për këtë arsye AKK vlerëson frymën e përmirësimit të bashkëpunimeve ndërinstitucionale e jo polarizimit të mëtejshëm në mes institucioneve qendrore dhe lokale,” është shprehur Ibrahimi.

    Ibrahimi po ashtu ka akuzuar Qeverinë se nuk ka bërë ndarjen e barabartë buxhetore.

    “Nëse i pyetni kryetarët e komunave, shumica absolute e tyre, theksojnë që po, domethënë që ka pasë pabarazi në ndarjet buxhetore nga ministritë e linjës kundrejt kryetarëve të komunës. Këto janë edhe të argumentuara. Nëse bëni analizë të raporteve financiare dhe projektbuxhetet për këtë vit e shihni që ka pasë dallime drastike në investime kapitale për projekte të reja por edhe për projektet në vazhdimësi, për shembull në vitin e kaluar, në vitin 2024 del që Shtimja e qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje ka përfituar 102.15 euro për kokë banori për investime të reja kapitale, komuna e Gjilanit ka 85.69 euro, komuna e Kamenicës 80.26 euro ndërsa komuna e Prizrenit ka përfituar vitin e kaluar 4.64 euro për kokë banori, komuna e Pejës me 19.07, komuna e Suharekës me 1.77 euro për kokë banori, kemi komuna tjera të cilat nuk kanë përfituar asnjë cent nga ndarjet buxhetore të ministrive të linjës për investime të reja kapitale. Këtë vit e kemi një situatë ku një komunë e cila qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më shumë mjete financiare për investime të reja kapitale sesa komuna e Prishtinës dhe e Prizrenit bashkë. Këto janë ndarjet dhe mesazhet përçarëse dhe fyese të cilat i ka përdorë kryeministri adresuar për zgjedhjet e ardhshme ku do t’i kemi të zgjedhura edhe kryetarët e komunave,” ka theksuar Ibrahimi.

     

  • NLB Banka dhe BERZH fuqizojnë bizneset në Kosovë me 20 milionë euro për digjitalizim dhe tranzicion të gjelbër

    NLB Banka dhe BERZH fuqizojnë bizneset në Kosovë me 20 milionë euro për digjitalizim dhe tranzicion të gjelbër

    NLB Banka, në partneritet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka siguruar një paketë financimi prej 20 milionë eurosh për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme (NVM) në Kosovë në rrugëtimin e tyre drejt digjitalizimit, automatizimit dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

    Ky financim përbëhet nga dy komponentë kryesorë:

    • 15 milionë euro për kreditim të NVM-ve, me fokus në investime të gjelbra si energjia e ripërtërishme, efikasiteti energjetik dhe projekte që përputhen me qasjen e BERZH-it për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër (GET).
    • 5 milionë euro në kuadër të Programit “Go Digital”, për të mbështetur digjitalizimin dhe automatizimin e proceseve të biznesit, si dhe përdorimin e teknologjive të gjelbra.
    Bizneset përfitojnë jo vetëm nga kreditimi, por edhe nga stimuj në formë të granteve deri në 10% të shumës së kredive, si dhe nga asistenca teknike e kanalizuar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Një fokus i veçantë i programit është mbështetja për gratë sipërmarrëse, duke promovuar qasje të barabartë në financim dhe rritje të konkurrueshmërisë.

    “Ky partneritet me BERZH-in shënon një tjetër moment historik në përkushtimin tonë për avancimin e rritjes ekonomike dhe reziliencës së Kosovës. Përmes kësaj pakete financimi, ne i fuqizojmë bizneset lokale që të përqafojnë inovacionin, transformimin digjital dhe qëndrueshmërinë.” tha Gem Maloku, Kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka.

    Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, u shpreh se: “Bizneset e vogla janë shtylla e ekonomisë së Kosovës, dhe mbështetja e rritjes, konkurrueshmërisë dhe digjitalizimit të tyre është thelbi i misionit tonë. Kjo paketë financimi me NLB Banka do t’u ndihmojë bizneseve lokale të investojnë për inovacion, qëndrueshmëri dhe teknologji të gjelbra, duke siguruar gjithashtu që ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë të kenë qasje më të madhe në financim”.

    Si pjesë e NLB Group, me prezencë në mbarë Ballkanin Perëndimor, NLB Banka mbetet e përkushtuar në mbështetjen e ndërmarrjeve vendore përmes zgjidhjeve financiare që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, digjitalizimin dhe tranzicionin e gjelbër të Kosovës.

