ATV

Author: G.O.

  • Mikrovala plot yndyrë? Mënyra më e thjeshtë për të pastruar mikrovalën pa detergjentë të dëmshëm

    Mikrovala plot yndyrë? Mënyra më e thjeshtë për të pastruar mikrovalën pa detergjentë të dëmshëm

    Yndyra në mikrovalën tuaj nuk është vetëm një problem estetik, ajo mund të mbajë aroma të pakëndshme dhe të ndikojë në ngrohjen e njëtrajtshme të ushqimit.

    Për fat të mirë, ekziston një mënyrë e thjeshtë dhe natyrale për ta pastruar mikrovalën tuaj shpejt dhe në mënyrë efektive.

    Gjithçka që ju nevojitet është një limon dhe ujë. Mbushni një enë me ujë dhe shtoni limonin e shtrydhur dhe mbetjet e tij në ujë.

    Vendoseni enën në mikrovalë dhe ndizeni në fuqi të lartë për disa minuta, derisa uji të vlojë dhe të krijojë avull. Ky avull zbut yndyrën në muret e pajisjes, duke i bërë ato shumë më të lehta për t’u fshirë.

    Pasi mikrovala të ketë mbaruar gatimin, lëreni derën të mbyllur për disa minuta të tjera që avulli të bëjë punën e vet. Pastaj hiqeni me kujdes enën dhe fshijeni pjesën e brendshme të mikrovalës me një leckë mikrofibre ose sfungjer të butë. Yndyra duhet të hiqet lehtë, pa fërkim ose kimikate të ashpra.

    Nëse ende nuk mund ta hiqni lehtë yndyrën, mund të bëni një pastë me sodë buke dhe ujë, ta aplikoni në njollë, ta lini për disa minuta dhe pastaj ta fshini.

    Pas një pastrimi të plotë, mirëmbajtja e rregullt është gjithashtu e rëndësishme gjatë çdo ngrohjeje të zgjatur të ushqimit. Në këtë drejtim, fshijeni pjesën e brendshme të mikrovalës për të parandaluar grumbullimin e yndyrës.

    Përdorni një kapak ose një enë të përshtatshme për të parandaluar spërkatjen e yndyrës në mure. Lëreni derën e mikrovalës hapur herë pas here pas pastrimit për të shmangur aromat e pakëndshme.

  • Hetohen dy vdekje të dyshimta në Prishtinë dhe Gjakovë

    Hetohen dy vdekje të dyshimta në Prishtinë dhe Gjakovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton dy raste vdekjesh që kanë ndodhur të hënën në qytetet e Prishtinës dhe Gjakovës.

    Sipas raportit zyrtar, rasti i parë është regjistruar në Prishtinë, rreth orës 14:40, ku një grua kosovare ka humbur jetën pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

    “Është raportuar se viktimës femër kosovare, pasi i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, është ftuar ambulanca, e cila e ka dërguar në QKUK, ku më pas ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në raportin e policisë.

    Ndërkohë, një tjetër rast i ngjashëm është raportuar në Gjakovë, rreth orës 15:00, ku një burrë kosovar ka ndërruar jetë në spitalin rajonal. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e të dyja vdekjeve.

  • Dy persona lëndohen rëndë nga një sulm me thikë në Suharekë – i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dy persona lëndohen rëndë nga një sulm me thikë në Suharekë – i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dy persona kanë mbetur të lënduar rëndë pas një sulmi me thikë që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Suharekë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 19:00, në rrugën “Brigada 123”.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari – një mashkull kosovar – është arrestuar menjëherë pas ngjarjes. Ai dyshohet se ka sulmuar me thikë dy meshkuj kosovarë, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rr. Brigada 123, Suharekë / 03.11.2025 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se ka sulmuar me thikë dy meshkuj kosovarë. Viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

  • Kos: Shqipëria, me progres të dalluar në procesin e integrimit

    Kos: Shqipëria, me progres të dalluar në procesin e integrimit

    Një ditë përpara se të publikojë raportet e zgjerimit për shtetet kandidate për anëtarësimin në BE, komisionerja Marta Kos veçoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi me reformat e integrimit.

