ATV

Author: G.O.

  • Shiroka-Pula: UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës, historia nuk mund të shkëputet nga e drejta për liri

    Shiroka-Pula: UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës, historia nuk mund të shkëputet nga e drejta për liri

    Presidentja Justina Shiroka Pula ka përcjellë një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, duke përkujtuar ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Në mesazhin e saj, ajo e cilësoi 28 Nëntorin si ditë të kujtesës, krenarisë dhe nderimit për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

    Presidentja theksoi se dalja e parë publike e UÇK-së shënoi një kapitull të ri në rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë.

    Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Shiroka Pula tha se duhet të ruhet thelbi i historisë, duke theksuar se UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës.

    “Përpjekja e një populli për të jetuar i lirë nuk mund të trajtohet si krim. Historia e një populli nuk mund të shkëputet nga e drejta e tij për liri”, thuhet në mesazhin e saj.

    Në fund, ajo përkujtoi Adem Jasharin dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, duke i cilësuar si pjesë të përhershme të kujtesës kombëtare.

    “Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftës për liri!”, përfundoi mesazhin presidentja.

  • Festa e Pavarësisë, Rama: Me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar

    Festa e Pavarësisë, Rama: Me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar

    Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që urimin për këtë 28 nëntor, në ditën e Pavarësisë së 114, ta lidhë me aspiratën për anëtarësimin në Bashkimin Europian të vendit.

    Në një postim të bërë mëngjesin e sotëm në Facebook, Rama thotë se ky është 28 Nëntori më të afërt me Europën e Bashkuar.

    “MIRËMËNGJES, dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama.

  • Rubio uron Shqipërinë për 28 Nëntorin: ShBA-ja synon forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe politikë të jashtme

    Rubio uron Shqipërinë për 28 Nëntorin: ShBA-ja synon forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe politikë të jashtme

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në mesazhin e tij, Rubio nënvizon rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve, të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet mes qytetarëve. Ai thekson se Uashingtoni mirëpret zgjerimin e bashkëpunimit me Tiranën në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

    Një pjesë të rëndësishme të mesazhit, sekretari amerikan ia kushton luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe karteleve të trafikut të drogës, duke vlerësuar përpjekjet e përbashkëta për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.

    Rubio ndalet edhe te siguria kibernetike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për përballimin e kërcënimeve në këtë fushë dhe forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë, transmeton GazetaExpress.

    Në përfundim, kreu i diplomacisë amerikane shpreh gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të thelluar më tej marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

    “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.

    Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

    Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike.

    Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht”, shprehet ai.

  • Shqipëria feston 114-vjetorin e Pavarësisë

    Shqipëria feston 114-vjetorin e Pavarësisë

    Shqipëria feston këtë 28 nëntor 114- vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, duke deklaruar “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

    Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Ndërkohë po më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj.

    469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si “nëntori i dytë”, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë. Ismail Qemali ishte nisur që më 19 nëntor nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë.

    Më 21 nëntor, do të zbarkonte në Durrës prej vaporit të Llojdit austriak “Baron Bruck”. Në këtë qytet u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit.

    Por, për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.

    Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës. 28 Nëntori është shpallur gjithashtu ditë festë edhe në Republikën e Kosovës./Shqiptarja/

  • Shiroka-Pula uron 28 Nëntorin: Flamuri kuq e zi na bashkon përtej kufijve

    Shiroka-Pula uron 28 Nëntorin: Flamuri kuq e zi na bashkon përtej kufijve

    Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka përcjellë urimet e saj me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

    Në mesazhin e saj, ajo ka rikujtuar rëndësinë historike të kësaj date, duke theksuar se më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur.

    Shiroka-Pula ka vënë në pah se flamuri kombëtar simbolizon bashkimin e shqiptarëve kudo që jetojnë, përtej kufijve shtetërorë, duke ruajtur gjuhën, historinë dhe identitetin e përbashkët.

    Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për nderimin e atyre që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e atdheut, si dhe për ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e ardhshëm.

    Në fund të mesazhit, presidentja ka uruar të gjithë shqiptarët:

    “Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!”

  • Samiti i liderëve: Ballkani Perëndimor duhet të përshpejtojë integrimin e tregut rajonal për të përmbushur objektivat e Planit të Rritjes të BE-së

    Samiti i liderëve: Ballkani Perëndimor duhet të përshpejtojë integrimin e tregut rajonal për të përmbushur objektivat e Planit të Rritjes të BE-së

    Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, u bëri thirrje gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor (WB6) të përshpejtojnë zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) dhe të sigurojnë që dallimet politike të mos pengojnë integrimin ekonomik rajonal, në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes, të mbajtur sot në Tiranë.

    Samiti mblodhi së bashku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, për të shqyrtuar progresin në zbatimin e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar sfidat e mbetura dhe për të rënë dakord mbi prioritetet për avancimin e reformave, integrimin ekonomik rajonal dhe integrimin gradual në Tregun Unik të BE-së.