  • Ushtria izraelite arreston një nga figurat kryesore të ushtrisë, akuzohet për tradhti

    Ushtria izraelite arreston një nga figurat kryesore të ushtrisë, akuzohet për tradhti

    Një skandal i madh tronditi Izraelin pas arrestimit të gjeneral-majores Yifat Tomer-Yerushalmi, ish-avokatja kryesore e ushtrisë.

    Tomer-Yerushalmi u përfshi në një hetim mbi publikimin e një videoje të fshehtë që tregon abuzime ndaj një të burgosuri palestinez në burgun ushtarak Sde Teiman më 5 korrik 2024, raporton AP.

    Ajo dorëhoqi papritmas, u zhduk për disa orë dhe u gjet në një plazh në Tel Aviv. Tomer-Yerushalmi tha se publikoi videon “për të treguar seriozitetin e hetimeve”, por kjo nxiti reagime të ashpra nga politikanët e djathtë dhe aleatët e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

  • Horoskopi ditor – dashuria, paraja dhe fati juaj sot

    Horoskopi ditor – dashuria, paraja dhe fati juaj sot

    Dashi
    Vështirësitë ne jetën tuaj ne çift do jete te shumta gjate kësaj dite. Mundohuni te tregoheni paksa me te kuptueshëm sepse përndryshe lidhjes suaj mund t’i vije fundi. Beqaret ka mundësi te pëlqejnë ne një mënyrë tjetër një mik te vjetër. Gjeni mënyrën e duhur për t’ia shprehur atij ndjenjat. Financat për pjesën me te madhe do jene te stabilizuara.

    Demi
    Rutina do e pushtoje jetën tuaj ne çift gjate kësaj dite dhe do jeni gjithë kohës te mërzitur. Mezi do prisni qe dita te marre fund. Beqaret do jene gati edhe për aventura kalimtare vetëm e vetëm qe te mos qëndrojnë me te vetmuar. Ne planin financiar fatmirësisht yjet do i keni ne krah dhe do dini çfarë hapash te hidhni. Situata do filloje te normalizohet.
    Binjaket

    Do jeni shume besnike ndaj partnerit tuaj sot dhe nuk do tundoheni aspak nga personat interesante qe do iu joshin. Ne mbrëmje partneri do ju surprizoje. Beqaret do kenë fat ne dashuri dhe do futen ne një etape te re te jetës se tyre. Vetmia do marre fund njëherë e përgjithmonë. Ne planin financiar shpenzoni me maturi qe te mos keni vështirësi.

    Gaforrja
    Përfitoni nga cdo mundësi qe do iu jepet sot për te bërë disa ndryshime ne jetën ne cift. Do mund t’i largoni problemet e mëdha qe keni pasur dhe do ndiheni më te qetë. Beqarët do kenë sukses dhe kjo do e shtojë egon e tyre. Personi qe do takoni do zërë një vend te rëndësishëm ne lidhjen tuaj. Mos e perzieni dashurinë me financat sepse do i humbni te dyja njëherësh.

    Luani
    Nese jeni te lumtur ne lidhjen tuaj asgjë nuk do mund ta prishë atmosferën qe është krijuar. Pasion, entizazëm dhe mirëkuptim. Beqarët duhet te perfitojnë sa te mundin nga liria qe kanë sepse do e kerkojnë ate dhe nuk do e gjejnë më. Do kryeni transaksione shumë te mira financiare sot te cilat do iu bëjnë te ndiheni mirë. Edhe pse buxheti do jetë i stabilizuar, shmangni rreziqet e mëdha.

    Virgjeresha
    Nese mundoheni me shpirt te rregulloni marrëdhënien me partnerin tuaj do mund te arrini atje ku dëshironi. Dita duket premtuese. Beqarët do jenë shumë selektive ne dashuri dhe askush nga ata qe do takojnë nuk do iu pëlqeje aq sa për te filluar një histori. Ne planin financiar shmangni marrjen e vendimeve te pamenduara sepse do pendoheni shumë shpejt.

    Peshorja
    Ka shumë mundesi qe marrëdhenia me partnerin tuaj te përmiresohet ndjeshëm sot. Shfrytezojnei sa te mundni cdo moment! Beqarët do kenë nevojë për me shumë siguri para se te fillojnë një lidhje. Prisni edhe pak kohë sepse do e gjeni atë që doni. Financat do jenë shumë te mira dhe do mund te bëni edhe investimet qe kishit menduar prej kohësh. Ditë pozitive!
    Akrepi

    Jeta juaj ne çift do ece me se miri gjate kësaj dite. Do i kushtoni me tepër kohe partnerit dhe gjithçka do shkoje për mrekulli. Beqaret do kenë mundësi shume te mira për te filluar lidhje serioze te cilat do ua ndryshojnë rrjedhën e jetës. Financat nuk do kenë as problemin me te vogël kështu qe mund te kryeni edhe ndonjë shpenzim me tepër.

