ATV

Author: G.O.

  • Aaron Ramsey ndahet me Pumas, synon rikthimin në Evropë

    Aaron Ramsey ndahet me Pumas, synon rikthimin në Evropë

    Mesfushori uellsian Aaron Ramsey ka përfunduar zyrtarisht kontratën me klubin meksikan Pumas UNAM dhe është larguar nga skuadra me efekt të menjëhershëm.

    33-vjeçari, i cili iu bashkua klubit gjatë verës, nuk arriti të gjejë formën e tij më të mirë për shkak të problemeve fizike dhe aktivizimeve të pakta në ndeshje. Pas një periudhe të shkurtër në Meksikë, palët kanë vendosur të ndahen me mirëkuptim.

    Ramsey, që më parë ka luajtur për Arsenal, Juventus dhe Cardiff City, është tani lojtar i lirë dhe pritet të shqyrtojë ofertat për një rikthim në futbollin evropian.

    Sipas mediave britanike, disa klube nga Premier League dhe Championship kanë shprehur interes për shërbimet e tij.

  • Pas Kurtit, edhe Osmani paralajmëroi zgjedhje në dhjetor e mars: “Situatë e rëndë”

    Pas Kurtit, edhe Osmani paralajmëroi zgjedhje në dhjetor e mars: “Situatë e rëndë”

    Pas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, tash edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar mundësinë që vendi të shkojë në dy palë zgjedhje – njëra në dhjetor dhe tjetra në mars.

    Presidentja Osmani tha se vështirësitë për zgjedhjen e presidentit, për të cilin nevojiten të paktën 80 vota, mund të çojnë në një situatë të tillë.

    “Kjo çështje është ngritur nga disa prej pjesëmarrësve për të paralajmëruar një situatë që mund të përballemi si vend. Ta zëmë ka zgjedhje në dhjetor, pastaj merr disa muaj kohë deri t’i kemi institucionet, dhe pastaj sapo ta kemi një qeveri, menjëherë në mungesë kuorumi prej 2/3 menjëherë vendi shkon në zgjedhje të reja për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit. Një situatë e tillë u përmend, për të paralajmëruar se mund të kemi dy palë zgjedhje në 3-4 muajt në vijim që është situatë e rëndë jo vetëm për KQZ, por edhe si situatë ku qytetarët për periudhë të gjatë të mos i kenë institucionet,” ka thënë Osmani.

    Fjalët e saj janë në linjë me ato të Kurtit, i cili më herët kishte theksuar të njëjtën mundësi.

    “Nuk kemi marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani. E dimë se për herën e dytë është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e qeverisë. Nga ajo që dëgjuam dje, duket se të gjithë po përgatiten për zgjedhje të reja dhe për balotazhin në zgjedhjet lokale,” tha Kurti.

    “Mbase është për të ardhur keq — përveç balotazhit, edhe dy herë të tjera zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është e pamundur t’i bëjmë 80 deputetë për zgjedhjen e presidentes. Kemi mundur së paku këto zgjedhjet e dhjetorit t’i evitojmë,” shtoi ai.

    Nëse paralajmërimet e Kurtit dhe Osmanit dalin të sakta, qytetarët e Kosovës mund të votojnë deri në pesë herë brenda një viti — zgjedhjet qendrore në shkurt, lokale në tetor, balotazhi në nëntor, zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe ato të mundshme në mars.

    Mbetet të shihet nëse pas marsit mund të krijohet një koalicion i qëndrueshëm që siguron edhe votat për presidentin, apo nëse vendi do të përballet sërish me zgjedhje të reja.

  • Përmbytet punishtja e urës së re të Ibrit, raportohet se dikush me qëllim lëshoi sasi të madhe të ujit nga Ujmani

    Përmbytet punishtja e urës së re të Ibrit, raportohet se dikush me qëllim lëshoi sasi të madhe të ujit nga Ujmani

    Një sasi e madhe e ujit ka përfshirë punishten ku po ndërtohet ura e re e Ibrit në Mitrovicë.

