ATV

Author: G.O.

  • Shakira habit fansat – jep kompliment të papritur për Pique pas tre vitesh ndarje

    Shakira habit fansat – jep kompliment të papritur për Pique pas tre vitesh ndarje

    Shakira, në një intervistë të re për programin argjentinas “Por el mundo”, reflekton mbi periudhën trevjeçare pas ndarjes së saj nga Gerard Pique.

    Ajo tregon se si dhimbjen dhe emocionet e forta i ka shndërruar në muzikë, duke e quajtur këtë proces një ‘transformim’ që i ndihmoi të shërohej dhe të lidhej më thellë me publikun.

    Artistja flet me shumë ngrohtësi për miqtë e vërtetë dhe për mbështetjen që ka marrë, duke e quajtur marrëdhënien me audiencën e saj ‘historinë më të gjatë të dashurisë’ që ka pasur ndonjëherë.

    Në një moment më personal, Shakira flet për jetën si nënë dhe thotë se djemtë e saj e duan thjesht ‘nënën me pizhama’, atë që e kanë vetëm për vete.

    Pjesa që befasoi fansat ishte komplimenti i papritur për Pique.

    Edhe pse shpesh ka bërë shaka për të, këtë herë ajo e pranoi drejt: “Edhe babai i tyre, të jem e drejtë, është shumë i disiplinuar. Nuk mund të kesh sukses në asnjë profesion pa disiplinë”.

    Me këtë koment, Shakira i njohu kontributin e Piques te fëmijët dhe tregoi një qasje më të pjekur e të balancuar ndaj marrëdhënies së tyre të kaluar. /Telegrafi/

  • Marv nga “Home Alone” zbulon pse nuk merr pjesë në eventet që shënojnë 35-vjetorin e filmit

    Marv nga “Home Alone” zbulon pse nuk merr pjesë në eventet që shënojnë 35-vjetorin e filmit

    Aktori Daniel Stern, i njohur më së miri për publikun për rolin e tij si Marv në dyshen legjendare ‘Wet Bandits’, ka zbuluar se pavarësisht popullaritetit të madh të filmit “Home Alone”, ai nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet që shënon 35-vjetorin e tij.

    Ai shpjegoi se tani bën një jetë shumë më të qetë si artist dhe fermer dhe është bërë një ‘djalë i vërtetë shtëpie’.

    “Nuk do të largohem nga ferma ime”, tha Stern duke qeshur.

    “Nuk është një fyerje për filmin. Është thjesht… një telefonatë, një telefonatë në Zoom, jam këtu. Por… jam paksa shtëpiak”.

    Personazhi i Stern, Marv, është një hajdut i pafat i cili, me partnerin e tij Harry, të luajtur nga Joe Pesci, grabit shtëpi në zonën e Chicagos.Sulmi i tyre kulmon me një përpjekje qesharake për të hyrë me forcë në shtëpinë e Kevin McCallister (Macaulay Culkin) pasi djali lihet vetëm në shtëpi për Krishtlindje.

    Aktori 68-vjeçar e la jetën e Hollywoodit shumë vite më parë dhe u zhvendos në një fermë në Kaliforni.

    Stern është i vetëdijshëm se filmi “Home Alone” ende gjen jehonë te audiencat në mbarë botën dekada pas premierës së tij në vitin 1990, por ai është më i lumtur që mund ta shohë suksesin e tij nga të gjitha anët. /Telegrafi/

  • Vetura përmbyset në pishinë, vdesin tre të rinj në Francë

    Vetura përmbyset në pishinë, vdesin tre të rinj në Francë

    Tre adoleshentë kanë humbur jetën kur vetura e tyre rrëshqiti nga rruga në Francën jugore, kaloi nëpër një mur dhe u përmbys në një pishinë private, kësisoj duke i bllokuar ata brenda.

    Automjeti ishte i ngjashëm me madhësinë e pishinës dhe adoleshentët – të moshës 14, 15 dhe 19 vjeç – nuk mundën të hapnin dyert dhe u mbytën.

    Aksidenti i çuditshëm ndodhi në qytetin Alès në orët e para të së mërkurës, raporton BBC.

