ATV

Author: G.O.

  • Si ndikojnë sheqeri dhe produktet e bulmetit te shëndeti i lëkurës

    Si ndikojnë sheqeri dhe produktet e bulmetit te shëndeti i lëkurës

    Një nga shqetësimet më të shpeshta të adoleshencës (por jo vetëm) janë aknet dhe puçrrat.

    Gjatë kësaj periudhe aknet janë normale dhe pasojë e ndryshimeve të mëdha hormonale dhe fazës së pubertetit.

    Megjithatë, aknet nuk kursejnë as grupmoshat e tjera dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me hormonet por edhe me mënyrën e ushqyerjes.

    Sa i përket ushqimeve, ka disa prej tyre që kanë tendencën të përkeqësojnë aknet dhe puçrrat.

    Sheqeri, produktet e bulmetit dhe aknet

    Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org shpjegojnë se konsumi i sheqerit dhe i produkteve të bulmetit ka një ndikim të fortë, madje nxit shfaqjen e puçrrave dhe akneve.

    Sipas ekspertëve, proteinat tek bylmet mund të ndikojnë në informacionin gjenetik të lëkurës.

    Një gjë e tillë nxit inflamacionin ose prodhimin e tepërt të yndyrës që shërben si pikënisja e këtyre problemeve.

    Sheqeri gjendet në shumë produkte përveç ëmbëlsirave.

    Buka edhe djathi apo produkte të tjera të bulmetit kanë një nivel të lartë glicemie, gjë që e nxit trupin të prodhojë shumë insulinë.

    Sekretimi i tepërt i insulinës ka lidhje të drejtpërdrejtë me shpërthimet më të këqija të puçrrave në lëkurë.

    Ushqimet me nivel të ulët glicemie kundër akneve

    Ekspertët këshillojnë që nëse dëshironi të luftoni aknet dhe puçrrat duhet të konsumoni më shumë produkte me nivel të ulët glicemie.

    Drithërat e plota ose buka e elbit

    Buka prej elbi dhe ajo prej drithi të plotë të bluar në gur kanë një nivel të ulët glicemie.

    Ato janë të pasur me fibër e cila ngadalëson tretjen dhe stabilizon nivelin e sheqerit në gjak.

    Boronica, rrush, mollë

    Shumica e frutave kanë një nivel të ulët të glicemisë, sepse ato përmbajnë shumë ujë dhe fibër. Por niveli i glicemisë mund të ndryshojë në varësi të pjekjes së frutave. Lëngjet e frutave për shembull kanë një nivel të lartë glicemie, sepse shtrydhja largon fibrën dhe në lëng mbetet vetëm sheqeri.

    Kosi

    Kosi është i vetmi produkt bulmeti që ka nivel të ulët glicemie.

    Ekspertët këshillojnë konsumin e rregullt të kosit të bërë në shtëpi që është më i shëndetshëm.

    Tërshëra

    Tërshëra ka një nivel të ulët glicemie dhe ka pak gjasa të shkaktojë luhatje në nivelin e sheqerit në gjak. Tërshëra përmban edhe B-glukanë.

    Kjo substancë përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës, ndihmon në mbajtjen nën kontroll të glicemisë dhe ul yndyrat në gjak.

    Arrorët

    Arrorët janë të pasur me fibër dhe kanë një nivel të ulët glicemie prej nën 55.

    Ato janë gjithashtu të pasur me proteina me bazë bimore, acide yndyrore mono-të-pangopura, antioksidantë, vitamina e minerale si magnezi dhe kaliumi. /agroweb

  • Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e trefishtë në Deçan

    Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e trefishtë në Deçan

    Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për plagosjen e trefishtë në Deçan.

    I dyshuari Sh.C po dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

    Në orët e para të së martës, tre persona mbetën të plagosur në një lokal në Deçan. Bëhet fjalë për dy serb dhe një shqiptar.

    Fillimisht të njëjtit ishin dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, derisa dy nga ta nga aty u transferuan për në QKUK në Prishtinë.

    Prokuroria Themelore e Pejës bëri të ditur se njëri nga ta është avokat.

  • Reduktimet e rrymës, KOSTT: Është stabilizuar gjendja në sistem pas rritjes së prodhimit vendor

    Reduktimet e rrymës, KOSTT: Është stabilizuar gjendja në sistem pas rritjes së prodhimit vendor

    Gjendja në sistemin elektroenergjetik të Kosovës është stabilizuar pas rritjes së prodhimit vendor të energjisë elektrike, ka njoftuar KOSTT.

