ATV

Author: G.O.

  • Suspendohet një polic në Fushë-Kosovë, dyshohet për një rast sulmi jashtë detyrës zyrtare

    Suspendohet një polic në Fushë-Kosovë, dyshohet për një rast sulmi jashtë detyrës zyrtare

    Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor të Stacionit në Fushë-Kosovë.

    Suspendimi i tij vjen pas hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Sulm”.

    Incidenti raportohet të ketë ndodhur pas mesnatës në Fushë-Kosovë kurse zyrtari policor i përfshirë si i dyshuar në këtë rast ka qenë jashtë detyrës zyrtare.

    “Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet në njoftim.

  • Kushtetuesja publikon Aktgjykimin me të cilin konstatoi se zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, ishte antikushtetuese

    Kushtetuesja publikon Aktgjykimin me të cilin konstatoi se zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, ishte antikushtetuese

    Gjykata Kushtetuese e ka publikuar Aktgjykimin lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

    Sipas Kushtetueses, zgjedhja e Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, më 10 tetor 2025, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “TË KONSTATOJË, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [nr. 09-V071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në Aktgjykim.

    https://drive.google.com/file/d/1ghsvQQDzSHC7PxVsHjpOWYnec-Woj7U9/view?usp=sharing

    Sipas aktgjykimit, e drejta për të propozuar kandidatin i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb dhe kjo nuk ishte respektuar.

    “Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse”.

    Gjykata vlerësoi se mekanizmat e debllokimit, përfshirë shortin, janë përdorur në mënyrë të gabuar.

    Megjithatë, për shkak të parimit të sigurisë juridike, vendimi nuk ka efekt prapaveprues

    “Marrë parasysh rrethanat e lartcekura, Gjykata nuk mund të konstatojë se në rrethanat e rastit konkret, mekanizmi debllokues sipas paragrafit 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, respektivisht, procedura e shortit është përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilën e njëjta është paraparë. Kjo për arsye se zbatimi i këtij mekanizmi në një mënyrë që do të çonte në rrethana ku shumica e deputetëve të Kuvendit përcakton se kush do të jetë përfaqësuesi i një komuniteti që nuk është shumicë pa propozimin e këtyre të fundit, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

    Nenad Rashiq, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 10 tetor 2025, duke marrë 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.

    Nëntë kandidatët e tjerë të komunitetit serb nga Lista Serbe nuk i morën votat e mjaftueshme, duke i hapur rrugë kështu Rashiqit të propozohet dhe votohet.

  • Apeli vërteton dënimin me 24 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Klinë

    Apeli vërteton dënimin me 24 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Klinë

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e ka dënuar Jon Hotin me 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë në Klinë.

    I akuzuari Hoti ishte shpallur fajtor nga Themelorja në Pejë më 30 maj 2025 dhe ishte dënuar me dënim unik prej 24 vite e gjysëm burgim për vrasje të dyfshitë më 13 nëntor 2024 në Klinë.

    Kundër vendimit të Themelores, aneksë kishin parashtruar të dëmtuarit R.Sh., dhe S.Sh., për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim më të lartë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Jeton Maqedonci, kishte parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që të anulohet aktgjykimi i Themelores dhe të akuzuarit t’i zbutet dënimi përshtatshmërisht me rrethanat lehtësuese ose çështja t’i kthehet shkallës së parë në rivendosje.

    Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet ankesa e të dëmtuareve, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet sa i përket vendimit lidhur me saksonin penal dhe të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim me i lartë, kurse ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar.

    Seanca për shqyrtimin e këtyre ankesave në Apel u mbajt më 2 tetor 2025.

    Gjykata e Apelit konstaton se pretendimet e dëmtuarve për një dënim më të ashpër dhe e mbrojtësit për një dënim më të butë, nuk janë të bazuara.

    Sipas Apelit, shkalla e parë me rastin e caktimit të dënimit i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit. Si rrethana lehtësuese ka vlerësuar pranimin e fajësisë të cilin pranim i pandehuri e ka bërë edhe në fazën e procedurës paraprake, shprehjen e pendimit për veprat e kryera, faktin se më parë i pandehuri nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale, si dhe moshën e re të të pandehurit, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i moshës 19-vjeçare.

