ATV

Author: G.O.

  • Sorensen shkruan për vizitën në Kosovë, kërkon rezultate të prekshme në dialog sivjet

    Sorensen shkruan për vizitën në Kosovë, kërkon rezultate të prekshme në dialog sivjet

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka shkruar rreth vizitës që zhvilloi dje në Kosovë, në përpjekje për ta ringjallur procesin e dialogut.

    Sorensen u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani dhe liderët e partive politike, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

    Ai ka thënë se gjatë këtyre takimeve ka pasur diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialog, për t’u siguruar që sivjet të ketë rezultatet të prekshme në këtë këtë proces, shkruan Reporteri.net.

    “Jam i lumtur që jam kthyer në Kosovë. Kam pasur takime të vlefshme dhe diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për t’u siguruar që viti 2026 të sjellë rezultate të prekshme për popullin e Kosovës. Angazhimi i vazhdueshëm mbetet thelbësor për përparimin drejt së ardhmes evropiane të Kosovës”, ka shkruar Sorensen në platformën “X”, teksa ka ndarë edhe fotografi nga takimet.

    Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar nevojën që palët të trajtohen në mënyrë të barabartë për t’u arritur sukses, si dhe ka kërkuar që procesi të përqëndrohet në njohjen reciproke.

    Kurti ndërkohë ka thënë se rezultati zgjedhor ka prodhuar një “legjitimitet të ri demokratik” që garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional.

    “Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog”.

    Ndryshe, Sorensen do ta vizitojë edhe Serbinë gjatë javës.

  • Ambasadori francez vendos lule në Reçak: Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë

    Ambasadori francez vendos lule në Reçak: Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka vendosur lule në Reçak për të nderuar 45 civilët e pafajshëm shqiptarë që u masakruan nga okupatori serb.

    Në shkrimin e ambasadës thuhet se Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë.

    “Sot, ambasadori i Francës, Olivier Guérot, vendosi lule në Reçak në nderim të 45 civilëve të pafajshëm të vrarë 27 vjet më parë. Këtu, si kudo tjetër, Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada.

  • Nagip Krasniqi ankohet në gjyq: Rasti ndaj meje është i montuar

    Nagip Krasniqi ankohet në gjyq: Rasti ndaj meje është i montuar

    Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka është deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore ku ai po gjykohet për keqpërdorim të autoritetit apo detyrës zyrtare.

    Krasniqi, në një fjalim në gjykatë të enjten ka thënë se është i bindur se rasti ndaj tij është i montuar.

    Ai ka pretenduar se Prokuroria ka kryer shkelje në rastin e tij.

    “Ky rast sipas bindjes time ky rast është i montuar. Këta kanë bërë dënimin pa u bërë gjykimi. Kemi me raste dhjetëra të tjera, për aktakuza ndaj zyrtarëve publikë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nuk ka pasur arrestim. Kjo tregon se çfarë pozicioni dhe çfarë tendence ka pasur Prokuroria në këtë rast. Prokuroria është munduar ta merr rolin e aksionarit dhe të bordit të ndërmarrjes, të merr kompetencë që ligji nuk ia jep. Bën gjykime mbi vendime menaxheriale që nuk kanë të bëjnë me Kodin Penal”, ka thënë Krasniqi.

  • BE: Masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh

    BE: Masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh

    Komisioni Evropian ka konfirmuar se të gjitha masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme në strukturat e Brukselit.

    Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim, Jan Koopman, ka bërë të ditur se, së bashku me pjesën e masave që tashmë janë hequr, për Kosovën do të lirohen mbi 400 milionë euro.

    Aktualisht, sipas tij, po punohet në fazën e programimit dhe kontraktimit.

    “Ndërmjet programimit dhe kontraktimit, ne, në mënyrë efektive, në javët e ardhshme do t’i kishim hequr të gjitha masat financiare. Kjo është pak a shumë ajo që ka thënë Presidentja jonë dhe ajo që po planifikojmë të bëjmë tani, si dhe ajo që ne në të vërtetë po bëjmë në praktikë”, tha Jan Koopman, transmeton RTK.

    Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim ka folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Situata e Kosovës në kontekstin e Planit të Rritjes, sipas tij, është relativisht e thjeshtë. Mjetet financiare do të lirohen sapo marrëveshjet përkatëse të ratifikohen – një proces që deri më tani ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

    “Tani kjo është diçka që shpresojmë se do të përfundojë së shpejti. Pas zgjedhjeve në dhjetor, presim formimin e shpejtë të qeverisë. Më pas, autoritetet mund ta finalizojnë këtë dokumentacion, i cili është thelbësor për mbrojtjen e buxhetit të BE-së dhe interesave të taksapaguesve evropianë. Pas kësaj, do të jemi në gjendje të ecim shpejt, me shpresë për të kapur ritmin”, shtoi Koopman.