    Mediumet lokale në Mittovicë kanë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes ku shihet një sasi e madhe e ujit që ka dëmtuar vendpunishten.

    Sipas, Veriu.info dhe Jepi Zë, dikush më qëllim ka lëshuar ‘branën’ në Liqenin e Ujmanit, i cili shkaktoi dëme në punishten e urës së re, ndërsa një eskavator duket gati i mbuluar nga uji, si dhe shumë pajisje tjera i mori uji.

    Dorën e njeriut” e ka lënë fajtore edhe pronari i kompanisë që po kryen punimet atje, Jahir Nimani, i cili tha se uji ka shkaktuar dëme të mëdha në pajisje dhe në material.

    Ai gjithashtu bëri me dije se policia ka dalë në vendngnarje.

  • Vdekja e ish-kryeministrit Fatos Nano, nesër Ditë Zie Kombëtare në Shqipëri

    Vdekja e ish-kryeministrit Fatos Nano, nesër Ditë Zie Kombëtare në Shqipëri

    Qeveria e Shqipërisë ka shpallur të dielën, më 2 nëntor 2025, ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit dhe themeluesit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta sot në moshën 73-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

    Në nder të figurës së tij, homazhet publike dhe shtetërore do të zhvillohen po të dielën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, sipas programit zyrtar:

    08:30 – 11:00: Homazhe publike

    11:15 – 11:45: Homazhe shtetërore dhe nderime nga personalitetet

    12:05: Ceremonia e lamtumirës

    Gjatë ditës së zisë, flamujt kombëtarë do të ulen në gjysmë shtize në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore, ndërsa RTSH do të transmetojë muzikë funebre gjatë zhvillimit të ceremonisë shtetërore.

    Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e kryeministrit Edi Rama, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë.

    Ky komision përbëhet nga:

    – Ministri i Mbrojtjes;
    – Ministri i Punëve të Brendshme;
    – Nënkryetari i Bashkisë Tiranë;
    – Sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
    – Drejtori i Protokollit të Shtetit;
    – Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
    – Komandanti i Gardës së Republikës së Shqipërisë;
    – Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
    – Përfaqësues nga kabineti i Kryeministrit;
    – Përfaqësues nga zyra e shtypit të Kryeministrit.

  • Çfarë (nuk) duhet ngrënë për bark të sheshtë

    Çfarë (nuk) duhet ngrënë për bark të sheshtë

    Nëse përballeni me fryrje të barkut papritur, jo domosdoshmërisht diçka po shkon keq në organizmin tuaj, por nëse barku ju del mbi xhinse, atëherë është koha të hidhni vështrimin në dietën tuaj dhe të bëni dicka për ta ndryshuar atë. Disa nga ushqimet që duhet ti evitoni me patjetër përfshijnë:

    Produktet e qumështit: Enzimat që bëjnë të mundur shpërbërjen e laktozës ndikojnë më shumë nga sa mund ta imagjinoni në fryrjen e barkut.

    Mollët: Mollët janë të pasura me fibra dhe gjithashtu përmbajnë fruktozë dhe sorbitol, të cilat shumë njerëz nuk i tolerojnë. Rezultati? Ndjesi fryrjeje.

    Ushqimet me kripë: Ushqimet me përmbajtje të lartë kripe shkaktojnë mbajtjen e ujit në organizëm (për shkak të etjes), çka shkakton fryrje të barkut.

    Bëni mirë të konsumoni fruta dhe perime të tilla si:

    Kastravecat: Ashtu siç i përdorim për të reduktuar fryrjen poshtë syve, mund t’i përdorim e dhe për fryrjen e barkut.

    Bananet: Ushqimet e pasura me potasium si bananet, avokadot, kivit, portokallet parandalojnë mbajtjen e ujit dhe rregullojnë nivelet e sodiumit.