    “Në një botë që është bërë më e vështirë për ekonomitë e vogla, ne të gjashtë ende mund të zgjedhim të mos mbetemi të vegjël. Pikërisht për këtë shërben ky treg dhe RCC-ja do ta çojë këtë punë deri në fund së bashku me ju”, tha Kapetanović, duke theksuar se integrimi rajonal është thelbësor për forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

    Duke iu drejtuar liderëve, Kapetanović nënvizoi se Tregu i Përbashkët Rajonal, i koordinuar nga RCC-ja, është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të BE-së, duke plotësuar reformat e brendshme dhe integrimin gradual në Tregun Unik të BE-së. Ndërsa reformat e përgatisin rajonin për Tregun Unik, integrimi ekonomik rajonal u siguron bizneseve të tij shkallën e veprimtarisë dhe konkurrueshmërinë e nevojshme për të pasur sukses në këtë treg.

    Ai vuri në dukje arritjet konkrete që dëshmojnë përfitimet e bashkëpunimit rajonal, përfshirë roaming-un me tarifa vendore në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që nga viti 2021 dhe anëtarësimin e katër ekonomive të Ballkanit Perëndimor në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), gjë që ka ulur ndjeshëm kostot e pagesave ndërkombëtare. Megjithatë, ai paralajmëroi se pengesat administrative, kufizimet në ofrimin e shërbimeve dhe dallimet në rregullore vazhdojnë të kufizojnë potencialin e tregut rajonal.

    “Kemi përparuar më shpejt atje ku përfitimet ishin të dukshme, puna mbeti në nivel teknik dhe rezultati i pritshëm ishte i qartë. Kemi ngecur atje ku çështjet teknike u përfshinë në mosmarrëveshje më të gjera”, tha Kapetanović, duke bërë thirrje për përshpejtimin e zbatimit, zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe përcaktimin e afateve konkrete. Duke iu referuar gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të RCC-së, Kapetanović vuri në dukje se qytetarët e njohin gjithnjë e më shumë vlerën e bashkëpunimit rajonal, por presin rezultate më konkrete, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës dhe pasiguria ekonomike mbeten shqetësime të mëdha.

    Liderët e Ballkanit Perëndimor mirëpritën progresin e arritur në avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe shprehën vlerësimin e tyre për punën dhe rolin koordinues të RCC-së në mbështetjen e integrimit ekonomik rajonal dhe zbatimin e Planit të Rritjes. Diskutimet theksuan rëndësinë e ruajtjes së ritmit të progresit, adresimit të pengesave të mbetura dhe sigurimit që angazhimet rajonale të përkthehen në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.

    Me hyrjen e Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje në vitin e tij të fundit dhe me afrimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028 në mesin e periudhës së zbatimit, ritmi i zbatimit duhet të përshpejtohet ndjeshëm. Përmbushja e angazhimeve të mbetura do të kërkojë koordinim më të fortë, mbështetje politike dhe gatishmëri për kompromis në interesin e përbashkët rajonal. Si kuadër bashkëpunimi që i përket vetë rajonit, RCC-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me qeveritë e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian dhe partnerët rajonalë për të koordinuar zbatimin, monitoruar progresin dhe mbështetur përmbushjen e angazhimeve të Tregut të Përbashkët Rajonal.

    Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes i parapriu një sërë takimesh të nivelit të lartë në Tiranë, përfshirë Takimin Ministror për Turizmin, i cili shënoi lançimin e Instrumentit Rajonal të Turizmit për Gjashtë Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar nga RCC-ja, Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor “New Frontier”, ku Kapetanović prezantoi një portofol rajonal me 32 mundësi investimi, si dhe Takimin Ministror për Integrimin Evropian. Së bashku, këto takime u përqendruan në avancimin e integrimit ekonomik rajonal, tërheqjen e investimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të Planit të Rritjes të BE-së.

  • Aleanca bën homazhe në Prekaz në prag të 28 Nëntorit, nderon sakrificën e familjes Jashari

    Aleanca bën homazhe në Prekaz në prag të 28 Nëntorit, nderon sakrificën e familjes Jashari

    Në prag të 28 Nëntorit, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të të rënëve për liri.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se në Prekaz, kjo datë merr një kuptim edhe më të thellë. 

    “Sakrifica e familjes Jashari, e udhëhequr nga Adem Jashari, është një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë të re. Për ne, kujtesa historike nuk është vetëm nderim për të kaluarën. Është detyrimi ynë që sakrificën e dëshmorëve ta nderojmë duke ndërtuar institucione të forta, duke ruajtur unitetin dhe duke punuar për një Kosovë ku liria, drejtësia dhe dinjiteti i qytetarëve janë vlera të pacenueshme. Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri! Gëzuar 28 Nëntori gjithë shqiptarëve në trojet tona dhe gjithë botën”, thuhet në njoftim.