    “Është vërtet kulmi i tmerrit,” tha prokurori publik Abdelkrim Grini. “Nuk ishte ndikimi i aksidentit që i vrau ata. Ata e gjetën veten përmbys në ujin e akullt, të paaftë për të dalë. Ata nuk kishin asnjë shans.”

    Raporte të pakonfirmuara sugjerojnë se më i riu nga tre viktimat ishte në timon të makinës në atë kohë.

    Vetëm disa orë u dha alarmi dhe zjarrfikësit u thirrën për të zbrazur pishinën dhe për të larguar automjetin. BFMTV raportoi se pishina ishte rreth 1.5 metra e thellë.

    Një hetim është hapur për shkakun e vdekjes. Trupat e tre viktimave janë dërguar në institutin mjeko-ligjor në Nîmes për ekzaminime pas vdekjes, tha AFP.

  • Rreth 42 mijë votues nga diaspora të regjistruar deri tash për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Rreth 42 mijë votues nga diaspora të regjistruar deri tash për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se deri tani për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kanë aplikuar rreth 42 mijë votues nga diaspora.

    Afati për regjistrim përfundon pas tri ditësh.

    Regjistrimi mund të bëhet online ose përmes postës, në kutinë postare të KQZ-së.

    Periudha e regjistrimit ka filluar nga 26 nëntori.

  • Kurti i shpreh ngushëllime familjes Bojku: I përjetshëm qoftë kujtimi për veprën e profesorit

    Kurti i shpreh ngushëllime familjes Bojku: I përjetshëm qoftë kujtimi për veprën e profesorit

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjes Bojku, pas ndarjes nga jeta të profesorit, veprimtarit dhe kryetarit të parë të Deçanit të lirë, Mehmet Bojku.

    Përmes një telegram ngushëllimi, kryeministri shkroi se profesor Mehmet Bojku ishte personalitet i respektuar i arsimit, ish-i burgosur politik, udhëheqës në luftë çlirimtare dhe kryetari i parë i Komunës së Deçanit i zgjedhur në Kosovën e lirë.

    “Nderi, përkushtimi dhe shërbimi i tij i sinqertë ndaj vendit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe kujtesën e qytetarëve”, shkroi kryeministri Kurti.

    Në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai u shprehu ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit, dhe të gjithë qytetarëve të Deçanit.

    Telegrami i plotë i kryeministrit Kurti:

    E nderuar familja Bojku,Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit, veprimtarit dhe kryetarit të parë të Deçanit të lirë, Mehmet Bojku.

    Profesor Mehmet Bojku ishte personalitet i respektuar i arsimit, ish-i burgosur politik, udhëheqës në luftë çlirimtare dhe kryetari i parë i Komunës së Deçanit i zgjedhur në Kosovën e lirë.

    Nderi, përkushtimi dhe shërbimi i tij i sinqertë ndaj vendit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe kujtesën e qytetarëve.

    Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit, dhe të gjithë qytetarëve të Deçanit.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e Mehmet Bojkut.

    U prehtë në paqe.

    Sinqerisht,

    Albin Kurti

    Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës

     

  • Rusia thotë se takimi “domethënës” me ShBA-në për paqe në Ukrainë mbaroi “pa përparim”

    Rusia thotë se takimi “domethënës” me ShBA-në për paqe në Ukrainë mbaroi “pa përparim”

    Një delegacion amerikan, i kryesuar nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ndihmësit e tij për gati pesë orë në Kremlin më 2 dhjetor, për bisedime mbi një propozim për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

    Në një ditë përpjekjesh intensive diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk ka pasur “kurrë” mundësi më të mirë se tani për ta arritur një marrëveshje.

    Por, pak para bisedimeve, Putini i akuzoi qeveritë evropiane se po përpiqen ta pengojnë paqen dhe paralajmëroi se, nëse Evropa dëshiron ta nisë një luftë me Rusinë, atëherë Moska është e gatshme të luftojë.

    Yury Ushakov, këshilltar i Putinit për politikën e jashtme, u tha gazetarëve pas takimit në Kremlin se “nuk jemi as më afër, por as më larg” arritjes së paqes.

