ATV

Author: G.O.

  • Tentoi të hynte në Shqipëri me 240 mijë euro të padeklaruara, arrestohet 36-vjeçari në Rinas

    Tentoi të hynte në Shqipëri me 240 mijë euro të padeklaruara, arrestohet 36-vjeçari në Rinas

    Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit në Shqipëri kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të një shume të konsiderueshme parash, gjatë kontrolleve të rregullta në pikën e kalimit kufitar.

    Sipas njoftimit, gjatë një kontrolli të thelluar në vijën e dytë, te shtetasi G. S., 36 vjeç, banues në Krujë, u gjetën 240 000 euro që ai tentonte t’i futë në Republikën e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

    Materialet e mbledhura u referuan Prokurorisë së Tiranës, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 36-vjeçarit.

    “Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me pajisje bashkëkohore, detektuese, analizës së riskut, intervistimit të thelluar, verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të shumave të konsiderueshme të parave. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 36 vjeç, banues në Krujë, të cilit gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 240 000 euro që synonte t’i fuste në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar konform ligjit”, njofton Policia e Shtetit.

    Policia Kufitare njofton se përdorimi i pajisjeve moderne, analiza e riskut, intervistimet e thelluara dhe verifikimet e dokumenteve të udhëtimit janë pjesë e strategjisë për parandalimin dhe zbulimin e paligjshmërisë në kufi. /Telegrafi/

  • Gjuha e Sami Kurteshit, Ambasadori francez mbështet qëndrimin e BE-së: Mediat janë pjesë e domosdoshme e demokracisë funksionale

    Gjuha e Sami Kurteshit, Ambasadori francez mbështet qëndrimin e BE-së: Mediat janë pjesë e domosdoshme e demokracisë funksionale

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka shpërndarë reagimin e Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me sulmet verbale ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) nga anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

    Duke ripostuar reagimin e BE-së, ambasadori Guerot shkroi se “Plotësisht e mbështes deklaratën e BE-së. Media janë pjesë e një demokracie funksionale”, duke theksuar se raportimi i lirë dhe i pavarur është thelbësor për çdo shoqëri demokratike.

    Zyra e BE-së në Kosovë në një reagim ditën e sotme, ka dënuar gjuhën e përdorur nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe mediumeve në vend, përfshirë Reporteri.net.

    BE ka bërë thirrje që këto praktika të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave të marrin fund.

    “BE-ja në Kosovë e dënon sulmin dhe gjuhën e përdorur nga anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili e quajti Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK “aleancë të grupeve kriminale”, dhe bën thirrje që praktika të tilla të marrin fund. Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – 🇪🇺 do të vazhdojë ta mbështesë 🇽🇰 në zhvillimin e saj”, thuhet në reagim.

  • Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt dhe Fazliut

    Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt dhe Fazliut

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut të cilët së bashku me Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Vendimet e ndara për secilin janë marrë nga gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Vendimi për Thaçin

    Serbia ia cakton një muaj paraburgim Avni Qenajt, ankohet për presion psikologjik
    Në rastin ku Thaçi akuzohet se udhëhoqi tri grupe të ndara për të ndikuar tek dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen në të cilën së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

    Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se i mbrojturi i saj nuk përbën një rrezik për arratisje dhe se mbyllja e afërt e fazës së provave në për krime lufte, si dhe transferimi i kësaj çështjeje në fazën e gjykimit, së bashku me natyrën e provave të Prokurorisë, justifikojnë një vlerësim të ri të rreziqeve të supozuara të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera nga ana e tij.

    Gjyqtari Gosnell ka thënë se meqë Apeli ka konstatuar se në rast që një prej kushteve përmbushet për vazhdimin e paraburgimit, atëherë kushtet tjera mund të mos shqyrtohen. Rrjedhimisht, ka vendosur që të mos e shqyrtojë nëse Thaçi përben rrezik të arratisjes në rast se lirohet.

    Por, në anën tjetër ka konstatuar se ai mund të ndikojë tek dëshmitarët, të pengojë procedurat dhe rrjedhimisht që të kryejë krime të tjera.

    Sipas gjyqtarit, asnjë prej kushteve alternative nuk mund t’i zvogëlojnë rreziqet që dalin nga ky proces.

    Vendimi për Smakajn

    Gosnell kishte thënë se është i mendimit se ekziston rreziku që nëse lirohet, Smakaj mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së duke u bazuar në natyrën e akuzave ndaj tij të cilat përfshijnë pretendime për ndikim në dëshmitarë.