    Ai ka konfirmuar gjithashtu se autoritetet kosovare kanë punuar intensivisht në këto reforma; shumë prej tyre janë përgatitur dhe mund të zbatohen shpejt. Për rrjedhojë, sipas tij, kapja e ritmit me vendet e tjera të rajonit është e mundur, por vetëm pas ratifikimit të nevojshëm në Kuvend. /RTK

  • Forca e Sigurisë së Kosovës nderon viktimat e Masakrës së Reçakut

    Forca e Sigurisë së Kosovës nderon viktimat e Masakrës së Reçakut

    Me rastin e 27-të vjetorit të Masakrës së Reçakut, delegacioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës vendosi kurora lulesh dhe bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, në nderim të martirëve të kësaj masakre.

    FSK nderoi me respekt sakrificën dhe lavdinë e të rënëve për liri, duke qëndruar pranë familjarëve të martirëve dhe duke kujtuar të vërtetën historike të Reçakut.

    Homazhe në Reçak kanë bërë edhe krerët e shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Dimal Basha, si dhe krerët e partive politike, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj.

    Prezent atje ishte edhe Ambasadori William Walker, i cili masakrën e Reçakut e bëri të njohur para botës, dhe ngriti zërin për drejtësi.

  • Gjendet i vdekur një taksist në Prizren, Policia jep detaje

    Gjendet i vdekur një taksist në Prizren, Policia jep detaje

    Policia ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në rrugën “Hajdar Shala” në Prizren, një taksist është gjetur pa shenja jete në veturën e tij.

    Sipas komunikatës së policisë, viktima është gjetur në një vendparkim të rezervuar për taksi.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë.

    Njoftim për Media:

    Me datë 15.01.2026, natën rreth orës 01:20, , Policia është njoftuar për një rast se në automjetin e tij gjendet një person pa shenja jete.

    Sipas informatave fillestare, në rrugën “Hajdar Shala”, në Prizren, një person mashkull , rreth 55 vjeçar (A.S.), banor i Prizrenit, me profesion taksist, është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij. I ndjeri ishte duke qëndruar në pritje, me automjetin e parkuar në një vendparkim të rezervuar për TAXI.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit.

    Pas pranimit të informatës, ekipi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë.

    Gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës. Rasti vazhdon të Hetohet si “Hetim I Vdekjes” .

  • E kanosi bashkëshorten përmes WhatsApp-it, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    E kanosi bashkëshorten përmes WhatsApp-it, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në Mitrovicë, ku një grua ka deklaruar se është kanosur nga bashkëshorti i saj përmes WhatsApp-it.

    Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur më 14.01.2026 rreth orës 20:30, në rrugën “Ago Agaj” në Vaganicë.

    Sipas asaj që është transmetuar tek Prokuroria, rezulton se pas një mosmarrëveshjeje për fëmijën e tyre dy muajsh, i dyshuari K. B e ka kanosur seriozisht bashkëshorten gjatë një video-thirrjeje, derisa ajo ishte tek familja e saj në Mitrovicë.

    Me rekomandimin e Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Viktima ka mbetur të qëndrojë në shtëpinë e prindërve të saj.

  • Prangoset prishtinasi, dyshohet se vodhi tre kompjuterë me vlerë mbi 5000 euro

    Një burrë është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari, në një kompani private ka vjedhur tre kompjuterë me vlerë rreth 5600 euro.

    I njëjti, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Më 14.01.2026 pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pas i njëjti dyshohet se kishte vjedhur nga një kompani private tre kompjuterë në vlerë rreth 5600 €. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Tre punëtorë të Spitalit të Mitrovicës sulmohen gjatë punës në repartin e Ortopedisë

    Tre punëtorë të Spitalit të Mitrovicës sulmohen gjatë punës në repartin e Ortopedisë

    Gjatë ditës së sotme në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, ka ndodhur një incident.

    Një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës. Sulmi ka ndodhur teksa këta po siguronin respektimin e rregullave të hyrjes në repart dhe mospraninë e personave të paautorizuar.

    Si pasojë e këtij incidenti, tre punëtorët e Spitalit kanë marrë trajtim emergjent mjekësor.

    “Sot, rreth orës 11:00, në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ka ndodhur një incident, ku një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës. Sulmi ka ndodhur teksa po siguronin respektimin e rregullave të hyrjes në repart dhe mospraninë e personave të paautorizuar. Si pasojë e këtij incidenti, tre punëtorët e Spitalit kanë marrë trajtim emergjent mjekësor. Spitali dënon çdo formë të dhunës ndaj stafit shëndetësor dhe punëtorëve të sigurimit fizik, si dhe kërkon nga organet kompetente që rasti të trajtohet shpejt, në përputhje me ligjin”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga ky spital.

  • Me kërkesë të ShBA-së, Këshilli i Sigurimit i OKB-së thërret mbledhje urgjente lidhur me Iranin

    Me kërkesë të ShBA-së, Këshilli i Sigurimit i OKB-së thërret mbledhje urgjente lidhur me Iranin

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka caktuar një mbledhje emergjente për këtë pasdite për të diskutuar zhvillimet në Iran, raporton NewsSky.

    Mbledhja është thirrur me kërkesë të SHBA-së.

    Tashmë Irani ka disa orë që ka mbyllur hapësirën ajrore, pas paralajmërimeve për një ndërhyrje të mundshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.