ATV

Author: G.O.

  • ZKA fillon auditimin mbi sigurinë e nxënësve në shkollat publike

    ZKA fillon auditimin mbi sigurinë e nxënësve në shkollat publike

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar fillimin e auditimit të performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”, i cili do të përqendrohet në klasat VI-XII për periudhën 2022-2025, në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.

    Sipas ZKA-së, ky auditim synon vlerësimin e sigurisë dhe përshtatshmërisë së ambientit shkollor, si dhe të mekanizmave që institucionet përgjegjëse kanë vendosur për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.

    “Qëllimi ynë është të sigurojmë që nxënësit të kenë një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre akademik dhe personal”, ka bërë të ditur ZKA.

    Fushëveprim i auditimit përfshin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit, si dhe Drejtoritë e Arsimit në komunat e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës.

    Po ashtu, në auditim mund të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe drejtoritë e saj rajonale, si dhe Qendrat për Punë Sociale të tri komunave të përfshira.

    ZKA ka theksuar se auditimi do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe dobësive në menaxhimin e sigurisë në shkolla dhe do të ofrojë rekomandime për përmirësim të mekanizmave ekzistues, në funksion të mbrojtjes së nxënësve dhe zhvillimit të një ambienti arsimor më të sigurt. /Telegrafi/

  • Shqipëria goditet nga një tërmet

    Shqipëria goditet nga një tërmet

    Një tërmet i shkallës 3.9 Rihter ka ndodhur sot në ora 11:28 në Shqipëri.

    Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare epiqendra e tërmetit ishte 56 km në jug-lindje të Elbasanit, ose 18 km në jug-perëndim të Pogradecit.

    Thellësia e tërmetit ishte 15 km.

    Deri tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar ose dëme.

  • U tentua shmangia e tatimit, Dogana kap barna me vlerë rreth 49 mijë euro

    U tentua shmangia e tatimit, Dogana kap barna me vlerë rreth 49 mijë euro

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka kapur barna në vlerë rreth 49 mijë euro, për të cilat ishte tentuar shmangia e tatimit, shkruan Reporteri.net.

    Sipas njoftimit në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash, ku gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik të dërgesës, janë konstatuar mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit, i cili ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim.

    “Gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është konstatuar se mallrat nuk përbëjnë lëndë të parë, por janë produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë. Me këtë veprim, është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni shtesë përkatës, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme”, thuhet në njoftim.

    Dogana ka thënë se ky rast përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve fiskale.

  • Ministria del me njoftim për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, i paralajmëron për rregullat dhe pasojat nëse s’i respektojnë

    Ministria del me njoftim për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, i paralajmëron për rregullat dhe pasojat nëse s’i respektojnë

    Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë më një njoftim lidhur me shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për të Huajt.

    MPB ua ka kujtuar se me rastin e hyrjes në Kosovë, të huajt duhet të posedojnë document të vlefshëm udhëtimi, të posedojnë vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, të respektojnë qëllimin apo afatin e qëndrimit, të lajmërojnë adresën e qëndrimit në afat prej ditës nga dita e hyrjes dhe të kenë mjete të mjaftueshme për jetesë, shkruan Reporteri.net.

    Me rast të qëndrimit afatshkurtër, Ministria ka sqaruar se të huajt mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda periudhës 180 ditësh pa vizë dhe se nuk lejohet puna gjatë kësaj periudhe pa leje.

    “Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim”, thuhet në njoftim.

    Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi, MPJD ka bërë me dije se kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;

    “Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë”, duke theksuar se puna pa leje është e ndaluar.

    Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.

    Sa i përket qëndrimit për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.

    “Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë”, thuhet në njoftim.

    Ministria ka paralajmëruar pasoja në rast shkeljeje, si:

    – anulimin e lejeqëndrimit,

    – shqiptimin e gjobës,

    – urdhërimin e largimit dhe

    – ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, theksohet në njoftim.

  • Hyn në fuqi: Paga minimale në Kosovë 425 euro në janar dhe 500 euro në korrik

    Hyn në fuqi: Paga minimale në Kosovë 425 euro në janar dhe 500 euro në korrik

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale, duke përcaktuar dy faza të reja të rritjes gjatë vitit 2026.

    Sipas vendimit zyrtar me numër 10/273, të datës 31 tetor 2025, i nënshkruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, paga minimale do të jetë: 425 euro bruto duke filluar nga 1 janari 2026, për një punë të rregullt me orar të plotë dhe  500 euro bruto duke filluar nga 1 korriku 2026, po ashtu për punë të rregullt me orar të plotë.