    Xhenxhefili: Është një medikament natyror për të luftuar ftohjen, dhimbjet muskulore, dhimbjet e barkut dhe sëmundjet e shkaktuara nga plazhi. Është një anti-inflamator i natyrshëm dhe ndihmon tretjen. Qetëson sistemin e tretjes dhe relakson muskujt e traktit të tretjes. Dietologët e rekomandojnë si një nga mënyrat më të mira të rregullimit të metabolizmit.

  • OKB: Mbi 60 mijë civilë largohen nga qyteti sudanez pas pushtimit nga RSF

    OKB: Mbi 60 mijë civilë largohen nga qyteti sudanez pas pushtimit nga RSF

    Më shumë se 60,000 njerëz janë detyruar të braktisin qytetin el-Fasher në Darfurin e Veriut, pasi Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) morën kontrollin e tij gjatë fundjavës, raportoi agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR).

    Sipas zëdhënëses së UNHCR-së, Eujin Byun, dhjetëra mijëra civilë po ikin drejt qytetit Tawila, rreth 80 kilometra në perëndim të el-Fasherit, duke treguar histori të tmerrshme për mizori, përdhunime dhe ekzekutime masive, raporton BBC.

    Agjencia e OKB-së po përballet me vështirësi të mëdha për të siguruar ushqim dhe strehim për të ikurit, ndërsa shumë fëmijë raportohen të vuajnë nga kequshqyerja.

    Rreth 150,000 persona besohet se janë ende të bllokuar në qytet, i cili ishte bastioni i fundit i ushtrisë sudaneze në Darfurin perëndimor.

    RSF ka mohuar akuzat se sulmet janë të motivuara etnikisht, megjithëse dëshmitë në terren tregojnë për një model të sulmeve kundër popullatave jo-arabe.

  • Parashikimi i motit për sot: Me diell, temperaturat deri në 21°C

    Parashikimi i motit për sot: Me diell, temperaturat deri në 21°C

    Sot pritet të mbajë mot me diell në gjithë vendin, ndërsa gjatë orëve të mëngjesit mund të ketë mjegull lokale në disa lugina dhe ultësira, sipas njoftimit nga MeteoKosova.

    Era parashikohet të fryjë nga drejtime të ndryshme me intensitet prej 6 deri në 26 km/h.

    Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 4 dhe 7°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 19 deri në 21°C, duke sjellë një ditë relativisht të ngrohtë për këtë periudhë të vitit.

  • Zi në familjen e deputetit Armend Muja, vdes babai i tij

    Zi në familjen e deputetit Armend Muja, vdes babai i tij

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të babait të tij, Azem Muja.

    Në një njoftim në rrjetet sociale, Muja ka bërë të ditur se i ati ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër, duke lënë pas kujtime të paharruara dhe një boshllëk të madh në zemrat e familjarëve.

    “Me dhimbje të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të babait tonë të dashur Azem Muja. Ai u nda prej nesh pas një sëmundjeje të shkurtër, duke lënë pas kujtime të paharruara dhe një boshllëk të madh në zemrat tona. Detajet e varrimit do t’i bëjmë të ditura së shpejti. Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe lutjet në këto momente të vështira.
    U prehtë në paqe 🤍”, ka shkruar Muja.

  • Studim i ri – Cilat janë ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë trurin më së shumti?

    Studim i ri – Cilat janë ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë trurin më së shumti?

    Ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë më shumë trurin, sipas një studimi të ri, janë mishi i përpunuar dhe pijet e gazuara me sheqer.

    Studiuesit nga Universiteti Virginia Tech kanë zbuluar se personat që konsumojnë rregullisht këto produkte kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar probleme me aftësitë njohëse, përfshirë ato që lidhen me demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit, ka raportuar Science Alert.

