ATV

Author: G.O.

  • Ministrat e Jashtëm kërkojnë ndërprerje të luftimeve në Sudan

    Ministrat e Jashtëm kërkojnë ndërprerje të luftimeve në Sudan

    Ministrat e jashtëm të Gjermaninë, Jordanisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin në Sudan, duke përshkruar situatën në terren si “shumë të rëndë”.

    Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmërojnë se milicia paraushtarake Rapid Support Forces (RSF) ka sulmuar qytetin el‑Fasher në rajonin verior të Darfurit, duke kryer ekzekutime të civilëve, sulme seksuale dhe spastrim etnik — përfshirë edhe vrasjen e më shumë se 450 personave në një maternitet. RSF-ja ka mohuar të gjitha akuzat për sulme ndaj spitalit, raporton AP.

    Pamjet satelitore dhe videot që qarkullojnë tregojnë çfarë duket të jetë një masakër masive në qytet, ndërsa agjencia e refugjatëve të OKB-së (UNHCR) raporton se më shumë se 60,000 vetë janë larguar nga el-Fasheri, ndërsa mbi 150,000 persona mbeten të bllokuar në qytet në përballje me urinë dhe bombardime.

  • Interesim i madh për vaksinën kundër gripit: 8 mijë qytetarë të Prishtinës të vaksinuar në një muaj

    Interesim i madh për vaksinën kundër gripit: 8 mijë qytetarë të Prishtinës të vaksinuar në një muaj

    Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, në një intervistë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se që nga 1 tetor kur ka nisur sezoni i vaksinimit për vitin 2025–2026 kundër gripit sezonal e deri më tani janë administruar rreth 8 mijë doza.

    Ai ka theksuar se vaksina e këtij viti është katër komponentësh dhe për herë të parë nuk rekomandohet për personat që kanë alergji në antibiotikun gentamicinë.

    “Me 1 tetor të këtij viti kemi filluar sezonin e ri të vaksinimit për vitin 2025–2026, vaksinë e cila është katër komponentëshe, është katër valente që nënkupton që në kuadër të saj kemi dy shtame të grupit A të virusit dhe dy të grupit B, që për popullatën si informacion nënkupton që nëpërmjet një vaksine i marrin katër vaksina të llojeve të ndryshme. Është vaksinë e njëjtë sikur e vitit të kaluar por nga kompani tjetër. Përpos kundër indikacioneve që kanë qenë edhe me të tjerat, që do të thotë që personat që kanë alergjinë në vezë, pupla, në mish të bardhë ose proteinë të mishit të pulës, sivjet për herë të parë për këtë vaksinë kanë thënë që nuk është mirë ta marrin ata persona që realisht kanë alergji në gentamicinë”, tha Hashani.

    Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë administruar afër 8 mijë doza nga 11 mijë sa janë alokuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

    “Realisht numri i vaksinave nga 1 tetori i 2025 diku e arrin afër 8 mijë doza, nga 11 mijë doza sa i kemi të alokuara nga ISHKPK. Mirëpo edhe pse duket numri i madh që ka shkuar, kjo zakonisht kemi një ngritje të lehtë të interesimit, por muaji tetor është zakonisht më sensibilizues edhe më tepër qytetarë tanë vijnë edhe vaksinohen të kategorive të ndryshme. Numri është pak a shumë pak më i lartë se në të njëjtën kohë të vitit të kaluar, e arrin 8 mijë doza. Doza tjera qoftë se mendohet se janë të pakta këto vaksina mund të jepen deri në verën e vitit të ardhshëm dhe në çdo kohë që ne i harxhojmë kemi premtime nga IKSHPK-ja se ne mund të furnizohemi, mirëpo për shkak të ruajtjes së dozave ne kemi marrë vetëm dozat që zakonisht i kemi shpenzuar gjatë vitit”, tha ai.

    Sipas Hashanit, interesimi më i madh për vaksinim po vërehet tek të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna, ndërsa këtë vit është rritur ndjeshëm edhe numri i punëtorëve shëndetësorë të vaksinuar.

    “Kategoritë e njerëzve ose personave që vaksinoheni më shumë janë kategoritë e personave të moshuar, ata të cilët kanë sëmundje kronike, gratë shtatzëna, kemi edhe rini që janë vaksinuar. Për herë të parë ka filluar edhe sensibilizim te popullata. Edhe numri i punëtorëve shëndetësor sivjet është më i madh, ata të cilët janë vaksinuar në lidhje me vaksinat e gripit sezonal”, tha ai.

