ATV

Author: G.O.

  • Kujdesi për flokët në dimër: Gabimet që duhen shmangur

    Kujdesi për flokët në dimër: Gabimet që duhen shmangur

    Koha e ftohtë dhe ndryshimi i temperaturave janë të dëmshme për flokët, të cilët janë shumë të ndjeshëm dhe reagojnë njëlloj si çdo pjesë tjetër delikate e trupit.

    Por nëse për lëkurën e thatë ka mënyra natyrale për ta zbutur, flokët kërkojnë kujdes më të madh.

    Pjesa më e madhe e vajzave nuk tregojnë kujdes gjatë periudhës së dimrit me flokët.

    Shpesh bëjnë gabime të cilat i dëmtojnë shumë ato.

    Më poshtë janë renditur 5 gabimet që duhet t’i shmangësh gjatë periudhës së ftohtë të vitit.

    Larja me ujë të nxehtë

    Ndërsa jashtë bën shumë ftohtë, qetësinë duket se e gjen në dush me ujë të nxehtë, por pak janë ato që mendojnë se kjo është shumë e dëmshme për flokët. Sa më i nxehtë të jetë uji në dush, aq më shumë eliminon yndyrën natyrale të tyre dhe u zhduk shkëlqimin. Siç këshillohet nga specialistët, temperatura optimale që duhet të përdorësh në dush është jo më shumë se 45 gradë celcius, aq sa ta ndiesh të nxehtin në lëkurë, por jo sa ajo të skuqet. Natyrisht, nëse mundesh, uji i ftohtë është edhe më i mirë për flokët.

    Larja pak minuta para daljes nga shtëpia

    Edhe dushi në mëngjes është një zgjidhje për t’u ngrohur para se të dalësh nga shtëpia. Por as kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Siç rekomandojnë specialistët, të paktën 30 minuta pas dushit nuk duhet të dalësh nga shtëpia. Pas larjes, flokët janë më të hollë dhe kontakti i menjëhershëm me ambientin e ftohtë do të thotë këputje majash dhe dehidratim.

    Kapela (kapuçi)

    Në dimër, kur ajri ka shumë lagështirë, skalpi ka nevojë absolute për t’u mbrojtur. Përdorimi i vazhdueshëm i kapelave ose kapuçave, ashtu si nga njëra anë janë mbrojtës të skalpit, nga ana tjetër shmangin ajrosjen e flokëve duke i bërë ata më problematikë. Nga ana tjetër, sigurohu që kapela apo kapuçi të jenë shumë të pastër, sepse bakteret që mund të përmbajnë janë shumë të dëmshëm për shëndetin e flokëve.

    Ndryshimi drastik i ngjyrave

    Nga bjondja në brune dhe anasjelltas. Kjo nuk është e këshillueshme në asnjë sezon, por sidomos në dimër, kur lagështira e ajrit është më e madhe dhe ndikon drejtpërdrejt në flokë, këshillojnë dermatologët, shkruan bota.al, transmeton Klan Kosova. Biondet e hapura që mund të duken shumë seksi në verë, në dimër mund të kenë probleme për shkak se kanë flokë më delikatë dhe më të ndjeshëm ndaj temperaturave. Kështu, nëse do të ndryshosh rrënjësisht ngjyrën, prit deri në pranverë. Nëse je bionde, këshillohet të shkosh në tone pak më të errëta, gold ose bezhë për t’u dukur më bukur, por edhe për t’iu përshtatur dimrit.

    Maskat natyrale

    Mungesa e trajtimit të flokëve me maska natyrale ndikon në tharjen e lëkurës së skalpit gjatë dimrit dhe për më tepër, edhe në eliminimin e yndyrës natyrale. Rekomandohet të paktën një herë në javë maska me të verdhë veze dhe vaj ulliri, ose edhe maska të tjera natyrale me produktet që ke në shtëpi.

  • Sa shpesh duhet t’i ndërroni peshqirët për higjienë të mirë

    Sa shpesh duhet t’i ndërroni peshqirët për higjienë të mirë

    Shumica prej nesh besojmë se peshqirët mund të zgjasin përgjithmonë, për sa kohë që nuk janë të grisur, por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është tamam e vërtetë – veçanërisht për arsye higjiene dhe shëndetësore.