    Ajo e konsideroi Shqipërinë si një nxënëse të dalluar në raport me përmbushjen e detyrimeve ndaj Brukselit.

    “Të martën do të raportojmë mbi progresin që kemi arritur gjatë vitit të kaluar me shtetet kandidate në procesin e zgjerimit të BE-së. Dy shtete dallohen në këtë proces, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ato kanë realizuar përparim të suksesshëm me reformat e integrimit. Ne kemi hapur dhe mbyllur më shumë kapituj brenda një viti me këto dy shtete sesa gjatë 15 viteve të fundit”.

    “Këto dy vende të vogla, Mali i Zi me 600,000 banorë dhe Shqipëria me 2.5 milionë, janë duke përparuar drejt anëtarësimit në familjen tonë evropiane. Të dyja këto shtete kanë vendosur afate konkrete me data ambicioze për të mbyllur negociatat. Kjo e bën vitin e ardhshëm një moment të së vërtetës për to, veçanërisht për realizimin e reformave themelore, sidomos në funksionimin e shtetit ligjor”, tha Kos.

    Nga leximi paraprak që i është bërë progresraportit vjetor për Shqipërinë, nënvizohet roli i SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta politike, ku kërkohen dënime të formës së prerë.

    Një vend të veçantë zë sekuestrimi i pasurive që rrjedhin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Bëhet thirrje sërish për vijimin e dialogut politik për përmirësimin e procesit zgjedhor nëpërmjet reformës së re zgjedhore.

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen tre persona

    Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen tre persona

    Tre persona janë arrestuar për një tentim vrasje në Podujevë, ditën e djeshme.

    Viktima dyshohet se është sulmuar me thikë. I njëjti është dërguar në QKUK për tretman të mjekësor, bën të ditur Policia e Kosovës.

    Në këtë rast janë arrestuar tre persona, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy mjete të mprehta –thika. Dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    VRASJE NË TENTATIVË /ARMËMBAJTJE PA LEJE

    Podujevë / 03.11.2025 – 14:35. Është pranuar një informatë për përleshje mes disa personave. Në vendin e ngjarjes është hasur viktima mashkull kosovar i lënduar, i cili dyshohet se është lënduar me një mjet i mprehtë-thikë, dhe i njëjti është dërguar në QKUK për tretman të mjekësor. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dy mjete të mprehta –thika. Me vendim të prokurorit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

  • Një ditë kohë për të vendosur – mandatar i ri apo zgjedhje

    Një ditë kohë për të vendosur – mandatar i ri apo zgjedhje

    Një ditë ditë kohë i kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje që të vendosë nëse do të provojë sërish për taformuar qeverinë me një kandidat tjetër për kryeministër apo do që vendi të shkojë në zgjedhje. Deri të hënën, vendim nuk ka pasur nga kjo parti.

    Lëvizja Vetëvendosje nuk është përcaktuar ende se kush mund të jetë kandidati për kryeministër në përpjekjen e dytë për krijimin e Qeverisë, ndërsa kanë mbetur vetëm një ditë afat për propozimin e tij.

    Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

    Për dallim nga Kurti, partitë e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend, janë të vendosur për shkuarjen në zgjedhje. Sipas përfaqësuesve të tyre, që të premten u takuan me presidenten Vjosa Osmani, asnjëra prej partive që kanë zënë ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur qeverinë e re. Në rast të mandatimit nga presidentja, kandidati për kryeministër ka kohë 15 ditë që në Kuvend të prezantoj programin dhe kabinetin e tij.

    Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve. Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.

  • Moti sot: I vranët, me reshje shiu të herëpashershme

    Moti sot: I vranët, me reshje shiu të herëpashershme

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët deri në pjesën e parë të ditës, ku lokalisht, gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjes, herë pas here priten reshje shiu. Gjatë pasdites pritet të ketë vranësira të pjesshme, ndërsa më të shtuara parashihen në pjesën lindore të vendit.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, me shpejtësi prej 10-36 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 13°C.

  • Një grua akuzohet për vjedhjen e bizhuterive në Luvër

    Një grua akuzohet për vjedhjen e bizhuterive në Luvër

    Një grua është akuzuar për një vjedhje në Muzeun e Luvrit në Paris muajin e kaluar, raportojnë mediat franceze.