    Hashani ka theksuar se vaksina është thelbësore për forcimin e imunitetit dhe parandalimin e rasteve të rënda të gripit, sidomos te personat me sëmundje kronike.

    “Vaksina është ajo e cila e ngrit imunitetin e organizmit, e sensibilizon atë, mundëson krijim e antitrupave ndaj këtyre viruseve që janë specifik, këto katër viruse që i përmendem edhe e mbron organizmin me qëllim që mos të sëmuremi. Ne e dimë që të sëmurit kronik ose ata të cilët kanë imunitet të komprometuar ose gratë shtatzëna, infektimi me një virus sezonal e dëmton organizmin dhe mund të ketë edhe pasoja fatale për ata që kanë sëmundje kronike po e zëmë. Keni parasysh se gripi sezonal edhe mbytë, është jashtëzakonisht serioz, mirëpo kjo vaksinë e bën që imuniteti i organizmit të rritet, organizmi të mos reagojë me temperatura të mëdha, meqë edhe simptoma kryesore e gripeve sezonale është ngritja e temperaturave të cilat janë mbi 38 ose 39 gradë Celsius, të cilat për pacientët të cilët kanë sëmundje kronike mund të jetë edhe fatale. Përfitimet janë të shumta”, tha ai.

  • Presidentja Osmani: Fatos Nano ishte figurë kyçe e tranzicionit demokratik në Shqipëri

    Presidentja Osmani: Fatos Nano ishte figurë kyçe e tranzicionit demokratik në Shqipëri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i shprehë ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

    Osmani ka deklaruar se Nano ishte një prej figurave të tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe luajti rol në transformimin politik pas viteve ’90.

    “Si themelues dhe udhëheqës i Partisë Socialiste, Fatos Nano pati rol transformues në drejtimin e saj, duke e shndërruar në një forcë moderne, evropiane dhe të përkushtuar ndaj dialogut politik. Përmes vizionit të tij, ai kontribuoi në ndërtimin e një kulture më paqësore dhe më bashkëpunuese në jetën politike shqiptare”, ka theksuar Osmani.

    Tutje, në telegramin e ngushëllimit thuhet “në këtë ditë të dhimbjes, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Nano, të afërmit, Partinë Socialiste dhe bashkëpunëtorët”.

  • Dy policë dyshohen se kanë shtënë me armë zjarri në një lokal në Klinë, IPK reagon për incidentin

    Dy policë dyshohen se kanë shtënë me armë zjarri në një lokal në Klinë, IPK reagon për incidentin

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë nisur veprimet hetimore pas një incidenti që dyshohet të ketë ndodhur dje në një lokal në fshatin Rigjevë të Komunës së Klinës.

    Nga hetimet e deritanishme të IPK-së dyshohet, se dy zyrtarët policorë kanë shtënë me armë që dyshohet të mos jetë armë zyrtare (në bazë të provave të gjetura në vendngjarje) dhe të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale “Përdorim i armës”.

    Lidhur me rastin e njëjtë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor të Stacionit Policor të Klinës pasi që i njëjti në cilësinë e pronarit të lokalit me veprimet e tij ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së, duke ndikuar në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes dhe me këtë rast i njëjti është i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas veprës penale”.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast./Telegrafi/

  • Rrjedhja e madhe e ujit në Mitrovicë, reagon kryeshefi

    Rrjedhja e madhe e ujit në Mitrovicë, reagon kryeshefi

    Një sasi e madhe e ujit ka përfshirë punishten ku po ndërtohet ura e re e Ibrit në Mitrovicë.

    Kjo sipas Kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka, erdhi si pasojë e ngritjes se nivelit të ujit

    Mujka, tha se ngritja e nivelit të ujit ka ardhur si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve ditëve të fundit dhe lirimit të ujit nga diga e Pridvoricës në Zubin Potok, për shkak të nevojës për menaxhimin e ujit të tepërt.

    “Kemi pasur një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër, që ka shkaktuar disa dëme materiale. Shkaku i ngritjes është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës dhe reshjet e shumta në pjesën e epërme të lumit,” ka sqaruar Mujka.