    “Ne nuk shtjelluam formulime të veçanta që kishin përgatitur amerikanët, por thelbin e mesazhit. Disa gjëra na përshtaten. Disa u pritën me kritika nga ne”, tha Ushakov, duke theksuar se çështjet territoriale ishin pikë veçanërisht problematike.

    “Ne nuk shohim ndonjë mundësi për zgjidhjen e krizës së Ukrainës pa adresuar çështjet territoriale. Për të shënuar përparim të mirëfilltë, ka ardhur koha që si Moska ashtu edhe Uashingtoni të fillojnë të punojnë seriozisht”, shtoi ai.

    Witkoff nuk komentoi duke u larguar nga takimi drejt Ambasadës së SHBA-së në Moskë.

    Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, fluturuan për në Moskë më 2 dhjetor për t’u takuar Putinin dhe negociatorët rusë pas një propozimi fillestar 28-pikësh nga SHBA-ja.

    Ai dokument – i cili kryesisht shihej si i përputhshëm me qëllimet ruse për pushtimin e plotë të Ukrainës – u “përmirësua” në 19 pika pas bisedimeve midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase javën e kaluar.

    Qeveritë evropiane gjithashtu kishin paraqitur ndryshime dhe një kundërpropozim për planin e draftit, duke synuar të hiqnin ose zbutnin dispozitat që sipas tyre cenonin sovranitetin e Ukrainës.

    Por, Moska i ka hedhur poshtë këto ndryshime evropiane menjëherë dhe Ushakov tha se Putini “pa dyshim paraqiti vlerësimin e tij për rolin pengues që evropianët po e luajnë në procesin e paqes”.

    Duke folur para takimit të tij me Witkoff dhe Kushner, Putin tha se Rusia është e gatshme t’i përfshijë shtetet evropiane në bisedime, në qoftë se ato e njohin atë që ai e quajti “realitetet në fushën e betejës” në Ukrainë.

    Duke folur para takimit të tij me Witkoff dhe Kushner, Putin tha se Rusia është e gatshme t’i përfshijë shtetet evropiane në bisedime, në qoftë se ato e njohin atë që ai e quajti “realitetet në fushën e betejës” në Ukrainë.

    “Ne nuk kemi asnjë qëllim ta luftojmë Evropën, e kam thënë këtë 100 herë”, tha Putin.

    “Por, nëse Evropa dëshiron të luftojë përsëri dhe e fillon luftën, atëherë ne jemi të gatshëm për atë menjëherë”.

    Bashkimi Evropian ka thënë disa herë se nuk do ta pranojë një rishikim të dhunshëm të kufijve të Evropës dhe se vetëm Ukraina mund të vendosë për të ardhmen e territorit të saj.

    Putin vazhdon të ngulë këmbë se Ukraina duhet t’ia dorëzojë Rusisë rajonin lindor të Donbasit për të siguruar paqen, duke përfshirë zonat që ushtria ruse nuk ka arritur t’i pushtojë në më shumë se tri vjet e gjysmë lufte.

    Kievi nuk i pranon këto kushte dhe i ka kundërshtuar përpjekjet e Moskës për t’i kufizuar shpresat e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO, për të vendosur kufij për madhësinë e forcave të saj të armatosura.

    “Tani, më shumë se kurrë, ka mundësi për ta ndalur këtë luftë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Dublin, pas takimit me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, më 2 dhjetor.

    “Detyra jonë e përbashkët është të ndalim luftën, jo vetëm të arrijmë ndërprerjen e armiqësive. Kërkohet paqe e dinjitetshme. Për ta arritur këtë vërtet, të gjithë duhet të jenë në anën e paqes”, shtoi ai.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke komentuar bisedimet me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë, tha: “Kemi bërë përparime, por ende nuk kemi arritur aty ku duhet”.

    “Dhe, ajo që jemi përpjekur ta bëjmë – dhe mendoj se kemi bërë ca përparim – është të kuptojmë se me çfarë mund të jetonin ukrainasit, që t’u jepet atyre garanci sigurie për të ardhmen”, tha Rubio për Fox News në një intervistë të transmetuar më 2 dhjetor.