    Ndërsa, si rrethana rënduese i ka vlerësuar shkallën e lartë të dashjes për të kryer veprën penale të vrasje së rëndë, ku i pandehuri pasi paraprakisht i kërkon shtëpitë e viktimave dhe lëvizë në drejtim te tyre, më pas kontakton viktimën A.Sh., dhe lë takim me të. Po ashtu, rrethanë rënduese, thuhet se është marrë pabesia e shprehur nga i pandehuri, pasi që i njëjti e ka kontaktuar viktimën A.Sh. përmes video-call, në Messenger dhe pasi që tani të ndjerit shkojnë në lokal dhe flasin për dorë me të pandehurin e ulen në të njëjtën tavolinë, më pas Hoti ngritet në këmbë dhe përshëndet dëshmitarin Q.H.

    “…dhe posa dëshmitari niset për të dal nga lokali, i pandehuri duke qenë i kthyer me shpinë kah viktimat, e nxjerrë armën nga brendia e xhaketës, e repeton e më pas kthehet në drejtim të viktimave duke shtënë kështu në drejtim të viktimave, pastaj moshën e viktimave ne këtë rast viktimat kanë qenë te moshës, 21 dhe 23 vjeçare”, thuhet në vendim.

    Bazuar në këto rrethana, Apeli vlerëson se Themelorja shqiptoi dënimin prej 24 vjet e gjysmë burgim, me bindje se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit, i cili konsiston në parandalimin e të pandehurit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

    Apeli thekson se e pranon një vlerësim të këtillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm dhe gjen se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.

    “…ndërsa pretendimet e të dëmtareve se dënimi i shqiptuar në është butë, duke marrë parasysh numrin e viktimave si dhe mënyrën e kryerjes së kësaj vepre penale, për kundër pasojës se rendë marrë për bazë rrethanat lehtësuese veçanërisht moshën e re të akuzuarit pranim e fajësisë në të gjitha fazat e procedurës premtimin e tij, rezultojnë të jenë të pa bazuara, ndërsa disa nga rrethanat në të cilat thirret mbrojtësi i të akuzuari se nuk janë vlerësuar rrethanat posaçërisht lehtësuese si mosha e re, në raport me peshën e veprës penale dhe pasoje e shkaktuar, gjithashtu janë pretendime të pa bazuar dhe nuk legjitimojnë një dënim me të butë”, thuhet në vendim.

    Sipas Apelit, të gjitha këto rrethana japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit nga gjykata e shkallës së parë si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.

    “Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nga ana e Gjykatës së shkallës se parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë së veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe më intensitetin e rrezikimit apo pasojave të
    shkaktuara dhe se më të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në vendim.

  • Nën ndikimin e alkoolit kanosi vajzën dhe gruan, mitrovicasi dënohet me dy vjet burgim

    Nën ndikimin e alkoolit kanosi vajzën dhe gruan, mitrovicasi dënohet me dy vjet burgim

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykimin përmes ndaj të pandehurit M.F., i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit të këtij qyteti, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetësh.

    Në njoftim bëhet e ditur se i pandehuri është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të datës 05.08.2024.

    “Ngjarja ka ndodhur më datë 03.06.2024, në banesën e përbashkët familjare në Mitrovicë, ku i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur seriozisht viktimën e ndjeshme – vajzën e tij, duke i shkaktuar frikë dhe ankth për jetën dhe sigurinë e saj. Po ashtu, se në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, me dashje dhe përmes fjalëve dhe veprimeve kërcënuese, ka kanosur seriozisht edhe bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e saj.”

    I akuzuari ndodhet në paraburgim nga 3 qershori i vitit 2024.

  • “Zhbllokohet” Tiktoku, platforma hapet në Shqipëri pas një viti pezullim

    “Zhbllokohet” Tiktoku, platforma hapet në Shqipëri pas një viti pezullim

    Me vendim të qeverisë, është hapur zyrtarisht Tiktok në Shqipëri.

    Vendimi është marrë këtë të mërkurë gjatë mbledhjes së qeverisë.

    “Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.”

    Tiktok u pezullua më 6 mars të vitit të kaluar.

  • Mall i padeklaruar, ndalohen katalizatorë në vlerë rreth 8 mijë euro në Vërmicë

    Mall i padeklaruar, ndalohen katalizatorë në vlerë rreth 8 mijë euro në Vërmicë

    Dogana e Kosovës ka ndaluar 102 kilogramë katalizatorë të bluar të padeklaruar në Pikëkalimin Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve të rregullta doganore.

    Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është ndaluar për kontroll të detajuar, ku është zbuluar mall i padeklaruar.

    “Në automjet janë gjetur dhe sekuestruar katalizatorë të bluar me peshë totale prej 102.10 kilogramësh, me vlerë të përafërt rreth 8 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

    Autoritetet bëjnë të ditur se rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e masave të kontrollit, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme në pikat kufitare”, theksohet më tej në njoftim.