    Me këtë vendim: Obligohen Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati i Punës për zbatimin e tij.

    Ky vendim hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

  • Ndryshon numri i votave pas rinumërimit

    Ndryshon numri i votave pas rinumërimit

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Ndryshimeve të votave ka në të gjitha partitë, në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

    Te disa kandidatë vërehet rënie e numrit të votave, e te disa rritje.

    Në linkun e KQZ-së, nga të dhënat e orës 10:50, del se lideri i LVV-së ka rënie për 86 vota, Glauk Konjufca ka rënie për 56 vota, Donika Gërvalla minus 6 vota, Avni Dehari – 29 vota, Albulena Haxhiu -18 vota.

    Rritje të votave ka Hekuran Murati për 4 vota, Mimoza Kusari, Shqipe Selimi plus 36 vota.

    Nga PDK, rënie ka Bedri Hamza për 21 vota, Uran Ismaili – 20, Vlora Çitaku ka rënie për 11 vota, Enver Hoxhaj – 14.

    Rritje të votave ka Ganimete Musliu për 10 vota, Përparim Gruda për 31 vota, Elmi Reçica për 27 vota.

    Ndërkaq, te Lidhja Demokratike e Kosovës rënie të votave ka Lumir Abdixhiku për 20 vota, Kujtim Shala për 7 vota, Hykmete Bajrami minus 8 vota, Anton Quni – 16 vota.

    Rritje të votave në LDK ka Jehona Lushaku për 1 votë, Adelina Thaçi Meta +3 vota, Visar Azemi +3 vota.

  • Sulmi në Prekaz, “shumë shpejt” aktakuzë per vrasjen e Jasharëve

    Sulmi në Prekaz, “shumë shpejt” aktakuzë per vrasjen e Jasharëve

    Së shpejti do të ngritet aktakuzë në mungesë ndaj të dyshuarve për vrasjen e Adem Jasharit dhe familjes së tij.

    ATV ka mësuar se Prokuroria Speciale aktin akuzues do të ngrisë ndaj zinxhirit komandues, pikërisht në përvjetorin e 28 të ngjarjes.

    Pas ngritjes së aktakuzës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet që së shpejti edhe tëfillojë gjykimi për këtë rast.

    Në ndërkohë, nga ky institucion, kanë folur edhe për aktakuzën tjetër me rëndësi, për masakrën e Reçakut.

    Për më shumë ndiqni kronikën e plotë të përgatitur nga gazetari i ATV-së, Arian Hajdaraj:

     

  • IKShPK del me njoftim, tregon në cilat rajone ka ndryshime të situatës me cilësinë e ujit

    IKShPK del me njoftim, tregon në cilat rajone ka ndryshime të situatës me cilësinë e ujit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se po vazhdon ta monitorojë cilësinë e ujit në gjithë territorin e Kosovës.

    Sipas rezultateve të analizave situata mbetet e pandryshuar në rajonin e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës.

    “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës. Bazuar në rezultatet e analizave të datës: 15.01.2026, situata mbetet e pandryshuar në rajonet: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë.”

    IKSHPK thotë se në Gjilan, në zonën e Kamenicës stacioni nr.1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

    Ndërsa në Stacionin e pompimit nr. 2, Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar dhe uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.

    Në rajonin e Pejës, në Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për pije.

    “Klinë-Rrjeti nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë, si pasojë e vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.”

  • Caktohen datat për deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Specialja del me njoftim

    Caktohen datat për deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Specialja del me njoftim

    Gjykata Speciale në Hagë ka dalë me njoftim për gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Përmes një komunikatë bëhet e ditur se deklaratat përmbyllës ndaj këtij rasti do të jenë muajin e ardhshëm.

    “Më 9 deri më 13 dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para Dhomave të Specializuara në Hagë deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30″, thuhet mes tjerash në njoftimin e Speciales.

    Fillimisht më 9 shkurt do të jetë deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, për të vazhduar edhe më 10 shkurt bashkë me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.

    Më 11 shkurt do të jetë Deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, për të vazhduar ky i fundit edhe më 12 shkurt. Në po të njëjtën ditë do të jetë edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit e cila vazhdon edhe të premten e 13 shkurtit, ku vazhdon edhe ajo e Jakup Krasniqi. Poashtu ky i fundit do të vazhdojë edhe më 16 shkurt.

    Në po të njëjtën ditë do të ketë edhe pyetje nga Trupi Gjykues.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.

  • Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së ShBA-së

    Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së ShBA-së

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, në Prishtinë priti në një takim zyrtar Atasheun Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.

    Gjatë këtij takimi, atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të inteligjencës të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.

    Bëhet e ditur se takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.