    Edhe për Smakajn ishte konstatuar se rreziku i ndikimit në dëshmitarë është reduktuar pasi paraqitja e provave të Prokurorisë dhe Mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është mbyllur.

    Megjithatë, thuhet se Smakaj mund të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes në çështjen aktuale. Rrjedhimisht, për Smakajn thuhet se ai mund t’i pengojë procedurat dhe të kryej krime të tjera në rast që lirohet.

    Kësisoj, gjyqtari ka konstatuar se asnjë prej kushteve të propozuara më para nga mbrojtja nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet që dalin në rast që Smakaj lirohet me kusht.

    Vendimi për Fazliun

    Gjyqtari Gosnell në vendimin e tij të parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Fazliut ngjashëm sikur për dy të akuzuarit e tjerë ka thënë se ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien brenda juridiksionit të DhSK-së.

    Duke u bazuar në atë se Apeli ka deklaruar se nëse njëra nga kushtet përmbushet për caktimin e paraburgimi, kushtet e tjera nuk duhet të shqyrtohen. Rrjedhimisht, Gosnell nuk e konsideroi të nevojshëm për momentin që të bëjë konstatime lidhur me rrezikun që Fazliu mund të arratiset.

    Ndërsa, është konstatuar se ekziston rrezik real që Fazliu mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së.

    Në anën tjetër, gjyqtari ka konstatuar se rreziku i pengimit të dëshmitarëve të Prokurorisë është reduktuar në krahasim me periudhat e shqyrtimeve të mëparshme të paraburgimit.

    “Gjykatësi i vetëm vëren se dëshmitarët që do të paraqiten për SPO-në, duke marrë parasysh rrethanat e tyre, nuk pritet të jenë subjekt i ndonjë ndikimi nga z. Fazliu ose nga dikush që mund të veprojë në emër të tij”, thuhet në vendim.

    Megjithatë, gjyqtari ka konstatuar se ekziston rreziku që Fazliu të ndikojë tek dëshmitarët potencial të mbrojtjes dhe nëse lrohet mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së. Rrjedhimisht, ai mund të kryejë edhe krime të tjera.

    Gjyqtari i vetëm ka thënë se çdo kusht i mundshëm që mund të vendoset nuk e adreson mundësinë që Fazliu mund të përdorë pajisje komunikimi të personave të tjerë, nuk mund të monitorohen plotësisht komunikimet e Fazliut me djalin e tij i cili përmendet në aktakuzë si dhe çdo masë e vendosur nuk mund të jetë efektive sikur qendra e paraburgimit.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Nazif Muslija nga Maqedonia kërkohet nga policia italiane pasi gruaja iu gjet e vdekur në dhomën e gjumit në Ankona

    Nazif Muslija nga Maqedonia kërkohet nga policia italiane pasi gruaja iu gjet e vdekur në dhomën e gjumit në Ankona

    Kërkimet e policisë italiane po vazhdojnë ende për Nazif Muslijajn një 50-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, i cili është kërkuar që nga dje, pasi trupi i pajetë i gruas së tij u gjet në dhomën e tyre të gjumit në Pianello di Monte Roberto, në provincën e Ankonës.

    Karabinierët janë në gjurmët e tij, kërkimi i të cilit vazhdon vazhdimisht.

    Siç raporton Rai News, Nazif Muslija, ishte punëtor në një kompani lokale dritaresh dhe dyersh dhe ishte arrestuar prillin e kaluar për keqtrajtim.

    Gruaja e tij, Saxhide Muslija, 49 vjeçare, ishte e punësuar si punëtore në një kompani paketimi, dhe punëdhënësi i saj, kur ajo nuk u paraqit në punë dje, ngriti alarmin.

    Çifti ka një djalë 30-vjeçar, të martuar dhe që jeton në Zvicër.

    Foto e publikuar nga mediat italiane:

  • Haradinaj prezanton Burim Ramadanin si kandidat për deputet

    Haradinaj prezanton Burim Ramadanin si kandidat për deputet

    Analisti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani është rikthyer në AAK.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Burim Ramadani do të garojë për deputet të Kuvendit të Kosovës në listën e AAK-së.

    Haradinaj ka mirëpritur kandidimin e tij, duke e cilësuar si një nevojë për Kosovën.