    Shigjetari
    Ditë shumë problematike kjo e sotmja për te dashuruarit. Do keni zënka te njëpasnjëshme me partnerin dhe nuk do arrini dot te vendosni qetësinë. Beqaret do jene spontane dhe kjo do i beje me tërheqës ne sytë e te tjerëve. Mundësitë per te hedhur hapat drejt një lidhjeje te qëndrueshme do jene te mëdha. Edhe financat do fillojnë te përmirësohen ndjeshëm.

    Bricjapi
    Nuk do keni as probleme te mëdha dhe as ngjerje shumë te veçanta ne lidhjen tuaj. Pa dyshim qe do ndani momente qetësie e te kendshme. Beqarët nuk pritet te keneë histori te rëndësishme dashurie, por do kenë ndonjë aventurë kalimtare gjatë se cilës do ndihen mirë. Planetët do jenë shumë bujare dhe do iu ndihmojne mos keni asnjë problem financiar. Edhe shpenzimet do i beni me maturi.

    Ujori
    Jeta sentimentale do jetë prioritet për ata qe janë në çift. Do i lini menjanë te gjitha problemet qe keni kaluar dhe do bëni te pamundurën te riktheni harmoninë. Beqarët nuk do fillojnë histori dashurie sepse nuk do ndihen gati. Ftesat nuk do mungojnë. Është më mirë te mos nxitoheni! Me financat do tregoheni më te organizuar dhe më te arsyeshëm. Shlyeni edhe borxhet.

    Peshqit
    Duhet te flisni me shumë me partnerin tuaj dhe te merrni vendime qe janë ne te mirën e te dyve. Githësesi mos u nxitoni për asgjë dhe mos kërkoni te impononi mendimet tuaja. Beqarët do kenë nje takim te cuditshëm, por që shumë shpejt do japë ua ndryshojë jetën. Perfitoni! Mos merrni rreziqe te kota me financat sepse me shumë sesa te fitoni do humbni.

  • Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë

    Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë

    Njerëzit kalojnë rreth një të tretën e jetës në gjumë, por mënyra se si truri “fiket dhe ndizet” sërish mbetet një nga misteret më të mëdha të neuroshkencës.

    Është ndjenjë që shumëkush e njeh: je në mbledhje në mëngjes, dikush të bën një pyetje, dhe në atë çast truri yt thjesht “fiket”. Këto ndërprerje të shkurtra të vëmendjes janë të zakonshme te njerëzit që kanë fjetur pak, por deri tani shkencëtarët nuk e kanë kuptuar saktësisht se çfarë ndodh në tru në ato momente.

    Një studim i ri nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) ka hedhur dritë mbi këtë proces dhe ka zbuluar se “fikja” e trurit nuk ka të bëjë vetëm me lodhjen mendore. Gjatë këtyre çasteve të humbjes së përqendrimit, ndodh një valë e lëngut trunor që del nga truri dhe rikthehet sapo vëmendja rifiton kontrollin, ka shkruar The Guardian.

    “Momenti kur dikujt i dështon vëmendja është po ai moment kur valët e këtij lëngu fillojnë të lëvizin. Nuk është vetëm që neuronet nuk po i kushtojnë vëmendje botës përreth, në të njëjtën kohë ndodh një ndryshim i madh i lëngjeve në tru”, ka shpjeguar doktoresha Laura Lewis, bashkautore e studimit.

    Lewis dhe kolegu i saj, doktori Zinong Yang, studiuan trurin e njerëzve të privuar nga gjumi për të kuptuar pse ndodhin dështime të tilla të vëmendjes, të cilat mund të jenë fatale, si për shembull te shoferët e përgjumur apo te kafshët që bëhen pre e grabitqarëve.

    Në eksperiment morën pjesë 26 persona, të cilët u vendosën në skaner fMRI (mat aktivitetin e trurit duke zbuluar ndryshimet në rrjedhën e gjakut) me një kapelë EEG (kapelë elektroencefalogrami) për të matur aktivitetin elektrik të trurit. Ata duhej të reagonin sa më shpejt ndaj tingujve apo figurave në ekran. Secili u testua një herë pas një nate me gjumë normal dhe një herë pas një nate pa gjumë fare.

