ATV

Author: G.O.

  • Nevojë apo zgjedhje? Gati gjysma e lindjeve në Kosovë bëhen me operacion

    Nevojë apo zgjedhje? Gati gjysma e lindjeve në Kosovë bëhen me operacion

    Me foshnjën pranë vetes, Arlinda paloste rrobat e vogla të saj në valixhe – gati për të shkuar në shtëpi.

    Në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ajo solli në jetë fëmijën e parë – me peshë gati tre kilogramë.

    Ishte një moment që e kishte pritur dhe imagjinuar gjatë gjithë shtatzënisë.

    “Normalisht, jam e lumtur”, thotë ajo, “por më duhet edhe pak kohë që ta marr veten, sepse kam lindur me operacion”.

    Vendimi për prerje cezariane erdhi në fund të procesit nga mjekët e saj.

    Në aspektin emocional, ajo nuk ishte e përgatitur.

    “…por mjekët e vlerësuan si të nevojshme dhe unë u binda”, thotë Arlinda, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë.

    Në shtratin pranë saj, mëngjesin e 26 janarit, ndodhej edhe Pranvera, një nënë tjetër, me një histori të ngjashme, por një përvojë ndryshe.

    Ajo kishte lindur fëmijën e parë në mënyrë natyrale, ndërsa këtë herë, procesi i mori rrjedhë tjetër.

    “Dhimbjet më nisën në shtëpi, në Lipjan. Kur erdha në spital, më dërguan në sallën e lindjes. Qëndrova gati dy orë dhe nuk munda të lind normalisht. Më thanë se duhet operacion”, rrëfen Pranvera, duke shtuar se, përveç humbjes së ujit të bebes, arsye tjetër nuk i është shpjeguar.

    Dy gra, dy lindje, dy histori personale. Por, të dyja pasqyrojnë të njëjtin realitet shëndetësor në Kosovë: rritjen e ndjeshme të lindjeve me prerje cezariane.

    Kulmi i tyre u arrit në vitin 2024, kur gati gjysma e lindjeve në vend u realizuan me operacion.

    Por, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ky trend nuk është i njëjtë në të gjitha institucionet: në vitin 2024, spitalet private dominuan për nga numri i lindjeve me prerje cezariane.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon prerjen cezariane si një ndërhyrje kirurgjikale, që përdoret për të shpëtuar jetën e nënave dhe foshnjave kur komplikimet e bëjnë lindjen natyrale të rrezikshme.

    Ndërsa është e dobishme kur ekzistojnë arsye të qarta mjekësore, OBSH-ja paralajmëron kundër përdorimit pa nevojë të prerjes cezariane, duke theksuar se ajo “duhet të kryhet vetëm kur është realisht e domosdoshme për të shmangur rreziqet për nënën ose foshnjën”.

    Sipas studimeve, aplikimi i panevojshëm ose i tepruar i prerjes cezariane mund të rrisë rrezikun e komplikimeve post-operative, infeksioneve dhe problemeve të mëvonshme obstetrike për gratë.

    Frika nga përgjegjësia

    Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së, gjatë vitit 2025, u realizuan mbi 7 mijë lindje, prej të cilave 3.074 me prerje cezariane.

    Drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, thotë se mjekët shpesh përballen me dilema të vështira.

    “Ka raste kur mjekët druajnë se, nëse këmbëngulin në lindje natyrale dhe ajo komplikohet në momentin e fundit, mund të përballen me pasoja serioze”, thotë Ndrejaj për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, operacioni nuk duhet të jetë opsioni i parë, por shpesh bëhet i tillë për shkak të mungesës së protokolleve të qarta.

    Ai shton se klinika trajton edhe raste të rënda dhe urgjente të referuara nga e gjithë Kosova – çka ndikon po ashtu në statistika.

    “Po respektohet dëshira e pacientes”

    Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës konfirmon rritjen e lindjeve me prerje cezariane.

    Kryetari i saj, Naser Rafuna, thotë se një faktor i rëndësishëm në këtë trend është kërkesa e vetë grave.

