ATV

Author: G.O.

  • Përmbytjet në Indonezi, shkon mbi 700 numri i të vdekurve

    Përmbytjet në Indonezi, shkon mbi 700 numri i të vdekurve

    Të paktën 708 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës në ishullin Sumatra të Indonezisë. Kështu njoftoi të martën Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive. Autoritetet po përpiqen me shpejtësi të riparojnë infrastrukturën dhe të shpërndajnë ndihma për zonat e izoluara.

    Agjencia tha se ky numër është pak më i ulët se shifra e publikuar më parë, 753 të vdekur. Së fundmi, pothuajse 900 vdekje janë raportuar në mbarë Indonezinë, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës, pas muajve të motit ekstrem në Azinë Juglindore, përfshirë edhe tajfunët e njëpasnjëshëm në Filipine dhe Vietnam.

    Ekspertët dhe zyrtarët kanë përmendur shpyllëzimin në Sumatra, si një faktor që ka përkeqësuar ndikimin e këtyre katastrofave.

    Ekipet e shpëtimit dhe ndihmës po punojnë në tokë, det dhe ajër për të hapur rrugët e bllokuara, shpërndarë ndihma dhe riparuar infrastrukturën e dëmtuar.

    “Shpresojmë të përshpejtojmë shpërndarjen e logjistikës dhe ndihmave”, tha zëdhënësi i agjencisë, Abdul Muhari. Autoritetet bëjnë thirrje për solidaritet dhe ndihma ndërkombëtare për të përballuar situatën emergjente.

  • AGK-ja reagon ndaj veprimeve të Kurteshit me gazetarët: Të shokuar me sjelljen agresive

    AGK-ja reagon ndaj veprimeve të Kurteshit me gazetarët: Të shokuar me sjelljen agresive

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj sjelljes agresive të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, i cili sot ka penguar fizikisht ekipet e mediave gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale.

    Në njoftimin e saj, AGK shprehet “e shokuar me cenimin fizik të gazetarëve”, duke e cilësuar incidentin si plotësisht të papranueshëm dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.

    Organizata u bëri thirrje autoriteteve të KQZ-së që të sigurojnë kushte të plota për raportim të lirë dhe të papenguar, duke theksuar se mbrojtja e gazetarëve është obligim institucional.

    AGK rikujtoi se Sami Kurteshi është recidivist në sulmet ndaj gazetarëve, duke kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të marrë masa të menjëhershme dhe të ndalojë çdo praktikë që cenon profesionistët e medias.

  • Derbi i zjarrtë rikthen Superligën, Peja–Trepça në qendër të vëmendjes

    Derbi i zjarrtë rikthen Superligën, Peja–Trepça në qendër të vëmendjes

    ProCredit Superliga rikthehet në parket pas ndeshjes së Kosovës, duke sjellë duele tepër interesante në javën e tetë të kampionatit.

    Derbi i xhiros do të luhet të enjten në mbrëmje, ku GO+ Peja dhe Trepça do të përballen në ndeshjen kryesore të javës. Kjo përballje tradicionalisht ka prodhuar emocione të forta dhe edhe këtë herë pritet spektakël, pasi të dyja skuadrat kanë shfaqur formë të lartë dhe ambicie të mëdha. Pejanët kanë gjashtë fitore e një humbje, ndërsa mitrovicasit katër fitore e dy humbje. Në takimin e parë të zhvilluar në Mitrovicë, verdhezinjtë triumfuan me rezultat 80:86.

    Një tjetër duel i rëndësishëm është ai mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit. Të dy skuadrat kërkojnë rikthimin te fitoret, pasi kohët e fundit nuk kanë shënuar rezultate pozitive. Bardhekaltrit kanë katër fitore e tri humbje, kurse therandasit një fitore e gjashtë humbje. Përballjen e parë në Therandë e fitoi skuadra kryeqytetase me rezultat 76:78, ndërsa edhe sfida e së mërkurës do të zhvillohet në Therandë.

    Ndeshja Rahoveci 029 – Bora pritet të jetë po ashtu shumë interesante dhe me peshë për të dy skuadrat. ‘Vreshtarët’ kanë tri fitore e katër humbje, ndersa prishtinasit një fitore e pesë humbje. Takimin e parë në kryeqytet e fitoi Rahoveci me rezultat 84:95.

    Të enjten në Gjakovë do të zhvillohet dueli mes Bashkimit dhe Vëllaznimit. Portokallezinjtë, që janë skuadra e vetme pa humbje këtë edicion, kanë shënuar shtatë fitore në shtatë ndeshje. Në anën tjetër, Kuqezinjtë kanë një fitore e gjashtë humbje. Takimin e parë e fitoi skuadra prizrenase me rezultat bindës 69:106.

