ATV

Author: G.O.

  • Moti sot: I vranët, me reshje të herëpashershme shiu

    Moti sot: I vranët, me reshje të herëpashershme shiu

    Sot pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell, ku pritet herë pas here të ketë reshje të pakta lokale shiu.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes, me shpejtësi prej 15-38 km/h, njofton MeteoKosova, transmeton Sinjali.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 11°C.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se sot është afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit brenda komunës, me rastin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit

    “Deri më tani, 16.100 votues kanë aplikuar për të ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit”, deklaron KQZ-ja.

    Qendrën tuaj të votimit mund ta ndërroni online ose në zyrën e komisionit komunal të zgjedhjeve, në komunën ku banoni.

    Ky është njoftimi i plotë i KQZ-së:

    Verifiko Qendrë tënde të Votimit!

    Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 6 dhjetor 2025

    Deri më tani, 16.100 votues kanë aplikuar për të ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit.

    Online: https://qv.kqz-ks.org/sq/

    Në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën tënde

    Për më shumë informata:

    WhatsApp / Viber: +383 46 13 00 13

    Telefono pa pagesë: 0800 55 555

  • Apeli i Speciales me vendim rreth zhdëmtimeve në rastin Mustafa

    Apeli i Speciales me vendim rreth zhdëmtimeve në rastin Mustafa

    Paneli i Gjykatës së Apelit sot miratoi, me shumicë, një aspekt të apelit të Mustafës kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm të 16 korrikut 2025 në lidhje me pagesën e normës së interesit në lidhje me Urdhrin për Zhdëmtim.

    Paneli konstatoi, me mendimin pjesërisht të ndarë të Gjykatës Pikar, se, duke urdhëruar normën e interesit për t’u paguar për shumën e papaguar të zhdëmtimit që nga shpallja e aktgjykimit, Gjykatësi i Vetëm veproi jashtë fushëveprimit të kompetencave të veta dhe, rrjedhimisht prapësoi vendimin sa i përket zbatimit të normës së interesit dhe detyrimeve për raportim lidhur me të.

    Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Gjykimi u zhvillua nga 15 shtatori 2021 deri më 15 shtator 2022.

    Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, Mustafa u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe u dënua me 26 vjet burgim. Më 5 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

    Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit zvogëloi dënimin e tij në 22 vjet burgim. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik 2024, çështja iu kthye përsëri Panelit të Apelit për të shqyrtuar uljen e dënimit.

    Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi një dënim të ri të njësuar prej 15 vitesh, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore ishin 8 viktima pjesëmarrëse.

  • Osmani takon ambasadorin francez – U diskutua për zgjedhjet në vend dhe heqjen e masave të BE-së

    Osmani takon ambasadorin francez – U diskutua për zgjedhjet në vend dhe heqjen e masave të BE-së

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

    Osmani e Guérot diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor.

    “Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull. Në takim u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, përfshirë komunave në veri të vendit, proces ky që u realizua sot.” – thuhet në njoftim.

    Osmani ka theksuar urgjencën e heqjes së masave të BE-së të cilat padrejtësisht e pa asnjë arsye janë ende në fuqi dhe po dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

  • Lushtaku emëron Fadil Nurën nënkryetar komune

    Lushtaku emëron Fadil Nurën nënkryetar komune

    Kryetari i sapozgjedhur i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, pasi ka marrë detyrën e kryetarit, ka marrë vendimin e parë të tij.

    Ai ditën e sotme ka emëruar Fadil Nurën si nënkryetar të Skenderajt.

    Lushtaku e ka quajtur Nurën si një mik dhe bashkëpunëtor prej vitesh.

    “Me bashkëpunimin tonë shumëvjeçar, me përvojën dhe profesionalizmin që e ka dëshmuar në çdo detyrë, jam i bindur se do të punojmë krah për krah, për t’i çuar përpara projektet që i kemi nisur gjatë mandatit të Fadilit si kryetar komune, për t’u ofruar qytetarëve punë të ndershme e rezultate konkrete!”, shkroi ai në një postim shpërndarë së fundmi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Me vendimin tim të parë si kryetar i komunës së Skenderajt, kam emëruar Fadil Nurën nënkryetar komune, një mik e bashkëpuntor i imi për vite me radhë.

    Me bashkëpunimin tonë shumëvjeçar, me përvojën dhe profesionalizmin që e ka dëshmuar në çdo detyrë, jam i bindur se do të punojmë krah për krah, për t’i çuar përpara projektet që i kemi nisur gjatë mandatit të Fadilit si kryetar komune, për t’u ofruar qytetarëve punë të ndershme e rezultate konkrete!

  • Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

    Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

    Komiteti për Evropën i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA mbajti të martën një seancë dëgjimore me temën “Pika e nxehtë: rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Në një analizë të publikuar në Peacefare.net, profesori amerikan Daniel Serwer vlerësoi se, ndonëse rajoni ende nuk është “pikë e nxehtë”, ai shumë lehtë mund të kthehet në të tillë.

    Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e stabilitetit, por mungesa e ndryshimit politik demokratik, pasi “stabiliteti aktual mbahet përmes korrupsionit, tensioneve etnike dhe autokracisë”.

    Gjatë seancës, dëshmitarët dhe anëtarët e Kongresit amerikan u pajtuan se Serbia mbetet një prej faktorëve më të mëdhenj destabilizues në Ballkan, për shkak të korrupsionit të përhapur, qeverisjes gjithnjë e më autokratike, lidhjeve të ngushta ushtarake e tregtare me Kinën si dhe marrëdhënieve të forta politike e ekonomike me Rusinë.

    Serwer shtoi se përpjekjet e viteve të fundit për ta orientuar Serbinë drejt Perëndimit kanë dështuar.

    Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka asnjë interes të frenojë korrupsionin, të distancohet nga Moska dhe Pekini, apo të garantojë më shumë liri mediatike dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë.

    Duke folur për situatën në Kosovë, Serwer theksoi se vendi ka nevojë për më shumë sovranitet, jo më pak.

    Ai paralajmëroi se statusi i paqartë i Kosovës krijon hapësirë për ndikim rus dhe kinez.

    “Mbështetja e pakushtëzuar për Kosovën duhet të jetë prioritet, sidomos përballë presionit serb”, deklaron ai.

  • Policia gjen prova, grupi i trajnuar në Serbi synonte destabilizimin e Moldavisë

    Policia gjen prova, grupi i trajnuar në Serbi synonte destabilizimin e Moldavisë

    Policia moldaviane tha se ka kryer rreth 50 bastisje në vende të shumta në vend, ku ka gjetur prova se një grup i organizuar – i trajnuar më parë në një kamp në Serbi – po planifikonte të shkaktonte trazira në Moldavi.

    “Grupi i organizuar dyshohet se veproi me qëllimin për të kryer aktivitete të paligjshme në shkallë të gjerë dhe në këmbim të përfitimit financiar”, tha policia moldaviane në një komunikatë.

    Në komunikatë thuhet se grupi ishte stërvitur më parë në një kamp në Banja Kovilaça, në Serbinë perëndimore, dhe se qëllimi ishte “të krijonte tension shoqëror, i ndjekur nga nisja e protestave të dhunshme me qëllim që të ndikonte në rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve moldavianë”.

    Më 26 shtator, policia në Serbi arrestoi dy persona të akuzuar për organizimin e trajnimit taktik-luftarak për qytetarët e Moldavisë dhe Rumanisë, i cili kishte për qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi.

    Arrestimet ndodhën pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve të luftimit në Serbi, duke pretenduar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me qëllim destabilizimin e Moldavisë gjatë zgjedhjeve të fundit në vend.

    Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.

    Policia në Serbi njoftoi se trajnimi u zhvillua nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt ushqimi pranë Loznicës në Serbinë perëndimore dhe se në të morën pjesë midis 150 dhe 170 qytetarë të Moldavisë dhe Rumanisë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në tetor se nuk mund të pretendonte se inteligjenca ruse ishte pas kampit, por se policia kishte ndaluar persona me kombësi serbe “që ishin të disponueshëm”, shkruan REL.

    Policia moldaviane shtoi se gjatë kontrollit, ndër të tjera, sekuestroi karta bankare, disa prej të cilave ishin lëshuar nga institucione financiare nga Rusia, mbi 20 pasaporta biometrike me vula për kalimin e kufirit me Serbinë, stacione radioje, dylbi, plumba të kalibrave të ndryshëm për armë vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse.

    Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Serbi nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Radios Evropa e Lirë për më shumë informacion në lidhje me këtë rast.

  • PZAP-ja rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    PZAP-ja rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në vendimin e PZAP-së thuhet se aprovohet rekomandimi I Zyrës për Çertfikim dhe Kontroll Financiar në KQZ dhe Lista Serbe çertifikohet për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “APROVOHET ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. protokolli 01/3562/2025, datë 02.12.2025, NDRYSHOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. protokolli 01/3562/2025, datë 02.12.2025, ashtu që PRANOHET rekomandimi i Zyrës për Çertifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 02.12.2025, ÇERTIFIKOHEТ subjekti politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendim.