    38-vjeçarja u akuzua të shtunën për bashkëpunim në vjedhje të organizuar dhe konspiracion kriminal me qëllim kryerjen e një krimi, thanë raportet e medias.

    Ajo u paraqit para një jurie, i cili do të vendosë nëse do ta ndalojë.

    Gruaja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, u arrestua më parë këtë javë me katër persona të tjerë.

    Dy burra që ishin arrestuar më parë u akuzuan tashmë për vjedhje dhe konspiracion kriminal pasi zyrtarët thanë se ata e kishin “njohur pjesërisht” përfshirjen e tyre në grabitje.

    Bizhuteri me vlerë 88 milionë euro u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë më 19 tetor, shkruan BBC.

  • Vjedhje e rëndë në veri, policia arreston dy persona

    Vjedhje e rëndë në veri, policia arreston dy persona

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicën e Veriut.

    Rasti ka ndodhur të orët e hershme të së shtunës.

    “Sipas deklarimeve të ankuesit, dy persona të dyshuar kishin hyrë me forcë në lokalin e tij dhe nga aty kishin vjedhur një shumë të parave”, thuhej në njoftim.

    Njëri nga të dyshuarit ishte ndaluar nga punëtorët e një kompanie të sigurimit fizik, ndërsa personi tjetër ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një pune hetimore-operative, policia ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë edhe të dyshuarin e dytë. Të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

    Të arrestuarit janë: K.C. 28 vjeç dhe Z.M. 42 vjeç.

    Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një shumë e parave që dyshohet se ka lidhje me rastin.

    Nga hetimet e deritanishme, ekzistojnë dyshime se të njëjtit mund të jenë të përfshirë edhe në dy raste të tjera të vjedhjeve të raportuara ditëve të fundit, ndërsa njëri nga të dyshuarit e ka pranuar përfshirjen në këto raste gjatë fazës së intervistimit.

    Të gjitha veprimet e ndermarrura i jane paraqitur Prokurorit te Shtetit, i cili me aktvendim ka urdhëruar ndalimin e të dy personave për 48 orë, ndërsa është inicuar rasti “Vjedhje e rëndë”.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale.

  • Izraeli thotë se trupat e kthyer të premten nga Hamasi nuk janë të pengjeve izraelite

    Izraeli thotë se trupat e kthyer të premten nga Hamasi nuk janë të pengjeve izraelite

    Mbetjet më të fundit mortore të dorëzuara nga Hamasi në Izrael nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve të zhdukura, njoftoi ushtria izraelite të shtunën.

    Hamasi është grup militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

    Sipas ushtrisë izraelite, mbetjet e tre trupave, të cilat u transferuan tek Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) të premten në mbrëmje, u ekzaminuan nga një institut mjekoligjor në Izrael.

    Në të kaluarën, dorëzimi i mbetjeve mortore që më vonë rezultonte se nuk i përkisnin pengjeve, ka shkaktuar zemërim në Izrael. Qeveria izraelite nuk ka folur për pasojat e mundshme.

    Të enjten, Hamasi kishte kthyer trupat e dy pengjeve izraelite, të identifikuar si Amiram Kuper dhe Sahar Baruh. Në Gazë tani kanë mbetur trupat e edhe 11 pengje të tjera të zhdukura.

    Hamasi i ka kthyer gradualisht trupat në Izrael si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

    Hamasi thotë se e ka të vështirë t’i gjejë trupat nën rrënojat e ndërtesave dhe tuneleve të bombarduara, por Izraeli e akuzon atë për vonesa të qëllimshme.

    Lufta në Gazë shpërtheu pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke rrëmbyer mbi 250 të tjerë.

    Izraeli nisi një fushatë të gjerë ushtarake si përgjigje, e cila ka vrarë më shumë se 68.500 palestinezë në Gazë, sipas autoritetit shëndetësor të drejtuar nga Hamasi.

    Armëpushimi është në fuqi që nga 10 tetori, si pjesë e një plani për paqe, të paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump.

    Më 13 tetor, sipas kushteve të marrëveshjes, Hamasi liroi të gjitha pengjet e gjalla në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë./rel