    Haradinaj e ka cilësuar Ramadanin si “mendje të kthjellët që punon për sigurinë e shtetit” dhe si një ndër profesionistët më të përgatitur që ai njeh. Sipas tij, integriteti dhe përvoja e Ramadanit e bëjnë atë “një vlerë të veçantë për Kosovën”.

  • Adriana Matoshi për deklaratat e Sami Lushtakut: As që jam e interesuar t’i komentoj

    Adriana Matoshi për deklaratat e Sami Lushtakut: As që jam e interesuar t’i komentoj

    Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi nuk ka dashtë ta komentojë deklaratën të cilën e bëri Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku kundrejt saj që sipas tij “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike”.

    Matoshi për Ekonomia Onlien tha se nuk ka interesim për ta komentuar.

    “As që jam e interesuar të jap ndonjë koment”, tha shkurt Matoshi.

    Ndërsa Lushtaku pas betimit të tij si Kryetar tha se “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë”.

    Lushtaku i drejtohet Adriana Matoshit: Niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi

  • Lushtaku i drejtohet Adriana Matoshit: Niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi

    Lushtaku i drejtohet Adriana Matoshit: Niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përdorur gjuhë të rëndë ndaj ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, duke thënë se niveli i saj është “sikur kur del prej një shtëpie publike”.

    Këto deklarata Lushtaku i dha të enjten pasi u betua si kryetar i Skenderajt, pasi u pyet për deklaratat e Matoshit, e cila e akuzonte Lushtakun se kishte blerë toka me çmim qesharak e më pas i kishte shitur me çmime astronomike.

    “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë. Prandaj, të gjithë ne që jemi në politikë duhet të kemi kujdes maksimal, të mos ofendojmë. Nëse ka dikush vërejtje për punën dhe angazhimin tonë, le të flasin me fakte”, ka thënë Lushtaku para mediave.

  • Ambasadori britanik i shkon në zyrë Abdixhikut

    Ambasadori britanik i shkon në zyrë Abdixhikut

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Në këtë takim nga LDK njoftojnë se është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj këtyre zhvillimeve, me theks të veçantë në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

    “Kryetari Abdixhiku e informoi ambasadorin britanik për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për zgjedhjet nacionale dhe angazhimin e partisë për një proces demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Po ashtu theksoi mobilizimin e strukturave në të gjitha komunat, finalizimin e programit qeverisës, si dhe angazhimin e partisë për një fushatë konstruktive dhe të orientuar kah qytetari. Kryetari Abdixhiku nënvizoi se LDK-ja është e gatshme të paraqesë një ofertë serioze dhe vizionare për të ardhmen e vendit, duke u mbështetur në përvojën institucionale që ka. Kryetari Abdixhiku i shprehu mirënjohjen ambasadorit Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në proceset e saj më të rëndësishme shtetformuese dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

  • Mjekët zbulojnë shkakun e fshehur të lodhjes së vazhdueshme

    Mjekët zbulojnë shkakun e fshehur të lodhjes së vazhdueshme

    Edhe pse shumë njerëz i përmbahen një orari të rregullt gjumi dhe bëjnë gjithçka që munden për të përmirësuar cilësinë e gjumit të tyre, lodhja në mëngjes është ende shumë e zakonshme.

    Ekspertët paralajmërojnë se në situata të tilla, është e nevojshme të merret në konsideratë mundësia e mungesës së vitaminave thelbësore, të cilat lejojnë funksionimin e duhur të qelizave, trurit dhe formimin e qelizave të kuqe të gjakut.

    “Vitaminat thelbësore janë ato që trupi ka nevojë për të funksionuar normalisht, por ne duhet t’i marrim ato përmes ushqimit – që është opsioni më i mirë – ose përmes suplementeve”, thotë mjekja Dr. Marie Ramas për Parade. Nëse nuk ka mjaftueshëm prej tyre, trupi mund të fillojë të “mbetet prapa”.

    Një vitaminë specifike shpesh lidhet me lodhjen e vazhdueshme – vitamina B12. Dr. Ramas thotë, “Niveli i ulët i vitaminës B12 mund të kontribuojë në problemet e kujtesës, luhatjet e humorit dhe lodhjen mendore.” Dr. Tatiana Echeverry, një mjeke, shton, “Mungesa e vitaminës B12 mund të shkaktojë lodhje sepse kjo vitaminë luan një rol në krijimin e energjisë qelizore. Pa mjaftueshëm vitaminë B12, trupi nuk mund t’i zbërthejë yndyrnat, proteinat ose karbohidratet në energji.”