    “Gjeneratat e reja janë shumë të interesuara për lindje me operacion. Po respektohet dëshira e pacientes, të them të drejtën”, shprehet ai, duke shtuar se presioni nga familjarët dhe frika nga komplikimet e lindjes normale, i shtyjnë gjinekologët të tërhiqen.

    Por gjinekologu Arbër Lila, i cili punon në spitalin e Gjakovës, thekson se përgjegjësia për rritjen e lindjeve me prerje cezariane nuk bie vetëm mbi nënat.

    “Edhe ne, si profesionistë, e kemi atë pjesën e ‘kontributit tonë’ në rritjen kaq të madhe të lindjeve cezariane”, thotë ai.

    Sipas Lilës, mungesa e komunikimit dhe e shpjegimit të procesit të lindjes, si dhe frika nga paditë, ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e mjekëve.

    “Lindja normale kërkon kohë, vigjilencë dhe përgjegjësi të madhe. Ndërsa prerja cezariane kryhet më shpejt dhe shpesh krijon një ndjenjë ‘lehtësimi’ për të gjithë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Lila shton se kjo dukuri nuk është specifike vetëm për Kosovën.

    “Është trend në të gjitha vendet. Shifrat janë pothuajse alarmante – gjendja po i afrohet një barazimi mes lindjeve normale dhe atyre me prerje cezariane”, deklaron ai.

    Një udhërrëfyes ekziston, por zbatimi mungonNë korrik të vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës miratoi udhërrëfyesin klinik për menaxhimin e lindjeve me prerje cezariane, me synimin që gratë të marrin vendime të informuara dhe të bazuara në fakte shkencore.

    Dokumenti thekson se gratë duhet të informohen për pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj procedure dhe se kjo e drejtë u garantohet me ligj.

    Por, edhe pse ka hyrë në fuqi, udhërrëfyesi vazhdon të mos zbatohet, për faktin se nuk është integruar plotësisht në punën e përditshme të institucioneve shëndetësore.

    Arsyet lidhen edhe me mungesën e mekanizmave mbikëqyrës.

    Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, i cili mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, ka kërkuar disa herë që numri i lindjeve me prerje cezariane të reduktohet në minimum, si dhe që në secilën dhomë të vendosen njoftime informuese për pacientet lidhur me këtë procedurë.

    “Aty ku kemi kushte për lindje normale, nuk duhet të ketë mundësi për lindje të tjera”, përfundon drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj./REL

  • Ukraina dhe Rusia përfundojnë ditën e dytë të bisedimeve për paqe – çfarë u arrit?

    Ukraina dhe Rusia përfundojnë ditën e dytë të bisedimeve për paqe – çfarë u arrit?

    Ukraina dhe Rusia kanë përfunduar ditën e dytë të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi.

    Siç është raportuar, diskutimet kanë rezultuar në marrëveshjen e parë të shkëmbimit të të burgosurve midis dy palëve në pesë muaj.

    I dërguari amerikan Steve Witkoff i quajti bisedimet “të detajuara dhe produktive” në një postim në internet, por tha se “mbetet punë e rëndësishme për t’u bërë”.

    Pavarësisht presionit nga administrata Trump mbi Kievin dhe Moskën për të gjetur një kompromis, të dyja palët deri më tani nuk kanë arritur të bien dakord për një armëpushim.

    Fati i rajonit lindor të Donetskut është një nga çështjet më të ndërlikuara në bisedime.

    Si parakusht për çdo marrëveshje, Moska dëshiron që Kievi të tërheqë trupat e tij nga i gjithë rajoni i Donetskut, përfshirë një linjë qytetesh të fortifikuara rëndë që konsiderohen si një nga mbrojtjet më të forta të Ukrainës.

    Por, Ukraina ka këmbëngulur që konflikti duhet të ngrijë përgjatë vijave aktuale të frontit dhe refuzon çdo tërheqje të njëanshme të forcave të saj.