    Dogana ka ritheksuar angazhimin e saj për forcimin e kontrolleve dhe mbrojtjen e tregut nga mallrat e padeklaruara.

  • Kujdes çfarë konsumoni, ky frut “i shëndetshëm” mund të shkaktojë probleme serioze me tretjen

    Kujdes çfarë konsumoni, ky frut “i shëndetshëm” mund të shkaktojë probleme serioze me tretjen

    Një mjek i njohur nga Universiteti i Harvardit ka zbuluar se jo të gjitha frutat janë njësoj të dobishme për shëndetin, duke treguar se një prej tyre nuk bën pjesë kurrë në dietën e tij.

    Sipas specialistit, ky frut, megjithëse shihet si i shëndetshëm, mund të shkaktojë probleme me tretjen dhe të ndikojë negativisht në shëndetin e zorrëve, sidomos tek personat me ndjeshmëri të lartë.

    Në intervistën e tij, mjeku renditi frutat më të mira për aparatin tretës, si frutat e pyllit, kivi, mollët dhe dardhat, të cilat janë të pasura me fibra dhe ndihmojnë në balancën e mikrobiotës intestinale.

    Nga ana tjetër, ai paralajmëroi për disa fruta që duhen konsumuar me kujdes, pasi përmbajnë sasi të larta sheqeri të thjeshtë ose shkaktojnë fryrje dhe parehati.

    Në këtë grup ai përfshiu edhe frutin që ai vetë nuk e konsumon asnjëherë, duke e cilësuar si problematik për shëndetin e zorrëve.

    Ky qëndrim ka ngjallur interes të madh, duke treguar se edhe ushqimet e njohura si “gjithmonë të shëndetshme” mund të kenë efekte të padëshiruara, në varësi të organizmit të secilit.

    Fruti që mjeku i Harvardit tha se duhet të shmanget për shëndetin e zorrëve është bananja tepër e pjekur (overripe banana).

    Ai thekson se bananjat që kanë arritur në një fazë shumë pjekurie përmbajnë sheqerna të thjeshta në sasi të mëdha, që mund të shkaktojnë rritje të glukozës në gjak dhe nuk furnizojnë mirë bakteret e mira të zorrëve./TAR

  • Pse disa njerëz nuk flenë dot në heshtje të plotë?

    Pse disa njerëz nuk flenë dot në heshtje të plotë?

    Shumë njerëz nuk mbyllin dot sytë në një dhomë krejt të qetë, u duhet patjetër televizori, muzika e qetë, tingulli i ventilatorit apo i ashtuquajturi “white noise”.

    Ajo që duket si një zakon i çuditshëm, në fakt ka shpjegime të qarta psikologjike dhe neurologjike.

    Ekspertët thonë se në heshtje të plotë, truri bëhet më aktiv: në mungesë të stimujve të jashtëm, rriten mendimet, shqetësimet dhe ankthi, duke e bërë momentin para gjumit më stresues. Zhurma e butë në sfond i jep trurit diçka neutrale ku të fokusohet, duke ulur “zërin e brendshëm” të mendimeve.

    Psikologët e lidhin këtë edhe me fëmijërinë: nëse dikush është mësuar të flejë mes zhurmës së shtëpisë, TV-së apo trafikut, truri e kodon atë mjedis si të sigurt.

    Më vonë, heshtja totale mund të ndihet e frikshme, ndërsa zhurma e lehtë sjell ndjesinë e pranisë së njerëzve dhe sigurisë.

    Një tjetër faktor është se zhurma e njëtrajtshme maskon tingujt e papritur, kërcitje, zhurma nga korridori, makina jashtë, të cilat mund të zgjojnë trurin. White noise, tingulli i ventilatorit apo i detit e stabilizojnë “peizazhin akustik” dhe ndihmojnë gjumin të mos ndërpritet.

    Sipas psikologëve, kjo sjellje lidhet shpesh edhe me ankthin: njerëzit që mendojnë shumë, kanë imagjinatë të fortë ose priren të “overthink”, përdorin zhurmën si mënyrë për të qetësuar mendjen, për të ulur tensionin emocional dhe për të kaluar më lehtë nga gjendja aktive në gjumë.

    A është e dëmshme? Zakonisht jo. Zhurma e butë, e njëtrajtshme, në volum të ulët, mund të ndihmojë shumë njerëz të flenë më shpejt dhe më thellë.

    Më problematikë janë televizorët me dritë të fortë, ndryshime të papritura volumi dhe programet me zhurma të forta.