    Në bazë të të dhënave të mbledhura nga studimi i Universitetit të Michiganit për Shëndetin dhe Pensionimin, u analizuan 4,750 amerikanë mbi 55 vjeç, duke ndjekur shëndetin e tyre për një periudhë deri në shtatë vjet, nga viti 2014 deri në vitin 2020. Çdo dy vjet, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve për vlerësimin e kujtesës, përfshirë kujtimin e menjëhershëm dhe të vonuar, si dhe ushtrime të tjera për llogaritje të thjeshta dhe përqendrim.

    Rezultatet treguan se 1,363 pjesëmarrës zhvilluan probleme të kujtesës ose njohjes. Ata që konsumonin të paktën një racion shtesë mishrash të përpunuar në ditë kishin 17 për qind më shumë rrezik për çrregullime të aftësive njohëse. Ndërsa ata që pinin çdo ditë një pije të ëmbëlsuar, si kola, çaj i ftohtë me sheqer apo lëngje frutash industriale, kishin 6 për qind më shumë rrezik.

    Në mënyrë interesante, studimi nuk gjeti lidhje të fortë mes konsumit të përgjithshëm të ushqimeve të shumëpërpunuara dhe rritjes së rrezikut për probleme njohëse, përveç mishrave të përpunuar dhe pijeve me sheqer. Kategoritë e tjera, si ushqimet e gatshme, ëmbëlsirat, grimcat e kripura apo produktet me bazë drithërash dhe bulmeti, nuk treguan ndikim të njëjtë negativ.

    Autorët e studimit theksojnë se shmangia e këtyre dy kategorive kryesore mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të trurit.

    “Ka gjëra që mund t’i ndryshoni. Sekreti është moderimi dhe balanca në zgjedhjet ushqimore”, ka thënë profesoresha Brenda Davy, bashkautore e studimit.

    Sipas saj, ndikimi i ushqimeve të përpunuara është më i madh sesa mendojnë shumica e njerëzve. Rreth 65 për qind e ushqimeve dhe 38 për qind e pijeve të blera nga familjet amerikane në vitin 2020 përbëheshin nga produkte ultra të përpunuara, që karakterizohen nga përmbajtje e lartë industriale, ngjyrues, aromatizues dhe përbërës artificialë që mungojnë në gatimet e shtëpisë.

    Studimi thekson se si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit marrin më shumë se gjysmën e kalorive të përditshme nga këto ushqime.

    Një nga autorët, shkencëtari Ben Katz nga Virginia Tech, ka sugjeruar se edukimi ushqimor mund të jetë pjesë e zgjidhjes.

    “Një gjë është të ndjekësh një dietë, por diçka krejt tjetër është t’u japësh njerëzve aftësitë për të gatuar sipas asaj diete”, ka thënë Katz.

  • FBI parandalon një sulm të mundshëm terrorist gjatë festës së “Halloween” në Michigan

    FBI parandalon një sulm të mundshëm terrorist gjatë festës së “Halloween” në Michigan

    Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka parandaluar një sulm të dyshuar terrorist që pritej të ndodhte gjatë festës së Halloweenit në Shtetet e Bashkuara.

    Lajmin e bëri të ditur drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili në platformën X njoftoi se në Michigan janë arrestuar disa persona të dyshuar për organizimin e këtij sulmi.

    “Sot në mëngjes FBI ka parandaluar një sulm të mundshëm terrorist dhe ka arrestuar disa individë në Michigan, të cilët dyshoheshin se po planifikonin një sulm të dhunshëm gjatë fundjavës së Halloweenit. Detaje të tjera do të bëhen publike së shpejti”, deklaroi ai.

    Patel gjithashtu falënderoi agjentët federalë dhe forcat e tjera të rendit për punën e tyre në mbrojtje të sigurisë kombëtare.

    “Faleminderit agjentëve të FBI-së dhe të gjithë forcave të rendit që punojnë 24/7 për mbrojtjen e vendit”, shtoi zyrtari amerikan.

    Autoritetet amerikane pritet të japin më shumë informacion gjatë orëve në vijim mbi natyrën e komplotit dhe mbi personat e arrestuar.