    Gjithashtu, Ukraina ka deklaruar se dëshiron kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhzhisë, më i madhi në Evropë, i cili ndodhet në territorin e kontrolluar nga Rusia.

  • 11 viktima dhe miliarda euro dëme në Portugali, pas stuhive katastrofike

    11 viktima dhe miliarda euro dëme në Portugali, pas stuhive katastrofike

    tuhi të rënda kanë shkaktuar shkatërrime të shumta në Gadishullin Iberik, duke lënë të paktën 11 të vdekur në Portugali që nga java e kaluar dhe duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen në Spanjë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për mot të ekstrem në ditët në vijim.

    ”Në Portugali, një burrë 70-vjeçar u gjet i vdekur në makinën e tij, e cila ishte përfshirë nga uji i një lumi në komunën e Serpas”, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve LUSA.

    Vdekja e tij rrit numrin e të vdekurve nga stuhitë në Portugali që nga java e kaluar në 11 persona.

    Ministri portugez i Ekonomisë, Manuel Castro Almeida, vlerësoi se dëmi i shkaktuar nga stuhitë arrin mbi 4,0 miliardë euro (rreth 4,7 miliardë dollarë), raportoi sot transmetuesi shtetëror RTP.

    Pesë persona humbën jetën kur sistemi i stuhive atlantike kaloi në disa zona me shpejtësi erë mbi 200 kilometra në orë.

    Pesë të tjerë vdiqën në ditët pasuese gjatë operacioneve të pastrimit dhe rikuperimit. /atsh

     

  • Agim Ademi rizgjidhet president i FFK-së, Lladrovci e uron për mandatin e ri

    Agim Ademi rizgjidhet president i FFK-së, Lladrovci e uron për mandatin e ri

    Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës në kuadër të Kuvendit të rregullt zgjedhor, i cili u mbajt sot në Prishtinë.

    Pas rizgjedhjes, urimet për Ademin nuk kanë munguar. Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka përgëzuar atë për vazhdimin e mandatit në krye të FFK-së, duke i uruar suksese edhe më të mëdha në mandatin e ardhshëm.

    “Agim, miku im, përgëzime dhe suksese në mandatin e ardhshëm. Ngritja e futbollit tonë, në nivel tjetër, është arritje që duhet përshëndetur, uroj që gjatë mandatit të ardhshëm, të kemi ngritje edhe më të madhe. Futbolli është storje suksesi e shtetit tonë dhe dua të besoj se në udhëheqjen tuaj, do të kemi arritje edhe më të mëdha, stadiume, shkolla futbolli dhe shkëlqim të trajnerëve e futbollistëve tanë. Suksese të mëtejme miku im!”, ka shkruar ai.

  • Ky ushqim i përditshëm mund të rrisë rrezikun e diabetit, paralajmërojnë ekspertët

    Ky ushqim i përditshëm mund të rrisë rrezikun e diabetit, paralajmërojnë ekspertët

    Ja kush është ushqimi që mund të rrisë rrezikun e diabetit kur hahet më shpesh se një herë në javë.

    Konsumimi i mishit të kuq më shpesh se një herë në javë mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2, sipas hulumtimit të udhëhequr nga TH Chan i Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit, botuar në revistën Amerikane të të ushqyerit klinik.

    Rreziku gjendet edhe tek njerëzit që konsumojnë vetëm dy racione mish të kuq në javë dhe rritet me konsum më të madh.

    “Kjo është e vërtetë për mishin e kuq të përpunuar dhe të papërpunuar”, thotë Xiao Gu, një studiues dhe autori i parë i studimit.

    Shkalla e incidencës së diabetit të tipit 2 po rritet me shpejtësi në mbarë botën dhe kjo është shqetësuese, pasi sëmundja është një faktor kryesor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare dhe të veshkave, kancerin dhe demencën.

    Për këtë studim të veçantë, studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore nga 216,695 pjesëmarrës. Dieta e tyre vlerësohej me pyetësorë për frekuencën e ushqimit çdo dy deri në katër vjet, për një total deri në 36 vjet. Gjatë kësaj kohe, më shumë se 22,000 pjesëmarrës zhvilluan diabetin e tipit 2.