    Shkencëtarët dhe ekspertët thonë se peshqirët nuk kanë një etiketë me një datë të saktë skadimi si ushqimet, por me kalimin e kohës ata humbasin aftësinë për të thithur, bëhen me erë të pakëndshme, të ashpër në prekje dhe një mjedis ideal për shumimin e baktereve që janë të vështira për t’u hequr me larje të zakonshme.

    Sa kohë duhet ta përdorni në të vërtetë një peshqir? Rekomandimi i përgjithshëm është që peshqirët e banjës të zëvendësohen afërsisht çdo dy deri në tre vjet, megjithëse materialet me cilësi më të lartë, si pambuku egjiptian ose turk, mund të zgjasin deri në pesë vjet me kujdesin e duhur.

    Nëse peshqiri juaj nuk e thith më ujin aq mirë sa dikur, zbehet ose lë një erë të pakëndshme edhe pas larjes, këto janë shenja të qarta se është koha për ta hedhur.

    Peshqirët më të vegjël, siç janë peshqirët e duarve që përdoren më shumë dhe lahen më shpesh, zakonisht duhet të zëvendësohen pas një ose dy vitesh sepse e humbasin funksionalitetin e tyre më shpejt.

    Ekspertët theksojnë se tharja dhe ventilimi i duhur i banjës është thelbësor – peshqirët që qëndrojnë të lagur për një kohë të gjatë bëhen një mjedis i përshtatshëm për shumimin e baktereve dhe kërpudhave, të cilat gjithashtu mund të çojnë në acarim të lëkurës. Prandaj, nuk është e rëndësishme vetëm sa shpesh lani, por edhe ku dhe si i lini të thahen.

    Sigurisht, e gjithë kjo nuk do të thotë që çdo peshqir i ngurtësuar ose i zbehur shkon menjëherë në plehra – copat e vjetra mund të përdoren si lecka pastrimi ose për fshirje pas punëve të shtëpisë, gjë që është një zgjidhje ekologjike dhe praktike përpara se të hidhen përfundimisht.

    Shkurt – peshqirët mund të mos kenë një datë të saktë skadimi, por ata patjetër që kanë një “kohë përdorimi”, dhe zëvendësimi në kohë do të thotë higjienë më e mirë, freski dhe një përvojë më të këndshme pas dushit.

  • Washington Post pushon nga puna qindra punëtorë

    Washington Post pushon nga puna qindra punëtorë

    Gazeta Washington Post, në pronësi të miliarderit Jeff Bezos filloi sot një plan gjithëpërfshirës shkurtimesh nga puna, sipas burimeve dhe mediave, pasi gazeta prestigjioze amerikane është përballur me vështirësi vitet e fundit.

    Një burim i tha AFP-së se shumë korrespondentë të huaj do të pushohen nga puna, ndërsa departamentet e lajmeve sportive dhe lokale janë gjithashtu veçanërisht të prekura nga vala e madhe e shkurtimeve të vendeve të punës , sipas raportimeve të medias.

    “Nuk mund ta shpërbësh një zyrë redaksionale pa pasoja për besueshmërinë, ndikimin dhe të ardhmen e saj”, njoftoi sindikata e gazetave Post Guild.

    “Vetëm në tre vitet e fundit, stafi i Postës është zvogëluar me rreth 400 persona”, shtoi ai, duke thënë se “kundërshton fuqimisht çdo reduktim të mëtejshëm”.

    “I gjithë ekipi” që mbulon Lindjen e Mesme, si dhe “shumica” e korrespondentëve të huaj, do të humbasin vendet e tyre të punës, tha për AFP-në një nga punonjësit që do të humbasë punën e tij.

    Gazeta, e cila zbuloi skandalin Watergate dhe ka fituar disa çmime Pulitzer, ka qenë në krizë prej vitesh.

  • Haradinaj në Departamentin Amerikan të Shtetit, takohet me Lawton: Kosova në NATO forcon sigurinë

    Haradinaj në Departamentin Amerikan të Shtetit, takohet me Lawton: Kosova në NATO forcon sigurinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar Daniel Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, në Departamentin Amerikan të Shtetit.

    Haradinaj është shprehur se aty e tha qëndrimin se Kosova në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik.

    Postimi i plotë:

    Pata nderin në Departamentin Amerikan të Shtetit, të takoj z. Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. E falënderova z. Laëton për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore.