    Specialistët këshillojnë se tingujt si white noise, pink noise apo tinguj natyre janë zgjidhja më e shëndetshme. Por, nëse një person nuk fle dot fare pa zhurmë dhe kjo e pengon në udhëtime, në ambiente të reja, apo rrit ankthin kur s’ka tinguj në sfond, atëherë rekomandohet konsultë me një terapist gjumi ose psikolog për të kuptuar çfarë fshihet pas kësaj nevoje./TAR

     

  • Çfarë është tromboza dhe si mund ta parandalojmë?

    Çfarë është tromboza dhe si mund ta parandalojmë?

    Mpiksja e gjakut mund të jetë e heshtur, por simptomat e saj nuk duhen nënvlerësuar në disa raste, reagimi i shpejtë shpëton jetën.

    Mpiksja e gjakut, ose trombi, krijohet si një reagim natyror i organizmit ndaj një dëmtimi. Ajo shërben për të ndalur gjakderdhjen dhe për të mbrojtur trupin. Problemi lind kur trombi formohet pa një arsye të qartë, jashtë mekanizmave normalë mbrojtës të organizmit. Në këto raste, ai mund të shndërrohet në një rrezik serioz për shëndetin, madje edhe për jetën.

    Kur është trombi i rrezikshëm?

    Në thelb, trombet janë masa të grumbulluara qelizash dhe proteinash në gjak. Ndërsa roli i tyre normal është mbrojtës, te disa sëmundje ose çrregullime ndodh që ato të mos shpërbëhen siç duhet. Atëherë mund të bllokojnë enët e gjakut dhe të shkaktojnë komplikime të rënda. Nëse trombi formohet në një arterie, ai mund të çojë në infarkt të zemrës ose goditje në tru. Kur shfaqet në vena, zakonisht shkakton dhimbje të forta dhe ënjtje. Veçanërisht e rrezikshme është tromboza e thellë venoze, ndërsa trombi që arrin në mushkëri quhet emboli pulmonare. Të dyja këto gjendje janë urgjente dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

    Kush është më i rrezikuar të zhvillojë tromb?

    Rreziku për formimin e trombit rritet nga disa faktorë, përfshirë:

    • periudhën e rikuperimit pas operacionit
    • qëndrimin e gjatë ulur ose shtrirë
    • mbipeshën dhe obezitetin
    • diabetin dhe kolesterolin e lartë

    Personat mbi moshën 60 vjeç janë veçanërisht më të rrezikuar. Mpiksjet mund të shfaqen edhe pas lëndimeve, si fraktura ose tendosje muskujsh, por ndonjëherë formohen edhe pa një shkak të dukshëm.

    Simptoma që nuk duhen injoruar

    Kur trombi ngadalëson ose ndalon rrjedhjen e gjakut, ena e gjakut mund të enjtet dhe të bëhet e dhimbshme. Ënjtja dhe dhimbja në pjesën e poshtme të këmbës janë shpesh shenja tipike të trombozës së thellë venoze. Trombi mund të shfaqet edhe në krahë ose në bark, dhe te rreth një e treta e njerëzve, ënjtja mund të mbetet edhe pasi mpiksja është zhdukur. Ndryshimi i ngjyrës së lëkurës është një tjetër shenjë paralajmëruese: gjymtyrët mund të bëhen të kuqërremta ose kaltërosh.

    Në rast të embolisë pulmonare, lëkura mund të jetë e zbehtë, kaltërosh ose e ftohtë dhe e djersitur. Dhimbja e papritur dhe e fortë në kraharor mund të sinjalizojë emboli pulmonare ose infarkt, veçanërisht nëse përhapet drejt krahut të majtë. Trombi shpesh dhemb pikërisht aty ku ndodhet në këmbë, bark ose qafë. Vështirësitë në frymëmarrje, rrahjet e shpejta të zemrës, djersitja e tepruar ose humbja e vetëdijes janë simptoma alarmante që kërkojnë reagim të menjëhershëm.

    Kur preken mushkëritë, zemra ose truri?

    Embolia pulmonare shfaqet me puls të shpejtë, dhimbje në gjoks, frymëmarrje të shkurtër dhe kollë, ndonjëherë me gjak. Infarkti i zemrës, përveç dhimbjes në gjoks, shoqërohet shpesh me të përziera dhe marramendje. Goditja në tru ndodh kur ndërpritet furnizimi me oksigjen i trurit, duke shkaktuar konfuzion, dhimbje të fortë koke, vështirësi në të folur dhe dobësi të njërës anë të trupit.

    Si ta ulim rrezikun?