    “Në fund të fundit, vendimet duhet të merren, në rastin e Rusisë, vetëm nga Putini, jo këshilltarët e tij. Vetëm Putini mund ta përfundojë këtë luftë nga ana ruse”, shtoi ai.

    Ukraina ka shprehur hapur shqetësimin se Uashingtoni dhe Moska mund të pajtohen për një plan për të ndalur konfliktin më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Trump bëri fushatë në vitin 2024 duke pretenduar se mund ta ndalë luftën brenda 24 orësh, por arritja e një marrëveshjeje për të ndaluar pushtimin e plotë të Ukrainës – që Moska e nisi në shkurt 2022 – del të jetë shumë e vështirë.

    Trump ka shprehur pakënaqësi me të dyja palët, pasi bisedimet kanë ngecur për muaj, para se të rigjallëroheshin përsëri në javët e fundit.

    Moskë ka thënë vazhdimisht se duhet patjetër ta kontrollojë të gjithë Donjeckun, një nga pesë rajonet ukrainase që Putin pretendon pa bazë se janë ruse. Dorëzimi i tokës që forcat ukrainase e kanë mbajtur larg Rusisë me kosto të madhe do të ishte një lëshim i madh nga Kievi dhe mund të ketë pasoja politike për Zelenskyn.

    Ukraina frikësohet se disa nga kushtet e propozimit do ta lënë atë të ndjeshme ndaj pushtimit eventual nga Rusia, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë propozuar gjithashtu një garanci sigurie 10-vjeçare për Kievin.

    Putin ka thënë se është i gatshëm për bisedime për paqe, por nëse Ukraina refuzon marrëveshjen, atëherë forcat ruse do të çajnë përpara dhe do të marrin më shumë toka ukrainase.

    Disa nga veprimet e mëparshme të Witkoffit kanë ngritur alarme tek vëzhguesit e jashtëm, të cilët frikësohen se ai po manipulohet ose se nuk kupton thellësisht kontekstin e ndërlikuar historik të luftës.

    Witkoff ka përdorur përkthyes të siguruar nga Kremlini për bisedimet e tij me Putin dhe zyrtarë të tjerë, në vend që të përdorte përkthyes të autorizuar nga Ambasada e SHBA-së.

    Pas takimit të fundit të Witkoffit me Putin në gusht, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thanë se ai nuk kishte kuptuar mirë gjeografinë e territorit ukrainas që Putin po pretendonte.

    Disa media cituan burime që thanë se Witkoff dhe Kushner mund të takojnë Zelenskyn pas bisedimeve në Kremlin.

    Zelensky tha se pret të marrë lajme nga ekipi amerikan menjëherë pas bisedimeve në Moskë dhe se mbetet i gatshëm të takojë Trumpin, në varësi të rezultateve të diskutimeve të 2 dhjetorit./REL

  • (VIDEO) Humb ekuilibrin – prezantuesja Laura Woods rrëzohet live gjatë transmetimit

    (VIDEO) Humb ekuilibrin – prezantuesja Laura Woods rrëzohet live gjatë transmetimit

    Moderatorja e njohur sportive, Laura Woods, përjetoi një moment shqetësues gjatë transmetimit live të ndeshjes miqësore të Anglisë kundër Ganës, të martën, më 2 dhjetor.

    Ndërsa po prezantonte ndeshjen në panelin e ITV së bashku me Ian Wright dhe Anita Asante, 38-vjeçarja humbi ekuilibrin dhe u rrëzua papritur.

    Pamjet treguan se ajo u përkul përpara, duke u mbështetur te kolegët që reaguan menjëherë për të mos e lënë të binte, por Woods ra në tokë para se kamera të ndërpritej.

    Transmetimi u ndërpre menjëherë dhe u kalua në pamje të gjerë të stadiumit, e më pas në një bllok reklamash.

    Shikuesit, të habitur dhe të shqetësuar, mbushën rrjetet sociale me mesazhe mbështetjeje. Komentet varionin nga lutjet për gjendjen e saj deri te falënderimet për reagimin e shpejtë të Ian Wright dhe Anita Asante që e ndihmuan në moment.