    Siç pritej, performanca ra ndjeshëm pas mungesës së gjumit.

    Skanerët treguan se, në momentin që vëmendja binte, një valë e lëngut cerebrospinal dilte nga truri dhe kthehej menjëherë pas rikthimit të përqendrimit. Këto valë zakonisht ndodhin gjatë gjumit të thellë dhe besohet se ndihmojnë trurin të pastrojë mbeturinat metabolike që grumbullohen gjatë ditës.

    Përveç kësaj, u pa se bebëzat e syve ngushtoheshin rreth 12 sekonda para se lëngu të largohej nga truri dhe ktheheshin në normalitet pas përfundimit të këtij intervali. Frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës po ashtu ngadalësoheshin.

    Sipas Yang, këto intervale ndodhin kur truri përpiqet të kryejë funksionet e zakonshme njohëse, ndërkohë që fillon edhe “mirëmbajtjen” e tij të brendshme, proces që zakonisht ndodh gjatë gjumit.

    “Është si të thuash, truri po përpiqet të bëjë një pushim të vogël”, ka thënë ai.

    Profesori Bill Wisden nga Imperial College London, ka theksuar se studimi tregon se mungesa e gjumit sjell ndryshime të thella në tru.

    “Ende nuk është e qartë nëse këto ndryshime të qarkullimit të lëngjeve janë mbrojtëse apo të dëmshme”, ka thënë ai.

    Ndërsa doktoresha Ria Kodosaki nga University College London e përshkroi këtë fenomen si “ngjarje biologjike të strukturuara që ngjajnë shumë me fillimin e gjumit”.

    Ajo ka shtuar se këto intervale të rrezikshme mund të jenë mënyra e trurit për të mbrojtur vetveten.

    “Mendoni për to si ndalesa të detyruara në garë, truri humbet përkohësisht fokusin e jashtëm për të bërë pastrimin e brendshëm”, ka thënë doktoresha.

  • Aktori Jonathan Bailey shpallet “mashkulli më i pashëm në botë për vitin 2025”

    Aktori Jonathan Bailey shpallet “mashkulli më i pashëm në botë për vitin 2025”

    Revista People ka zgjedhur aktorin britanik, Jonathan Bailey, (37 vjeçar) si ‘burrin më të pashëm’ për vitin 2025.

    Lajmi u bë i ditur mbrëmë në “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”.

    Bailey fitoi famë botërore falë rolit të tij si Lord Anthony Bridgerton në dramën e suksesshme të Netflix “Bridgerton”, e cila fitoi audiencën në të gjithë botën.

    Pas kësaj, aktori u zhvendos në ujërat e Hollywoodit dhe arriti role të shquara në projekte të mëdha filmike si “Jurassic World Rebirth”, “Wicked” dhe vazhdimi i ardhshëm “Wicked: For Good”.

    Bailey pasoi John Krasinskin, i cili e mbante këtë titull vitin e kaluar.

    I njëjti është nga Oxfordshire, Angli, dhe e filloi karrierën e tij si aktor që fëmijë.

    Më vonë ai u bë një aktor i njohur teatri, duke u shfaqur në prodhime të Royal Shakespeare Company dhe në West End të Londrës.

    Titulli “Burri më i pashëm” nga revista People është mbajtur nga shumë aktorë dhe muzikantë të famshëm para tij, përfshirë Chris Evans, John Legend, Michael B. Jordan, Paul Rudd, Ryan Reynolds, Chris Hemsworth, Bradley Cooper, Dwayne Johnson, Idris Elba, Adam Levine, Richard Gere, Channing Tatum dhe David Beckham. /Telegrafi/

  • Ndjesia e shpimit, dobësia dhe ngërçet paralajmërojnë mungesë kaliumi: Ja si ta rimbushni këtë mineral jetik

    Ndjesia e shpimit, dobësia dhe ngërçet paralajmërojnë mungesë kaliumi: Ja si ta rimbushni këtë mineral jetik

    Kur trupi për ndonjë arsye humbet shumë kalium, ndodh hipokalemia, një gjendje që mund të shkaktojë shqetësime serioze në funksionimin e muskujve dhe zemrës

    Kaliumi është mineral i tretë më i përhapur në trupin e njeriut dhe një nga elektrolitet kryesorë, të domosdoshëm për funksionimin normal të çdo qelize. Niveli i tij ndikon drejtpërdrejt në punën e zemrës, muskujve, stomakut…

    Pse është i rëndësishëm kaliumi për trupin?