    ProCredit Superliga – Java 8

    E mërkurë

    18:45 Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli

    18:45 Rahoveci 029 – Bora

    E enjte

    18:45 Bashkimi – Vëllaznimi

    20:00 GO+ Peja – Trepça

  • Rama: Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve, do të punojmë jashtë orarit për procesimin e pagesave

    Rama: Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve, do të punojmë jashtë orarit për procesimin e pagesave

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, konfirmoi se ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve nga Ministria e Financave për Komunën e Prishtinës.

    Rama tha se Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave.

    “Lajm i mirë për qytetarët dhe punëtorët e Kryeqytetit: më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave. Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt. Presim që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria. Falënderojmë qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin!”, ka shkruar Rama.

  • Një në gjashtë gjermanë janë të shqetësuar për humbjen e vendit të punës për shkak të Inteligjencës Artificiale

    Një në gjashtë gjermanë janë të shqetësuar për humbjen e vendit të punës për shkak të Inteligjencës Artificiale

    Rreth 16% e punonjësve në Gjermani besojnë se puna e tyre mund të jetë në rrezik për shkak të Inteligjencës Artificiale (IA), sipas një ankete të publikuar të hënën.

    Raporti i tregut të punës 2025 nga platforma e karrierës Xing zbuloi se trendi është në rritje, me një numër më të lartë se 14% vitin e kaluar.

    Nga 2,000 punonjës të pyetur për anketën përfaqësuese, rreth 29% thanë se besojnë se IA do të zëvendësojë shumë punëtorë njerëzorë.

    Megjithatë, perspektiva ndryshonte midis grupmoshave, me vetëm 25% të të moshuarve nga 25 deri në 34 vjeç që thanë se besonin se shumë vende pune ishin në rrezik për shkak të IA-së, krahasuar me 32% midis atyre të moshës 18 deri në 25 vjeç dhe 55 deri në 65 vjeç.

    Të rriturit më të rinj kishin më shumë gjasa të bien dakord se IA do të ndihmojë në krijimin e mundësive të reja për inovacion dhe zgjidhje, ndërsa vetëm 21% e atyre të moshës 45 vjeç e lart ndanin optimizmin.

    Sipas një studimi nga Instituti Gjerman për Kërkime në Punësim (IAB) dhe të tjerë të botuar në nëntor, ndërsa IA ka të ngjarë të shkaktojë trazira të konsiderueshme në tregun e punës, numri i përgjithshëm i vendeve të punës pritet të mbetet i qëndrueshëm.

    Siç theksohet më tej, rreth 1.6 milion vende pune do të preken nga ndryshimi strukturor, me disa që do të humbasin dhe të tjera që do të krijohen gjatë periudhës së parashikimit, zbuluan studiuesit.

    Sektori i IT-së dhe shërbimeve të informacionit besohet se do të përfitojë veçanërisht nga zhvillimet, me kërkesën që pritet të çojë në rreth 110,000 vende të reja pune.

    Ndërkohë, rreth 120,000 vende pune mund të humbasin në sektorë të tillë si shërbimet e korporatave. /Telegrafi/

  • Haxhiu: KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi, ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm

    Haxhiu: KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi, ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar zhvillimet e fundit që po ndodhin në Këshill Prokurorial të Kosovës (KPK) e për cka ka thënë se prej KPK prehj kohësh është e kapur nga grupet e interesit që nuk kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial por mbrojtjen e interesave të tyre dhe individëve jashtë Këshillit.

    “Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit. Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm. Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion”, ka shkruar Haxhiu.

    Haxhiu shkruan mes tjerash edhe për reformat në drejtësi.

    “Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar. Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë. Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi”, përfundon shkrimin Haxhiu.

  • Aksident i rëndë në Zvicër: 18-vjeçari kosovar po bënte gara me shokë, një person humb jetën

    Aksident i rëndë në Zvicër: 18-vjeçari kosovar po bënte gara me shokë, një person humb jetën

    Dy aksidente të njëpasnjëshme tronditën autostradën A3 në drejtim të Cyrihut të hënën mbrëma, ku si pasojë një burrë 50-vjeçar humbi jetën, ndërsa disa persona të tjerë u lënduan. Shkak fillestar i ngjarjeve dyshohet të ketë qenë një 18-vjeçar me prejardhje nga Kosova.