    Sipas njoftimit, normalizimi erdhi pas zbatimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e furnizimit me energji.

    “KOSTT njofton opinionin publik se gjendja në sistemin elektroenergjetik është normalizuar dhe stabilizuar, pas implementimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase, duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike, një masë kyçe që ka garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e furnizimit si dhe integritetin e sistemit”, thuhet në njoftim.

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rritur prodhimin vendor, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit dhe stabilitetin e sistemit.

    KOSTT u ka bërë thirrje palëve të tregut të respektojnë rregulloret operative, duke theksuar se do të mbetet në gatishmëri për të ruajtur performancën e sistemit elektroenergjetik.

    “Kërkohet nga të gjitha palët pjesëmarrëse në treg të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, për të siguruar një operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit elektroenergjetik.

    KOSTT do të mbetet në gjendje gatishmërie operative, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilitetin dhe performancën e sistemit, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë operative”, thuhet në njoftim.

  • -19 gradë: Ukraina pa energji e ujë, amerikanët do të shkojnë në rusi të takojnë Putinin

    -19 gradë: Ukraina pa energji e ujë, amerikanët do të shkojnë në rusi të takojnë Putinin

    Amerika po kthen vëmendjen nga zgjidhja e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dërguarit e presidentit Donald Trump për paqen, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë së shpejti për në Moskë për të takuar liderin, Vladimir Putin. Diskutimi pritet të jetë mbi planin e paqes të reduktuar nga 28 në 20 pika. Kështu shkruan media Bloomberg.

    Teksa firma për uljen e armëve nuk është hedhur në letër, palët vazhdojnë ta qëllojnë njëra-tjetrën. Rusia ka sulmuar rajone të shumta në Ukrainë me raketa dhe dronë, duke goditur dhe kryeqytetin Kiev. Shpërthime u dëgjuan në një ndërtesë me 17 kate, ndërsa raportohet për të plagosur dhe dëme materiale. Ushtria e Moskës pretendon se ka rrëzuar dhjetëra dronë të lëshuar nga Ukraina, por disa mjete fluturuese me eksploziv përfunduan në rajonet kufitare Rostov dhe Belgorod duke u marrë jetën dy personave. Një vatër zjarri u raportua në një park industrial në Rostov.

    Ukraina thekson se mijëra qytetarë të saj kanë mbetur pa energji elektrike dhe akuzon Rusinë se po shënjestron qëllimisht infrastrukturën jetike. Presidenti Volodymyr Zelenski thekson se “rajonet Dnipro, Zhytomyr, Zaporizhzhia, Kharkiv dhe Kherson janë goditur”. “Objektivi kryesor është infrastruktura energjetike, një infrastrukturë e rëndësishme që siguron një jetë normale për popullsinë tonë: ngrohje, dritë dhe ujë”, shtoi ai. Tani, përsëriti Zelenski, “prioriteti është të forcojë mbrojtjen ajrore”.

    “Nëse mund t’i kundërshtojmë 100% këto sulme ruse, terrori i Putinit nuk do të jetë më. Ky është avantazhi i tyre dhe ne duhet t’i privojmë ata. Kjo mund të funksionojë dhe ta detyrojë Rusinë të ndalojë vrasjet dhe të ecë drejt paqes”, nënvizon presidenti, shkruan A2CNN.

    Sikur lufta të mos mjaftojë, dimri ka ardhur me fuqi të plotë në Ukrainë me temperatura që shkojnë deri në minus 19 gradë celsius. Kjo po detyron shumë banorë që të zgjedhin strehimoret e ngrohta për të kaluar natën, pasi në banesat e tyre mungon energjia elektrike, ngrohja dhe uji.

  • Sorensen e pranon se kishte një “vit të mbrapshtë” në dialog, shpreson se do të arrijë rezultate gjatë 2026-ës

    Sorensen e pranon se kishte një “vit të mbrapshtë” në dialog, shpreson se do të arrijë rezultate gjatë 2026-ës

    Diplomatit danez, Peter Sorensen i përfundoi mandati fillestar pa nxjerrë në dritë ndonjë rezultat në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi me të cilin e ngarkoi Komisioni Europian. Megjithatë, kjo ndodhi jo për faj të tij. Ai nisi detyrën në shkurt të 2025-ës dhe në po këtë muaj në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e rregullta që s’prodhuan institucione, ndërsa në Serbi pati shpërthim protestash. Me postin e vazhduar edhe për dy vjet tjera, emisari europian në Prishtinë sot shpalosi pritjet e tij që në vitin 2026 të mos i ndodhë ajo që i ndodhi më 2025.

    Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të përfunduar festat e fundvitit, e nisi vitin e punës me një vizitë në Kosovë. Fillimisht, ai u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që fitoi zgjedhjet e parakohshme, si dhe më pas me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Për gazetarët që e pritën para Presidencën dha një mesazh të shkurtë ku u pa se është më optimist për rifillimin e dialogut.

    “Kam shpresë të madhe, sigurisht, personalisht, që 2026 na sjell atë që 2025 nuk e solli. Dhe prandaj po e nis vitin e punës me një udhëtim pune këtu dhe pastaj në Beograd më vonë këtë javë”.

    Takimi i fundit i nivelit të lartë ishte ndërmjetësuar nga ish-kryediplomati Joseph Borrell, para se të ndodhte sulmi i Banjskës.

    Shefja e Sorensenit, Kaja Kallas, ende s’ka organizuar një të tillë që kur zëvendësoi Borrellin në krye të diplomacisë, për shkak të mungesës së një kryeministri me mandat të plotë në Kosovë dhe, gjithashtu, parehative në Serbi.

    Por, Sorensen u zotua se një i tillë do të mbahet në një kohë të duhur, duke e theksuar se kur një i tillë të thirret, palët do të shkojnë.

    Ky koment i tij ishte përgjigje për një pyetje të gazetarëve për kushtet që Kosova ka vendosur për rikthim në tavolinën e dialogut.

    “Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në lehtësimin e dialogut — të sigurojmë që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Pra do të duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar. Ka angazhime që do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrasë takimin. Njerëzit do të vijnë dhe do të shohim. Por do të duhet të shohim”, tha ai.

    Pas heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës me transferin e qetë të pushtetit që ndodhi në katër komunat veriore të vendit, si dhe me zotimet e Bashkimit Europian për kthim të shtuar të vëmendjes ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë rritur pritshmëritë që Kosova të bëjë hapa më konkretë drejt procesit integrues në BE.

    Sorensen bashkë me Kallas janë përballë një presioni që procesin – edhe ashtu shumë të kritikuar – ta vënë në lëvizje për të prodhuar rezultate më të prekshme. Të dy diplomatët kanë në barrë që marrëveshjen e arritur, e njohur si e Ohrit, gjatë mandatit të Borrellit, ta vënë në zbatim.

    As Kosova dhe as Serbia nuk kanë bërë progres në zbatimin e kësaj marrëveshje që nga viti 2023.

    Radio Evropa e Lirë në Pragë para disa ditësh raportoi se pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe se besohet se Kaja Kallas do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

    “Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment”, raportoi REL.

    Gjithashtu, u tha se ekziston mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Europian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.

    Por, kjo do të jetë veçanërisht problematike për Kosovën meqë këtë gjashtëmujor të parë të vitit në krye të Presidencës së BE-së është Qipro – një shtet mosnjohës brenda bllokut.

    Sidoqoftë, Qiproja do të pasohet nga Irlanda, e cila shihet si më e favorshme për Kosovën, duke marrë parasysh edhe zotimin e saj për angazhim ndaj Ballkanit Perëndimor.

  • Arrestohen dy të rinj në Podujevë, kërkoheshin nga gjykata për lëndim trupor

    Arrestohen dy të rinj në Podujevë, kërkoheshin nga gjykata për lëndim trupor

    Policia në Podujevë sot ka arrestuar dy të rinj, që ishin të kërkuar me urdhër të gjykatës për “Lëndim trupor”.

    Të arrestuarit janë A. A, mashkull dhe A. Z, mashkull, 21vjeç.

    Pas arrestimit nga ana e policisë, ata janë dërguar në vuajtje të dënimit.

    “Gjatë vitit 2025, zyrtarët e stacionit policor të Podujevës kanë realizuar 745 urdhëresa, prej tyre për vepra penale kanë qenë 251″, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.

  • Apeli i ul dënimin Tom Dodajt për shitjen e armës së përdorur në vrasjen e Liridona Ademajt

    Apeli i ul dënimin Tom Dodajt për shitjen e armës së përdorur në vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim për t’i ulur dënimin Tom Dodajt, i cili shiti armën me të cilën dyshohet se është vrarë Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023.