    Ndërsa natriumi vepron kryesisht jashtë qelizave, kaliumi luan rolin kryesor brenda tyre, sepse ruan ekuilibrin e lëngjeve, rregullon ngarkesën elektrike të membranave qelizore dhe mundëson kalimin e impulseve përmes fibrave nervore dhe muskulore

    Së bashku me natriumin, klorin, magnezin dhe kalciumin, ky mineral përbën bazën e stabilitetit elektrolitik të organizmit. Nga balanca e këtyre mineraleve varen pothuajse të gjitha funksionet fiziologjike: nga rrahjet e zemrës dhe tkurrjet muskulore, deri te aktiviteti i trurit dhe presioni i gjakut.

    Roli kryesor i kaliumit në sistemet e trupit

    Kaliumi është kationi kryesor brendaqelizor, që do të thotë se ruan stabilitetin elektrik dhe osmotik të qelizës. Roli i tij më i rëndësishëm është në përçimin e impulseve nervore dhe tkurrjen e muskujve, veçanërisht të atyre të zemrës

    Së bashku me natriumin merr pjesë në funksionimin e të ashtuquajturës pompë natrium-kalium, mekanizëm që mundëson shkëmbimin e joneve midis brendësisë dhe jashtësisë së qelizës. Ky proces është jetik për funksionimin normal të qelizave nervore dhe muskulore.

    Kaliumi gjithashtu ndihmon në rregullimin e ekuilibrit acido-bazik (balanca e acideve dhe bazave në organizëm), ndikon në metabolizmin e glukozës, rritjen dhe ndarjen qelizore, si dhe në proceset e detoksifikimit.

    Kërkimet tregojnë se marrja e mjaftueshme e kaliumit ul rrezikun e presionit të lartë të gjakut, goditjes në tru dhe gurëve në veshka, duke përmirësuar njëkohësisht shëndetin e kockave dhe muskujve, transmeton Telegrafi.

    Kur dhe si humbet kaliumi?

    Kaliumi eliminohet nga organizmi kryesisht përmes veshkave, mbi 90% përmes urinës, ndërsa një pjesë më e vogël përmes jashtëqitjes dhe djersës. Kur trupi humbet shumë kalium, ndodh hipokalemia, gjendje që mund të shkaktojë çrregullime në punën e muskujve dhe zemrës

    Simptomat e nivelit të ulët të kaliumit përfshijnë dobësi, ngërçe, lodhje, rrahje të parregullta të zemrës, kapsllëk dhe ndjesi shpimi në gjymtyrë.

    Hipokalemia është e zakonshme tek personat që ushtrojnë shumë, tek sportistët që humbin elektrolite me djersë, por edhe tek ata me diarre të zgjatur, të vjella ose përdorim të tepruar të diuretikëve dhe laksativëve.

    Përveç kësaj, personat që përdorin ilaçe si kortikosteroidet, beta2-agonistët, kardiotonikët ose teofilinën, mund të zhvillojnë çrregullime elektrolitike.

    Tek pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve (sëmundja e Crohn-it, koliti ulceroz) ndodh ulje e përthithjes dhe humbje e kaliumit, gjë që e përkeqëson gjendjen klinike.

    A është e rrezikshme kur kemi shumë kalium?

    Nga ana tjetër, niveli i lartë i kaliumit në gjak (hiperkalemia) mund të jetë po aq i rrezikshëm. Ajo ndodh zakonisht tek personat me dëmtim të funksionit të veshkave, sepse veshkat nuk arrijnë të eliminojnë tepricën e elektroliteve

    Hiperkalemia mund të shkaktojë ngadalësim të rrahjeve të zemrës, aritmi, madje edhe arrest kardiak, ndaj kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

    Si të sigurojmë marrjen e duhur të kaliumit

    Burimi më i mirë i kaliumit është një dietë e larmishme dhe e freskët. Ai gjendet në frutat dhe perimet, sidomos në banane, avokado, patate, domate, spinaq, fasule, thjerrëza dhe fruta të thata. Duhet pasur parasysh se gatimi (zierja, pjekja) dhe përpunimi industrial i ushqimeve mund të ulin përmbajtjen e kaliumit deri në 70%

    Studimet moderne tregojnë se raporti midis kaliumit dhe natriumit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës: sa më shumë kalium në raport me kripën, aq më i vogël rreziku nga hipertensioni.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon 3.500 mg kalium në ditë për të rriturit, me kufizim paralel të kripës.