  • Policia e Kosovës parandalon rastin e kontrabandës me kafe, ndalon 3600 kg mall

    Policia e Kosovës parandalon rastin e kontrabandës me kafe, ndalon 3600 kg mall

    Policia e Kosovës ka njoftuar së fundmi se Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë – Veri ka parandaluar një rast kontrabande me mallra.

    Sot, rreth orës 10:40, në fshatin Joshanicë, komuna e Leposaviqit, afër vijës kufitare me Serbinë, është ndaluar një furgon me targa të Serbisë.

    Në automjet janë gjetur 62 thasë të mbushura me kafe, duke arritur një sasi totale prej rreth 3600 kilogramësh. Dyshohet se kjo kafe është kontrabanduar nga territori i Serbisë për në Kosovë.

    Për këtë rast, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar një person i dyshuar, i cili pas marrjes në pyetje është liruar. Ndërkohë, automjeti dhe ngarkesa janë dërguar në terminalin doganor për trajtim të mëtutjeshëm nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

  • BQK zhvillon vizitë zyrtare në Estoni, synohet thellimi i bashkëpunimit financiar

    BQK zhvillon vizitë zyrtare në Estoni, synohet thellimi i bashkëpunimit financiar

    Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i udhëhequr nga guvernatori Ahmet Ismaili, ka realizuar një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Estonisë (Eesti Pank) dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë (Finantsinspektsioon), me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushat kyçe të mandateve të tyre.

    Delegacioni u mirëprit në Eesti Pank nga guvernatori Madis Müller dhe zëvendësguvernatori Ülo Kaasik. Takimi i nivelit të lartë mes Ismailit dhe Müller-it shënoi hapjen e vizitës. Gjatë prezantimit të tij, guvernatori Müller paraqiti rolin dhe prioritetet strategjike të bankës qendrore të Estonisë.

    “Ne kemi ndërtuar një kornizë operacionale që mbështet stabilitetin dhe zhvillimin financiar, duke u fokusuar në transparencë dhe inovacion,” tha Müller gjatë takimit.

    Ndërsa guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe në rajon, duke nënvizuar progresin e sektorit financiar dhe afrimin me praktikat evropiane.

    “Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të kornizës sonë rregullatore dhe mbikëqyrëse. Përafrimi me standardet e BE-së mbetet prioritet yni strategjik,” theksoi ai.

    Pas takimit të nivelit të lartë, ekipet teknike të të dy institucioneve zhvilluan sesione të detajuara mbi analizat makroekonomike, mbikëqyrjen makroprudenciale, monitorimin e rrezikut, raportimin e të dhënave dhe qasjen në të dhëna të cilësisë së lartë. Diskutimet u fokusuan gjithashtu edhe në praktikat e komunikimit institucional në kontekstin e mandatit të bankave qendrore.

    Në kuadër të vizitës, delegacioni i BQK-së u takua edhe me Andres Kurgpõld, anëtar i Bordit Menaxhues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë. Ky takim shërbeu për të shkëmbyer pikëpamje mbi tregun financiar dhe sfidat mbikëqyrëse.

    “Eesti Finantsinspektsioon vazhdon të investojë në mbikëqyrjen moderne dhe të qëndrueshme, veçanërisht në fushat e sigurisë kibernetike dhe sjelljes së tregut,” tha Kurgpõld.

    Guvernatori Ismaili informoi për gjendjen e sektorit financiar në Kosovë, duke theksuar stabilitetin dhe avancimin e rregulloreve.

    “Sektori ynë financiar është në trend pozitiv zhvillimi dhe ne jemi duke punuar për forcimin e mëtejshëm të sistemeve mbrojtëse dhe praktikat e mbikëqyrjes,” u shpreh ai.

    Në nivel teknik, ekspertët e BQK-së dhe ata të Finantsinspektsioon diskutuan mbi sektorin financiar, qasjet e mbrojtjes së konsumatorit, sjelljen në treg dhe strukturën e mbikëqyrjes mikroprudenciale, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe proceset e përmbylljes bankare.

    BQK shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe organizimin e takimeve.

    “Falënderojmë Bankën Qendrore të Estonisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për bashkëpunimin e vyer. BQK mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit tonë dhe avancimin drejt standardeve evropiane,” thuhet në njoftimin e BQK-së.

    Institucioni thekson se bashkëpunimi dypalësh do të vazhdojë me synimin për të promovuar stabilitet financiar dhe rritjen e cilësisë së mbikëqyrjes në përputhje me standardet ndërkombëtare.