    Sipas tij se asnjë dorë njeriu nuk ka qenë shkaktare e dëmit, përkundrazi, ekipet kanë punuar për ta minimizuar dëmin dhe për të kontrolluar situatën sa më shpejt.

    “Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar. Dëmi është minimizuar dhe situata është nën kontroll”, ka shtuar ai.

    Mujka theksoi se niveli i ujit është stabilizuar brenda ditës, ndërsa punimet për sanimin e kanalit kryesor po vazhdojnë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që rasti të mos keqpërdoret për qëllime politike, duke sqaruar se çdo veprim i ndërmarrë ka qenë teknik dhe profesional.

    “Ky rast të mos përdoret për qëllime politike apo elektorale, sepse nuk ka fare të bëjë me to. Kemi qenë të përkushtuar vetëm për menaxhimin teknik dhe sigurinë e infrastrukturës,” ka deklaruar kryeshefi i “Ibër Lepencit”.

  • Sudani në kaos – mijëra të vrarë në luftën midis SAF dhe rebelëve paramilitarë

    Sudani në kaos – mijëra të vrarë në luftën midis SAF dhe rebelëve paramilitarë

    Në El‑Fasher të rajonit Verior të Darfur, Rapid Support Forces (RSF) milicia paraushtarake e akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ka kryer një seri aktesh të përhapura të ekzekutimeve masive ndaj civilëve, në çastet pasi mori kontrollin e qytetit pas një rrethimi 18‑mujor.

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshi Human Rights Watch dhe organizata të tjera, janë publikuar pamje ku luftëtarë të RSF‑së shtrijnë civilë në tokë dhe pastaj i qëllojnë në drejtim të tyre.

    Ndërkohë, situata humanitare ka hyrë në një fazë emergjence: mijëra njerëz janë larguar nga qyteti, shumë të tjerë ndodhen të bllokuar pa ushqim të mjaftueshëm, ujë apo strehim.

    Raportet flasin për mbi 2,000 civilë të ekzekutuar në 48 orët që pasuan rënien e qytetit, dhe së paku 460 persona të vdekur nga një sulm në maternitet. Pamjet satelitore dhe hetimet e fushës kanë konstatuar varreza masive dhe operacione që përmbajnë elemente të pastrimit etnik, raporton The Guardian.

    Një diplomat i OKB‑së u shpreh se “kjo është një krizë që tejkalon çdo përballje humanitare në Afrikën Veriore”.

    Aktualisht, akuzat për përfshirje të United Arab Emirates (UAE) si përkrahëse e RSF‑së përmes furnizimeve të armëve dhe mbështetje financiare kanë ngritur shqetësime serioze ndërkombëtare, edhe pse Emiratet mohojnë çdo përgjegjësi. Emisarë të OKB‑së kanë kërkuar sanksione të menjëhershme dhe pezullim të eksportit të armëve drejt Sudanit.

  • Kievi e akuzon Rusinë për “terrorizëm bërthamor” pas sulmeve ndaj nënstacioneve elektrike

    Kievi e akuzon Rusinë për “terrorizëm bërthamor” pas sulmeve ndaj nënstacioneve elektrike

    Kievi dhe autoritetet ndërkombëtare i kanë dënuar sulmet e Rusisë ndaj sektorit civil të energjisë, ndërsa Ukraina e ka akuzuar Moskën për “terrorizëm bërthamor” pas sulmeve në nënstacione që janë thelbësore për furnizimin e termocentraleve bërthamore me rrymë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Sulmet e qëllimshme ndaj objekteve civile të energjisë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sigurt të instalimeve bërthamore, bartin shenjat e terrorizmit bërthamor dhe përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës më 31 tetor.

    Ministria iu referua një deklarate të një dite më parë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila përmendi sulme ushtarake që “kanë shkaktuar dëme në nënstacione jetike për sigurinë bërthamore në Ukrainë”.

    Agjencia bërthamore e OKB-së tha se incidentet pranë termocentraleve bërthamore të Ukrainës jugore dhe Hmelnitski i kanë shkëputur këto objekte nga linjat e jashtme të energjisë elektrike.

    Ajo shtoi se një stacion i tretë, ai në Rivne, ishte detyruar ta ulte prodhimin në dy nga katër reaktorët e tij për shkak të sulmeve.