    Studiuesit zbuluan se ngrënia e mishit të kuq lidhet ngushtë me një rrezik të shtuar të zhvillimit të diabetit të tipit 2. Çdo porcion shtesë ditor i mishit të kuq të përpunuar shoqërohej me një rrezik 46% më të madh të diabetit të tipit 2, dhe çdo porcion shtesë ditor i mishit të kuq të papërpunuar shoqërohej me një rrezik 24% më të madh.

    Zëvendësimi i mishit të kuq me burime proteinash me bazë bimore, si arrat dhe bishtajoret, si dhe qumështore, mund të zvogëlojë rrezikun. Konkretisht, studiuesit zbuluan se zëvendësimi i një porcioni në ditë të mishit të kuq me një racion arra dhe bishtajore lidhej me një rrezik 30% më të ulët të zhvillimit të diabetit të tipit 2, dhe zëvendësimi i tij me një porcion bulmeti shoqërohej me një rrezik 22% më të ulët.

    “Duke marrë parasysh gjetjet tona dhe punën e mëparshme, ne besojmë se një kufi prej rreth një porcioni mishi të kuq në javë do të ishte i arsyeshëm për njerëzit që dëshirojnë të përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre,” tha profesori i Epidemiologjisë dhe Ushqyerjes dhe autori kryesor, Walter Villette.

    Së fundi, studiuesit vënë në dukje se zëvendësimi i mishit të kuq me burime të shëndetshme proteinash me bazë bimore, përveç përfitimeve shëndetësore, do të ndihmonte gjithashtu në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe ndryshimeve klimatike dhe do të kishte përfitime të tjera mjedisore.

  • Disa këshilla për t’u ushqyer dhe për të qenë të shëndetshëm gjatë Ramazanit

    Disa këshilla për t’u ushqyer dhe për të qenë të shëndetshëm gjatë Ramazanit

    Ramazani është një nga muajt më të rëndësishëm të vitit për myslimanët.

    Myslimanët agjërojnë gjatë orëve të ditës dhe nuk mund të hanë apo pinë derisa të perëndojë dielli.

    Ditët e agjërimit mund të jenë të vështira, por ka shumë gjëra që njerëzit mund të bëjnë për t’u kujdesur për shëndetin e tyre gjatë këtij muaji të shenjtë.

    Ushqehuni shëndetshëm

    Ekziston vetëm një dritare e vogël për t’i siguruar trupit tuaj të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten. Kështu që duhet të përqendroheni në konsumimin e ushqimeve me cilësi të lartë. Gjatë Iftarit, pini shumë ujë dhe ruani një ekuilibër të mirë mes karbohidrateve, proteinave dhe bulmetit. Këto lëndë ushqyese ju ndihmojnë të qëndroni të hidratuar dhe të ngopur për një kohë më të gjatë.

    Gjatë Suhurit (vakti para agimit), përqendrohuni tek ushqimet që kanë një indeks të ulët glicemik. Të tilla si ushqimet me drithëra integrale, frutat dhe perimet. Këtu përfshihet tërshëra, thekra, elbi, oriz kaf, kinoan, frutat e pyllit, mollët dhe portokallet. Këto ushqime nuk e rrisin sheqerin në gjak dhe do t’ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur për më gjatë.

    Shmangni disa produkte

    Disa nga gjërat që duhet të shmangni janë kripa, kafeina, sheqernat dhe ushqimet e përpunuara. Këto produkte mund t’ju dehidratojnë dhe duke qenë se disa kanë përmbajtje të larta sheqeri, nuk do t’ju mbajnë të ngopur dhe as nuk do t’ju japin vlera ushqyese.

    Për më tepër, ngrënia e tepërt e tyre mund të dëmtojë zemrën, veshkat, të ngadalësojë sistemin imunitar dhe të shkaktojë shtim në peshë. Gjithashtu shmangni metodat e gatimit si skuqja dhe në vend të saj provoni pjekjen.