    Theksova se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike. Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik.

  • Rita Ora reagon pas publikimit të paautorizuar të këngës kushtuar bashkëshortit

    Rita Ora reagon pas publikimit të paautorizuar të këngës kushtuar bashkëshortit

    Rita Ora ka reaguar publikisht pasi një këngë e dedikuar bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi, ka rrjedhur në internet.

    Këngëtarja 35-vjeçare kishte lënë të kuptohej muajin e kaluar se albumi i saj i katërt do të publikohet këtë vit, teksa ndau një shënim të shkruar me dorë ku lexohej “album 4”, shoqëruar me mbishkrimin: “2026 do të jetë një vit i mirë”.

    Kënga në fjalë, e titulluar “Tokyo Karaoke”, u publikua pa paralajmërim në internet dhe përmban vargje të frymëzuara nga udhëtimi i Ritës në Japoni, aty ku ajo ra në dashuri me regjisori 50-vjeçar, shkruan DailyMail.

    Sipas “The Sun”, kënga ishte menduar fillimisht të ishte pjesë e albumit të saj të tretë, “You & I”, dhe përfshin vargje emocionale që flasin për pasiguri, dashuri dhe mbështetje reciproke.

    “I always talked myself out of love like I was never really good enough. Now when I’m down, you always lift me up. Slow kiss this cherry blossom lipstick off. So pour it up, this night is for us”, janë disa nga vargjet e këngës që kanë tërhequr vëmendjen e fansave.

    Rita reagoi ndaj rrjedhjes së këngës përmes Instagramit, ku publikoi një ‘screenshot’ nga një faqe fansash që kishte shpërndarë linkun e këngës.

    Duke e marrë me sportivitet situatën, ajo iu drejtua ndjekësve duke thënë: “Me sa duket, rrjedhjet ende ekzistojnë. Fatmirësisht, kjo është një këngë që e dua shumë. Kështu që shijojeni. Faleminderit atij që e ka publikuar”.

    Ky reagim vjen pak kohë pasi Rita ka folur hapur edhe për jetën e saj familjare, duke e cilësuar si një “hapje sysh” përvojën e të qenit njerkë e fëmijëve të bashkëshortit të saj.

    Këngëtarja u bë njerkë e vajzave të Taika Waititit, Te Kāinga o te Hinekāhu, 13 vjeçe, dhe Matewa Kiritapu, nëntë vjeçe, pasi çifti u martua në vitin 2022.

    Në një rrëfim të rrallë për jetën private, Rita tregoi se ky rol i ri i ka ndryshuar perspektivën për jetën. Ajo tha për “The Sun” se e sheh këtë përvojë si diçka të lehtë, por shumë domethënëse, pasi e ka ndihmuar të kuptojë se ka shumë më tepër në jetë sesa shqetësimet e momentit.

    “Është vërtet e lehtë. Zgjohemi, ushtrohemi bashkë, fëmijët vrapojnë në pistat e fitnesit, është një aktivitet familjar. Duhet ta pranoj që ka qenë një hapje e madhe sysh për të kuptuar se ndonjëherë ka më shumë në jetë sesa ajo për të cilën shqetësohesh në atë çast. Kam kuptuar se ekziston shumë më tepër, dhe kjo përvojë ma ka dhënë pikërisht këtë ndjesi”, u shpreh ajo.

    Taika Waititi ka dy vajza nga martesa e tij e mëparshme me producenten Chelsea Winstanley, nga e cila u nda në vitin 2018, pas shtatë vitesh martesë.

    Rita dhe Taika nisën lidhjen e tyre romantike në mars të vitit 2021, ndërsa në gusht të po atij viti dolën publikisht si çift. Përpara se të bëheshin partnerë, ata kishin qenë miq të ngushtë për rreth pesë vite. /Telegrafi/

     

  • Përfundojnë bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, do rifillojnë nesër

    Përfundojnë bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, do rifillojnë nesër

    Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara në Abu Dhabi, kanë përfunduar për sot më 4 shkurt dhe pritet të rifillojnë nesër, në një përpjekje të re për të eksploruar mundësinë e përfundimit të luftës në Ukrainë, pavarësisht përshkallëzimit të fundit të sulmeve ruse.