  • Picula: Beogradi vazhdon me të njëjtat interpretime për luftërat në Kosovë, Kroaci e Bosnjë

    Picula: Beogradi vazhdon me të njëjtat interpretime për luftërat në Kosovë, Kroaci e Bosnjë

    Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka deklaruar se reagimet e Beogradit ndaj Rezolutës për Vukovarin nuk japin shpresë se Serbia do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj ngjarjeve të luftërave të viteve ’90.

    Picula ka vlerësuar se kundërshtimet ndaj rezolutës, të shprehura nga një grup studentor në Serbi, janë domethënëse, pasi pasqyrojnë qëndrimet e krahut politik që fitoi zgjedhjet dhe tashmë po formon qeverinë e re.

    Studentët kundërshtues kanë pretenduar se teksti i rezolutës nuk i merr parasysh vuajtjet e popullit serb.

    Sipas Piculës, reagimet nga Beogradi nuk dallojnë nga interpretimet që Serbia ka dhënë prej vitesh për luftërat e viteve ’90.

    “Ajo që kemi dëgjuar lë pak shpresë se së shpejti do të ketë një ndryshim në mënyrën se si interpretohen ngjarjet që ndodhën në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë”, ka deklaruar ai.

    Ai ka shtuar se mbetet të shihet nëse qeveria e re serbe do të ketë kapacitetin të shkëputet nga një politikë, rrënjët e së cilës datojnë që nga vitet ’80.

    Duke folur për përmbajtjen e rezolutës, Picula ka theksuar se ajo përcjell një mesazh të qartë kundër politikave agresive dhe autoritare, të cilat përmes projekteve për krijimin e “shteteve të mëdha” rrezikojnë paqen dhe bashkëpunimin.

    Ai ka vlerësuar edhe përfshirjen e Ukrainës në tekstin e rezolutës, duke theksuar se mund të krijohen paralele mes popujve që mbrojnë vendin e tyre nga agresioni dhe pushtimi.

    “Është e rëndësishme që këto politika të identifikohen me kohë”, ka përfunduar Picula.

  • Jasharit i përfundon mandati në krye të FSK-së, Maqedonci: Do të veprojmë sipas ligji

    Jasharit i përfundon mandati në krye të FSK-së, Maqedonci: Do të veprojmë sipas ligji

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është deklaruar lidhur me përfundimin e mandatit të komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

    I pyetur nëse Jashari do të vazhdojë edhe për një mandat në këtë pozitë, Maqedonci nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se procedurat do të ndiqen në përputhje me ligjet në fuqi.

    “Komandantin e patë më herët. Normalisht që është një ligj i cili është në fuqi, kemi një komandant që po përfundon mandatin dhe janë të gjitha hapat e nevojshëm që do të ndërmerren me kohë sipas ligjeve dhe procedurave”, ka deklaruar Maqedonci.

    Mandati pesëvjeçar i Bashkim Jasharit në krye të FSK-së përfundon më 30 nëntor të këtij viti.

    Jashari ishte emëruar në këtë pozitë më 30 nëntor 2021 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Rrahman Rama.

    Ndërkaq, sipas nenit 21, paragrafit 7, të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, mandati i komandantit zgjat pesë vjet dhe nuk mund të riemërohet për një mandat të dytë.

  • Në Ditën e Forcës, Çitaku kujton Thaçin: Ishte komandant suprem kur FSK-ja mori mandatin e ushtrisë

    Në Ditën e Forcës, Çitaku kujton Thaçin: Ishte komandant suprem kur FSK-ja mori mandatin e ushtrisë

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e Ditës së Forcës, duke rikujtuar momentin historik të transformimit të saj në ushtri.

    Çitaku, së bashku me deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, ka kujtuar 14 dhjetorin e vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës votoi për mandatin e ri të Forcës, shkruan Gazeta Sinjali.

    Ajo ka theksuar se në atë periudhë, presidenti Hashim Thaçi ishte komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rrahman Rama kishte rol vendimtar në përgatitjen dhe udhëheqjen e saj gjatë viteve të para të transformimit.

    “Në atë moment historik, presidenti Hashim Thaçi ishte komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rama, si komandant i saj, luajti rol vendimtar në përgatitjen e FSK-së për mandatin e ri dhe e udhëhoqi Forcën në vitet e para të transformimit”, ka deklaruar Çitaku.

    Në prag të 28 Nëntorit, ajo ka kujtuar edhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar kontributin e atyre që luftuan për lirinë e vendit.

    Çitaku ka falënderuar pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës për përkushtimin dhe shërbimin ndaj Republikës.

    “Urime Ditën e Forcës, Kosovë!”, ka përfunduar ajo.