    Pas rikthimit nga reklamat, rolin e saj e mori Katie Shanahan, e cila po raportonte nga terreni.

    Ajo informoi publikun se Woods ishte ndjerë keq papritur, por tashmë ishte nën kujdesin e stafit mjekësor.

  • KQZ-ja certifikon NISMA-n për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    KQZ-ja certifikon NISMA-n për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marr vendim për certifikimin e Nismës Socialdemokrate.

    Besnik Buzhala, Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA, brenda afatit ka dorëzuar listën e përmirësuar me nënshkrimet e mbështetësve.

    “Periudha e certifikimeve politike ka përfunduar me 30 nëntor. Subjekti politik Nisma ka përmbushur kriteret për certifikim duke dorëzuar listën e nënshkrimeve dhe mbështetësve dhe ja paguar taksën për certifikim. Lidhur me këtë zyra rekomandon që të certifikoj nismën socialdemokrate”, tha ai.

  • Gjyqtarët e Speciales ‘nervozohen’ pse mbrojtja e krerëve të UÇK-së paraqiti prova të krimeve serbe, i refuzon të gjitha sërish

    Gjyqtarët e Speciales ‘nervozohen’ pse mbrojtja e krerëve të UÇK-së paraqiti prova të krimeve serbe, i refuzon të gjitha sërish

    Sërish, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara në Hagë që pritet ta marrin vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë refuzuar të gjitha provat që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë.

    Kjo është bërë e ditur me dy vendime të ndara për provat e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, vendime të cilat i ka parë gazeta Nacionale.

    Madje, në vendimin për provat e paraqitura nga Krasniqi, gjyqtarët duken të ‘nervozuar’ pse shumica e dëshmive të mbrojtjes, janë prova të krimeve serbe të kryera në Kosovë.

    “Paraprakisht, Paneli vëren se një numër i konsiderueshëm i Provave të Propozuara shkojnë për të vërtetuar kryerjen e krimeve nga forcat serbe. Paneli deklaroi në mënyrë të përsëritur se krime të tilla nuk janë në diskutim dhe gjithashtu nuk janë në vetvete relevante për procedurat aktuale, përveç nëse mund të tregohet se ato lidhen me një fakt ose rrethanë materiale për këtë çështje. Pavarësisht këtyre indikacioneve të përsëritura, Mbrojtja ka vazhduar të kërkojë të ofrojë, ose të nxjerrë, prova të fakteve të tilla. Paneli kujton se barra e vërtetimit të rëndësisë, si me kushtet e tjera për pranim, i takon palës ofertuese. Prandaj është thelbësore që Palët dhe pjesëmarrësit të identifikojnë qartë në parashtrimet e tyre përfundimtare se në çfarë materiali mbështeten në lidhje me çështjen e tyre dhe çfarë vlere provuese dhe rëndësie i japin secilit artikull të tillë”, thuhet në këtë vendim të gjyqtarëve të Speciales, të cilët shprehen të pakënaqur pse avokatët e Krasniqit kanë prezantuar prova të krimeve serbe në Kosovë.

    Si rezultat, të gjitha provat të cilat dëshmojë krimet e Ushtrisë e formacioneve tjera serbe në Kosovë, janë rrëzuar, pra nuk janë pranuar në proces.

    “Duke iu kthyer Provave të Propozuara 2, 4, 6, 8, 9, 12, 13, 26, 31 dhe 34, Trupi Gjykues vëren pohimin e Mbrojtjes se ato pretendojnë të jenë provuese të krimeve të kryera nga shteti serb dhe formacionet paraushtarake, si dhe ilustrojnë tensionet ndërpersonale midis civilëve, shënjestrimin e shqiptarëve nga serbët dhe armatosjen e popullsisë civile nga shteti serb. Pasi i shqyrtoi këto pika, Trupi Gjykues vëren se ato pretendojnë të jenë relevante për të treguar krimet serbe dhe se Serbia po fabrikonte prova ose po manipulonte hetimet. Megjithatë, Trupi Gjykues kujton se provat e krimeve të dyshuara të kryera nga forcat serbe në përgjithësi janë të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Mbrojtja nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara në këto pika janë të lidhura në ndonjë mënyrë tjetër me ndonjë nga akuzat në Aktakuzë. Në mënyrë të ngjashme, Prova e Propozuar 16, e cila ofron një analizë krahasuese të kapaciteteve ushtarake të forcave serbe dhe të UÇK-së, nuk ka lidhje të dukshme me çështjen”, thuhet në këtë vendim.