    Sipas vendimit të Apelit që është marrë më 30 dhjetor 2025, Dodaj është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh dhe me një gjobë prej 3,000 euro, të cilat do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    Ky ndryshim vjen pas ankesës së bërë nga mbrojtësi i tij, avokati Agron Kuqi.

    Në aktgjykimin e mëparshëm, Dodaj ishte dënuar me 5 vjet burgim dhe gjobë prej 5,000 euro për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, por ky dënim është reduktuar në vendimin e fundit.

    Nëse gjoba nuk paguhet në mënyrë vullnetare, ajo do të konvertohet në dënim me burg, ku për çdo 20 euro gjobë, shtohet një ditë burgim.

    Gjykata do ta marrë parasysh edhe kohën që Dodaj ka kaluar në paraburgim, nga data 9 dhjetor 2023 deri më 17 prill 2024, e cila do të llogaritet në dënimin e tij.

    Dodaj ia shiti armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro, dhe e cila armë dyshohet se u përdor më pas për vrasjen e Ademajt.

    Ai e kishte pranuar fajësinë dhe pati kërkuar falje për rastin, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni se arma do të përdorej për vrasje.

    Për vrasjen e Liridona Ademajt akuzohen bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava si ekzekutor e Kushtrim Kokalla. /Telegrafi/

  • Greqia goditet nga një “valë tërmetesh”

    Greqia goditet nga një “valë tërmetesh”

    Një seri tërmetesh goditën përsëri sot Greqinë, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe frikë për paslëkundje të tjera më të fuqishme.

    Pas tërmetit në ishullin turistik të Santorinit, me forcë 3,2 ballë orët e mëngjesit, pak pas mesditës është njoftuar për një zinxhir lëkundjesh tektonike në zonën e Kyllini.

    Ekspertët thanë se forca ishte 3,5 ballë e shkallës Rihter, mesatarisht e lehtë, por dridhjet ishin shqetësuese, për shkak të vazhdimësisë dhe kohëzgjatjes.

    Tërmete të vogla deri në të moderuara janë regjistruar në rajonin e Kyllinit që nga fillimi i janarit, duke shkaktuar monitorim të shtuar shkencor, por jo shkak për shqetësim për një tërmet të madh.

    Që nga 6 janari 2026, rajoni ka regjistruar një grup tërmetesh, ku më i madhi arrin 3.5 në shkallën Rihter, siç raporton sizmologu Gerasimos Papadopoulos në një postim, informon “Protothema”.

    Nuk ka informacione për dëme materiale apo për të lënduar.

  • Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Maandi në Kosovë dhe e përgëzoi për emërimin e saj, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Estonisë.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe fuqizimit të pozitës që Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova në vazhdimësi është linjëzuar me politikat e BE-së.

    Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadorja Mandi diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit, shërbimeve publike elektronike, sigurisë kibernetike, integrimit euroatlantik dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

    Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane. Në këtë linjë, falënderoi Estoninë edhe për avokimin e vazhdueshëm për aspiratat evropiane të Kosovës, në veçanti për statusin e vendit kandidat për BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

  • Reduktimet e rrymës, Hoti: Përgjegjësia është politike dhe direkte, askush s’mund të fshihet pas njoftimeve teknike

    Reduktimet e rrymës, Hoti: Përgjegjësia është politike dhe direkte, askush s’mund të fshihet pas njoftimeve teknike

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas reduktimeve me energji elektrike, duke thënë se kjo është dëshmi e qartë “e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik”.

    Hoti ka thënë se është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës, shkruan Reporteri.net.

    “Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte. Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore. Çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik. Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, ka shkruar Hoti.

    Mbrëmë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) njoftoi se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit.

    Sipas KOSTT-it, kjo ndodh për shkak të diferencës mes nominimeve dhe konsumit real në ditët e fundit.

    Devijimet kanë rritur rrezikun për stabilitet dhe mund të sjellin masa ndëshkuese ndaj KOSTT-it nga rrjeti evropian.

    Kosova është antarësuar në ENTSO në vitin 2020 dhe kjo shënon hapin kryesor të shkëputjes së Kosovës nga Serbia në energjetikë. Me këtë anëtarësim KOSTT është bërë zotërues i linjave të transmisionit për Kosovën, e jo sic është njohur Kosova si zonë e Serbisë në energjetikë para vitit 2020./Reporteri.net