    Negociatorë nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-të u mblodhën këtë të mërkurë në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe për raundin e dytë të bisedimeve trepalëshe. Ky raund vjen pas një takimi të parë të mbajtur në mesin e janarit, ndërsa një takim pasues i planifikuar për të dielën e kaluar ishte shtyrë për arsye ende të paqarta.

    Delegacioni ukrainas në Abu Dhabi pritet të drejtohet sërish nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili ka qenë figura kyçe e Kievit në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, që ka hyrë tashmë në vitin e tretë.

    Nga ana tjetër, Kremlini ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshime në përbërjen e delegacionit rus. Ai përfshin drejtuesin e shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse (GRU), Igor Kostyukov, si dhe disa zyrtarë të lartë ushtarakë. Sipas burimeve zyrtare, bisedimet janë planifikuar të zgjasin deri të enjten.

    Megjithatë, klima e negociatave është rënduar nga rifillimi i sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Autoritetet ukrainase raportuan për sulme ajrore gjatë natës në disa rajone të vendit, të cilat kanë lënë sërish miliona qytetarë pa energji elektrike dhe ngrohje, në mes të temperaturave të ulëta të dimrit, si dhe kanë penguar riparimet e vazhdueshme të rrjetit energjetik.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën për shkeljen e një armëpushimi të kufizuar, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe ka kërkuar një reagim nga Uashingtoni. Ai ka theksuar se Ukraina ndodhet në një pozicion të ndjeshëm, duke qenë e varur nga vullneti i mirë i presidentit amerikan Donald Trump për sigurimin e garancive të sigurisë nga SHBA-ja, dhe se Kievi nuk mund të tërhiqet nga bisedimet, pavarësisht situatës në terren.

    Rifillimi i negociatave nesër pritet të tregojë nëse palët janë të gatshme të bëjnë hapa konkrete drejt uljes së tensioneve apo nëse përplasjet ushtarake do të vazhdojnë të dominojnë mbi përpjekjet diplomatike.

  • 3 minerale që truri juaj ka nevojë çdo ditë

    3 minerale që truri juaj ka nevojë çdo ditë

    Truri ynë që të funksionojë mirë duhet të kete disa përberës.

    Më poshtë do të gjeni disa nga mineralet që i japin trurit tuaj shëndet.

    1. Kalciumi

    Kalciumi është një mineral thelbësor për funksionimin e trurit. Ai luan një rol kryesor si mesazher i qelizave nervore, rregullon neurotrasmetimin dhe kontrollon impulset nervore. Mungesa e tij në organizëm është e rrallë sepse organizmi ka një rezervë të madhe të mineralit në kocka, por disa medikamente mund ta zvogëlojnë nivelin e tij. Ushqimet që përmbajnë kalcium janë qumështi, kosi, djathi, spinaqi.

    1. Magnezi

    Magnezi është i rëndësishëm për shndrrimin e vitaminave B në formën aktive të tyre. Një studim tregoi se administrimi i suplementeve të magnezit tek minjtë e rritur përmirësoi kujtesën si dhe kujtesën afatgjatë. Çdo mungesë e tyre çon në probleme neurologjike. Ushqime me magnez janë farat e kungullit, kakaoja pluhur, bajamet dhe kikirikët.

    1. Zinku

    Akoma nuk dihet se çfarë roli luan zinku në shëndetin e trurit, por mungesa e tij lidhet me çregullime neurologjike dhe psikologjike si sëmundja e Parkinsonit apo sëmundja e Alzheimerit. Ushqime të pasura me zink janë qingji, kungulli dhe mëlçia.

  • Policia nuk fal asnjë: Mbi 15 mijë gjoba trafiku vetëm në janar

    Policia nuk fal asnjë: Mbi 15 mijë gjoba trafiku vetëm në janar

    Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 15 mijë e 426 gjoba ndaj shkelësve të rregullave të trafikut rrugor vetëm gjatë muajit janar.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Policia e Kosovës, e cila ka theksuar se kontrollet në trafik janë realizuar me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore.

    Sipas Policisë, respektimi i sinjalizimit rrugor dhe i kufizimeve të shpejtësisë është përgjegjësi e çdo pjesëmarrësi në trafik, duke apeluar për kujdes të shtuar dhe zbatim të rregullave për të parandaluar aksidentet.

    Policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

  • Arrestohet deputeti gjerman, ja akuzat me të cilat përballet

    Arrestohet deputeti gjerman, ja akuzat me të cilat përballet

    Një foto në gazetën Bild tregonte Joerg Dornau, 56 vjeç, një biznesmen dhe deputet të partisë miqësore me Moskën në shtetin lindor të Saksonisë, duke u nxjerrë nga salla e debatit të parlamentit të shtetit.

    Pak më parë, deputetët kishin votuar për t’i hequr atij imunitetin parlamentar.

    Dornau akuzohet se ka eksportuar një vinç automjetesh në Bjellorusinë, aleate të Rusisë, në vitin 2022 dhe ka deklaruar në mënyrë të rreme si destinacion Kazakistanin, thonë prokurorët e Leipzigut.

    Zyrtarët e doganës kontrolluan shtëpinë dhe automjetet e tij, thanë prokurorët.

    “Kontrollet shërbejnë për të siguruar sende që mund të konsiderohen si prova në hetim. Nuk do të ketë kontroll në ambientet e parlamentit shtetëror ose të grupeve parlamentare”, thanë prokurorët.

    Grupi parlamentar i Saksonisë, AfD, i tha AFP-së se nuk shihte asnjë arsye pse Dornau duhej të ndalohej menjëherë para një seance parlamentare, duke thënë se dukej se ngjarja ishte “inskenuar për konsum mediatik”.

    Sipas sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, eksportet e pajisjeve industriale në Bjellorusi, aleatin e ngushtë të Rusisë, janë të kufizuara rëndë.

    Dornau u gjobit me mbi 20,000 euro (23,617 dollarë) gushtin e kaluar nga autoritetet parlamentare për mosdeklarimin e interesit të tij financiar në një fermë qepësh në Bjellorusi.

  • Humans Right Watch i fut në një raport Kosovën e Serbinë, çfarë shkruhet për të drejtat e grave, e llogaridhënien për krimet e luftës

    Humans Right Watch i fut në një raport Kosovën e Serbinë, çfarë shkruhet për të drejtat e grave, e llogaridhënien për krimet e luftës

    Humans Rights Watch, kanë publikuar raportin e tyre, kur përshkruhen zhvillimet në vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe Kosovën. Për dallim nga vendet e tjera, të cilat kjo organizatë i ka trajtuar ndaras, për zhvillimet në Kosovë, HRW, ka njoftuar brenda një raportit të përbashkët me Serbinë.

    Në raportin e kësaj organizate, flitet për çështje të ndryshme përfshirë këtu edhe të drejtat e grave e llogaridhënia për krimet e luftës.

    Për të drejtat e grave, në rastin e Serbisë, theksohet se në këtë shtet, pavarësisht, se ekzistojnë ligje për mbrojte për gratë, zbatimi i tyre është i dobët, dhe se dhuna në bazë gjinore mbetet e hapur.

    ‘’Të drejtat e grave

    Edhe pse ekzistojnë mbrojtje ligjore për gratë, përfshirë Strategjinë për Barazi Gjinore 2021–2030, zbatimi i tyre është i dobët; dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur, hendekët në paga dhe pabarazitë ekonomike vazhdojnë, ndërsa gratë nga grupet e margjinalizuara, veçanërisht romet, përballen me diskriminim të shumëfishtë dhe qasje të pabarabartë në kujdesin shëndetësor’’, thuhet në raport.

    Për Kosovën, HRW, thekson se është zgjatur mandati i komisionit përgjegjës për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, dhe se, të mbijetuarit e njohur kanë të drejtë në një pension mujor prej 230 eurosh, kujdes shëndetësor falas dhe përfitime punësimi, porse vetëm rreth 2.000 persona e kanë marrë këtë status nga rreth 20.000 të mbijetuar të vlerësuar

    ‘’Të drejtat e grave

    Në prill, Kosova e zgjati deri më 15 maj 2028 mandatin e komisionit përgjegjës për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe e shtyu afatin e aplikimit deri më 15 maj 2027. Presidentja Vjosa Osmani dhe grupet për të drejtat e të mbijetuarve kishin kërkuar një periudhë aplikimi pa afat të caktuar për të akomoduar më mirë të mbijetuarit. Të mbijetuarit e njohur kanë të drejtë në një pension mujor prej 230 eurosh, kujdes shëndetësor falas dhe përfitime punësimi, por vetëm rreth 2.000 persona e kanë marrë këtë status nga rreth 20.000 të mbijetuar të vlerësuar. Shënimi i 14 prillit si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës përfshiu gjithashtu dëshminë e parë publike nga një i mbijetuar mashkull’’, thuhet në raportin e HRW për Kosovën.