    Ngjashëm, me të njëjtën arsye, janë refuzuar edhe një pjesë e provave të paraqitura nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Me të njëjtin arsyetim. Për gjyqtarët, provat e krimeve serbe, janë të parëndësishme.

    “ZPS-ja kundërshton Provat e Propozuara 9-15, 18, 20, 22-24, 26, 34, 35, 37 dhe 39-42 të Shtojcës. Në veçanti, ZPS-ja pohon se Provat e Propozuara 9 dhe 37 të Shtojcës 1 janë tepër të gjata dhe nuk jepet asnjë shpjegim që do të justifikonte pranimin e të gjitha faqeve.44 Lidhur me Provat e Propozuara 12, 13 dhe 17 të Shtojcës 1, ZPS-ja pohon se ato janë paraqitur pa faqe kopertine dhe janë dhënë informacione të paplota burimore. Pasi i shqyrtoi këto pika, Paneli vëren se të gjitha ato lidhen me krime të supozuara të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve etnikë ose listojnë viktima të krimeve të supozuara të kryera nga forcat serbe. Ndërsa këto pika kanë të bëjnë me vendet e listuara në aktakuzë (“Aktakuzë”), krimet ose faktet e përshkruara në të nuk janë ndryshe relevante për krimet e akuzuara në rastin aktual. Mbrojtja nuk ka arritur të shpjegojë rëndësinë e tyre për ndonjë fakt ose rrethanë të rëndësishme për këtë çështje. Prandaj, Paneli konstaton se Mbrojtja nuk ka arritur të vërtetojë rëndësinë e këtyre Provave të Propozuara.”, thuhet në vendim.

    Disa prej provave të cilat gjqytarët i kanë pranuar, ndërlidhen me kontekstin historik në Kosovë, fakt të cilin gjyqtarët e kanë vlerësuar si të rëndësishëm.

    “Për më tepër, në lidhje me Shtojcën 1 Provat e Propozuara 1, 3, 19, 21, 23, 24, 26 dhe 29, Paneli konsideron se Mbrojtja e Thaçit nuk e ka artikuluar qartë rëndësinë e këtyre pikave, përveçse ka deklaruar se ato janë relevante për kontekstin historik të konfliktit të armatosur, ekzistencën e një konflikti të armatosur, ose lëvizjen e refugjatëve nga Shqipëria në Kosovë. Megjithatë, Paneli, duke ushtruar diskrecionin e tij, konsideron se sfondi historik mund të jetë paksa i rëndësishëm për çështjen, pasi ofron informacione mbi, ndër të tjera, bashkëveprimin midis figurave të ndryshme politike, përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, luftimet midis UÇK-së dhe forcave serbe në Drenicë në vitin 1998. Është pritje e Panelit që Mbrojtja e Thaçit do të shpjegojë në detaje më të mëdha rëndësinë e këtyre pikave për çështjen e saj në dosjen e saj përfundimtare të gjyqit, ose në parashtrimet përfundimtare. Paneli është i kënaqur, me paralajmërimin e përmendur më sipër, se Shtojca Provat e Propozuara 1, 3, 17, 19, 21, 24 dhe 29 janë relevante për aspekte të caktuara të akuzave, si dhe për faktet dhe rrethanat materiale për çështjen”, thuhet në vendim.

    Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.

    Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.

    Në parashtresat e publikuara të cilat i ka parë Nacionale specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.

    “Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së Mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, Mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.

    Ngjashëm, thuhet edhe në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

    “Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, dhe Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.