    Kaliumi – shumë më tepër se një mineral i zakonshëm

    Kaliumi është rregullatori kryesor i jetës brenda çdo qelize. Disbalanca e tij ndikon në sinjalet nervore, forca e muskujve, funksionimin e zemrës dhe trurin.

    Kujdesi për marrjen e mjaftueshme të kaliumit përmes ushqimit të shëndetshëm dhe stilit aktiv të jetës është një nga mënyrat më të thjeshta, por më të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit afatgjatë. /Telegrafi/

     

  • Pse shtojmë në peshë edhe kur hamë pak? Mjeku zbulon keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    Pse shtojmë në peshë edhe kur hamë pak? Mjeku zbulon keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    Si ta kuptoni nëse shtimi në peshë lidhet me metabolizmin apo me zakonet tuaja të përditshme

    Metabolizmi përfshin të gjitha proceset kimike që ndodhin në organizmin e gjallë për të ruajtur jetën dhe funksionimin e trupit. Këto procese përfshijnë shndërrimin e ushqimit në energji, rritjen dhe rigjenerimin e qelizave.

    Një shtesë e vogël në peshë është pothuajse e pashmangshme në moshën e mesme. Shpesh themi: “Pothuajse nuk ha asgjë, por prapë shtoj në peshë”, duke ia hedhur fajin metabolizmit. Ekspertët theksojnë se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Metabolizmi nuk “rrënohet” domosdoshmërisht me moshën; ai mbetet stabil për dekada dhe vetëm pak ngadalësohet pas të 60-tave. Plakja ndikon në metabolizëm, por mënyra e jetesës luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e peshës trupore.

    Çfarë është metabolizmi?

    Metabolizmi ngadalësohet me kalimin e moshës, por nuk është arsyeja e vetme për shtimin në peshë.

    – Metabolizmi përfshin të gjitha proceset kimike në organizmin e gjallë që sigurojnë funksionimin e jetës dhe trupit. Këtu hyjnë shndërrimi i ushqimit në energji, rritja, rigjenerimi i qelizave dhe mbështetja e punës së organeve. Shkalla metabolike është sasia e energjisë që trupi përdor për të mbajtur këto procese jetike, shpjegon dr. Matyas Fehervari, kirurg bariatrik në “Nuffield Health”.

    Edhe kur jemi në pushim, trupi vazhdon të punojë për ta mbajtur zemrën në rrahje, mushkëritë në frymëmarrje dhe trurin aktiv. Ky proces quhet shkalla bazale e metabolizmit (BMR), transmeton Telegrafi.

    Keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    – Një nga mitet më të mëdha është se personat me “metabolizëm të mirë ose të shpejtë” mund të hanë gjithçka pa u shëndoshur. Në realitet, dallimet mes njerëzve me metabolizëm të shpejtë dhe atyre me të ngadaltë janë të vogla, thekson dr. Fehervari.

    Një tjetër keqkuptim është se metabolizmi është faktori i vetëm që përcakton peshën trupore.

    – Pesha trupore rregullohet nga një rrjet faktorësh kompleksë që nuk lidhen vetëm me djegien e kalorive. Janë të rëndësishme cilësia e ushqimit, masa muskulore, gjumi, aktiviteti fizik dhe mekanizmat fiziologjikë më të thellë, si ndryshimet në rrjedhën e tëmthit, përshtatja e funksionit dhe madhësisë së stomakut, sinjalet nervore dhe rregullimi i hormoneve të zorrëve që ndikojnë në tretje dhe funksionin e tyre, sqaron mjeku.

    Flora e zorrëve gjithashtu ka rol thelbësor, pasi ndikon në efikasitetin e përthithjes së energjisë nga ushqimi, në sekretimin e acideve biliare dhe në funksionimin e përgjithshëm të metabolizmit.

    Si ndryshon metabolizmi me moshën?

    Metabolizmi nuk bie në mënyrë të drejtvizore, shpjegon dr. Fehervari. Një studim i madh i botuar në revistën Science në vitin 2021, që përfshiu mbi 6.000 persona, tregoi se konsumi i energjisë është më i lartë në fëmijërinë e hershme dhe bie gradualisht deri në moshën 20-vjeçare.

    – Nga mosha 20 deri në 60 vjeç, shkalla metabolike mbetet habitshëm e qëndrueshme, sepse përshtatet me përmasat dhe përbërjen e trupit. Pas të 60-tave, vërehet një rënie e ngadaltë, por e dukshme, shpjegon mjeku.