    Parandalimi ka rol kyç. Mbajtja e një peshe normale trupore, aktiviteti i rregullt fizik dhe shmangia e qëndrimit të gjatë ulur ose shtrirë e ulin ndjeshëm rrezikun e trombozës. Pas udhëtimeve të gjata ose operacioneve, është e rëndësishme të ngriheni dhe të lëvizni herë pas here. Për personat që punojnë ulur, rekomandohet një pauzë dhe ecje e shkurtër çdo dy orë. Në disa raste ndihmojnë edhe çorapet speciale për venat. Barnat antikoagulante nuk duhet të merren kurrë pa këshillën e mjekut, sepse hollimi i tepruar i gjakut mund të jetë po aq i rrezikshëm. Nëse vini re simptoma që mund të tregojnë për mpiksje gjaku, mos prisni drejtohuni menjëherë te mjeku. Reagimi në kohë mund t’ju shpëtojë jetën.

  • Joga e fytyrës po “fshin” rrudhat: Mjaftojnë vetëm 20 minuta në ditë

    Joga e fytyrës po “fshin” rrudhat: Mjaftojnë vetëm 20 minuta në ditë

    Kjo metodë natyrale e rinovimit shtrëngon lëkurën, zvogëlon rrudhat dhe përmirëson tonusin e fytyrës, pa injeksione dhe pa trajtime të shtrenjta

    Në një botë ku pamja rinore shpesh lidhet me trajtime të kushtueshme dhe ndërhyrje estetike, gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen një zgjidhjeje më të thjeshtë dhe më natyrale – Joga e fytyrës.

    Kjo teknikë për kujdesin e fytyrës, e cila kombinon ushtrime për muskujt e fytyrës dhe elemente masazhi, po bëhet gjithnjë e më popullore sepse premton lëkurë më të shtrënguar dhe pamje më të freskët, pa asnjë injeksion.

    Thelbi është i thjeshtë: ashtu siç stërvitim trupin, mund të stërvitim edhe muskujt e fytyrës. Joga e fytyrës përfshin lëvizje të synuara për fytyrën, qafën dhe dekoltenë, të cilat stimulojnë tonusin muskulor, përmirësojnë qarkullimin dhe ndihmojnë në shtrëngimin natyral të lëkurës.

    Me praktikë të rregullt, fytyra mund të duket më e çlodhur, më e fortë dhe më e definuar, ndërsa rrudhat dhe vijat e imta bëhen më pak të dukshme.

    Një përparësi e veçantë e kësaj metode është efekti i saj holistik. Përveç ndryshimeve estetike, Joga e fytyrës relakson muskujt e tendosur të fytyrës, përmirëson furnizimin e lëkurës me oksigjen dhe nxit drenazhin limfatik, gjë që kontribuon në një ten më të shëndetshëm dhe më të freskët. Për më tepër, është plotësisht falas dhe mund të praktikohet në shtëpi, transmeton Telegrafi.

    Joga e fytyrës: ushtrime për fillestarë

    Kundër rrudhave në ballë: Vendosni shuplakat në ballë dhe tërhiqni lehtë lëkurën nga jashtë për 10 sekonda, ndërkohë që përpiqeni të mblidhni vetullat. Duart krijojnë rezistencë ndaj lëvizjes.

    Për ngritjen e faqeve: Buzëqeshni me gojë të mbyllur, vendosni gishtat në majat e faqeve, ngritini lehtë dhe mbajeni buzëqeshjen.

    Për sytë dhe kapakët: Hapni sytë sa më shumë, sikur të jeni të befasuar. Shikoni drejt për 5 sekonda pa ngritur vetullat.

    Për buzët dhe rrudhat nazolabiale: Fryni faqet dhe për 30 sekonda lëvizni ajrin nga njëra anë në tjetrën.

    Për mjekrën e dyfishtë: Anoni lehtë kokën pas dhe bëni lëvizjen sikur po puthni tavanin.

    Kur shihen rezultatet?

    Për efekte të dukshme rekomandohet ushtrim prej 20–30 minutash në ditë, tre deri në katër herë në javë. Këshillohet përdorimi i kremit ose vajit për t’i bërë lëvizjet më të lehta, ndërsa fillestarëve u rekomandohet të ushtrojnë para pasqyrës.

    Ndryshimet e para mund të vërehen pas 6 deri në 8 javë, ndërsa për rezultate më të theksuara nevojiten tre deri në katër muaj praktikë të rregullt. Ashtu si në çdo stërvitje, vazhdimësia është çelësi.

    Joga e fytyrës nuk jep efekt të menjëhershëm si botoksi, por në plan afatgjatë mund të kontribuojë në lëkurë më të fortë, tonus më të mirë të fytyrës dhe pamje më të freskët – në një mënyrë plotësisht natyrale. /Telegrafi/