    “Rreziqet për sigurinë bërthamore mbeten shumë reale dhe të vazhdueshme. Edhe një herë bëj thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake në afërsi të objekteve bërthamore”, tha drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi.

    Tensione të larta rreth centralit të Zaporizhjas

    Vëmendja kryesore është përqendruar në centralin bërthamor të Zaporizhjas, në juglindje të Ukrainës, ku po zhvillohen punime për riparimin e dëmeve nga sulmet e mëparshme.

    “Ne po punojmë intensivisht për të krijuar kushtet e nevojshme që këto riparime shtesë të nisin. Rikthimi i kësaj linje të energjisë është thelbësor për përmirësimin e situatës së brishtë të sigurisë bërthamore në këtë vend”, tha Grossi.

    Ky central – më i madhi në Evropë – është nën kontrollin rus që prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022.

    Ai ka punuar me gjeneratorë rezervë me naftë që prej 23 shtatorit, kur u ndërprenë linjat e jashtme të energjisë.

    Gjashtë reaktorët e centralit të Zaporizhjas janë të mbyllur tash e tri vjet dhe nuk prodhojnë më energji elektrike, por iu nevojitet rryma për sistemet e sigurisë, siç janë pompat ftohëse, për ta shmangur ndonjë aksident bërthamor.

    Rusia mohon se e godet infrastrukturën civile, pavarësisht provave të shumta që e dëshmojnë të kundërtën. Ukraina i është kundërpërgjigjur Moskës duke goditur objekte me rëndësi ushtarake, shpesh thellë brenda territorit rus.

    Më 31 tetor, Kievi njoftoi se kishte kryer rreth 160 sulme ndaj objekteve të industrisë së naftës ruse gjatë vitit 2025, duke synuar një burim të rëndësishëm financimi për luftën e Moskës.

    Vendet perëndimore kanë vendosur gjithashtu sanksione ndaj sektorit energjetik rus, duke e kufizuar më tej rrjedhën e parave drejt Kremlinit./REL

  • Kanosi zyrtarët policorë, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Kanosi zyrtarët policorë, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Policia ka njoftuar se një person është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se kishte kanosur zyrtarë policorë.

    Nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri, dy karikatorë dhe rreth 120 fishek.

    Të lënduar gjatë arrestimit kanë mbetur dy zyrtarë policorë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka shfaqur rezistencë aktive dhe ka kanosur zyrtarët policorë. Nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri, dy karikatorë dhe rreth 120 fishekë. Gjatë arrestimit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • E pickoi gjarpri, helikopteri i vjen në ndihmë kosovarit të lënduar në Curraj

    E pickoi gjarpri, helikopteri i vjen në ndihmë kosovarit të lënduar në Curraj

    Forca Ajrore shqiptare i është përgjigjur një thirrjeje urgjente për ndihmë, duke shpëtuar një shtetas nga Kosova që ishte pickuar nga një gjarpër helmues i llojit nepërkë, në zonën malore të Currajve të Epërm, në Tropojë.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, në një terren të vështirë malor, në shtegun midis Currajve të Poshtëm dhe Currajve të Epërm, rreth 1 kilometër larg nga Rrasa e Çurrajve, raporton euronews.albania.

    Pas marrjes së njoftimit nga Ekipi i Kërkim–Shpëtimit të Kosovës, Forca Ajrore shqiptare u bashkua me autoritetet vendore për realizimin e operacionit të shpëtimit ajror.

    Falë ndërhyrjes së shpejtë, i plagosuri u transportua me helikopter drejt spitalit të Bajram Currit, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar.

  • Një grua në Pejë sulmohet fizikisht nga vajza dhe reja e saj

    Një grua në Pejë sulmohet fizikisht nga vajza dhe reja e saj

    Policia ka njoftuar se një grua në Pejë dje është sulmuar fizikisht nga vajza dhe reja e saj, ka njoftuar policia në raportin 24-orësh.

    Të dyshuarat janë arrestuar, njëra prej të cilave është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetra është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërkaq, viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    “Pejë 31.10.2025-15:40. Janë arrestuar dy të dyshuara femra kosovare, pasi që të njëjtat kanë sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare- vjehrrën respektivisht nënën. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit një e dyshuar dërgohet në mbajtje ndërsa e dyshuara tjetër lirohet në procedurë të rregullt”.