    Pas kësaj moshe, ajo bie mesatarisht me 0,7% në vit. Shkaqet kryesore janë humbja e masës muskulore (sarkopenia), ulja e aktivitetit fizik dhe ndryshimet hormonale, si rënia e niveleve të hormonit të rritjes dhe atyre seksualë. Edhe mitokondritë, “fabrikat e energjisë” të qelizave, bëhen më pak efikase me vite. Trupi nuk “harron” si të djegë energjinë, thjesht e bën këtë më ngadalë, saktëson dr. Fehervari.

    Si ndikon mënyra e jetesës në metabolizëm

    Disa zakone jetese mund ta forcojnë ose ngadalësojnë funksionin metabolik:

    Mungesa e masës muskulore ose pasiviteti çojnë në djegie më të ulët të energjisë, pasi muskujt përdorin më shumë kalori se yndyra edhe në pushim.
    Dietat ekstreme me kufizim të rreptë kalorish mund të ngadalësojnë përkohësisht metabolizmin.
    Gjumi i dobët ndikon te hormonet leptin (ndjenjë ngopjeje) dhe grelin (ndjenjë urie).
    Stresi kronik rrit nivelin e kortizolit, duke nxitur grumbullimin e yndyrës.
    Duhani dhe alkooli i tepërt dëmtojnë metabolizmin qelizor dhe ekuilibrin hormonal, thekson dr. Fehervari.
    A mund të “përshpejtojmë” metabolizmin?

    Nuk ekziston ndonjë “pilulë magjike” apo metodë e shpejtë, paralajmëron mjeku. Edhe pse pas aktivitetit fizik apo konsumimit të kafeinës rritet përkohësisht djegia e energjisë, këto efekte janë të kufizuara

    – Mënyra më e sigurt dhe e provuar shkencërisht për të ruajtur metabolizmin aktiv është ruajtja e masës muskulore dhe aktiviteti fizik gjatë gjithë jetës, thekson dr. Fehervari.

    Si ta mbajmë metabolizmin aktiv edhe në moshë të thyer?

    Rekomandimi është të qëndrojmë fizikisht aktivë. Kombinimi i ushtrimeve aerobike (si ecja e shpejtë apo çiklizmi) me stërvitjet e forcës ndihmon në ruajtjen e muskujve. Është thelbësor përfshirja e proteinave të mjaftueshme në dietë, sidomos në moshën e shtyrë, pasi ato rigjenerojnë muskujt dhe parandalojnë sarkopeninë.

    Këshilla e dr. Fehervarit është e qartë: “Shmangni dietat ekstreme, flini mjaftueshëm dhe menaxhoni stresin – kështu do ta mbani metabolizmin tuaj të shëndetshëm sa më gjatë.” /Telegrafi/

     

  • Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Policitemia vera, “sëmundja e gjakut të dendur” që kërkon zbulim të hershëm dhe terapi të avancuar për të parandaluar komplikacionet serioze

    Terapia bashkëkohore ul rrezikun e përparimit të sëmundjes dhe mundëson jetëgjatësi më të madhe për pacientët, shkruan European Hematology Association dhe konstatojnë hematologët që merren me trajtimin e policitemisë vera, një sëmundje e rrallë, por e menaxhueshme, e palcës kockore.

    Çfarë është policitemia vera?

    Policitemia vera (PV) është një sëmundje malinje kronike hematologjike që karakterizohet nga prodhimi i shtuar i qelizave të kuqe të gjakut në palcën kockore.

    Sipas Mayo Clinic dhe Cleveland Clinic, kjo gjendje bën që gjakut t’i rritet viskoziteti (trashësia), duke e bërë më të vështirë qarkullimin, sidomos në enët e vogla të gjakut, gjë që rrit rrezikun për formim të trombeve (mpiksje gjaku).

    Shkaku kryesor është mutacioni i fituar në gjenin JAK2 (V617F), i cili aktivizon në mënyrë të pakontrolluar ndarjen e qelizave në palcën kockore. Kjo është mutacion i fituar, jo i trashëguar – pra, nuk kalon në mënyrë direkte te pasardhësit, transmeton Telegrafi.