  • Nis gjykimi në mungesë ndaj Muharrem Ibrajt, i akuzuar për vrasje, keqtrajtim e dhunim gjatë luftës

    Nis gjykimi në mungesë ndaj Muharrem Ibrajt, i akuzuar për vrasje, keqtrajtim e dhunim gjatë luftës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarit për krime lufte në fshatin Osek Hykë të Komunës së Gjakovës, Muharrem Ibraj. Ky gjykim po zhvillohet në mungesë.

    Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ajshe Ferati, të akuzuarit përmes avokates së tij, Sabrije Jashari i është njohur e drejta në paraqitje të kundërshtimeve ndaj provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Avokatja Jashari deklaroi se heq dorë nga paraqitja e kundërshtimeve dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës.

    Më pas, seanca kaloi në shqyrtim gjyqësor. Seanca e radhës pritet të mbahet në muajt në vijim.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 mars 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Muharrem Ibrajt, të cilin e ngarkon për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës. Aktakuza ngarkon Ibrajn për vrasje të një civili, keqtrajtim të të tjerëve, si dhe dhunimin e një viktime bashkë me babanë dhe vëllanë e tij.

    Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se më 28 shkurt 1998 rreth orës 14:30 në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Muharrem Ibraj me dashje, i armatosur, i uniformuar në uniformë policore dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë direkte në vrasjen dhe keqtrajtimin e qytetarëve civilë të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë.

    Aty thuhet se Ibraj, bashkë me forca të mëdha policore serbe rrethuan shtëpinë e viktimës S.B dhe pasi futen brenda në shtëpi, i pandehuri Ibraj i kërcënon dhe i fyen të pranishmit me fjalë të ndryshme dhe në ato momente e godet me shuplakë të dëmtuarin Q.C., dhe pasi ndërhyn viktima S.B., e urdhëron të dalë nga dhoma.

    Po ashtu, sipas aktakuzës, derisa viktima ishte duke dalë jashtë, i pandehuri në prezencë të familjarëve dhe të afërmve të viktimës që ishin prezent aty, shtie disa herë në drejtim të viktimës me një pushkë automatike të llojit AK-47, ku në ato momente viktima S.B ndërron jetë si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

    Dhe më pas, sipas aktakuzës, burrat e tjerë që ishin prezent u nxorën jashtë nga forcat policore, u rrahën dhe u transportuan në stacionin e policisë ku edhe më tej i sulmuan fizikisht dhe i morën në pyetje me pretekstin se ishin pjesëmarrës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe pastaj i liruan.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 nëntor 1998, në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Ibraj në bashkëkryerje me babanë e tij dhe vëllanë e tij, të armatosur, të uniformuar në uniformë policore, duke përdorur forcën e detyrojnë të dëmtuarën NN që të kryejë marrëdhënie seksuale me ta pa pëlqimin e saj. Aty thuhet se pandehuri Ibraj bashkë me të lartcekurit e kanë ndaluar viktimën NN posa ka zbritur nga autobusi, dhe në ato momente me forcë dhe nën kërcënimin e armëve e kanë detyruar që të shkojë me ta tek mulliri i grurit, ku e dhunojnë me radhë, duke filluar nga babai i të akuzuarit, vëllai dhe pas tij vetë i pandehuri Ibraj, ku si pasojë e dëmtuara e humb vetëdijen.

    Sipas aktakuzës, pasi i kthehet vetëdija, viktima NN e sheh vëllanë e të pandehurit me një cigare të ndezur në dorë, duke ia djegur dorën dhe krahun asaj, me qëllim që t’ia kthejë vetëdijen dhe që ajo edhe në të ardhmen t’i kujtojë këto ndodhi dhe në fund babai i të pandehurit i kishte thënë të dëmtuarës NN që të vishej dhe të shkojë në shtëpi duke e kërcënuar se nëse do i tregonte dikujt për këtë ngjarje do t’ia vrasin gjithë familjen.

    Prandaj për këto veprime, Muharrem Ibraj po ngarkohet me veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ‘’LP i RSFJ-së’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

    Ndaj Ibrajt, PSRK ka propozuar që gjykimi të zhvilohet në mungesë pasi që i njëjti nuk ka qenë i arritshëm dhe se gjendet në arrati.