    Qëndroni aktivë fizikisht

    Edhe pse mund të jetë e vështirë, të qenurit fizikisht aktiv ka përfitime të rëndësishme shëndetësore. Ju mund të shmangni ushtrimet me intensitet të lartë dhe të ushtroheni në mbrëmje pas Iftarit. Ecja është forma më e lehtë e ushtrimeve që mund të kryeni gjatë agjërimit.

    Planifikoni

    Studentët dhe ata që punojnë mund të kenë nevojë për ndihmë që të ndihen më energjikë gjatë ditës. Prandaj është e rëndësishme të planifikoni vaktet tuaja. Ajo çfarë konsumoni ndikon në nivelet tuaja të energjisë, kështu që përqendrohuni tek ngrënia e ushqimeve cilësore dhe me vlera të larta ushqyese./ Agroweb

  • 36 foshnje shfaqën simptoma të helmimit nga qumështi i kontaminuar, autoritet në Britani nisin hetimet

    36 foshnje shfaqën simptoma të helmimit nga qumështi i kontaminuar, autoritet në Britani nisin hetimet

    Autoritetet britanike që po hetojnë kontaminimin e qumështit të foshnjave, pasi në vend janë regjistruar 36 raste të mundshme të fëmijëve me simptoma që përputhen me helmimin.

    Më 6 janar, Nestle tërhoqi nga tregu disa seri të produkteve të saj bazë për foshnja, duke përfshirë SMA, BEBA dhe NAN, në të gjithë Evropën për shkak të kontaminimit të mundshëm me një toksinë që mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella.

    Dy javë më vonë, Danone tërhoqi nga tregu një seri të formulës së saj për foshnje Aptamil. Shqetësimet në lidhje me praninë e një toksine, cereulide, shkaktuan tërheqje nga tregu në dhjetëra vende. Autoriteti i Sigurisë Shëndetësore i Mbretërisë së Bashkuar tha se duke pasur parasysh disponueshmërinë e gjerë të produkteve të prekura para tërheqjes, disa raste priteshin pasi spitalet u njoftuan për simptoma të dyshimta.

  • BE-ja bie dakord për detajet e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    BE-ja bie dakord për detajet e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Ambasadorët e BE-së kanë miratuar detajet e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, të dakordësuar nga udhëheqësit në fund të vitit të kaluar.

    Kredia synon të përmbushë shumicën e nevojave financiare të Ukrainës, ndërsa lufta i afrohet fillimit të vitit të saj të pestë, drejt fundit të këtij muaji.

    Ambasadorët arritën një marrëveshje në një takim me dyer të mbyllura në Bruksel, thanë disa diplomatë për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e kishte kritikuar më parë Evropën për kredinë, duke thënë se 90 miliardë eurot do të mbërrinin shumë vonë.

    Udhëheqësit e BE-së ranë dakord në dhjetor t’i ofrojnë Ukrainës kredinë pa interes në vitet 2026 dhe 2027.

  • LVV: Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar rolin e saj

    LVV: Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar rolin e saj

    Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Listës Serbe, lidhur me nënkryetarin e Kuvendit, dëshmon mungesë serioze konsistence të gjykatës. 

    Përmes një reagimi, kjo parti ka shprehur se Kushtetuesja e ka ndryshuar qëndrimin e vet brenda katër muajve për të njëjtën çështje kushtetuese.

    Sipas këtij subjekti, Gjykata po krijon në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret, Listën Serbe.

    “Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë të së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues. Një ndryshim i tillë nuk mund të justifikohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon elementi thelbësor i tij evolucioni i rrethanave normative ose shoqërore. Në këto kushte, ndryshimi i qëndrimit merr karakterin e një përdorimi formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ, çka përbën formë klasike të abus de droit”, thuhet në reagim.

    Sipas LVV-së, Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar rolin kushtetues.