    Simptomat: shpesh shfaqen vite para diagnozës

    Mjekët vërejnë se shenjat paralajmëruese mund të shfaqen disa vite përpara vendosjes së diagnozës. Sipas Leukemia & Lymphoma Society, simptomat më të zakonshme përfshijnë:

    Lodhje kronike, ndjenjë e përgjithshme dobësie;
    Kruarje e trupit (sidomos pas dushit të ngrohtë), për shkak të çlirimit të histaminës;
    Djersitje natën, ndonjëherë e shoqëruar me humbje peshe;
    Dhimbje koke, marramendje dhe ndjesi shpimi në gishta;
    Ndjesi presioni ose dhimbjeje në pjesën e majtë të barkut, që vjen si pasojë e zmadhrimit të shpretkës (splenomegalisë).
    Këto simptoma ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe, sipas studimeve të publikuara në Blood Advances, pacientët me PV kanë jetëgjatësi më të shkurtër mesatare krahasuar me popullatën e përgjithshme në të njëjtën grupmoshë, nëse sëmundja nuk trajtohet siç duhet.

    Rreziqet: tromboza dhe transformimi në sëmundje më të rënda

    Policitemia vera i përket grupit të neoplazmave mieloproliferative (MPN), sëmundje të palcës kockore me rritje të tepërt të qelizave të gjakut. Rreziku më i madh është tromboza (formimi i mpiksjeve), që mund të çojë në goditje cerebrale, infarkt të miokardit ose trombozë të venave të thella.

    Në disa raste, sëmundja mund të transformohet në mielofibrozë, një formë më agresive e kancerit të gjakut, ku indet e palcës kockore zëvendësohen me fibrozë, duke penguar prodhimin normal të qelizave të gjakut.

    Sipas American Society of Hematology, rreth 1 në 4 pacientë me policitemi vera zhvillon mielofibrozë brenda 15-20 viteve nga diagnoza, sidomos nëse sëmundja nuk trajtohet me terapi të përshtatshme.

    Diagnoza dhe trajtimi

    Diagnoza konfirmohet me analiza laboratorike të gjakut, biopsi të palcës kockore dhe testim gjenetik për mutacionin JAK2.

    Trajtimi standard përfshin:

    Flebotomi (heqje gjaku): hiqen 300–400 ml gjak për të ulur hematokritin dhe për të parandaluar mpiksjet;
    Hidroksiurea (citostatik): redukton prodhimin e qelizave të gjakut;
    Aspirin në doza të ulëta për profilaksë kundër trombozës;
    Kontroll të faktorëve kardiovaskularë të rrezikut, si tensioni i lartë, kolesteroli dhe ndalimi i duhanit.
    Terapitë inovative

    Sipas raporteve të European Medicines Agency (EMA) dhe FDA, përdorimi i inhibitorëve të JAK2 (si ruxolitinibi) ka ndryshuar ndjeshëm ecurinë e sëmundjes, sidomos te pacientët që nuk reagojnë mirë ndaj hidroksiuresë.

    Këto barna:

    Ulin madhësinë e shpretkës,
    Zbutin simptomat sistemike (kruarje, lodhje, etj.),
    Ulin rrezikun e transformimit në mielofibrozë,
    Zgjatin jetën mesatare të pacientëve.
    Në disa qendra të Evropës Perëndimore dhe SHBA, po testohen gjithashtu kombinime të reja terapish (p.sh. ropeginterferon alfa-2b) që synojnë modifikimin e rrënjës së sëmundjes në nivel qelizor, jo vetëm simptomat e saj.

    Rëndësia e diagnozës së hershme dhe mbështetjes afatgjatë

    Hematologët theksojnë se zbulimi i hershëm dhe trajtimi i personalizuar janë kyç për të parandaluar komplikacionet serioze.

    “Sa më herët të identifikohet policitemia vera, aq më e madhe është mundësia që pacienti të jetojë gjatë dhe me cilësi të mirë jete”, konstaton prof. dr. Heinz Gisslinger nga Universiteti i Vjenës, një nga ekspertët kryesorë për sëmundjet mieloproliferative.

    Shoqatat e pacientëve, po theksojnë gjithashtu nevojën për qasje ndaj terapive të reja dhe përfshirje të mbështetjes psikologjike dhe sociale në kujdesin afatgjatë të pacientëve.

    Përfundim

    Policitemia vera është një sëmundje kronike, por e menaxhueshme e palcës kockore.
    Me diagnostikim të hershëm, monitorim të kujdesshëm hematologjik dhe terapi moderne, mund të sigurohet një jetë e gjatë dhe aktive për shumicën e pacientëve.

    Sipas Journal of Clinical Oncology, trajtim i individualizuar dhe qasje multidisiplinare janë faktorët që sot bëjnë dallimin ndërmjet një sëmundjeje të rrezikshme dhe një gjendjeje të kontrolluar me sukses. /Telegrafi/