    “Është e rëndësishme të identifikohet dhe trajtohet shkaku specifik”

    Mjeku Dr. Raj Dasgupta thekson gjithashtu rolin e saj në gjak. “Vitamina B12 ndihmon trupin të krijojë qeliza të reja të kuqe të gjakut”, shpjegon ai, duke paralajmëruar se mungesa e saj mund të çojë në anemi dhe transport të dobët të oksigjenit në inde.

    Simptomat e mungesës së vitaminës B12 mund të ndryshojnë, varësisht nga ashpërsia, vëren Dr. Dasgupta. Sipas tij, “Shumica e njerëzve e përshkruajnë atë si lodhje të rëndë dhe të vazhdueshme që nuk është në përputhje me nivelin e aktivitetit të tyre”. Në raste më të rënda, mund të shfaqen çrregullime neurologjike dhe psikologjike.

    Dr. Dasgupta paralajmëron: “Këto simptoma shpesh shkaktohen nga dëmtimi i sistemit nervor, i cili mund të bëhet i përhershëm nëse nuk trajtohet.” Një test i thjeshtë laboratorik mund të konfirmojë nivelet e vitaminës B12, si dhe çdo anomali në numërimin e qelizave të gjakut.

    Megjithatë, shkaku i lodhjes nuk lidhet gjithmonë me vitaminën B12. Psikiatri Dr. Alex Dimitriu thekson: “Është e rëndësishme të kuptohet se shumica e njerëzve në botën moderne nuk kanë mungesë të vitaminës, përveç grupeve të caktuara.” Në praktikën klinike, stresi dhe mungesa e gjumit tregohen më shpesh si shkaqet kryesore të lodhjes.

    Rekomandohet një qasje “ushqimi i pari”, ndërsa suplementet duhet të vendosen nga një mjek. “Është e rëndësishme të identifikohet dhe trajtohet shkaku specifik, në vend që të mbështetemi vetëm te suplementet”, përfundoi Dr. Dasgupta.

  • Thani çarçafët më shpejt në dimër duke përdorur këtë metodë

    Thani çarçafët më shpejt në dimër duke përdorur këtë metodë

    Me ardhjen e motit të ftohtë, tharja e rrobave bëhet një sfidë e vërtetë. Nëse nuk keni makinë për tharjen e rrobave, kjo bëhet edhe më e vështirë.

    Për njerëzit që jetojnë në shtëpi të vogla, tharja e çarçafëve në dimër mund të duket pothuajse e pamundur.

    Megjithatë, ka disa mënyra që mund t’i ndihmojnë rrobat të thahen më shpejt dhe të mos marrin erë lagështie.

    Martin Seeley, ekspert i gjumit dhe CEO i MattressNextDay, ka ndarë disa këshilla praktike për tharjen e rrobave pa tharëse. Truku më i mirë sipas tij kërkon vetëm një peshqir të pastër.

    Ai tha: “Peshqirët prej pambuku janë thithës, kështu që kur i mbështillni çarçafët e lagur brenda një peshqiri, ai tërheq sasi të madhe uji të tepërt”.

    Si ta bëni si duhet:

    – Shtroni një peshqir të pastër dhe të thatë mbi një sipërfaqe të madhe.

    – Vendosni çarçafin e lagur sipër tij.

    – Mblidhini së bashku fort, si të ishte një rrotull.

    – Shtypeni mirë, ose madje shkelni lehtë mbi të, që peshqiri të thithë sa më shumë lagështi.

    Pasi ta hapni rrotullimin, vareni çarçafin pranë një vendi të ngrohtë ose në një dhomë me qarkullim të mirë ajri. Ai tha se në këtë mënyrë, çarçafi thahet dukshëm më shpejt, sidomos në ditët e ftohta dhe me lagështi.

    Këshilla e dytë është të lani çarçafët herët në mëngjes, që t’u jepni gjithë ditën për t’u tharë.

    Martin shpjegoi: “Nëse i lani në mbrëmje, ajri i ftohtë e ngadalëson tharjen. Nëse mundeni, niseni larjen para mesditës që çarçafët të përfitojnë nga ngrohtësia dhe qarkullimi i ajrit gjatë ditës”.