    Sipas Policisë së Aargaut, aksidenti i parë ndodhi rreth orës 20:45, kur i riu kosovar, banues në Fricktal, duke drejtuar një BMW 330 Cabrio, humbi kontrollin mbi automjetin. Makina doli nga rruga, u përmbys dhe përfundoi në barrierën qendrore të autostradës. Shoferi u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar të Bazelit, ku sipas të dhënave të para lëndimet e tij nuk janë të rënda, ndërsa automjeti pësoi dëme totale, shkruan 22min.ch.

    Hetimet fillestare tregojnë se shpejtësia e tepërt ka luajtur rol vendimtar në aksident. Policia po ashtu dyshon se në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe dy automjete të tjera të tipit BMW, të drejtuara nga shokët e 18-vjeçarit – një zviceran dhe një italian, të dy 18-vjeçarë nga Fricktali. Të dy këta shoferë janë arrestuar përkohësisht, ndërsa Prokuroria e Rheinfelden-Laufenburg ka hapur procedurë penale.

    Aksidenti i parë krijoi një kolonë të gjatë trafiku, ndërsa forcat e policisë u detyruan të mbyllin një korsi për procedurat e hetimit. Pikërisht kjo situatë çoi në aksidentin e dytë tragjik, rreth orës 23:40. Një Volvo, që udhëtonte në korsinë e majtë, u përplas me shpejtësi të plotë në pjesën e pasme të një kamioni të ndalur në fund të kolonës. Përplasja e fuqishme e futi automjetin nën rimorkion e kamionit.

    Megjithëse ndihmuesit e parë kryen menjëherë masa ndihmuese dhe shërbimet e urgjencës nisën reanimimin, shoferi i Volvos – një 50-vjeçar gjerman me banim në kantonin Schwyz – nuk arriti të mbijetojë. Shoferi i kamionit nuk u lëndua.

  • Trump njoftoi mbylljen e hapësirës ajrore të Venezuelës, reagon OKB-ja

    Trump njoftoi mbylljen e hapësirës ajrore të Venezuelës, reagon OKB-ja

    OKB-ja bëri thirrje të hënën për respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar për të garantuar sigurinë e aviacionit civil ndërkombëtar pas njoftimit të SHBA-së se hapësira ajrore e Venezuelës do të “mbyllej plotësisht”.

    Qëndrimi i OKB-së mbetet “i qëndrueshëm” mes tensioneve në rritje, u tha gazetarëve Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm.

    Ai u bëri thirrje vendeve të tregojnë respekt ndaj detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë Kartën e OKB-së dhe të gjitha kornizat ligjore në fuqi.

    Dujarric theksoi nevojën për të përdorur mekanizmat ekzistues për të adresuar çështjet “duke siguruar në mënyrë paqësore sigurinë dhe lidhshmërinë e aviacionit civil ndërkombëtar”.

    Duke iu përgjigjur një raporti në The Washington Post që pretendonte se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi një sulm të dytë për të vrarë dy të mbijetuar të një sulmi fillestar ndaj një anijeje të dyshuar për drogë, Dujarric tha se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres “mbetet thellësisht i shqetësuar” për sulmet ndaj anijeve që dyshohet se transportojnë persona të përfshirë në trafikun e drogës.

    Shtëpia e Bardhë konfirmoi të hënën se Hegseth kishte autorizuar urdhrin më 2 shtator, por se ai ishte lëshuar nga Admirali i Marinës Frank Bradley, për të cilin zëdhënësja Caroline Leavitt tha se po punonte “brenda autoritetit të tij dhe ligjit” duke drejtuar sulmin vdekjeprurës.

    Dujarric i referoi gazetarët te një deklaratë e bërë nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i cili më parë kishte lënë të kuptohet se sulmet ushtarake mund të shkelin ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe kishte bërë thirrje për hetime mbi sulmet.

    Thirrja vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi së fundmi në mediat sociale se do të “mbyllte plotësisht” hapësirën ajrore të Venezuelës, gjë që e shtyu Karakasin të kërkonte “respekt të pakushtëzuar” për hapësirën e saj ajrore.

    SHBA-të kanë zgjeruar operacionet ushtarake në të gjithë Amerikën Latine në muajt e fundit, duke vendosur marinsat, anije luftarake, avionë luftarakë, bombardues, nëndetëse dhe dronë.

    Javën e kaluar, Trump tha se SHBA-të do të ndërmarrin “shumë shpejt” veprime kundër trafikantëve të drogës venezuelianë në tokë.

    Që nga shtatori, ushtria amerikane ka kryer 21 sulme ndaj anijeve që pretendonte se ishin të ngarkuara me drogë, duke vrarë 83 persona.

  • Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kërkon takim urgjent me kryesuesin dhe anëtarët e KPK-së

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kërkon takim urgjent me kryesuesin dhe anëtarët e KPK-së

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, i ka kërkuar atij mbajtjen e një takimi urgjent, ku do të sigurohet të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit. Takimi u thirr pas zhvillimeve të fundit në këtë institucion.

    E-maili të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, rezulton t’i jetë dërguar Hajdarajt nga ushtruesja e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, në të cilën takimi është kërkuar për datën 3 dhjetor.

    “Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së”, thuhet në e-mail.

    Më poshtë e gjeni e-mailin e plotë:

    “I nderuar zotëri Hajdaraj,

    Si Ushtruese e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, dëshiroj t’ju kërkoj një takim urgjent të mërkurën, më 3 dhjetor, në orën 10:00 ose 11:00, varësisht nga koha kur jeni të disponueshëm ju dhe anëtarët e KPK-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në KPK, si vazhdim i çështjes së ngritur nga Ambasadori Orav në letrën e tij të 28 majit drejtuar anëtarëve të Këshillit.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së. Ju kërkojmë me mirësi të bëni organizimin për të siguruar që të gjithë anëtarët të kenë mundësinë të marrin pjesë.

    Do të ishim mirënjohës nëse do të na konfirmonit kohën e zgjedhur të takimit; jam e gatshme t’ju bashkohem juve dhe anëtarëve të KPK-së në ambientet tuaja.
    Faleminderit për bashkëpunimin, me respekt,
    Eva PALATOVÁ
    Zëvendës-shefe e Zyrës / Shefe e Stafit të Përfaqësuesit Special të BE-së“.

    Ndryshe, Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

    Ndërkaq, në mbledhjen e radhës e cila u mbajt të hënën më 1 dhjetor. në sallë mori pjesë edhe ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarët e mbetur në mbledhjen e 20 nëntorit. Ai deklaroi se do të marrë pjesë vetëm si anëar ex-officio pa ndërhyrë në diskutime apo vendimmarrje deri në një vendim të gjykatës për rastin e kontestuar. Takimi u zhvillua mes debatesh, ku një pjesë e anëtarëve kërkuan largimin e tij nga mbledhja, duke argumentuar se prania e tij bën kuorumin e paligjshëm.

    Pas përplasjeve verbale, disa anëtarë- përfshirë Visar Krasniqin, Veton Shabanin, Dardan Vuniqin dhe Arian Gashin lëshuan takimin, ndërsa për rend të ditës u propozua edhe shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj. Lidhur me krizën në KPK, u diskutua edhe mbrëmë në “Tempus“.

  • Realizohet për herë të parë zëvendësimi i harkut të aortës në QKUK

    Realizohet për herë të parë zëvendësimi i harkut të aortës në QKUK

    Për herë të parë në Kosovë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, është realizuar zëvendësimi i harkut të aortës përmes procedurës së njohur ndërkombëtarisht Frozen Elephant Trunk (FET).

    Krahas saj, mjekët kanë kryer edhe zëvendësimin e rrënjës së aortës, të njohur si Bentall procedurë.

    Pacienti, i cili dy vite më parë kishte pësuar një problem serioz me aortën dhe ishte operuar jashtë vendit, me kalimin e kohës kishte shfaqur nevojë për një ndërhyrje të re për shkak të përkeqësimit të gjendjes dhe dëmtimeve shtesë në pjesë të ndryshme të aortës.

    Ekipi operues u udhëhoq nga Prof. Dr. Omer Xhemali, drejtor në Kardiokirurgjinë e Spitalit Universitar të Cyrihut dhe udhëheqës i Aleancës për Kardiokirurgji në Cyrih, së bashku me Dr. Petar Risteski dhe anesteziologen Dr. Bettex Dominique. Ata punuan në bashkëpunim të ngushtë me ekipin vendor të kardiokirurgëve dhe anesteziologëve të QKUK-së për të realizuar me sukses këtë operacion kompleks dhe të avancuar.

    Ndërhyrje të tilla konsiderohen ndër më të vështirat në kardiokirurgji dhe zakonisht kryhen vetëm në qendra të specializuara me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ky operacion shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.

    QKUK thekson se bashkëpunimi me qendra të njohura ndërkombëtare, si Spitali Universitar i Cyrihut, është pjesë e përpjekjeve për të sjellë metoda të avancuara kirurgjikale që në të ardhmen do të bëhen pjesë e praktikës së rregullt në vend.

    Stafi i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë njofton qytetarët se për çdo nevojë që lidhet me sëmundjet e zemrës, ata mund t’i drejtohen QKUK-së, pa qenë e nevojshme kërkimi i trajtimeve në qendra të tjera jashtë vendit.