    Për çështjen e krimeve të luftës, HRW në rastin e Serbisë, thekson se, midis janarit dhe shtatorit, Zyra e Prokurorit për Krime Lufte nisi tetë hetime të reja për krime lufte me të dyshuar të emëruar, si dhe 15 hetime të tjera.

    ‘’Llogaridhënia për krimet e luftës

    Midis janarit dhe shtatorit, Zyra e Prokurorit për Krime Lufte nisi tetë hetime të reja për krime lufte me të dyshuar të emëruar, si dhe 15 hetime të tjera. Deri në shtator, 20 raste kundër 44 të pandehurve ishin në shqyrtim para gjykatave serbe. Procedurat në vazhdim u shoqëruan me vonesa të konsiderueshme. Në shtator, Gjykata e Lartë e Beogradit e shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Korpusit të Drinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Milenko Zhivanoviq, për urdhërimin dhe pjesëmarrjen në zhvendosjen me forcë të civilëve boshnjakë nga Srebrenica në korrik 1995, e cila përfundoi me gjenocidin e mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë dhe dëbimin e rreth 40.000 grave, të moshuarve dhe fëmijëve. Gjithashtu në shtator, Gjykata e Apelit e Beogradit e rriti dënimin e Danko Vladiçiqit nga nëntë në 12 vjet, pas ankesës së prokurorisë. Ai u shpall fajtor në vitin 2022 për vrasjen e dy civilëve boshnjakë në Brod na Drini në vitin 1992; trupat e viktimave mbeten ende të zhdukur’’, thuhet në raport.

    Ndërsa në Kosovë, thekson raporti, Gjykata Themelore në Prishtinë në korrik e dënoi Milos Pleskoviqin, një ish-paramilitar serb, për krime lufte për vrasjen në vitin 1999 të tre shqiptarëve etnikë pranë qytetit të Gjakovës, dhe se, Themelorja në Prishtinë dënoi në mungesë dy shtetas serbë për përdhunimin gjatë luftës të një gruaje shqiptare etnike, duke i dënuar secilin me nga 20 vjet burg.

    ‘’Llogaridhënia për krimet e luftës

    Gjykata Themelore në Prishtinë në korrik e dënoi Milos Pleskoviqin, një ish-paramilitar serb, për krime lufte për vrasjen në vitin 1999 të tre shqiptarëve etnikë pranë qytetit të Gjakovës, duke e dënuar me 15 vjet burg. Gjykata konstatoi se Pleskoviqi i kishte ndaluar dhe më pas i kishte ekzekutuar viktimat.

    Në korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në mungesë dy shtetas serbë për përdhunimin gjatë luftës të një gruaje shqiptare etnike, duke i dënuar secilin me nga 20 vjet burg. Më herët po atë muaj, gjykata dënoi në mungesë një ish-anëtar të shërbimit të sigurisë së Serbisë me 15 vjet burg për zhdukjen në vitin 1998 të një mjeku shqiptar etnik. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në shkurt e lanë në fuqi dënimin me 15 vjet burg të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, duke konfirmuar fajësinë e tij për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Kosovës më 1999. Mustafa u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasjen e një të ndaluari në një objekt të drejtuar nga UÇK-ja në Zllash.

    Në korrik, Dhomat e Specializuara të Kosovës e ulën dënimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, nga 18 në 13 vjet, duke lënë në fuqi dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasjen e të paktën 16 të ndaluarve gjatë Luftës së Kosovës më 1999. Gjykata konstatoi se Shala nuk kishte rol komandues në një nga vrasjet dhe se dënimi fillestar ishte joproporcional.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në shkurt dënuan tre ish-luftëtarë të UÇK-së, Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, me nga dy vjet burg për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve. Po në shkurt, dhomat u dhanë lirimin me kusht dy prej të dënuarve, bazuar në kohën e vuajtur. Ndikimi negativ i frikësimit të dëshmitarëve mbi përpjekjet për llogaridhënie në Kosovë ishte një faktor i rëndësishëm në themelimin e Dhomave të Specializuara’’, thuhet në raportin e HRW.