    “Gjykata Kushtetuese nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik. Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh. Gjykata aktuale Kushtetuese është duke bërë hermeneutikë të teksteve të veta. Kur Gjykata Kushtetuese bëhet autoreferenciale, ajo kalon jashtë kufijve kushtetues”, thotë më tej në reagim.

    Vetëvendosje ka deklaruar tutje se duke zgjeruar kompetencat e saj “qëllimisht po formësohet një pol pushteti paralel dhe i padukshëm nga sovrani, i cili shfaqet sa herë demokracia fillon të marrë hov dhe jeta realpolitike prodhon kontradikta”.

    “Dhjetra ligje reformuese e me interes për vendin Gjykata Kushtetuese i ka bllokuar, e pastaj shfuqizuar pjesërisht ose në tërësi shumicën prej tyre. Kjo luftë e tyre ndaj Qeverisë po bën aq shumë dëme: nga rrëzimi i Ligjit për çmime tavan për produktet bazë e deri te bllokimi tash e 770 ditë i Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës”, thuhet në reagim.

    Më tutje ka arsyetuar se Kushtetuta e thotë se “nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhjet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit”, dhe duke theksuar më tej në arsyetim se çdo kriter shtesë është krijim norme, jo interpretim.

    Ndërkohë, LVV-ja ka shtuar se Kushtetuesja po e bën të kundërtën e asaj që thuhet në Propozimin e Ahtisarit, duke theksuar se dispozitat e tij “njohin përfaqësimin e komuniteteve, jo dominimin e një subjekti politik mbi institucionet”.

    “Gjykata Kushtetuese po dëshiron të kapërcejë ekipin negociator të vitit 2006 dhe Ahtisaarin në 2007”.

    Ndërkaq, shpreh më tej se Kushtetutën gjykata e ka shndërruar “në materie diskutimi dhe tkurrjeje, jo zbatimi”.

    “Çdo interpretim që e sakrifikon këtë funksionalitet për hir të një subjekti politik, i cili për më keq s’e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë. Sipas Kushtetutës ne jemi shoqëri multietnike, jo shtet multietnik, sepse jemi Republikë demokratike e parlamentare dhe jo federatë a konfederatë. Këtë nuk mundet ta ndërrojë asnjë gjykata, as kjo kushtetuesja”, thuhet në përfundim të reagimit të LVV-së.

  • Tentoi ta vriste Donald Trumpin, Ryan Routh dënohet me burgim të përjetshëm

    Tentoi ta vriste Donald Trumpin, Ryan Routh dënohet me burgim të përjetshëm

    Ryan Routh është dënuar me burg të përjetshëm për përpjekjen e tij për të vrarë Donald Trump në Florida në vitin 2024 gjatë fushatës presidenciale.

    Gjykatësi federal Aileen Cannon dha këtë dënim më 4 shkurt 2026 pasi Routh u gjykuar fajtor për pesë akuza, përfshirë përpjekjen për vrasje të një kandidati kryesor presidencial, sulm ndaj një zyrtari federal dhe shkelje të shumta me armë zjarri.

    Routh u arrestua pasi një agjent i Secret Service e zbuloi teksa qëllonte një armë drejt fushës golfit ku Trump po luante golf në 15 shtator 2024, por nuk arriti të qëllonte për Trump.

    Prokurorët argumentuan se ai kishte planifikuar me muaj të tërë sulmin dhe nuk tregoi pendesë, prandaj kërkuan burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të ulët (rreth 27 vjet) duke cituar moshën dhe shëndetin e tij. Gjykata refuzoi këtë kërkesë dhe vendosi dënimin maksimal sipas ligjeve federale.

    Në gjyq, Routh pati sjellje të çrregullt, duke përfshirë një tentativë për t’u vetëdëmtuar me një stilolaps pas shpalljes së fajësisë nga juria.

    Në botë konsiderohet si një nga ngjarjet më serioze të sigurisë në politikën amerikane, veçanërisht duke ndodhur pak javë pas një tjetër tentative të ngjashme ndaj Trump në Pensilvani.